Thursday, October 25, 2007

Majko: Kush bashkohet me kundërshtarin është dezertor


Kryetari i opozitës, Edi Rama, vijon turin "Dialog me Shqipërinë", takime në Dibër
Ish-kryeministri Pandeli Majko deklaron se socialistët kanë ndarë mendjen të bëjnë opozitë të fortë karshi Sali Berishës dhe qeverisë së tij. "Unë jam djalë ushtaraku, kam qenë Kryeministër e ministër i Mbrojtjes dhe di një gjë, morali i atyre që bashkohen me kundërshtarin ka vetëm një emër, quhen dezertorë", theksoi Majko në takimin që zhvilloi kryesocialisti Edi Rama në Dibër. Sipas Majkos, është më mirë të jesh ai që je dhe të shfaqesh ai që je, se sa të shkosh e të lyesh flokët dhe të thuash që jam ai që nuk je në të vërtetë. "Sot kjo që po ndodh në vend kërkon një reflektim shumë të madh. Në zgjedhjet për President humbëm një shans të jashtëzakonshëm, e përsëris humbëm një shans të jashtëzakonshëm", vijoi Majko. Ndërsa shtoi se sot problemi më i madh është se jemi në udhëkryq, se na mungon energjia, na mungon uji, na mungon e ardhmja, na është rritur kostoja e jetesës. Ish-sekretari i përgjithshëm, Gramoz Ruçi, u shpreh: "Jam këtu për të shoqëruar njeriun e progresit, njeriun e punës, njeriun e së resë, njeriun e së mirës, njeriun e së vërtetës, administratorin e shkëlqyer të kryeqytetit, mikun dhe shokun tuaj, Edi Rama". Duke bërë apel që të gjithë ta mbështesin atë, që ashtu siç ka administruar në këto vite Tiranën, ashtu të administrojë në vitet e ardhshme në krye të Partisë Socialiste hallet, problemet e Dibrës dhe të gjithë Shqipërisë. Duke folur para socialistëve dibranë, Rama u shpreh se ekziston një parti me shumë debat të brendshëm. "Një parti që ka kaluar momente të vështira, momente konfliktesh, por që sot unë e gjej më të bashkuar se asnjëherë tjetër. Në fund të fundit, çdo parti ka një shtyllë kurrizore, pastaj pjesët e tjera ripërtërihen", tha Rama. Sipas tij, ajo që është e rëndësishme, është "se sot jemi të gjithë bashkë, kudo, në të gjithë Shqipërinë. Jemi të gjithë bashkë në një përpjekje jo të vogël, në një përpjekje të madhe, të vështirë, të mundimshme, për t‘u fokusuar në problemet reale të qytetarëve të këtij vendi", insistoi ai. Në vlerësimin e Ramës varfëria është armiku ynë, i cili forcohet përditë nga paaftësia dhe papërgjegjshmëria dhe jo vetëm kaq, nga mungesa e shpirtit të kësaj qeverie dhe këtij tranzicioni të gjatë, të karakterizuar nga ndryshimet e njëpasnjëshme që kanë errësuar edhe arritje të mëdha. "Papunësia është një armik, që shkon duke u shtrirë mbi kokat e familjeve shqiptare në të gjithë Shqipërinë", argumentoi ai. Kjo vjen, shtoi Rama, për shkak të paaftësisë, papërgjegjshmërisë dhe mungesës së shpirtit të kësaj qeverie dështakësh. "Ajo që na jepet, është përditë tërësisht e ndryshme nga ajo që na premtohet. Ajo që na thuhet se do të bëhet dhe si do të bëhet, është përditë tërësisht më e gënjeshtërt nga sa ç‘është e vërtetë", konstatoi Rama.


Dardan Malaj-SHQIP

No comments:

Parashimi i motit per Tiranen