Thursday, January 15, 2009

Freedom House: Shqipëria, pjesërisht e lirë

Kritikohen ligjet e dosjeve, Kodi Zgjedhor dhe ligji i prokurorisë


Organizata "Freedom House" nxori raportin vjetor për të drejtat politike dhe liritë civile nëpër botë, ku thotë se liria ka pësuar sprapsje për të tretin vit radhazi në vitin 2008, në pjesën më të madhe të botës. Në raportin e këtij viti Shqipëria klasifikohet si vend pjesërisht i lirë, ndërsa Kosova si vend jo i lirë. Analisti, Tejlër Rojlenc, i cili ka ndjekur zhvillimet në Shqipëri dhe përgatiti materialin në vazhdim, tha për "Zërin e Amerikës, se Shqipëria vazhdon të ketë probleme. Rojlenc, i cili mbulon Shqipërinë, tha se gjendja e lirive në vend nuk ndryshoi shumë në 2008 dhe në raport me vendet e tjera të rajonit është e dobët. Veçanërisht disa projektligje të miratuara nga fundi i vitit, thotë ai, do të ndikojnë negativisht në përshkrimin e gjendjes në Shqipëri edhe në raportin e organizatës "Freedom House" për vitin 2009. "Një nga këto është ligji i ri zgjedhor që do të zbatohet këtë vit për herë të parë. Një tjetër ishte ligji i pastërtisë së figurave dhe i treti, ligji për Prokurorinë e Përgjithshme, i cili parashikon shtimin e kompetencave për Ministrinë e Drejtësisë për të kontrolluar dhe shqyrtuar veprimtarinë e Prokurorit të Përgjithshëm", theksoi analisti i organizatës prestigjioze ndërkombëtare. Rojlenc deklaroi se rezultatet më të dobëta në pikë, Shqipëria i ka në fushat e korrupsionit, të transparencës dhe të funksionimit të shtetit ligjor, që përfshin edhe pavarësinë e gjyqësorit dhe zbatimin e ligjit. Edhe në fushën e lirisë së medias, thotë Rojlenc, gjendja lë shumë për të dëshiruar. "Rezultati është gjithashtu relativisht i ulët për sa i përket lirisë së shtypit. Kjo ka të bëjë me përzierjen e interesave të fuqishme të biznesit, të politikës dhe të medias, që pengojnë zhvillimin progresiv të mjeteve të pavarura të informimit". Në këtë kontekst, Tejlër Rojlenc përmend kërcënimet dhe sulmet ndaj medias, si dhe denigrimin që i bëhet medias nga politika. "Shpesh Kryeministri e denigron median dhe e akuzon atë për lidhje me krimin e organizuar, pa i mbështetur këto akuza në të dhëna faktike. Pra ekziston një atmosferë e përgjithshme armiqësore ndaj kritikave të medias". Viti 2008, thotë zoti Rojlenc, ishte i mbushur me një sërë zhvillimesh negative në Shqipëri, duke filluar në muajin mars me shpërthimin në një objekt për çmontimin e municionit në Gërdec, ku gjetën vdekjen 26 vetë, incident që u bë shkak për zhvendosjen e mijëra banorëve të zonës nga shtëpitë e tyre. Po në atë muaj, thotë ai, doli se Shqipëria ishte pikë transiti për dërgimin e municioneve kineze në Afganistan nëpërmjet një kontraktuesi amerikan. Një nga dëshmitarët kryesorë në këtë skandal më vonë gjeti vdekjen në aksident automobilistik. Megjithëse hetimet nuk rezultuan në krim kundër jetës së dëshmitarit, rasti ka ngritur shumë pikëpyetje për shtetin ligjor në Shqipëri, thotë Tejlër Rojlenc. Me afrimin e zgjedhjeve thotë analisti i organizatës, "Freedom House", gjendja e lirive kryesore në Shqipëri ka shumë mundësi të përkeqësohet. Për sa u përket lirive nëpër botë, Afrika nën-sahariane dhe ish-Bashkimi Sovjetik, thotë "Freedom House", kanë pasur prirjet më regresive, ndërsa Azia Jugore ka bërë përparim të ndjeshëm. "Përparimi i lirisë në Azinë Jugore ishte një rast i rrallë pozitiv në një vit që ka shënuar kryesisht sprapsje dhe ngecje", thotë drejtori i degës së studimeve, Arç Padington, i cili përcakton si fillim të rënies globale periudhën menjëherë pas ‘revolucioneve me ngjyrë‘ në Evropë. Raporti me titull "Freedom in the World 2009", analizon gjendjen e të gjitha 193 vendeve dhe 16 territoreve strategjike në botë dhe i klasifikon ato në tri kategori, të lira, pjesërisht të lira dhe jo të lira, bazuar në qëndrimin e tyre ndaj lirive themelore.

Parashimi i motit per Tiranen