Monday, March 30, 2009

Sondazhet

Saktësia e matjes së opinionit ende mbetet mister, sidomos kur me mostrat / kampionët prej 1000 anketave parashikohet se si do të jetë vota e miliona votuesve. Megjithatë, përvoja e gjatë tregon se shumë shpesh këto matje janë të sakta dhe sigurojnë të dhëna paraprake shumë relevante për aktorët, partitë që garojnë, mediat, si dhe për opinionin.


Shqipëria po hyn në fazën finale të përgatitjes së zgjedhjeve. Fushatat jozyrtare kanë filluar qëmoti, praktikisht një vit më pare, por tani, si në vrapimin e maratonës, kanë mbetur edhe ato xhirot e fundit kur gara zhvillohet në stadium, para publikut. Por, përderisa në maratonë, publiku e ka të qartë se cili garues është në krye të saj dhe vrapon drejt fitores, në finishin e garës partiake në Shqipëri publiku nuk e sheh me sy kush po udhëheq, por këtë ia raportojnë sondazhet e dy televizioneve më të shkuara në Shqipëri, Top Channel dhe TV Klan. Dhe këto sondazhe janë krejtësisht kontradiktore. Përderisa sondazhi i Top Channel që drejtohet nga firma amerikane Zogby i jep përparësi të konsiderueshme PS-së dhe të majtës, sondazhi i TV Klanit që realizohet nga Qendra për Studime Humanistike “Gani Bobi” nga Prishtina, jep një rezultat paraprak krejt të përmbysur, ku përparësinë e konsiderueshme e ka PD-ja dhe spektri i partive të së djathtës.

Si pjesëmarrës në këtë garë të sondazheve, duke udhëhequr sondazhet e “Gani Bobit”, unë personalisht do të duhej të jepja argumente shtesë për matjet tona të disponimit të elektoratit në Shqipëri, si më reale dhe më të sakta se ato të Zogbyt. Edhe pse kjo duket gati e pamundur, që një OJQ lokale me përvojë relativisht të kufizuar, të dale më e suksesshme se firma amerikane që ka përvoja të mëdha dhe fitime marramendëse, unë jam shumë i qetë rreth këtij krahasimi që shpesh përsëritet në programet e Top Channel. Zogby është vërtet firmë e madhe që ka vendosur për metodologjinë dhe aspektet relevante të matjes dhe prezantimit të rezultateve, ne të “Gani Bobit” e dimë se konkurrentë të vërtetë nuk e kemi Zogbyn, në asnjë aspekt (sa i përket metodologjisë, e jona nuk dallon aspak nga ato që aplikohen në botë), por konkurrenti ynë i drejtpërdrejtë është ndonjë organizatë hulumtuese nga Shqipëria, të cilën Zogby ose Top Channel e ka zgjedhur që ta kryejë punën në terren. Cila është kjo organizatë Zogby dhe Top Channel nuk e kanë zbardhur. Ndërkaq, për organizatën tonë, pra “Gani Bobin”, dihet se me partnerin lokal në Shqipëri, Qeverinë studentore të Shqipërisë, që na ka siguruar nga viti 2005 anketuesit dhe logjistikën, kemi pas një seri sondazhesh të suksesshme, ndër to edhe exit polling të korrikut të vitit 2005, kur në momentin e mbylljes të vendvotimeve, parashikuam fitoren e PD-së në Tiranë dhe Durrës, kurse prognoza e fitores në tërë vendin mbeti në zarfin e mbyllur, sepse pushteti i atëhershëm dhe kryetari i shtetit Alfred Mojsiu, kishin bërë presione dhe rekomanduar që ky rezultat të mos shpallet.

Konkluzioni i këtij argumenti është se nuk i frikësohemi aspak Zogbyt, sepse kjo firmë garon vetëm në cilësinë e trajnerit, por nuk është vetë vrapuesi. Anketuesit e Zogbyt nuk janë nga SHBA-të, por janë goca dhe çuna nga Shqipëria, si edhe këta të tanët me të cilët kemi punuar tash katër vjet me sukses.

Edhe një arsye tjetër më bën që të ndihem cool për rezultatin e garës aktuale të sondazheve në Shqipëri. Në kësi lloj sondazhesh nuk mund të manipulosh me rezultatet e tyre, dhe që kjo pastaj të mos hakmerret, dhe tregohet si manipulim dhe gënjeshtër. Sondazhi ynë mund të mos jetë i saktë në ndonjë përqindje ose promil, por jo edhe të huq krejt tendencën aktuale.

Kuptohet, deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve kanë mbetur edhe tre muaj, dhe ky është afat i mjaftueshëm që të ndodhin ndryshimet, që të përfitohet ndonjë suportues i ri, të ketë ndonjë zhgënjim tek votuesit e luhatshëm, të ndodhë ndonjë skandal komprometues, ose ndonjë gafe elektorale që një parti o lider i bën më simpatikë, e tjetrën parti ose lider i bën më antipatikë.

Saktësia e matjes së opinionit ende mbetet mister, sidomos kur me mostrat/kampionët prej 1000 anketave parashikohet se si do të jetë vota e miliona votuesve. Megjithatë, përvoja e gjatë tregon se shumë shpesh këto matje janë të sakta dhe sigurojnë të dhëna paraprake shumë relevante për aktorët, partitë që garojnë, mediat, si dhe për opinionin.

Në botën demokratike, sondazhet gëzojnë respekt dhe shërbejnë si një ndihmesë për transparencën dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Edhe nëse parashikimet dalin jo të sakta, kjo nuk konsiderohet si manipulim, por si pasojë e çrregullimi në procesin e komplikuar të matjes. Sondazhet janë instrument tepër i ndjeshëm, ku pos gabimeve aksidentale dhe procedurale në ndërtimin e kampionit/mostrës, mund të ketë edhe dështime tjera aksidentale ose të qëllimshme të anketuesve, ose gjatë futjes dhe përpunimit të të dhënave.

Në botën shqiptare, ku rregullat e respektimit të garës elektorale ende nuk janë standardizuar, politikanët, mediat e edhe elektorati, vazhdojnë të shohin sondazhet si një mjet kryekëput manipulues, ose që nuk mund t’u besohet plotësisht. Në fushatat parazgjedhore ato shihen si mjet i propagandës, ose edhe të mobilizimit të elektoratit.

Në Shqipëri, megjithatë, tashmë është bërë praktikë që partitë të bëjnë sondazhe të rregullta, duke mbledhur njohuri paraprake për profilin e elektoratin, imazhin dhe popullaritetin e partisë dhe të liderëve, problemet kryesore të vendit, orientimet programore të partisë etj. Por, ja që në fazën finale, ato ende investojnë edhe në luftën e sondazheve, duke besuar se me këtë mund të ndikojnë që të përhapet pasiguria dhe paniku te kundërshtarët, dhe të mobilizohet dhe moralisht të ngritët përkrahja për krahun që suportohet me sondazhe të porositura ose të manipuluara.

Ka të tillë që shprehen me dyshim për sondazhet në përgjithësi. “Ç’na duhen edhe nëse janë të sakta?”

Sondazhet, megjithatë, më parë janë mjet i transparencës dhe demistifikimit, sesa i manipulimit. Një shembull i thjeshtë ilustron këtë: politikanët shpesh kanë prirje që të flasin në “emër të popullit”, duke pohuar gjërat që nuk mund të verifikohen pa matjen e opinionit. Në momentin që sondazhet bëhen instrument i besueshëm, pushtetarët do të kanë dronë të thirren në emër të popullit, sepse anketat mund t’i demantojnë.

Saturday, March 14, 2009

Florim Ejupi: Nish Expressi ishte një skenar

Tani kur EULEX ka hapur edhe njëherë nga e parë dosjen e hetimeve për sulmin e 16 shkurtit 2001 mbi autobusin e Nish Expressit i akuzuari kryesor për vite për këtë sulm tashmë i liruar Florim Ejupi thotë se UNMIK-u deshi ta lidhte atë dhe TMK-në me një krim

Serbeze Haxhiaj/ Koha Ditore

Prishtinë 13 mars - Një ditë pasi ka kaluar pragun e burgut dhe pas vetës nuk ka më barrën e dënimit prej 40 vjetësh heqje lirie personazhi i vetëm për krimin e kryer mbi autobusin e linjës Nish Express ku vdiqën 11 serbë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë Florim Ejupi, thotë se ka një ëndërr për të realizuar. Pas tetë vjetëve të kaluar në arrati dhe burg, në ditën e parë të lirisë së tij, pasi një panel gjykatësish të EULEX-it vendosi të liroj atë për mungesë provash, Florim Ejupi thotë se drejtësia në rastin e tij ka edhe disa pjesë për të plotësuar tërë mozaikun. Ai ka vendosur të padis dëshmitarin kryesor të mbrojtur në rastin e tij, të padis gjithashtu tre hetues të policisë së Kosovës emrat e të cilëve nuk dëshiron të publikoj dhe në fund të kërkoj dëmshpërblim nga gjykata për vitet e mbajtura në burg. Ejupi 30 vjeçar, që një kohë të gjatë ishte njeriu më i përfolur për të keq, i përfshirë në dy aktakuza të rënda, njëri nga emrat e mbajtur gjatë në sistemin kërkues të Interpolit, i vetmi personin që ia kishte arritur të ikte nga kampi amerikan Bondsteel në Kosovë, me pak ndrojtje dhe me shumë pezëm rrëfen për “Kohën Ditore”, gjithë historinë e lidhjes së tij me rastin e Nish Expressit.

Ms; “Gabova kur ika nga Bondsteeli”

“ Janë bërë 8 vjet afërsisht 8 vjet të dramës sime familjare që niset me atë krim të tmerrshëm. Tërë kësaj kohe UNMIK-ut u mundua të plasoj në opinion një vënie në vend të drejtësisë mbi prova të montuara. Gjithë historia ime nuk ka qenë tjetër veçse një vepër e montuar perfekt nga KFOR-i britanik, Serbia dhe UNMIK-u në emër të gjetjes së një krimi. Nish Exprresi dhe unë ishte një skenar i brërë bashkë”, thotë Ejupi.
Pjesëtarët e kontingjentit britanik të KFOR-it në atë kohë kishin qenë përgjegjës për sigurimin e rrugës së autobusëve që transportonin udhëtarët serbë, atë ditë kur një sasi eksplozivi lloji i të cilit nuk ka mund të përcaktohet nga hetuesia kishte goditur njërin nga autobusët. Ejupi thotë se nuk e di arsyen pse pikërisht pjesëtarët e këtij kontingjenti duhet të kryenin ato lloj ekspertizash që ai i quan montim. “Nuk e di cili është motivi i vërtetë i tyre, por unë mendoj se është dashur të gjendet një viktimë shqiptare për atë rast dhe atë fat e pata unë”, thotë ai.
Këtë sipas tij e shpjegon rasti i ekspertizës së provës kryesore ndaj tij, duqit të cigares. “ Ai ka qenë territor i vendlindjes sime dhe unë mund të kem qenë andej shpesh. Por ekspertizat e bëra në Gjermani të duqit të cigares dy herët e para dolën negativ, kurse herën e tretë pozitiv. Kjo tregon qartë se diçka nuk ishte në rregull”.
Ditën kur ka ndodhur sulmi mbi autobusin, ai thotë se ka qenë në shtëpi dhe ka parë se si e gjithë shpija ishte dridhur nga forca e detonimit. “ Më kujtohet kur e gjithë shtëpia ka lëvizur nga krisma dhe kam thënë çka po ndodh . Më vonë u morë vesh që është sulmuar një autobus. Nuk më kishte shkuar në mendje që gjithçka nga ai raste me vite të tëra do të lidhet me mua”.
Jo shumë pas kësaj ai ishte arrestuar derisa po priste policinë pas një aksidenti në komunikacion.” Unë i kërkova një patrulle të KFOR-it që të thërrasin policinë kurse ata ishin duke më përcjell mua. Më kapën, më vunë një maskë në kokë dhe më dërguan nuk e dijë se ku gjithnjë duke më rrahur. Më vonë më treguan se dyshohesha për një vrasje e jo për 11 të tilla “, thotë Ejupi.
Tani kur është liruar, ai thotë se shumë nga vuajtja e tij është pak edhe për fajin tij që kishte ikur nga burgu në kampin Bondsteel. “ Ne na arrestuan 45 vetë përnjëherë në mars 2001. Pas 72 orëve i liruan 41 veta unë mbeta së bashku me tre të tjerë pjesëtarë të TMK-së. Mua më dërguan në Bondsteel dhe sikur të mos kisha ikur atëherë besoj e do të isha liruar nuk do të kisha jetuar 5 vjet në burg dhe 3 të tjera në arrati”.
Arsyeja që sipas Ejupit që e kishte shty të ikte nga burgu në kampin Bonsteel, 10 ditë pasi që e kishin sjell aty lidhej me dy gjëra . “ Së pari isha 22 vjeçar dhe nuk kam menduar mirë, së dyti mendoja se ky është një kurth i UNMIK-ut. Por, po të isha sot kurrë nuk do të kisha ikur”.
Tetë vjet pas ai nuk dëshiron të shpalos shumë nga nata e mjegullt, kur ai ishte arratisur nga kampi amerikan. “ Ishte një natë me shi dhe shumë mjegull . Kisha bërë një plan të iki . E dija se ose do të mbetesha i vdekur ose do shpëtoja. Por, në fund vendosa. Me një palë dana që mi kishte dhënë një i burguar preva telat, hyra përfund kullës së njërës nga pikave të rojës dhe dola”, thotë ai.
Nuk tregon kush ishin njerëzit që e kishin ndihmuar përjashta dhe si u bë udhëtimi i tij nëpër natë deri në Tiranë. “Nuk mund të them flas kush ishte personi që mi dha danat. Si u bë plani .Ka pasur fjalë që vetë më kanë liruar por nuk është e vërtetë, unë kisha ikur dhe po kërkohesha”.
Një ditë pasi ai kishte kaluar kufirin, ish shefi i UNMIK-ut, Hans Hakerup kishte lansuar një shumë prej 100 mijë eurosh shpërblim në këmbim të informacionit që çonte në kapjen e tij.

Ms: Vrasja e policëve AKSH-ja dhe aktakuza e dytë!

Nuk dihet nëse dikush ka marrë ose jo këto para deri me 8 qershor 2004 kur ai ishte arrestuar në Tiranë. “Kisha bërë plotë 3 vjet arrati. Në Tiranë punoja nga pak , jetoja me frikë. Shpesh i thosha vetës po dorëzohem, por prapë më dukej më e ëmbël liria”.
Kjo sipas tij ka qenë arsyeja e vetme , pse ai nuk u ishte dorëzuar autoritete të drejtësisë që po e kërkonin për të dhënë përgjegjësi. “ Nuk kishte arsye tjetër që unë të mos dorëzohesha vetëm kjo ishte”.
Por, ai ishte arrestuar në Tiranë pasi në Kosovë ishte hapur edhe një tjetër proces hetimor ndaj tij në vitin 2004. Dhëndri i tij Agron Sulejmani ishte vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë më 23 mars 2004 në fshatin Shakovicë të Podujevës, ku kishin mbetur të vdekur 2 policë: një ndërkombëtar Kojo Esuman dhe polici kosovar Arsim Rrustolli.” Unë nuk e di pse unë u bëra edhe njëri nga të dyshuarit e një rasti tjetër. Kjo mbase Agroni ishte dhëndër i yni dhe ai u soll gati i vdekur në oborr”, thotë Ejupi.
Agron Sylejmani, i cili sipas aktakuzës së ngritur thuhej të ishte pjesëtar i të ashtuquajturës Armata Kombëtare Shqiptare (AKSH) ishte gjendur i vdekur në një veturë në oborrin e shtëpisë së Florim Ejupit pak orë pas shkëmbimit me zjarr me policinë ku kishin mbetur të dy policët. 14 persona për fshi edhe Ejupin ishin mbajtur 3 vjet në paraburgim nën dyshimin për veprën penale të terrorizmit deri në 2007, ku u dënua vetëm njëri prej tyre Shkumbin Mehmeti. “ Unë nuk kam qenë këtu familjarët më kanë thënë se ka pasur rroba të zeza veshur por nuk e di a ka qenë ajo uniformë e AKSH-së. Nuk e di çfarë kishte lidhje ai me Shkumbin Mehmetin. Nuk e dijë as pse u vra. Krejt çka dijnë familja jonë është se ai u soll nga një veturë që i ishte rrëmbyer udhëtarëve në rrugë dhe nuk dihet kush e solli”, thotë Ejupi.
Ai pohon Agron Sylejmani ka qenë duke u kërkuar nga policia e UNMIK-ut dhe i ka ikur kërkimeve të policisë, por ai nuk jep detaje se për çfarë kishte qenë duke u kërkuar.
Ejupi thotë se rasti i Nish Expressit dhe ai i sulmit mbi familjen Hajra në Drenas janë dy shembuj tipik sipas tij të rasteve të montuara nga UNMIK-u. “Çdo gjë që ka ndodhur pas lufte ka pasur një tendencë të ia veshte më tepër TMK-së dhe shqiptarëve. Unë nuk isha TMK, por tendenca ishte edhe te ata”, thotë ai.
Megjithëse thotë se pjesë së aktakuzës së tij që ai e quan “të montuar”, janë edhe disa hetues kosovarë ai nuk jap shpjegime kush janë ata dhe cili mund të ketë qenë motivi i tyre për të montuar raste si ai i tij.
Florim Ejupi, ai thotë se vitet e burgut në Kosovë, pas ekstradimit në pavijonin 1 të burgut të Dubravës kishin qenë gjithashtu të rënda. “I vetmi ngushëllim kanë qenë ish ushtaret e UÇK-së të dënuar për vepra të ndryshme që ishin në një pavijon. Ka qenë shumë e rënda dita e 6 qershorit 2008 kur gjykata shqiptoi denimin tim, por kam shpresuar se ai dënim nuk do të qëndronte megjithëse më ka kushtuar shumë ”, thotë ai.
Tani kur i ka kaluar 8 vjet të “ bashkëjetesës” siç thotë ai me një akuzë për një krim Ejupi thotë se ka mbetur edhe një copë drejtësie për t’u vënë në vend
“ Do të vijë koha dhe unë do t’i padis këta njerëz, këta hetues. Unë nuk do të bëjë hakmarrje ndaj akujt. Edhe atë dëshmitar që ka bërë dëshmi të rreme kundër meje do ta padis . Unë mendoj se drejtësia duhet të vihet deri në fund në vend“.
Prokuroria e EULEX-it e ka hapur edhe njëherë prej fillimi fajllin e hetimeve për sulmin e vitit 2001 mbi autobusin e “Nish Expressit”. Njeriu i vetëm emri i të cilit ishte lidhur për tetë vjet me atë krim Florim Ejupi thotë se beson në drejtësinë e EULEX-it dhe dëshiron të shoh kush janë autorët një pjesë të fajit të të cilëve e ka vuajtur ai vetë.

Sunday, March 8, 2009

ZMQ: Denim zyrtareve qe abuzojne seksualisht

Ne diten Nderkombetare te Gruas, Zyra per Mbrojtjen e Qytetareve i ka derguar nje mesazh Kuvendit te Shqiperise, bazuar edhe ne skandalin me te fundit me ish ministrin e Turizmit, Kultures, Rinise dhe Sporteve, Ylli Pango.

ZMQ i ka bere nje apel Kuvendit per dhunen ndaj grave ne vendin tone dhe ka kerkuar qe te gjithe zyrtaret e korruptuar e maniaket seksuale te veshur me pushtet, te marrin ndeshkimin e merituar. “Administrata vuan nga ryshfeti seksual dhe zyrtaret e perlyer duhet te ndeshkohen”, thuhet ne deklaraten e ZMQ-se.


Ne vijim, ky institucion ka kerkuar qe ne kodin penal te behet nje ndryshim persa i perket pikave ku parashikohet denimi per abuzuesit me femrat, sidomos kur kjo behet nga pozitat e zyrtarit te shtetit. “Ligji i sherbimit civil ka mbetur ne leter, pasi ka dhjetra denoncime nga grate e dhunuara”, thekson Zyra per Mbrojtjen e Qytetareve, pikerisht ne 8 Mars, festen e gruas.

Parashimi i motit per Tiranen