Wednesday, October 17, 2007

Aspirinat e parlamentit te ardhshem te Kosoves !

Vjeshte.Dikund ne rrugen “Ilir Konushevci”,emer I cili ngjall mirenjohjen per ata qe dhane jeteen per ceshtjen shqiptare , gjethet e pemeve kane filluar tashme te gjejne vendin e tyre ne toke duke lene te zbrazeta deget . Eshte mengjes dhe rruget jane te mbushura me femije qe drejtohen drejt shkollave dhe prinderit ,vellezerit dhe motrat e tyre qe nxitojne per ne pune .
Kohet e fundit jeta ne Kosove ka marre nje drejtim paksa te cuditshem .Nje gjendje ekonomike qe shkon drejt rendimit dhe nje nivel I shpreses qe I afrohet kufijve te rrezikshem. Rinia e cila e ndien veten te pashprese ne realitetin e sotshem te Kosoves e sheh te ardhmen dikund jashte kufijve te vendit per te cilin enderruan ta kene te lire ose luftuan ta kene te tille .Ajo qe shohin sot banoret e Kosoves eshte nje qeverisje shterpe dhe e mbushur me aludime korrupsioni e paaftesie . Shpeshere ne mundohemi te gjejme fajin tek te tjeret a thua se ne nuk kemi ndonje peshe ne ate gjendje qe gjendemi .
Qeverisjet behen nga politika dhe kjo e fundit del nga populli qe e zgjedh ate politike .Mbrapa cdo veprimi politik duhet te jete perfaqesimi I popullit ,sovranit sic e quan nje nga politikanet e Shqiperise popullin I cili I jep voten te qeverise .
Po cka pare Kosova gjate viteve ?! Ka pasur qeveri legjitime te njohura (kohet e fundit ) si edhe qeveri hije apo te perkohshme .Secila prej tyre eshte munduar qe te beje nje fotografi te mbushur plot drite e ngjyra te kohes se qeverisjes se tyre .asnjera nuk mori mundimin ti tregoje popullit per deshtimet e tyre edhe pse ajo do ndikonte ne popullaritetin e tyre . Natyrisht ajo do ishte shume me e ndershme dhe me e sakte ne pikepamjen afatgjate te tyre .Kemi forca politike ne numer a thua se jemi popull 300 milion banoresh dhe jo 7 milion net e gjitha trojet .Secila prej tyre ka koston e vete te aktivitetit dhe natyrisht se per te bere jeten luksoze qe lideret e partive bejne sot duhen edhe shume me teper fonde sesa ata deklarojne .Megjithate kjo nuk eshte pjese e ketij artikulli .
Po lexoja listat e kandidateve per deputete te ardhshem te parlamentit te Kosoves .Besoj se tashme eshte koha te themi se ky do jete parlamenti I cili do beje realitet enderren shume vjecare te popullit shqiptar te Kosoves per ta pare ate me ate sy dhe veshtrim qe e pane Adem Jashari,Zahir Pajaziti,Ilir Konushevci ,Ardjan Krasniqi, Luan Hajradinaj ,Agim Ramadani, Fehmi & Xheve Lladrovci e shume e shume deshmore te luftes me te fundit te popullit shqiptar nga Kosova,Shqiperia,Maqedonia,Mali I Zi dhe lugina e Presheves .
Per te qene I tille duhet qe se paku niveli I ketij parlamenti te jete I niveleve me te larta te mundshme nga ana intelektuale dhe njerezore . Ky parlament duhet te jete bashkimi I vlerave njerzore dhe I vlerave te pastertise te secilit prej anetarevete ketij parlamenti . Ndermjet listave te paraqitura nga partite politike vihet re emancipimi I tyre duke vene nje numer te konsiderueshem femrash si candidate dhe shihet nje lloj xhelozie kur behet fjale per tituj shkencore .Duket sikur njera prej tyre ( dale nga divorci politik mes grupacioneve politike ne LDK) ka vendin e pare . Nderkohe qe ajo qe me ra ne sy me teper eshte vazhdimi I tradites nga disa forca politike por edhe nga te rejat qe te kandidohen figura te njohura te jetes kulturore . Shpresoj qe ne rast zgjedhjeje ( dhe personalisht I uroj suksese ) Memli Krasniqi do dije te pershtase gjuhen e te folurit ne parlament me personin e ri Memli Krasniqi dhe jo te mbetet me gjuhen e Etno Engjuj . Ne fund te fundit shpresoj qe ne rast se zgjidhen keto figurat e reja te pakten efekti I tyre do jete I njejte me aspirinen kur te ngrihet temperature e parlamentit te ri te Kosoves . Forcat politike duhet te mos harrojne se kane pergjegjesi ndaj atyre qe I zgjedhin jo vetem per sa kohe kane nevoje per ndihmen e tyre ,por gjate te gjithe kohes ne pushtet apo ne opozite . Populli eshte I atille qe u beson por nuk mundet kurrsesi te harroje kur ju qeverisni keq apo shperdoroni te ardhmen e tij . Mos mbyllni shpresat e rinise dhe ta drejtoni ate drejt kufinjve apo drogave ,por tregojini te ardhmen sic duhet . Suksese te gjithe kandidateve te paster te cilesdo force politike ,por mbi te gjitha susksese popullit shqiptar te Kosoves ne momentet e fundit drejt pavaresise .

Taulant Malaj

Meidani: "Sollaku 2", një tjetër "budallallëk" ligjor

"Topit i duhet një farë kohe të mësohet me ‘këpucët e reja‘ që ka veshur"

Komisioni i ri hetimor për kryeprokurorin e Përgjithshëm Theodhori Sollaku cilësohet prej ish-presidentit Rexhep Meidani si një tjetër "budallallëk" ligjor. Në një intervistë ekskluzive për gazetën "Shqip", ish-kreu i shtetit sqaron se e gjithë kjo luftë për të kontrolluar institucionet e pavarura tenton të largojë vëmendjen e qytetarëve ndaj problemeve jetike. Ndërsa shton se Topit i duhet ende kohë të mësohet me "këpucët e reja". Meidani analizon shkaqet e dështimit politik të opozitës në momentin e zgjedhjes së presidentit në korrikun e këtij viti. Koalicioni opozitar sipas tij ka treguar gjatë këtyre viteve se shpesh është shoqëruar nga konfuzioni dhe paqartësia politike, çka e kanë bërë të luajë dobët rolin që i takon. Zoti Meidani si i vlerësoni zhvillimet e fundit politike në periudhën pas krizës presidenciale? Nëse mund të quhen këto "vorbulla" politike që shohim e përjetojmë përditë zhvillime, atëherë nuk ja vlen të bëhen komente, aq më pak analiza. Për më tepër, që kjo ndërprerja disa mujore e energjisë na është kthyer, tashmë, në mënyrë absurde, në një çështje rutinë të jetës tonë ekonomike, social-kulturore e politike-institucionale. Personalisht, të isha drejtues, në kushte të tilla absurde, gati represive, nuk do të guxoja të dilja nëpër mjedise publike e ekrane televizive, apo të formuloja "përralla" të tjera para qytetarëve, dhe, akoma më e turpshme, të gënjeja ose t‘iu "qeshja" në fytyrë atyre!... Duke u rikthyer mbrapa a mendoni se opozita dështoi ne momentin e zgjedhjes së kreut të shtetit pasi e kishte të shkruar objektivin për kalim në zgjedhje të parakohshme?Pa dyshim, që ishte një dështim politik. Ajo me lojën e saj shumë-emërore dhe me ruajtje "zarfesh intimë" apo shpikje lloj-lloj emrash të çastit të fundit e humbi tempin e imponimit për ta nxjerrë e fituar ajo kandidaturën për president. Ndërsa, për sa i përket objektivit "për kalim në zgjedhje të parakohshme", ky objektiv, për shumicën e partive të koalicionit, përfshirë dhe PS-në, ishte një "kartë për konsum", thjesht e natyrës retorike-partiake apo, jo më shumë se një pseudo-slogan politik-elektoral, i lëshuar gjoja për "kushtrim" e mobilizim elektoral. Përndryshe, ç‘kuptim kishin propozimet "me listë" nga e majta për postin e presidentit apo, për më tepër, pjesëmarrja, fillimisht dypalëshe dhe pastaj shumëpalëshe, në tavolinën pozitë-opozitë për përzgjedhjen e kandidatit konkret konsensual!?..Duket se pas këtij momenti politik opozita nuk ka marrë ende veten. Mungon pesëshja e zakonshme e aleatëve, kemi deklarata të lëkundura të Cekës dhe Milos. Në një moment u duk sikur e majta e vërtetë është vetëm treshja PS-LSI-PSD pasi të tjerët mund të kalonin djathtas...Kam përshtypjen se, përveç fitores së bujshme të zgjedhjeve vendore në qytetet kryesore, opozita ka manifestuar, në një pjesë dërmuese të rasteve, gjatë këtyre dy vjetëve, konfuzion, paqartësi e jo pykëzim. Në një farë mënyre, kjo mund të justifikohet dhe nga sjellja arrogante, antidemokratike e uzurpuese e pozitës! Nga ana tjetër, nuk mund të mohohet që pas suksesit në qytetet e mëdha, PS-ja e humbi tempin e vërtetë të pas zgjedhjeve vendore, duke u marrë vetëm me veten, me organizimin e zgjedhjeve partiake të parakohshme brenda saj, gjë që solli dhe përplasje e reaksione të panevojshme. Normalisht, në gjykimin tim, ky proces duhej të zhvillohej në kohën e vet. Të krijohet pa dashje përshtypja që ky përshpejtim u bë edhe nga zhurmat për rikthimin e z.Nano në veprimtarinë politike, parlamentare e partiake... Sidoqoftë, të paktën për sy neutralë, opozita e ka luajtur dobët rolin e saj, sidomos për çështje të ditës, që lidhen ngushtësisht me qytetarin-konsumator. Në këtë optikë dhe "luhatjet" e fundit, krahas problematikës individuale, janë dhe shprehje të kësaj sjellje të përgjithshme opozitare...Në Partinë Socialiste tanimë duket se ka filluar lufta mes Ramës dhe Nanos. Ky i fundit ende nuk ka bërë të qartë se çfarë kërkon por ka lëshuar një lum akuzash ndaj Ramës dhe ndaj gjithë krerëve të koalicionit opozitar. A mendoni se lëvizja Nano ka një bazë të shëndoshë që mund ta çojë në sukses?Kjo lëvizja e re e z.Nano, e ashtuquajtur "institucionaliste", ndryshon në formë e përmbajtje, në spektër e mbështetje, nga ato të mëparshmet të pagëzuara si: lëvizja "mocioniste" (1996) apo ajo "katarsiste" (2001). Ajo, të paktën deri tani, nuk duket se ka arritur mbështetjen mediatike e intelektuale të pritur. Por jo për "faj" të objektivit apo programit të saj ende të pa ekspozuar plotësisht. Nga ana tjetër, kjo mangësi aktuale, madje e dyanshme në kampin socialist, nuk do të thotë aspak që të mund të pretendohet e deklarohet me indiferencë, pakujdesi e megalomani nga figura kryesore të drejtimit të PS-së së sotme, si dikur për lëvizjen Meta (nga ana e vetë z. Nano-kryetar partie e kryeministër i asaj kohe), si diçka pa bazë ose pa përqindje mbështetëse, si një "çikërrimë" politike, apo më keq si "mbushje sallash me autobusë"!... Sidoqoftë, është fakt që mjaft zëra të njohur të analizës politike, në pjesën dërrmuese të tyre, nuk kanë shfaqur ndonjë mbështetje të dukshme, përkundrazi. Kjo dhe për arsye të mosbesimit ndaj protagonistit kryesor! Po ashtu, një rol jo të vogël mund të luajë më tej dhe fakti se tashmë kjo lëvizje drejtohet nga një ish kryetar partie, kurse p.sh. lëvizja për katarsis drejtohej nga një kryetar partie në pushtet, në "shërbim" të cilit ishin të gjitha strukturat vendore të partisë. Ndërsa e para drejtohej brenda partisë (nën drejtimin e kryetarit të saj) kundër kryeministrit Meta, vetëm anëtar kryesie në PS-në e asaj kohe, kjo e sotmja me orientim të qartë anti-Rama, drejtohet nga jashtë kryesisë kundër kryetarit aktual të PS-së dhe njëkohësisht drejtuesit të një institucioni mjaft të fuqishëm, siç është bashkia e kryeqytetit. Gjithashtu, në trajtën e shpallur, vetë kjo lëvizje, ndryshe nga lëvizja për katarsis me objektiv luftën kundër korrupsionit (të mirëpritur nga të gjithë qytetarët), është një lëvizje ekuilibri dhe fuqie vetëm brenda institucionit të PS-së (pra, dhe me spektër shumë më të ngushtë). Prandaj ajo nuk shfaq ndonjë interes për shtresime të tjera shumë më neutrale në pikëpamje politike-partiake. Ndoshta, ajo mund të mirëpritet, deri diku, nga mbështetësit e partive të koalicionit aktual qeveritar, me llogaritjen e thjeshtë të ruajtjes së pushtetit politik edhe pas zgjedhjeve të ardhshme elektorale, me gjithë dështimin qeverisës të derisotëm. Krahas, këtyre aspekteve jo të favorshme, edhe mjaft media të shkruara e elektronike, ndryshe nga lëvizja e dikurshme për katarsis, në shumicën e rasteve janë shfaqur relativisht apatike e indiferente, pse jo dhe me prirje minimizuese. Përjashtim kanë bërë deri diku, sidomos ato media, që kanë një prirje të lexueshme pro qeveritare, gjë që mund t‘iu shërbejë deri diku si "kundër-argument politik" dhe kundërshtarëve të ashpër ndaj kësaj lëvizjeje me pretendime "institucionaliste" brenda PS-së. Pa harruar që dhe kjo mbështetje e tanishme, mund të vazhdojë, ndoshta, derisa të konsiderohet e të vlerësohet në shërbim të interesave konkrete të qeverisë dhe të PD-së. Nga ana tjetër, nuk mungojnë zërat, që mungesa e shënuar e mbështetjes aktuale në median e shkruar e elektronike, në ndonjë rast, krahas vlerësimeve e pozicionimeve redaksionale, mund të lidhet dhe me interesa konkrete të pronarëve, jashtë fushës mediatike!...Sidoqoftë, pavarësisht këtij ndryshimi jo të vogël, në formë e përmbajtje, sidomos midis dy lëvizjeve asaj "katarsiste" dhe asaj "institucionale", kjo e fundit, të paktën, në një analizë të brendshme dhe të thellë brenda forumeve të larta të PS-së, duhet të konsiderohet me të gjithë seriozitetin e nevojshëm të sotëm dhe të perspektivës. Për më tepër, kapërcimi i kësaj situate përplasjeje, nëpërmjet tolerancës e kompromisit, ekuilibrit të forcave dhe jo ushtrimit të forcës, është dhe mbetet matësi i vërtetë i vizionit dhe vitalitetit politik-intelektual të vetë hierarkisë së drejtimit brenda një force politike moderne. Kjo e vërtetë universale vlen dhe në këtë rast. Përndryshe, rezultati politik në betejat e ardhshme mund të rezultojë krejtësisht jo produktiv, mjaft i dëmshëm, bile shkatërrimtar në rrafshin e fuqisë jo thjesht për protagonistët kryesorë, por dhe për vetë të majtën shqiptare...Ju, zoti Meidani, jeni një prej figurave më të spikatura brenda PS-së. Në këndvështrimin tuaj si po drejton zoti Rama partinë dhe raportet me aleatët? Ka akuza për totalitarizëm dhe zhdukje të mendimit oponent në struktura...Nuk mund të them se nuk ka probleme e paqartësi, madje shpesh dhe hutim, deri paralizë e mungesë vizioni. Vihen re edhe luhatje të konsiderueshme pozicionimi, deri kërcime "olimpike" nga një anësim në tjetrin, përfshirë, p.sh., dhe atë "gjelbrist". Ka dhe një prirje të spikatur opozicioni me element bazë: negacionin. Por, nëse dikush pretendon e deklaron, nisur dhe nga një projekt-kod etik të pa miratuar në asamblenë socialiste, për zhdukje të mendimit ndryshe apo totalitarizëm-siç e formuloni ju pyetjen tuaj- përgjegjësia bazë për reflektim e analizë të kësaj deklarate reale ose jo, apo dhe, në përgjithësi, ndaj pretendimeve, akuzave e situatave konkrete, dhe mbi të gjitha për sqarimin, rregullimin apo korrigjimin e tyre, nuk i takon thjesht kryetarit të partisë, por kryesisë e forumeve të tjera të saj. Ndërkohë, nuk mund të mohohet se si unë, edhe në PS-në e sotme, janë të shumtë ata (kryesisht jashtë "kupolës" rozë), që shpalosin hapur dhe publikisht mendimin, vëzhgimin, analizën apo kritikën e tyre. Nuk e kam fjalën për grupimin rreth z.Nano. Krejt ndryshe, nga zbehtësia e oponencës dhe e kundërshtimit, e analizë-sintezës kritike, është situata në partinë tjetër të madhe, atë në qeverisje...Mazhoranca ka rifilluar luftën pa kthim drejt largimit të kryeprokurorit Theodhori Sollaku. A është i drejtë qëndrimi i opozitës që ndonëse nuk deklarohet hapur për qëndrimin e zotit Sollaku në detyrë debaton kryesisht për formulën që duhet aplikuar për ta larguar si pjesë e reformës në drejtësi?Nuk e di se ç‘lidhje ka midis një reforme parimore, ligjore e kushtetuese, në drejtësi dhe një emri konkret në një nga institucionet e saj. Kjo për çdo njohës neutral të funksionimit të shtetit të së drejtës apo vëzhgues ligjor të jashtëm duket krejt pa kuptim e lidhje, madje si një tendenciozitet e veprim antidemokratik. Nga ana tjetër, lufta dyvjeçare politike, mjaft e turpshme dhe denigruese kundër institucionit të Prokurorit të Përgjithshëm, formulimet absurde të akuzave ndaj tij apo tejkalimet ligjore e shkeljet kushtetuese me komisionin hetimor parlamentar nuk mund të mos krijonin këtë ngërç të sotëm, zgjidhja e detyruar e të cilit nuk mund të jetë gjë tjetër veçse një shkelje kushtetuese apo ndonjë "budallallëk" ligjor i radhës, qoftë dhe me një komision tjetër hetimor(!), kur kanë kaluar vetëm disa muaj nga hedhja në "kosh" e veprimtarisë së tij partizane të mëparshme, si prej Gjykatës Kushtetuese, ashtu dhe Presidentit të Republikës. Tamam për këtë rast vlen ajo thënia e urtë popullore: "Hedh një budalla një gur në lum dhe hidhen dhjetëra të mençur për ta gjetur e nxjerrë atë". Por, në fund të fundit, me këtë situatë energjetike e ekonomike tepër kritike ajo që mund të "luhet" më mirë sot politikisht është heqja e vëmendjes ndaj këtij thelbi problematik për qytetarin me "shfaqje" nga më të ndryshmet, përfshirë dhe "pushtimin" e të gjitha institucioneve të shtetit... Zoti Meidani, si ish-president i Shqipërisë, cili është vlerësimi juaj për punën e deritanishme të zotit Topi. Ndonëse ishte vënë në prove për paanshmëri duket se çështja e prokurorit e ka lëkundur këtë pozicion?Pavarësisht paragjykimit! Është ende herët për të dhënë vlerësime fillestare. Pastaj dhe kur vesh një palë këpucë të reja të duhet njëfarë kohe që të mësohesh dhe të ndjehesh më "familjar" me to. Ky krahasim më erdhi në mend nga që kur bënim dikur ndonjë palë këpucë me porosi (në një dyqan të veçantë, në rrugën e Postës, gati 35 vjet më parë), na duhej jo pak kohë që të mësoheshim me to...Klasa politike ende nuk ka nxjerrë një produkt konkret në drejtim të reformës zgjedhore. A keni një mendim tuajin rreth debatit për sistemin zgjedhor apo pragun elektoral?Dyshoj që vonesa e deritanishme është politikisht e qëllimshme. Edhe prodhimet e përditshme të "iniciativave" politike apo shpërndarjet në vazhdimësi të vëmendjes i shërbejnë jo pak këtij qëllimi. Për fat të keq dhe opozita ka rënë preh e kësaj loje...Për sa i përket një reforme konkrete zgjedhore, në gjykimin tim, nisur dhe nga mosbesimi i ndërsjellë partiak apo pjekuria politike aktuale, dy janë mundësitë: - Ose të mbahet sistemi ekzistues i përzierë mazhoritar-proporcional, por të respektohet kushtetuta, d.m.th. zgjedhjet e përgjithshme të zhvillohen me dy raunde për të shmangur në maksimum "dukurinë e dushkut", si një shfaqje evidente e korrupsionit të drejtpërdrejtë politik; dhe kjo arrihet pa e prekur pjesën përkatëse të kushtetutës (nenin 64 të saj); - Ose, të kalohet në sistemin proporcional të thjeshtë ("flat", d.m.th. pa prag ose me prag minimal, p.sh., sa aktuali) apo në atë proporcional rajonal; dhe kjo është e mira të arrihet vetëm me ndërhyrje konsensuale në kushtetutë. Për të shmangur në maksimum korrupsionin politik e financiar (në korrektësinë e dokumentim-votimit, atë të numërimit, deri manipulimin e votimin e shumëfishtë, blerjen e votave dhe të komisionerëve, financimet e dyshimta elektorale, sidomos ato individuale etj.), më duket se për një periudhë të parë një "shpëtim" zgjedhor antikorruptiv mund të ishte sistemi proporcional pa prag fare. Kjo edhe pse mund ta bëjë problematike, deri shqetësuese, fuqizimin e rolit të kryetarit të partisë në hartimin e listës shumë emërore... (vijon) Nesër do të lexoni: Në pjesën e dytë të intervistës ekskluzive me ish-presidentin Rexhep Meidani do të lexoni vlerësimet e tij rreth ecurisë së bisedimeve për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Meidani jep gjykimin personal rreth rrezikut që situata në Kosovë të acarohet nisur nga kërcënimet publike të ekstremistëve nga të dy palët. Ish-kreu i shtetit prononcohet edhe lidhur me deklaratën e akademikut Rexhep Qosja se "një ditë, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të ndodhë". Po ashtu, ish-presidenti komenton edhe nivelin e reagimit të Tiranës zyrtare në raport me çështjen e Kosovës.

Dardan Malaj

Dosja e Prokurorisë kundër Bashës

Sollaku i përgjigjet dhëmb për dhëmb mazhorancës: T‘i hiqet imuniteti
Ish-Ministri i Transporteve, Lulzim Basha, aktualisht ministër i Jashtëm, është përgjegjësi kryesor i abuzimeve në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Prokuroria e Përgjithshme zyrtarizoi dje kërkesën, drejtuar Parlamentit të Shqipërisë, për heqjen e imunitetit ndaj deputetit Basha. Rreth orës 09:00 të ditës së djeshme, një korrier i akuzës qendrore është nisur në drejtim të Parlamentit me një dosje prej 23 faqesh. Në të thuhet se Prokuroria e Tiranës në datën 09 mars 2007, regjistroi një kallëzim për shkeljet e kryera nga zyrtarët e strukturat e Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit për ndërtimin e rrugëve të ndryshme kombëtare dhe kryesisht për financimet e kryera për ndërtimin e segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash. Sollaku thotë se, krahas marrjes të pandehur të disa zyrtarëve për këtë abuzim, është arritur në konkluzionin se përgjegjës për shkeljet e konstatuara është edhe ish-ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe njëkohësisht deputet, zoti Lulzim Basha. Më poshtë, akuza rendit një serë shkeljesh apo refuzimesh të qeverisë për të bashkëpunuar me grupin hetimor. "Prokuroria ka marrë vendim sekuestrimi për gjithë dokumentacionin që lidhet me miratimin e këtyre vendimeve dhe që ndodhet në Këshillin e Ministrave. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave nuk ka pranuar që të vërë në dispozicion të hetimit procesverbalet e mbledhjeve të Këshillit të Ministrave. Me gjithë kërkesat tona të vazhdueshme, akoma dhe sot nuk na janë vënë në dispozicion këto procesverbale" shkruhet në dosjen e prokurorisë. Më tej përmendet se ish-ministri i Transporteve ka mashtruar opinionin publik, por edhe akuzën qendrore për përzgjedhjen e konsulentit "Ecorys Group". "Përzgjedhja e tij ka qenë e paracaktuar nga zoti Lulzim Basha. Nuk ka asnjë dokument apo dëshmi që të provojë se cili ekspert i Bankës Botërore ka bërë sugjerimin, kush janë shoqëritë e tjera të sugjeruara, cilat janë ofertat e tyre financiare. Për më tepër, Banka Botërore në deklarimet që ka bërë në shtyp ka mohuar pjesëmarrjen e saj në këto procedura", thuhet në dosje. Kreu i akuzës vijon më tej, se kontrata është miratuar pa pasur një projekt përfundimtar të detajuar për zbatim dhe në kushtet e mungesës së oponencës teknike për projektin që do zbatohet. Akoma dhe sot nuk është përfunduar projekti i plotë i kësaj rruge. Kontrata është lidhur pa pasur të përcaktuar një fond limit. "Mungesa e projektit përfundimtar i jep mundësi shoqërisë sipërmarrëse të rrisë në mënyrë të pakontrolluar shumën e parave që duhen për përfundimin e kësaj rruge", thuhet në dosjen e prokurorisë. Si konkluzion, prokuroria deklaron se kontrata favorizon dukshëm subjektin sipërmarrës në dëm të interesave të shtetit shqiptar. "Mungesa e projektit dhe mundësia për ndryshimin e vazhdueshëm të tij, mungesa e supervizorit, mundësia e ndryshimit të çmimeve për njësi dhe si rrjedhim dhe ndryshimi i vlerës së përgjithshme të kontratës dhe shkeljet e tjera të përcaktuara më sipër i japin mundësi shoqërisë Bechtel Inc.-Enka që të kërkojë dhe marrë shuma parash të pakontrolluara nga shteti shqiptar", shton akuza qendrore. Më tej, akuza vijon se: "Zoti Lulzim Basha është marrë personalisht me realizimin e këtij projekti, që nga organizimi i përzgjedhjes së konsulentit dhe deri në nënshkrimin e kontratës dhe modalitetet e fillimit të zbatimit të saj. Askush nga personat që kanë nënshkruar akte të caktuara nuk merr përsipër të jenë parashtruar variante apo të jenë diskutuar ato në drejtoritë e specializuara, por mjaftohen duke deklaruar se ‘me këtë punë është marrë ministria‘, fakt i cili përbën një indicie se ‘me këtë problem është marrë ministri‘, e dhënë e cila duhet të hetohet". Në fund të dosjes, Sollaku saktëson se në këto rrethana, provat e grumbulluara deri tani dhe sqarimi i fakteve të paraqitura më sipër e bëjnë të domosdoshme ushtrimin e ndjekjes penale ndaj zotit Lulzim Basha. "Zoti Lulzim Basha është thirrur disa herë nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor për t‘u pyetur si deklarues, por nuk ka pranuar të paraqitet, duke iu shmangur hetimit. Zoti Lulzim Basha është deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe si i tillë ai gëzon imunitet ndaj ndjekjes penale. Për sa më sipër, me qëllim që të vazhdojmë hetimet për veprat penale të mësipërme, kërkojmë autorizim për procedim penal në ngarkim të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, zotit Lulzim Basha", përfundon Sollaku kërkesën ndaj Parlamentit të Shqipërisë.
Ky artikull eshte kortezi e gazetes "SHQIP"

Parashimi i motit per Tiranen