Thursday, October 25, 2007

Majko: Kush bashkohet me kundërshtarin është dezertor


Kryetari i opozitës, Edi Rama, vijon turin "Dialog me Shqipërinë", takime në Dibër
Ish-kryeministri Pandeli Majko deklaron se socialistët kanë ndarë mendjen të bëjnë opozitë të fortë karshi Sali Berishës dhe qeverisë së tij. "Unë jam djalë ushtaraku, kam qenë Kryeministër e ministër i Mbrojtjes dhe di një gjë, morali i atyre që bashkohen me kundërshtarin ka vetëm një emër, quhen dezertorë", theksoi Majko në takimin që zhvilloi kryesocialisti Edi Rama në Dibër. Sipas Majkos, është më mirë të jesh ai që je dhe të shfaqesh ai që je, se sa të shkosh e të lyesh flokët dhe të thuash që jam ai që nuk je në të vërtetë. "Sot kjo që po ndodh në vend kërkon një reflektim shumë të madh. Në zgjedhjet për President humbëm një shans të jashtëzakonshëm, e përsëris humbëm një shans të jashtëzakonshëm", vijoi Majko. Ndërsa shtoi se sot problemi më i madh është se jemi në udhëkryq, se na mungon energjia, na mungon uji, na mungon e ardhmja, na është rritur kostoja e jetesës. Ish-sekretari i përgjithshëm, Gramoz Ruçi, u shpreh: "Jam këtu për të shoqëruar njeriun e progresit, njeriun e punës, njeriun e së resë, njeriun e së mirës, njeriun e së vërtetës, administratorin e shkëlqyer të kryeqytetit, mikun dhe shokun tuaj, Edi Rama". Duke bërë apel që të gjithë ta mbështesin atë, që ashtu siç ka administruar në këto vite Tiranën, ashtu të administrojë në vitet e ardhshme në krye të Partisë Socialiste hallet, problemet e Dibrës dhe të gjithë Shqipërisë. Duke folur para socialistëve dibranë, Rama u shpreh se ekziston një parti me shumë debat të brendshëm. "Një parti që ka kaluar momente të vështira, momente konfliktesh, por që sot unë e gjej më të bashkuar se asnjëherë tjetër. Në fund të fundit, çdo parti ka një shtyllë kurrizore, pastaj pjesët e tjera ripërtërihen", tha Rama. Sipas tij, ajo që është e rëndësishme, është "se sot jemi të gjithë bashkë, kudo, në të gjithë Shqipërinë. Jemi të gjithë bashkë në një përpjekje jo të vogël, në një përpjekje të madhe, të vështirë, të mundimshme, për t‘u fokusuar në problemet reale të qytetarëve të këtij vendi", insistoi ai. Në vlerësimin e Ramës varfëria është armiku ynë, i cili forcohet përditë nga paaftësia dhe papërgjegjshmëria dhe jo vetëm kaq, nga mungesa e shpirtit të kësaj qeverie dhe këtij tranzicioni të gjatë, të karakterizuar nga ndryshimet e njëpasnjëshme që kanë errësuar edhe arritje të mëdha. "Papunësia është një armik, që shkon duke u shtrirë mbi kokat e familjeve shqiptare në të gjithë Shqipërinë", argumentoi ai. Kjo vjen, shtoi Rama, për shkak të paaftësisë, papërgjegjshmërisë dhe mungesës së shpirtit të kësaj qeverie dështakësh. "Ajo që na jepet, është përditë tërësisht e ndryshme nga ajo që na premtohet. Ajo që na thuhet se do të bëhet dhe si do të bëhet, është përditë tërësisht më e gënjeshtërt nga sa ç‘është e vërtetë", konstatoi Rama.


Dardan Malaj-SHQIP

Çmimi i këmbënguljes për konsensus ndërkombëtar

Siç po rrjedhin ngjarjet, ky çmim për palën shqiptare në bisedimet e Vjenës po rritet. Fakti që Ekipi i Unitetit u përpoq të tregonte moderacion qëndrimi dhe koherencë me Treshen e Grupit të Kontaktit, është një tregues se tërheqja e palës shqiptare nga një pozicion i përcaktuar dhe legjitim, gradualisht po ndodh. Liderët shqiptarë të Kosovës, të cilët kanë edhe një nivel të lartë përfaqësimi, ndryshe nga ç‘ndodh me palën serbe, po e tejkalojnë ndjeshëm me moderacionin e tyre dhe shumë shpejt ata jo vetëm do të ndodhen në vështirësi me ata që i kanë mandatuar për t‘i përfaqësuar, por edhe vetë komunitetin ndërkombëtar, ndaj të cilit po sillen me një pozitë me mungesa partneriteti.Përpjekja për të qenë kohezivë me faktorin ndërkombëtar, ndryshe nga Rambujeja, më të reagueshëm ndaj mesazheve që vijnë prej andej dhe për të marrë një mbështetje shumë të gjerë, pa dashur i ka vënë në pozita inferioriteti ndaj bashkëbiseduesve serbë, që planit 14 pikësh të Trojkës i kundërvihen me një plan tjetër 14 pikësh, që as më shumë dhe as më pak, Kosovën e përcakton si krahinë, madje të shoqëruar me sensibilitetin e vjetër serb të Metohisë. Megjithëse bisedimet e Vjenës u cilësuan të dështuara nga Ishinger dhe gati të pashpresa, delegacioni shqiptar i Kosovës i pranoi në parim disa sugjerime, pikat e planit të Trojkës së Grupit të Kontaktit, ndërkohë që pala tjetër i hodhi kategorikisht poshtë ato. Normalisht që Kosova e ka më shumë se asnjëherë tjetër nevojën për mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, për mirëkuptimin e tij dhe gjetjen e një gjuhe të përbashkët me të, për të zgjidhur nyjen gordiane të pavarësisë. Lëshim të ndjeshëm deri në kufijtë maksimalë, klasa politike e Kosovës ka bërë ndaj planit "Ahtisari", por reagimi i publikut atje dhe e drejta historike japin mesazhin se nuk mund të tejkalohen më lëshimet, pasi ata do të dëmtojnë jo vetëm procesin, por edhe të ardhmen e Kosovës. Vetëm një fakt: nga 21 zona të veçanta rreth manastireve të kërkuara nga serbët, plani "Ahtisari" parashikon jo më pak se 45 të tilla. Dhe këto zona të tipit të mirëfilltë të enklavave, normalisht që do të kenë një çmim shumë të lartë për të gjithë raportet e ardhshme që do të krijojë brenda, por edhe jashtë vetes shteti i ardhshëm i Kosovës. Megjithatë, si shumë kërkesa të tjera kjo u tolerua, duke kaluar skajshëm në të drejtën historike, atë ndërkombëtare, si dhe në konturimin e stabilitetit të ardhshëm social dhe politik, vetëm e vetëm që akordi me komunitetin ndërkombëtar të mos prishej. Përsëri në emër të këtij akordi, nga Vjena jepet një konsensus i parë lidhur me 14 pikat e planit të Trojkës, aty ku nuk shënohet fare cilësimi pavarësi, por vetëm flitet për mungesë të pranisë fizike të Beogradit në Kosovë, pa mohuar prezencën juridike, e cila nuk përjashtohet si mundësi të aktivizohet në një moment tjetër. Pa u përcaktuar qartë se merr fund edhe prezenca juridike, riaktivizimi, siç kërkon Beogradi në termat e veta i Rezolutës 1244, krijon mundësinë që edhe prezenca juridike të jetë e përfshirë dhe Prishtina të ketë vetëm hapësirën e vendimmarrjes financiare, madje edhe këtë të kufizuar.Në pikat e propozuara thuhet se politika financiare do të përcaktohet në bashkëpunim midis Beogradit dhe Prishtinës, të cilët duhet të menaxhojnë së bashku edhe kufijtë. Vetëm pavarësia financiare dhe mungesa e pranisë fizike të Beogradit në Kosovë, nuk mund të jenë kurrsesi termat e mjaftueshëm shtetformues e që japin garancinë e pavarësisë. Ajo që kërkohet të manifestohet si gradualitet, që do të çojë drejt heqjes vetë dorë të Beogradit nga Kosova dhe nga popullsia serbe në enklavat e ndryshme, është një ëndërr hipotetike, që nuk ka pse të ngazëllejë jo vetëm politikanët e involvuar në këtë proces, por as qytetarët e thjeshtë, të cilët, në fakt, presin dhe kërkojnë më shumë. Normalisht që Ekipi i Unitetit ndodhet nën presionin diplomatik të radhës, por me pakon "Ahtisari", politika shqiptare ka dhënë maksimumin e mirëkuptimit e të tolerancës në lidhje me zgjidhjen e çështjes përmes bisedimeve dhe në tryeza diplomatike. Sfilata politike si kjo e Vjenës, kur mungoi reagimi i prerë dhe i qartë për pamundësinë e kompromiseve shtesë në kurriz të së ardhmes së Kosovës, komprometojnë rëndë si procesin, ashtu edhe përfaqësuesit e mandatuar për këtë proces. E drejta ndërkombëtare dhe ajo historike, pavarësisht se si tunden flamujt e këtyre temave në Beograd apo Moskë, është tërësisht në anën e shqiptarëve. Diplomacia e topitur shqiptare dhe mungesa e lobingut përkatës nëpër kancelaritë evropiano-perëndimore, kanë sjellë jo pak efekte në kohezionin e akordit evropian lidhur me këtë çështje, po ama kjo nuk mund të kompensohet me lëshime që vënë në pikëpyetje gjithë investimin brenda dhe jashtë Kosovës të bërë për pavarësinë e saj. Si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, vërehet një sjellje e matur politike e diplomatike, që i kalon caqet normale përballë së drejtës që ka kombi shqiptar për të ndërhyrë e bashkuar fuqishëm për rregullimin e padrejtësive historike. Kjo mënyrë e kujdesshme të sjelluri, e cila shikon në dritë të syrit me të drejtë aleatët tanë të mëdhenj të SHBA-së, praktikon të njëjtën gjë edhe me disa shtete evropiane, ku historia jonë nuk na i jep mesazhet e tilla, nuk mund të ketë garancitë për të realizuar këtë veprim historik. Madje nuk po jep garancinë as të protagonizmit të domosdoshëm në këtë situatë. 11000 faqe janë përgatitur nga historianë e studiues serbë rreth çështjes dhe të drejtave, sipas tyre, që kanë ata mbi Kosovën. Dhe nuk kanë mbetur këtu, janë përkthyer në anglisht e shpërndarë nëpër kancelari në të gjithë botën, gjë që ka sjellë edhe efektet e veta. Ndërkohë, Akademia e Shkencave në Shqipëri e Kosovë pothuaj gati sa kanë heshtur plotësisht. Janë të mbushura me postera që bëjnë thirrje për të mos lëshuar Kosovën, prej muajsh muret e Beogradit, ndërkohë që shikohet me skepticizëm dhe rezervë një manifestim në Tetovë, në mbështetje të së drejtës së popullit shqiptar të Kosovës për të vendosur për pavarësinë. Por ky nuk është vetëm momenti historik i Kosovës, i cili edhe po të ishte vetëm i tillë, është i mjaftueshëm për të reaguar. Ky është momenti historik i popullit shqiptar, që pret një qasje krejt tjetër për t‘u dimensionuar.Politika shqiptare në Tiranë e Prishtinë vazhdon të kundrojë kujdesshëm gjithë mesazhet që jepen në të katërta anët për zgjidhjen e statusit të Kosovës, për afate të reja bisedimesh, për konferencë ndërkombëtare mbi këtë çështje, për të arritur deri te Vjena, ku Ekipi i Unitetit shprehet dakord në parim. Çdo të thotë: Dakord në parim? Të pranosh planin e paraqitur, të cilit mund t‘i bëhen disa rregullime jo esenciale, pasi ato nuk u artikuluan, do të thotë të pranosh në heshtje jo thjesht mungesën formalisht të fjalës pavarësi, por edhe pamundësinë për të hequr në mënyrë taksative sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën dhe krijon hapësira juridike për t‘u interpretuar më pas në varësi të situatave politike që vijnë. Ky lloj qëndrimi në kërkim me çdo kusht të akordit ndërkombëtar, të sjelljes së pëlqyeshme e të pranueshme ndaj ndërkombëtarëve, të varësisë së plotë të tyre, do të ketë një çmim shumë të lartë, nëse nuk përcaktohet në mënyrë të prerë e publike se lëshimi i fundit dhe maksimal është plani "Ahtisari".Lëshimet për konsensus ndërkombëtar dhe gjetja e një gjuhe diplomatike që afron qëndrimet e pozicionet e palëve, kur serbët shfaqen të prerë në ekstremitetin e tyre, ka shumë gjasa t‘i zhgënjejë të gjithë. Ndërkohë, aleati i madh historik i popullit shqiptar, SHBA, avancon në rrugët që duhen ndjekur për përfundimin e këtij procesi, ndërsa drejtuesve politikë shqiptarë nuk u lejohen moderacione qëndrimesh me një faturë historike të papërballueshme. Pas 10 dhjetorit, të gjithë do mbajmë frymën për datën më të shpejtë të mundur për shpalljen e pavarësisë, që cilësohet diplomatikisht jo saktë si e njëanshme. Pavarësi me leje nuk ka. Nuk morën leje as shtetet sivëllezër të Serbisë, Kroacia, Sllovenia, Maqedonia, Mali i Zi, kur shpallën pavarësinë, shtete me gjuhë e kulturë shumë komunikuese mes tyre, por edhe me një marrëdhënie shumë të gjatë. Pavarësi përmes nënshkrimesh publike vështirë se mund të arrihet, kësisoj druajtja e qejfmbetjeve diplomatike duhet përjashtuar nga klasa politike shqiptare në Kosovë, për të qenë më ekzigjentë si përpara presionit të inspiruar për interesa të ndryshme të shumë aktorëve ndërkombëtarë të përfshirë në këtë proces, ashtu edhe Serbisë, që ka humbur krejtësisht të drejtën, si historike ashtu edhe publike, për të vazhduar të ketë kontrollin në shtetin e ri që po lind.Konsensusi ndërkombëtar për pavarësinë e Kosovës do të mungojë, për arsye që nuk lidhen drejtpërdrejtë me Kosovën. Karta Kosovë është dimensionuar ndërkombëtarisht për opsione politike që dalin jashtë saj, kësisoj që gjetja e një gjuhe me gjithë faktorin ndërkombëtar të përfshirë në proces është e pamundur, ashtu siç duhet konsideruar paradoksale sjellja politike, sipas partiturës politike të të gjithë aktorëve, që janë afër apo larg ngjarjes që pritet dhe duhet të ndodhë.
Gezim Podgorica

Parashimi i motit per Tiranen