Saturday, March 13, 2010

META PËR “BLIC”: VIZITA NË SERBI, NDIHMON INTEGRIMIN NË BE

“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian do të jetë utopi pa përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, si dhe ndërmjet serbëve e shqiptarëve në tërë rajonin e Ballkanit”.
Ky pohim i përket Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë Ilir Meta, deklarata e të cilit është bërë në numrin e sotëm të gazetës serbe "Blic" e cila botohet në beograd.
Meta ka thënë se zhvilloi vizitën në Serbi, për një qëllim, sepse Shqipëria, si edhe Serbia, dëshiron që sa më shpejtë të bëhet anëtare e barabartë e Bashkimit Evropian.
"Kusht i parë për këtë është bashkëpunimi i afërt në rajon", tha Meta.
Në përfundim të vizitës dy ditore në Beograd, Meta tha se është i bindur se të gjitha ato marrëdhënie do të përmirësohen dhe do të rritet numri i vizitave në nivel më të lartë mes dy vendeve.
Duke komentuar konferencën e pritshme në Bërdo afër Kranjit, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë tha se është e rndësishme pjesëmarrja e të gjithëve për gjetjen e një zgjidhje mes Kroacisë dhe Sllovenisë. (lajmifundit)

SHKODËR, BIZNESMENI I NDËRTIMIT U QËLLUA TETË HERË, ATENTATI “PA AUTORË”

SHKODER – Ka mbetur pa autorë vrasja e ndodhur mbrëmjen e të premtes në Shkodër e cila kishte në shenjestër të saj biznesmenin e ndërtimit Astrit Meshnuni, 38 vjeç, pronar i një qendre tregtare në hyrje të qytetit.
Policia është mjaftuar me kryerjen e veprimeve hetimore rutinë, duke mos dhënë asnjë deklaratë për median në lidhje me hetimet që po zhvillohen për ngjarjen e rëndë.
Sipas veprimeve hetimore të kryera deri më tani, në vendin e ngjarjes, në lagjen “Perash” pranë shkollës 9-vjeçare “Ali Lacaj” ku u qëllua me armë biznesmeni, janë gjetur tetë gëzhoja arme automatike tip Kallashnikov.
Ato janë dërguar për ekspertim me qëllim identifikimin e armës së përdorur në krim si dhe gjetjen e shenjave të mundshme të gishtave ne to.
Nga burime të policisë mësohet se janë shoqëruar në drejtorinë e Shkodrës disa persona të cilët janë marrë në pyetje lidhur me ngjarjen dhe më pas janë lënë të lirë.
Vrasja ndodhi dje në mbrëmje, kur biznesmeni po kthehej në banesën e tij me gruan dhe me vajzën ndërsa u qëllua me armë menjëherë sapo zbriti nga automjeti.
Ne kete kohe, mesohet se biznesmeni eshte perballur me nje person me arme ne duar te cilit i eshte drejtuar duke i thene: Cfare ke me mua, cfare te kam bere….?...me pas nje bresheri armesh eshte degjuar ne distance te afert prane viktimes, ndersa autori eshte larguar menjehere nga vendi i krimit.
Artikulli i djeshëm: 12 March 2010, ora 21:41
Shkodër, vritet me armë para shtëpisë, biznesmeni i ndërtimit
Shkoder – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak minuta më parë në qytetin e Shkodrës. Biznesmeni i ndërtimit Astrit Meshnuni, 45 vjeç, u qëllua me armë dhe gjeti vdekjen.

Ngjarja ka ndodhur në ora 21:00 në lagjen “Daniel Mançia” në kohën kur sipërmarrësi i ndërtimit po kthehej në banesën e tij në këtë zonë.

Sipas burimeve të policisë së Shkodrës, në momentin kur është qëlluar me armë, biznesmeni ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.

Viktima bashkë me të shoqen sapo kishin zbritur nga automjeti në kohën kur autorët e krimit qëlluan me breshëri mbi biznesmenin duke i marrë jetën në vend.

Policia thotë se vrasësit u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa kanë nisur hetimet për zbardhjen e këtij krimi të rëndë, shkaqet e të cilit ende janë të paqarta. (Lajmifundit)

REAGON PD: EDVIN KRIZA SHPIF, LIGJI I SHISH ME STANDARDE TË BE-SË

TIRANE – Partia Demokratike reagoi sot menjëherë pas dekaratave të Edi Ramës në Korçë, duke thënë se kreu i opozitës po sulmon politikat sociale të qeverisë pasi ato janë rrënoja e të ardhmes së tij politike të bazuar në kriza imagjinare.
“Sot përsëri Edvin Kristaq Kriza, me shpifje e trillime të ulta u përpoq ti kundërvihej politikave sociale të qeverisë, rritjes së rrogave dhe pensioneve, rritjes së punësimit, rritjes së investimeve.
Ndërkohë që dje si një fondamentalist i vërtetë sulmoi institutin e statistikave, të dhënat e të cilit kanë marrë vlerësime të jashtëzakonshme nga institucionet më serioze ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore apo dhe nga institucione të tjera nga e mbarë bota”, tha zëdhënësja e Partisë Demokratike Erla Mëhilli.
Ajo shtoi se “sot në Korcë, Edvin 2 K (Kristaq Kriza) u ngrit sërish kundër investimeve të mëdha të qeverisë në këtë rreth, autostradës Qafë Pllocë – Qukës dhe Boshtit të Jugut, vetëm e vetëm se e di mirë se këto investime rrënojnë të ardhmen e tij politike të bazuar në kriza imagjinare, në shpifje e trillime”.
“Përsa i përket komenteve mbi Ligjin e SHISH, të cilat z.Rama i bën pa e lexuar ligjin, Partia Demokratike qartëson se çdo gërmë, çdo fjalë e çdo fjali rreth këtij ligji është marrë dhe pasqyron standardet më të mira të vendeve të NATO-s dhe BE-së”, tha zëdhënësja.
Zëdhënësja tha se Partia Demokratike e fton Edi Ramën të dërgojë antarët e vetë në Komisionin Parlamentar të Sigurisë ku do të diskutohet ligji, dhe të paraqesë atje të gjitha vërejtjet që ka, por është e sigurt se ska për të pasur asnjë vërejtje. (Lajmifundit)

KUTITË, RAMA: PRESIM BERISHËN DERI NË 18 MARS, NDRYSHE PROTESTA

KORÇE – (UPDATE - Rama nga Korça: S`do lejojmë ndryshimet në ligjin e SHISH) Kryetari i Partise Socialiste Edi Rama deklaroi sot se opozita nuk do të lejojë miratimin në Kuvend të

ndryshimeve në ligjin e Shërbimit Informativ Shtetëror.
“Nuk do te lejojmë kuvendin ta miratojë këtë ligj.Kaq mund t’ju them tani””, tha Rama gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët në Korçë.
Ai shtoi se i bashkohet shqetësimit të shprehur nga ambasadori i SHBA në Shqiperi, Xhon Uidhers, i cili një ditë më parë tha se ndryshimet në ligjin e SHISH, e çojnë Shqipërinë në rrugën e gabuar.

Duke shpjeguar mjetet politike që do të përdorë opizuta kundër miratimit të ndryshimeve ligjore, Rama tha se kur kërkohet të miratohet një ligj që cënon interesin publik, cënon interesin kombëtar të vendit në marredhenie me partneret e mëdhenj, çdokujt i lind e drejta ta bllokoje këtë cënim çdo mjet.

Gjatë fjalës së tij Rama foli në lidhje me hetimin e zgjedhjeve duke thënë se kjo çështje nuk do të mbarojë me hapjen e kutive.

Duke iu referuar datës 18 mars kur propozimet e PS për hetimin e zgjedhjeve dhe hapjen e kutive do të kalojnë në Kuvend, Rama tha se opozita mbetet me shpresë se “pala tjeter do të reflektoje edhe në funksion të kerkeses së partnerëve nderkombetarë të gjejë zgjidhje perpara 18 marsit”.

Kreu i opozitës tha më tej se opozita do të përdorë të gjitha rrugët dhe vala e protestave nuk do te ndalet, derisa të realizohet qëllimi në lidhje me zgjedhjet. (Lajmifundit)

RUÇI OFERTË PËR BERISHËN: NA JEP VETËM LISTAT E VOTUESVE

TIRANE - Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi sfidoi për të dytën herë mazhorancën, pas kërkesës së bërë pak ditë më parë në Parlament, për të hapur vetëm kutinë e fshatit Ruzhdie.
Ruçi tha se i kërkon shumicës në pushtet të ofrojë vetëm një fotokopje të listave të votuesve që kanë marrë pjesë në zgjedhje dhe nëse nuk vërtetohen pretendimet e Partisë Socialiste atëherë opozita do të tërhiqet nga hapja e kutive.
Ruçi deklaroi se kjo është një deklaratë në emrin e Partisë Socialiste dhe jo qëndrim personal i tiji.
Kreu i deputetëve socialistë tha se kutia e Ruzhdies është numëruar nga KZAZ-të përkatëse, nga KQZ-ja që ka njohur rezultatin dhe me gjithë votat e vlefshme mandati i takonte Partisë Socialiste dhe jo Partisë Demokratike.
Deklarata e deputetit Gramoz Ruçi është bërë në emisionin “Ora e Debatit” ku kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste ndodhet përballë një paneli gazetarësh. (Lajmifundit)

Parashimi i motit per Tiranen