Tuesday, March 11, 2008

Mitrovicasja Valdete Idrizi fiton çmimin "Femëra më e guximshme e Evropës per vitin 2007

Vajza e urave


Për kontribut në krijimin e bashkëpunimit, tolerancës dhe bashkëjetese në Kosovë, vajza nga Mitrovica, Valdete Idrizi, kryesuese e organizatës joqeveritare multietnike “Ndërtimi i komunitetit” në qytetin verior të Kosovës, e ka fituar çmimin “Femra më e guximshme e kontinentit të Evropës për vitin 2007“, të cilin e jep çdo vit sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice


SERBEZE HAXHIAJ


Prishtinë, 10 mars - Para se të fillojë t’ia mësojë gjuhën shqipe koleges serbe nga pjesa veriore e qytetit në Mitrovicë, Valdete Idrizi është dashur të udhëtojë për në Washington D.C. Kishte një arsye tepër të veçantë për të marrë këtë udhëtim. Ajo është laureatja e një çmimi prestigjioz që jepet në SHBA për femrat nga pesë kontinentet e botës. Vajza nga Mitrovica e ka fituar çmimin “Femra më e guximshme e kontinentit të Evropës për vitin 2007“, të cilin e jep çdo vit vetë sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleeza Rice.
Kryesuesja e një organizate joqeveritare multietnike në qytetin verior të Kosovës, me emrin “Ndërtimi i komunitetit në Mitrovicë“, dhe drejtuese e revistës multietnike “M - magazine”, ka mundur të prekë një “ëndërr të madhe”. Në tetor të vitit të kaluar, Zyra amerikane në Prishtinë, në koordinim me ambasadat e tjera amerikane në Ballkan dhe në Evropë - nga të cilat zakonisht bëhen propozimet për këtë çmim - kishte dërguar një emër të përbashkët si kandidat potencial për këtë vit. Arsyeja dukej të ishte bindëse. Një shqiptare nga veriu i Kosovës kishte arritur të krijojë ura bashkëpunimi, tolerance dhe bashkëjetese në vendin më problematik dhe më të armiqësuar të vendit, atëherë ende nën protektorat, që frymonte brenda zonës së hirtë politiko-ushtarake të quajtur Mitrovicë. “Ka qenë një befasi e madhe. Nuk kam punuar asnjëherë drejtpërdrejt me Zyrën amerikane në Prishtinë. Nuk e kam ditur se ata e kanë parë punën time aq në detaje. Ndihem tepër e shpërblyer, sidomos kur e di se ka shumë femra të guximshme që i njoh dhe e meritojnë këtë çmim”, tha kjo 25-vjeçare, e cila e kishte marrë këtë lajm në një mëngjes të ftohtë, në fund të janarit, nga shefja e Zyrës amerikane në Prishtinë, Tina Kaidanow. Në atë kohë ishte duke i ndjekur ligjëratat për master në Novi-Sad, pjesë e “Nansen Dialogue Network”, në lëmin “Studime të aplikuara mbi transformimin e konfliktit”.
Në vitin 1999, vajza e lindur dhe e rritur në një banesë shoqërore në pjesën veriore të qytetit ishte zhvendosur në jug, në një shtëpi me qira. Një ditë e kishte kaluar vetëm urën dhe ishte nisur për në shtëpi, të paktën për të marrë dokumente dhe fotografi që kishin mbetur aty. Por, epilogu kishte qenë tepër i keq. Gjashtë femra, njëra nga to fqinja e parë dhe të tjerat “të ardhura”, e kishin rrahur deri në alivanosje para syve të ushtarëve të KFOR-it. Ashtu e përgjakur e kishte kaluar urën, për të krijuar këtë herë një linjë tjetër komunikimi. Duke lënë pas dramën familjare që kishte sjellë lufta, ajo po krijonte një shteg të ri komunikimi mes banorëve të dy etniciteteve, të cilëve lufta u kishte sjellë diçka gati të pandreqshme, urrejtjen dhe armiqësinë. Me një grup të rinjsh serbë dhe shqiptarë, poshtë urës që është bërë vija etnike e ndarjes së qytetit, Valdetja e para krijoi një mundësi dialogu në dy anët e ndara të qytetit.
Hapësira buzë Ibrit, ku ata po rifillonin gjithçka nga e para, u pagëzua me një emër të ri, “Zona e mirëbesimit”. Më vonë, grupit të saj në këtë organizatë joqeveritare iu bashkuan shumë persona të tjerë, të moshave, profesioneve dhe të përkatësive të ndryshme. “Unë vetë kam qenë e zhvendosur. Vëllai im 25-vjeçar tani është invalid i luftës. Ai ka qenë ushtar i UÇK-së dhe tani mezi lëviz një pjesë të trupit”. Por, Valdetja thotë se historia e dhimbshme familjare e ka shtyrë të shkojë përtej hasmërive.
Nëntë vjet qëkur Kosova u fut nën protektoratin ndërkombëtar deri në shpallje të pavarësisë, gjërat pak kanë lëvizur, ndonëse ajo flet me bindje se njerëzit kanë filluar të ndryshojnë. “Serbia e ka mbajtur të pashkëputur prej vetes veriun, kurse liderët dhe institucionet e Kosovës nuk kanë bërë asgjë për banorët e veriut”.
Por, aty ku nuk ka mbërritur politika ta vendosë linjën e tolerancës dhe të bashkëjetesës, ka qenë ajo që ka hapur një derë. Ka mbledhur gratë të punojnë në një organizatë joqeveritare në veri të qytetit, të cilat edhe ditën e pavarësisë e pritën së bashku.
Megjithëse shpallja e pavarësisë e solli këtë pjesë sërish në pikën e vlimit, Valdetja është e bindur se serbët do të pajtohen me gjendjen e krijuar dhe do të fillojnë të mendojnë për të ardhmen e tyre. “Njerëzit do të përkrahen për t’u kthyer në shtëpitë e tyre. Jam vetë e zhvendosur dhe e kuptoj çarë është të jesh i zhvendosur brenda kufijve të një shteti. Kjo më ka bërë të jem e pranueshme për të dyja palët”.
Përtej të djeshmes, Valdetja tha se shqiptarët dhe serbët në qytetin e saj po mësohen dalëngadalë ta kalojnë hendekun e ndarjes. “Urrejtja është një rrugë e shkurtër!”, tha kjo laureate e këtij çmimi të rëndësishëm që jepet në SHBA.

Parashimi i motit per Tiranen