Saturday, November 10, 2007

Qasje idiotike ne politiken shqiptare

Para dy ditësh na dëgjuan veshët çudinë kryeministrore të radhës. "Do ta shndërroj Shqipërinë në një superfuqi energjetike në rajon", tha kreu i qeverisë sonë. Dhe këtë objektiv - sipas tij të realizueshëm - e lidhi me objektivin për të ndërtuar sa më shpejt një (ndoshta më shumë se një) impiant bërthamor të prodhimit të energjisë. Ky Kryeministër, pasi e bëri Shqipërinë një parajsë të investitorëve të huaj nëpërmjet strategjisë kinse ndjellëse "Shqipëria, një euro", pasi na bëri të eksportojmë energji elektrike, pasi realizoi dhe shkripëzimin e ujit të detit (janë të gjitha premtime lunatike të bëra kohë pas kohe, s‘ka gjë se tanimë i ka marrë era), na premton më në fund për të na bërë një superfuqi energjetike të rajonit. Ndoshta pas pak kohësh do t‘i rikthehet objektivit tjetër, atij të ndërtimit të një tuneli nën Adriatik, për të na lidhur në rrugën më të shkurtër me fqinjin tonë perëndimor, që në fakt ka për autor një tjetër Kryeministër të Shqipërisë, Pandeli Majkon.Ç‘është ky virus idiotësie që vibron në trurin e një numri politikanësh shqiptarë? Si është e mundur që nuk u punon sistemi i frenimit, kur vjen puna që u lindin në kokë pallavra të kësaj natyre? Është një marrí, që herë pas here kap thjesht ata, apo është një marrí që u vjen si frymëzim nga poshtë, d.m.th. nga shoqëria, të cilën përfaqësojnë politikisht dhe e cila i lejon të shtyhen deri në këtë farë feje me broçkulla të padëgjuara e kolosale? Si është e mundur që nuk del dobare një zë nga brenda politikës, për t‘u thënë: hej, miq, kemi rënë dakord t‘ju bëjmë kabull gjithçka, por nuk mund t‘ju lejojmë të flisni si në një çmendinë? * * *Kjo puna e energjisë bërthamore është disi e komplikuar dhe me sa duket, Kryeministri shqiptar ka mundur apo ka dashur të informohet veç në mënyrë poetike lidhur me të. Ose - kjo ka gjasa që më shumë - ai as që e ka idenë se ç‘janë centralet e energjisë bërthamore. Thjesht ia fut kot. Siç bën rëndom.Është e vërtet që kohët e fundit centrale të tillë janë sërish in vogue. Ka kaluar shumë kohë nga aksidenti në Three Mile Island të Pensilavisë (1979) dhe nga shpërthimi i Chernobyl-it (1986). E për këtë arsye, kjo distancë kohore prej tragjedisë na ka bërë në një farë mënyrë t‘i harrojmë efektet e tyre (nga shpërthimi i Chernobyl-it kanë gjetur vdekjen rreth 4000 vetë). Përveç kësaj - kjo është më e rëndësishme - teknologjia bërthamore ka bërë përparime të dukshme në harkun e dy dekadave të fundit, gjë që do të thotë se këto centrale kanë një patentë sigurie më të madhe (në ndryshim nga kohë të shkuara, një reaktor bërthamor mund të fiket automatikisht, d.m.th. pa nevojën e dorës së njeriut, në situata të emergjencës) dhe se menaxhimi i mbeturinave bërthamore, ndonëse mbetet një problem i madh, është padiskutim më eficent. Janë vetëm këto përparime teknologjike që e kanë nxjerrë në skenë modën e centraleve me energji bërthamore? Jo, është dhe nevoja e vendeve të fuqishme për energji, gjë që i bën këto vende të injorojnë nga halli një sërë dizavantazhesh, shqetësimesh, frikërash e pasigurish. Karburantet tradicionale edhe po shterojnë, edhe janë në duart e qeverive jo fort miqësore me botën perëndimore (vendet arabe të Lindjes së Mesme, Rusia, etj). Si një ngushëllim në këtë mes sillet fakti, që lënda e parë më e rëndësishme për energjinë bërthamore (uraniumi), gjendet në vende shumë miqësore. Më tej, menaxhimi i centraleve bërthamore (pasi këta të fundit janë ndërtuar), nuk është shumë i kushtueshëm. Më në fund, centralet bërthamore, krahasuar me impiante tradicionalë të prodhimit të energjisë, janë më ekologjikë.Të gjitha këto pra kanë bërë që qeveritë dhe shoqëritë e vendeve të rëndësishme perëndimore t‘i drejtojnë sytë edhe njëherë tjetër nga energjia bërthamore. Franca e ka bërë me kohë këtë gjë. Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po planifikojnë të merren seriozisht me to. Finlanda është duke ndërtuar një reaktor me energji bërthamore. John Howard, Kryeministri i Australisë, ku ka me shumicë uranium, por ku nuk ka asnjë reaktor, ka filluar të mendojë se energjia bërthamore është e paevitueshme. E kështu me radhë.Por pse Shqipëria nuk mundka t‘u bashkohet këtyre vendeve? Për dy arsye shumë të thjeshta: së pari, ndërtimi i një centrali me energji bërthamore, është jashtëzakonisht i kushtueshëm. Dikush në shtypin shqiptar përmendte kuturú para dy ditësh shifrën 2 miliardë euro, por në fakt kostoja e ndërtimit është të paktën nja tre-katër herë më e madhe. Dhe kaq do të ishte mjaft për ta klasifikuar deklaratën kryeministrore si një idiotësi të pashoqe. Ku do t‘i gjejë Shqipëria kaq pará? Nuk ka ku t‘i gjejë asgjëkund. Ia fut krejt kot kush mendon, se ata që do t‘i hedhin këto pará, janë vetë investitorët e bankat e huaja të fuqishme. Po pse do t‘i hedhkan në Shqipëri? Për sytë e bukur të Kryeministrit? Këtu, për shkak të mungesës së stabilitetit politik, për shkak të mungesës së energjisë elektrike e të infrastrukturës në përgjithësi, për shkak të administratës e të qeverive të korruptuara, nuk po vjen askush për të hedhur qoftë dhe 1 milion euro në një investim të zakonshëm fitimprurës. Mund të përfytyrohet lehtë në këto rrethana "gatishmëria" e ndonjë banke apo ndonjë investitori për të hedhur 10 miliardë euro. Veç nëse këto banka e këta investitorë janë më të marrë se sa Kryeministri ynë, gjë që nuk ka si të jetë e mundur.Por nuk mbaron këtu. Edhe sikur të gjendeshin këto para (supozim kot më kot, kuptohet), askush në botë nuk do t‘i jepte ok-in Shqipërisë për të ndërtuar një central të energjisë bërthamore. Centrale të tilla mund t‘i ndërtojë vetëm një vend me një shtet të fuqishëm, ku siguria e rendi janë ushqim i përditshëm dhe i garantuar për të gjithë qytetarët, ku stabiliteti politik e qeveritar është një gjë e marrë, si e dhënë e pamohueshme, e ku terroristët e kanë tmerrësisht të vështirë të hedhin në erë impiantet nukleare. Është Shqipëria një vend që i ofron këto sigurira? Kjo është një pyetje po aq idiotike sa edhe premtimi kryeministror për të ndërtuar impiante nukleare. Është idiotike, pasi Shqipëria është një vend, ku deri para se të vinte në pushtet ky Kryeministër, hidheshin në erë shtyllat e tensionit të lartë (e keni vënë re që, prej momentit që Berisha nuk është më në opozitë, shtyllat elektrike nuk hidhen më në erë?) e ku qeveris një njeri, që ka frikë të shkojë në vendin e tij të lindjes (ka mbi dhjetë vjet që ai nuk shkon në Tropojë). Merret vesh pra, që premtimi për të ndërtuar impiante bërthamore në Shqipëri është një zhgjëndërr e shpifur, me të cilën nuk ia vlen fare të merresh, ashtu si nuk ia ka vlejtur të merresh me premtime të tjera të Kryeministrit lidhur me shkripëzimin e ujit të detit, me platformën "Shqipëria, një euro", me rishikimin e historisë, me luftën ndaj korrupsionit, me luftën ndaj komunizmit etj., etj. Duhet të bëjmë mirë që këtë njeri ta lëmë në idiotësinë e vet.

Mustafa NANO- Gazeta "SHQIP"

Borxhi, çdo shqiptar do të paguajë 2300 dollarë

Shqipëria, pranë kufirit maksimal. Interesat arrijnë në mbi 390 milionë USD

Borxhi afatgjatë që qeveria do të marrë nga jashtë për të financuar deficitin buxhetor të vitit 2008 është plot 770 milionë dollarë. Një pjesë e kësaj shume është e marrë sakaq,ndërsa pjesa tjetër duket se do të merret përmes emetimit të letrave me vlerë në valutë për bankat e huaja. Deficiti buxhetor në draftin final të buxhetit për vitin 2008 është parashikuar të arrijë mbi 1 miliard dollarë,ose e thënë ndryshe në 7.9 përqind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP). Për vitin 2007, deficiti buxhetor ishte afër 470 milionë dollarë dhe u financua me 220milionë dollarë borxh të jashtëm dhe pjesa tjetër me borxh afatshkurtër të marrë nga bankat shqiptare. Sakaq qeveria ka marrë tashmë një hua prej 230milionë euro, ose e konvertuar me kursin aktual në 330 milionëdollarë. Kjo hua, ndonëse është marrë nga dy bankat greke AlphaBank dhe Banka Kombëtare e Greqisë, këtë vit nuk u përdor dhe duket se do të tërhiqet vitin e ardhshëm. Pjesa tjetër e borxhit të huaj, të parashikuar për t‘u marrë në vitin 2008 prej 340milionë dollarësh, duket se do të emetohet nga qeveria në formëne eurobonove.
Interesat 390 mln USD
Qeveria do të duhet të paguajë rreth 390 milionë dollarë nga paratë e taksapaguesve për interesat e borxhit publik në vitin e ardhshëm. Sipas parashikimeve në buxhetin e shtetit, plot 340 milionë dollarë janë vetëm interesa që do t‘u paguhen bankave shqiptare për të shlyer borxhin që qeveria ka marrë nga to, ndërsa pjesa tjetër është interes që do t‘u paguhet kreditorëve të huaj. Në harkun kohor të një viti, interesat janë rritur me 3.5 miliardë lekë, ose e konvertuar në dollarë me 42 milionë dollarë, por kjo rritje ka ardhur kryesisht si pasojë e rritjes së kostos së parasë nga Banka e Shqipërisë, veprim për të cilin ministri i Financave, Ridvan Bode, ka shprehur rezerva.
Borxhi i jashtëm
Deri në vitin 2006, borxhi i jashtëm në Shqipëri arriti në 1.8 miliardë dollarë, ndërsa në vitin 2008 ai pritet të arrijë në gati 2.7 miliardë dollarë, ose e thënë ndryshe çdo shqiptari do t‘i duhet të paguajë gati 900 dollarë për shlyerjen e tij. Nëse e krahasojmë me eksportin e mallrave, borxhi i jashtëm afatgjatë i vendit është sa për 3 vjet eksporte. Rritja e borxhit vjen për shkak se qeveria ka vendosur që të investojë më shumë seç janë mundësitë e vendit për te kursyer.
Totali
Sipas të dhënave zyrtare për vitin 2007, borxhi publik në Shqipëri e kaloi shifrën e 540miliardë lekëve. Ndërsa me borxhin e parashikuar për t‘u marrë gjatë vitit të ardhshëm,totali i borxhit publik në Shqipëri pritet të arrijë në 620 miliardë ose e konvertuar gati 7.5miliardë dollarë. Kjo do të thotë se vetëm për principalin e tij (vleren baze te kredise ) çdo shqiptar duhet të paguajëgati 2 300 dollarë. Borxhi publik është rritur me gati 130 miliardë lekë nga viti 2006 deri në . Por qeveria premton reduktimin e tij në raport me produktin e brendshëm bruto dhe uljen e interesave që paguhen për shlyerjen e tij. "Objektivi ynë është që për çdo vit raporti i borxhit ndaj Produktit të Brendshëm Bruto të ulet me 0.5 përqind", ka deklaruar zv/ministri i Financave, Sherefedin Shehu. Strategjia e qeverisë parashikon gjithashtu dhe kohëzgjatjen e afatit të këtij borxhi, duke ulur kështu interesat që paguhen për shërbimin e tij. Për vitin2008, vetëm për interesat e borxhit, qe qeveria do të paguajë nga buxheti i shtetit do jete 20 miliardë lekë.
Borxhi pranë limiteve
Qeveria shqiptare ndodhet pranë kufirit maksimal të borxhit që lejojnë marrëveshjet ndërkombëtare. Për vitin 2007, borxhi publik në Shqipëri arriti në 54 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto, duke qenë vetëm 6 për qind më i ulët se kufiri maksimal i lejuar nga Bashkimi Evropian. Por Shehu nuk e sheh këtë si një shqetësim."Teorikisht Shqipëria mund të marrë borxh pafundësisht në rast se ajo këto borxhe i përdor për investime publike. Deri në vitin 2005, Shqipëria merrte borxh edhe për shpenzime të tjera që nuk kishin të bënin me investimet", thotë Shehu. Qeveria parashikon rritjen me 3 herë të investimeve me financim të huaj për vitin 2008, në krahasimme 2007-ën.

Marre nga gazeta "SHQIP"

Parashimi i motit per Tiranen