Monday, March 30, 2009

Sondazhet

Saktësia e matjes së opinionit ende mbetet mister, sidomos kur me mostrat / kampionët prej 1000 anketave parashikohet se si do të jetë vota e miliona votuesve. Megjithatë, përvoja e gjatë tregon se shumë shpesh këto matje janë të sakta dhe sigurojnë të dhëna paraprake shumë relevante për aktorët, partitë që garojnë, mediat, si dhe për opinionin.


Shqipëria po hyn në fazën finale të përgatitjes së zgjedhjeve. Fushatat jozyrtare kanë filluar qëmoti, praktikisht një vit më pare, por tani, si në vrapimin e maratonës, kanë mbetur edhe ato xhirot e fundit kur gara zhvillohet në stadium, para publikut. Por, përderisa në maratonë, publiku e ka të qartë se cili garues është në krye të saj dhe vrapon drejt fitores, në finishin e garës partiake në Shqipëri publiku nuk e sheh me sy kush po udhëheq, por këtë ia raportojnë sondazhet e dy televizioneve më të shkuara në Shqipëri, Top Channel dhe TV Klan. Dhe këto sondazhe janë krejtësisht kontradiktore. Përderisa sondazhi i Top Channel që drejtohet nga firma amerikane Zogby i jep përparësi të konsiderueshme PS-së dhe të majtës, sondazhi i TV Klanit që realizohet nga Qendra për Studime Humanistike “Gani Bobi” nga Prishtina, jep një rezultat paraprak krejt të përmbysur, ku përparësinë e konsiderueshme e ka PD-ja dhe spektri i partive të së djathtës.

Si pjesëmarrës në këtë garë të sondazheve, duke udhëhequr sondazhet e “Gani Bobit”, unë personalisht do të duhej të jepja argumente shtesë për matjet tona të disponimit të elektoratit në Shqipëri, si më reale dhe më të sakta se ato të Zogbyt. Edhe pse kjo duket gati e pamundur, që një OJQ lokale me përvojë relativisht të kufizuar, të dale më e suksesshme se firma amerikane që ka përvoja të mëdha dhe fitime marramendëse, unë jam shumë i qetë rreth këtij krahasimi që shpesh përsëritet në programet e Top Channel. Zogby është vërtet firmë e madhe që ka vendosur për metodologjinë dhe aspektet relevante të matjes dhe prezantimit të rezultateve, ne të “Gani Bobit” e dimë se konkurrentë të vërtetë nuk e kemi Zogbyn, në asnjë aspekt (sa i përket metodologjisë, e jona nuk dallon aspak nga ato që aplikohen në botë), por konkurrenti ynë i drejtpërdrejtë është ndonjë organizatë hulumtuese nga Shqipëria, të cilën Zogby ose Top Channel e ka zgjedhur që ta kryejë punën në terren. Cila është kjo organizatë Zogby dhe Top Channel nuk e kanë zbardhur. Ndërkaq, për organizatën tonë, pra “Gani Bobin”, dihet se me partnerin lokal në Shqipëri, Qeverinë studentore të Shqipërisë, që na ka siguruar nga viti 2005 anketuesit dhe logjistikën, kemi pas një seri sondazhesh të suksesshme, ndër to edhe exit polling të korrikut të vitit 2005, kur në momentin e mbylljes të vendvotimeve, parashikuam fitoren e PD-së në Tiranë dhe Durrës, kurse prognoza e fitores në tërë vendin mbeti në zarfin e mbyllur, sepse pushteti i atëhershëm dhe kryetari i shtetit Alfred Mojsiu, kishin bërë presione dhe rekomanduar që ky rezultat të mos shpallet.

Konkluzioni i këtij argumenti është se nuk i frikësohemi aspak Zogbyt, sepse kjo firmë garon vetëm në cilësinë e trajnerit, por nuk është vetë vrapuesi. Anketuesit e Zogbyt nuk janë nga SHBA-të, por janë goca dhe çuna nga Shqipëria, si edhe këta të tanët me të cilët kemi punuar tash katër vjet me sukses.

Edhe një arsye tjetër më bën që të ndihem cool për rezultatin e garës aktuale të sondazheve në Shqipëri. Në kësi lloj sondazhesh nuk mund të manipulosh me rezultatet e tyre, dhe që kjo pastaj të mos hakmerret, dhe tregohet si manipulim dhe gënjeshtër. Sondazhi ynë mund të mos jetë i saktë në ndonjë përqindje ose promil, por jo edhe të huq krejt tendencën aktuale.

Kuptohet, deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve kanë mbetur edhe tre muaj, dhe ky është afat i mjaftueshëm që të ndodhin ndryshimet, që të përfitohet ndonjë suportues i ri, të ketë ndonjë zhgënjim tek votuesit e luhatshëm, të ndodhë ndonjë skandal komprometues, ose ndonjë gafe elektorale që një parti o lider i bën më simpatikë, e tjetrën parti ose lider i bën më antipatikë.

Saktësia e matjes së opinionit ende mbetet mister, sidomos kur me mostrat/kampionët prej 1000 anketave parashikohet se si do të jetë vota e miliona votuesve. Megjithatë, përvoja e gjatë tregon se shumë shpesh këto matje janë të sakta dhe sigurojnë të dhëna paraprake shumë relevante për aktorët, partitë që garojnë, mediat, si dhe për opinionin.

Në botën demokratike, sondazhet gëzojnë respekt dhe shërbejnë si një ndihmesë për transparencën dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Edhe nëse parashikimet dalin jo të sakta, kjo nuk konsiderohet si manipulim, por si pasojë e çrregullimi në procesin e komplikuar të matjes. Sondazhet janë instrument tepër i ndjeshëm, ku pos gabimeve aksidentale dhe procedurale në ndërtimin e kampionit/mostrës, mund të ketë edhe dështime tjera aksidentale ose të qëllimshme të anketuesve, ose gjatë futjes dhe përpunimit të të dhënave.

Në botën shqiptare, ku rregullat e respektimit të garës elektorale ende nuk janë standardizuar, politikanët, mediat e edhe elektorati, vazhdojnë të shohin sondazhet si një mjet kryekëput manipulues, ose që nuk mund t’u besohet plotësisht. Në fushatat parazgjedhore ato shihen si mjet i propagandës, ose edhe të mobilizimit të elektoratit.

Në Shqipëri, megjithatë, tashmë është bërë praktikë që partitë të bëjnë sondazhe të rregullta, duke mbledhur njohuri paraprake për profilin e elektoratin, imazhin dhe popullaritetin e partisë dhe të liderëve, problemet kryesore të vendit, orientimet programore të partisë etj. Por, ja që në fazën finale, ato ende investojnë edhe në luftën e sondazheve, duke besuar se me këtë mund të ndikojnë që të përhapet pasiguria dhe paniku te kundërshtarët, dhe të mobilizohet dhe moralisht të ngritët përkrahja për krahun që suportohet me sondazhe të porositura ose të manipuluara.

Ka të tillë që shprehen me dyshim për sondazhet në përgjithësi. “Ç’na duhen edhe nëse janë të sakta?”

Sondazhet, megjithatë, më parë janë mjet i transparencës dhe demistifikimit, sesa i manipulimit. Një shembull i thjeshtë ilustron këtë: politikanët shpesh kanë prirje që të flasin në “emër të popullit”, duke pohuar gjërat që nuk mund të verifikohen pa matjen e opinionit. Në momentin që sondazhet bëhen instrument i besueshëm, pushtetarët do të kanë dronë të thirren në emër të popullit, sepse anketat mund t’i demantojnë.

No comments:

Parashimi i motit per Tiranen