Thursday, March 18, 2010

PS: SOT DITA E FUNDIT PËR ZGJIDHJE PARLAMENTARE TË KRIZËS

“Sot kur na ndajnë veçse pak orë nga seanca plenare, kur na ndan veçse një ditë nga vizita e komisionerit për zgjerim të BE, teksa të gjithë shqiptarët dhe komuniteti ndërkombëtar presin që klasa politike shqiptare të tregojë pjekuri e përgjegjshmëri”. Kështu u shpreh sot deputeti socialist Blendi Klosi sipas të cilit, në ditën e fundit të të gjithë ultimatumeve euroatlantike për zgjidhjen e krizës i bëjmë dhe një herë thirrje Berishës dhe mazhorancës së tij që të reflektojnë e të mos bëhen pengesë për arritjen e një zgjidhjeje institucionale të krizës.

“Në seancën e sotme zoti Berisha ka mundësinë t’i tregojë shqiptarëve e botës mbarë nëse ky parlament do të damkoset përgjithnjë si parlamenti i Ruzhdies, apo si parlamenti që e ndau Shqipërinë njëherë e mirë nga praktikat zullumqare të vjedhjes së zgjedhjeve. I mbetet Berishës dhe mazhorancës të vendosë. Në seancën e sotme zoti Berisha ka mundësinë t’u tregojë shqiptarëve e botës mbarë sesa i përkushtuar është ndaj integrimit e respektimit të standardeve demokratike e ligjore në Shqipëri”, u shpreh Klosi.

Dhe këtë, vijoi ai, mund ta bëjë vetëm duke lejuar një hetim të plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit, jo për efekt mandatesh, por për efekt të transparencës dhe parandalimit të zgjedhjeve të manipuluara në të ardhmen.

“Është kjo një përgjegjësi e madhe, që do të rëndojë shumë mbi Berishën në historinë e tij politike, prandaj në emër të Partisë Socialiste e ftojmë edhe njëherë që të bëjë zgjedhjen e duhur: të lejojë ai dhe mazhoranca e tij hetimin e plotë duke përfshirë edhe hapjen e kutive. Kjo është ajo që po kërkojmë sot ne, por edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, dhe jemi të vendosur t’i shkojmë kësaj çështjeje deri në fund. Jepini fund kësaj krize zoti Berisha. Në të kundërt do të përballeni me përpjekjet e vendosura e të pandërprera të popullit opozitare që kërkon fundin e qeverisë tuaj”, nënvizoi Klosi. (Lajmifundit)

No comments:

Parashimi i motit per Tiranen