Tuesday, December 25, 2007

Serbë të zhvendosur e akuzojnë Zyrën për Persona të Zhdukur në Beograd dhe atë të UNMIK-ut se po i keqpërdorin varret serbe

Udhëtimi i fundit i Tanjës në atdhe zgjati katër ditë "luftë" me UNMIK-un

Nt: E vrarë para nëntë vjetësh nga një polic i MUP-it, Tanja Janiçeviq, me kërkesë të Zyrës për Persona të Zhdukur në Beograd, është zhvarrosur nga varrezat e Kaçanikut të Vjetër së fundi nga ekspertë të UNMIK-ut, së bashku me katër persona që kanë vdekur para vitit 1999. I ati i Tanjës, pas largimit nga Kosova, kishte vendosur t’i merrte eshtrat e së bijës, por ditën kur ishte kthyer në Kaçanik, e kishte gjetur varrin të zbrazët. Ai tha se vajza e tij ishte zhvarrosur nga njerëzit që pas vrasjes i kishin bërë obduksion të rremë, kinse e ekzekutuar nga shqiptarët. Ai e akuzon UNMIK-un se po manipulon me numrin e viktimave serbe, të zhdukura nga koha e luftës

SERBEZE HAXHIAJ Kaçanik i Vjetër, Prishtinë, dhjetor

- Nëna i kishte blerë edhe një fustan tjetër të bardhë Tanja Janiçeviqit, ngase, pas zhvarrosjes së saj nga varrezat e Kaçanikut të Vjetër, fustani i nusërisë, me të cilin, sipas zakonit, ishte varrosur para nëntë vjetësh duhej të ishte prishur. Ndërkaq, në fshatin Batoçinë të Kragujevcit, ku nga Kosova ajo do ta bënte udhëtimin e fundit, familja i kishte përgatitur një ceremoni të veçantë për varrimin e dytë të saj. Ishte goditur kompania që do ta bënte transportin e arkivolit, pasi leja ishte dhënë nga Komuna e Kaçanikut dhe ishin bërë të gjitha përgatitjet bashkë me konfirmimin nga Inspektorati Sanitar dhe nga policia e Kosovës se gjithçka ishte gati me varrin që duhej hapur, për t’i dërguar eshtrat e së ndjerës në Serbi, ku tani jeton familja e saj. Por, të premten e 7 dhjetorit, ata e kishin gjetur varrin të zbrazët. Dikush e kishte marrë atë dy javë më herët.Pasi familja i kishte alarmuar policinë dhe UNMIK-un, dikush u kishte rënë në gjurmë personave që i kishin marrë eshtrat. Fjala ishte për Budimir Gurdiqin, zyrtar i Zyrës për Persona të Zhdukur (OMP) dhe Mjekësi Ligjore në Beograd, dhe Krasimir Nikolov, anëtar i stafit ndërkombëtar të OMP-së, kurse vetura që kishte bartur kufomën ishte identifikuar me targa “UN 24 -242”. ”Ne i bëmë të gjitha përgatitjet për ta varrosur pasdite këtu, në Batoçinë. Njerëzit prisnin të arrinte arkivoli. Por, kur mbërritëm te varrezat në Kaçanik të Vjetër, ajo nuk ishte. Dikush e kishte hapur varrin së bashku me katër të tjerë afër”, tha për “Lajm” i ati i së ndjerës, Milivoje Janiçeviq.
Tanja Janiçeviq (1979), nga Kaçaniku i Vjetër, ishte vrarë më 22 dhjetor të vitit 1998 në afërsi të QKUK-së nga polici i MUP-it, Goran Lubisavleviq, i cili vetëm një muaj më parë nga gjykata në Nish është dënuar me tre vjet e gjysmë burg. Tanja ishte mami në repartin e gjinekologjisë në Spitalin e Prishtinës dhe arsyeja që ishte ekzekutuar me një plumb në kokë, sipas të atit të saj, ishte se e bija nuk kishte pranuar të “bashkëpunojë me shtetin” në dëm të pacientëve shqiptarë. “Mua vajzën ma kanë vrarë serbët, jo shqiptarët. Atëherë ishte kohë lufte në Kosovë dhe Tanja po punonte në spital. Ishte vetëm 19 vjeç dhe dëshironte ta mbaronte fakultetin për mjekësi, por e vranë. Ishte aq e bukur. Ishte sikurse Brigitte Bardoux. Asaj i kishin thënë se duhej t’i pranonte urdhrat dhe të punonte çfarë t’i thoshin“, tha e ëma e saj, Marica.Sipas familjarëve, zhvarrimi i vajzës së tyre ishte bërë me qëllim të fshehjes së krimit të serbëve. “Dy persona që kishin bërë zhvarrimin, njëri ishte punëtor i UNMIK-ut në Zyrën për Persona të Zhdukur dhe tjetri i zyrës në Beograd. Ky i fundit ishte i njëjti që në vitin 1998 ishte përpjekur të bënte manipulime në raportin e obduksionit, ta paraqiste vajzën time të vrarë nga shqiptarët. Por, vajza ime nuk ka qenë kurrë e zhdukur dhe as personat e tjerë të zhvarrosur. Kjo është bërë për të manipuluar me numrin e të zhdukurve dhe varret”, tha i ati Milivoje. Peripecitë për të kuptuar pse ishte ekshumuar varri i vajzës së tij, madje në kohën kur ai kishte vendosur t’i merrte eshtrat, kishin zgjatur dy ditë të tëra nëpër zyrat e UNMIK-ut. “Ata nuk donin të m’i jepnin eshtrat e vajzës, sepse mënyra se si e kishin marrë ishte e parregullt, kurse edhe dhënia duhej të bëhej në mënyrë të parregullt”, tha ai. Katër ditë më vonë, më 11 dhjetor, një ekip OMP-së dhe i UNMIK-ut e kishte përcjellë arkivolin e Tanjës deri në Merdar, por bashkë me eshtrat familja thotë se nuk ka marrë asnjë dokument, përveç një përgjigje gojore se ishte marrë gabimisht. “Ishte shumë rëndë. Tani më duhej të përjetoj një lojë tjetër të asaj se vajza ime është ekzekutuar kinse nga shqiptarët. Më çudit fakti si UNMIK-u i lejon këto, por e di se aty brenda UNMIK-ut ka gjithçka”, tha Milivoje.Ismail Fejzullahu, komandant i stacionit policor të Kaçanikut, konfirmon marrjen e eshtrave nga varrezat në Kaçanik dhe fillimin e hetimeve rreth kësaj. “Tani me këtë rast janë duke u marrë segmentet kompetente të UNMIK-ut. Fjala ka qenë për një zhvarrim nga një ekip i OMP-së, i UNMIK-ut dhe i patologëve serbë nga Beogradi”. Besnik Bajri, kryeinspektor sanitar në Kaçanik, tha se është shokuar kur ka shkuar së bashku me familjarët ditën kur duhej të bëhej zhvarrimi dhe e ka gjetur varrin të zbrazët. “Ne e kishim aprovuar kërkesën dhe kishim lëshuar vendim se gjithçka është gati. Ishte shumë e rëndë, sepse ne u kishim thënë familjarëve se varri është në rregull”. Bajri rrëfen se ka qenë shumë vështirë të qetësohen familjarët, kur kishin kuptuar se zhvarrimin e vajzës së tyre e ka bërë personi që ata e njihnin - Budimir Gurdiq.
Bajri tha se, sipas rregullave, duhet hapur procedura hetimore, për të verifikuar pse janë hapur ato varre pa lejen e Inspektoratit Sanitar dhe pse zhvarrimi është bërë pa lajmërim.Milivoje Janiçeviq është i bindur se zhvarrimi nuk është bërë gabimisht, por ka qenë i qëllimshëm.
Në UNMIK thonë se zhvarrimi është bërë me kërkesë të OMP-së të Beogradit. “Ekshumimet janë kryer në përputhje me procedurat e OMP-së, sipas protokollit të zbatuar me autoritetet serbe - në prani të ekspertëve serbë të forensikës si vëzhgues, në mesin e tyre Budimir Gurdiq”, tha zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexandar Ivanko. Ai nuk ka dhënë shpjegime për arsyen e zhvarrimit në Kaçanik. ”Më 7 dhjetor, ne kemi marrë një telefonatë nga familja e Tanjës - Milivoje Janiçeviq. Ata janë ankuar se janë marrë eshtrat e vajzës së tyre dhe se kanë kërkuar t’u kthehen. Pasi kemi verifikuar dokumentacionin dhe kemi bërë verifikimet, kemi parë se ajo është vajza e tyre dhe ua kemi kthyer eshtrat”, tha Ivanko.
Milivoje Janiqeviq e akuzon UNMIK-un se po bëhet pjesë e manipulimeve të OMP-së në Beograd. “Katër personat që kanë qenë varrosur afër vajzës sime, i kam njohur dhe që të gjithë kanë pasur vdekje të natyrshme para luftës. Asnjë nga ta nuk është vrarë. Por pse UNMIK-u lejon zhvarrosjen e tyre si persona të zhdukur dhe të varrosur gjatë luftës është punë që ata duhet ta shpjegojnë”. I ati i Tanjës tregon se ka kërkuar të dijë pse vajza e tij ishte marrë ashtu fshehur dy javë para se të vendoste ta merrte atë përfundimisht nga Kosova. UNMIK-u nuk i ka dhënë shpjegime. Milivoje tha se gjykimi ndaj vrasësit të vajzës në Serbi ka qenë një skandal. “Unë nuk kam pasur para të paguaj avokatë dhe të vrapoj pas gjyqeve, e ky vendim për dënim dihet se qysh është bërë. Është tërësisht politik”, thotë ai.Në dy vjetët e fundit, thuajse në të gjitha qendrat e Kosovës, është shtuar numri i kërkesave të familjarëve serbë të zhvendosur nga Kosova që duan t’i zhvarrosin të afërmit e tyre nga këtu, pasi kanë vendosur përfundimisht të mos kthehen më. Ndonëse Qeveria e Kosovës, në këtë rast Ministria e Shëndetësisë, nuk posedon shifra zyrtare për numrin e të zhvarrosurve, bazuar në të dhënat e përkohshme të marra nga kërkesat e bëra nëpër komuna, këto dy vjetët e fundit janë bërë rreth 250 zhvarrime.

Parashimi i motit per Tiranen