Friday, October 19, 2007

Fara e bimes se keqe !


Nuk është fatkeqësi kur një popull ka edhe politikanë të këqij e të papërgjegjshëm, por është e rrezikshme kur politikanët e këtillë arrijnë të kenë shtetin dhe popullin e vet. Kur ia dalin që tërë një popull ta ngërthejnë në kthetrat e tyre, me çka, papërgjegjësisë dhe të keqes së vet, arrijnë t‘i japin dimension kolektiv. E këtë ata e arrijnë në shoqëri, ku është vyshkur guximi qytetar, në mjedise ku nuk është kuptuar e vërteta se të gjitha ndryshimet shoqërore në fillim janë joshëse dhe premtuese, e vjen koha kur bëhen të padurueshme për vetë përkrahësit e tyre. Andaj edhe për atë që i ndodh një kolektiviteti, nuk janë gjithaq fajtorë vetëm politikanët e këtij lloji, por edhe rrethanat, si edhe pjekuria e të gjitha shtresave tjera, posaçërisht e atyre që me aq ëndje i quajmë elita intelektuale. A të cilët - njësoj si edhe gjithë të tjerët - boshtin kurrizor e dëshmojnë në kohë kur ka shtrëngata, kur guximshëm dhe me maturi duhet të shpalosin identitetin e vet, të tregojnë se mbiemër të vetin kanë vizionin për ardhmërinë, ndërsa emër besimin në qëndrimet e veta.Sot, kur shqiptarët e Maqedonisë përballen me përplot dilema, kur duhet të jenë të kujdesshëm për hapat politikë - shkaku i Kosovës -, kjo pjesë e popullit shqiptar, si asnjëherë më parë, e ndien çdo të thotë të jesh "periferi kombëtare". Të jesh "vëllai më i vogël", i cili sa e ka mirë i mbrojtur nga vëllezërit më të mëdhenj, po aq edhe vështirë shkaku se gjithmonë duhet të kujdeset që atyre të mos u sjellë telashe, të cilat mund ta ngatërrojnë punën e tërë "familjes". Pra, shqiptarët e Maqedonisë duhet të ndihmojnë flatërimin e shqiponjës drejt pavarësisë së Kosovës dhe të kujdesen që të mos ia prishin imazhin as Maqedonisë e as Shqipërisë, të cilat me aq mall ecin rrugës së integrimeve euroatlantike. Gjë që do dëshmojë pjekurinë e tyre politike dhe do u kundërvihet disa politikanëve të këtushëm, që këtë kujdes ta (keq)përdorin për të mbuluar papërgjegjësinë dhe të keqen në vetvete.Të zëna me hallin e tyre, është e padrejtë nga Kosova e Shqipëria të pritet ndonjë ndihmë në spastrimin e llogarive të sotme ndërpartiake mes shqiptarëve të Maqedonisë. Por kjo nuk vlen tani kur "zënka" e këtushme ndërpartiake merr përmasat, që më vonë rëndë mund ta dëmtojnë tërë shqiptarinë, e jo vetëm provincën e shqiptarëve të Maqedonisë. E grindjet brenda shqiptarëve të këtushme, prej moti kanë dalë nga rrafshi "vendor" dhe gjithnjë e më shumë bëhen pjesë e fotografisë negative të të gjitha politikave shqiptare. Dhe mbase duke dashur të veprojnë të papenguar, duke dashur të ndahen nga kjo fotografia e portretit grupor politik mbarëshqiptar, kryesuesit e PDSH-së, kohë më parë paralajmëruan se partia e tyre duhet të promovojë një politikë "autoktone". Mbase duke menduar të pavarur nga ajo në Prishtinë e Tiranë. Gjë që në parim nuk është negative, por vetëm nëse Maqedonia dhe shqiptarët në të do ishin ujdhesë e ndarë nga ajo që ndodh në mbarë shqiptarinë dhe në këtë regjion.Ajo që shpalos dështimin e një shoqërie, nuk janë gjithaq veprimet e politikanëve të papërgjegjshëm, veprimet e udhëheqësve partiakë, që në çdo kohë dhe në të gjitha rrethanat kërkojnë mbulesë për veprimet e tyre të papërgjegjshme. Dështimi i një shoqërie vjen në atë çast, kur dikush i rreh studentët e universitetit, e profesorët e atij universiteti vazhdojnë tutje sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Dështimi pason atëherë, kur udhëheqësit partiakë flasin për pavarësinë e institucioneve arsimore, religjioze, kulturore..., duke iu drejtuar popullit si të ishin ata rektorë universitetesh apo kryesues të bashkësive religjioze e të shoqatave kulturore. E keqja vjen atëherë, kur alamet akademikë, doktorë shkencash..., ndihen të privilegjuar kur në darka i thërret "mbreti" partiak, të cilit po t‘ia heqësh emblemën partiake dhe kollaren, nga ai mbetet vetëm rrënja katrore e një zeroje të madhe, e shumëzuar me rrugaçërinë, paturpësinë dhe papërgjegjësinë e tij.Një popull, apo pjesa e një populli, nuk është e rrezikuar atëherë kur përballet edhe me pretendimet politike të politikanëve grykës, të papërgjegjshëm dhe që kanë qëllim pushtetin për të realizuar përfitime personale. Një popull, apo një pjesë e tij, ndodhet përpara dështimit të plotë atëherë kur bëhet pronë e politikanëve të papërgjegjshëm, kur në altarin e forcës flijon mençurinë, kur elitat e ashtuquajtura intelektuale, bëhen konformiste dhe nuk u intereson asgjë më shumë se (dis)fati personal. Popujt, që kanë me mijëra edukues të gjeneratave të reja, a të cilëve truprojat e udhëheqësve partiakë ua "edukojnë" studentët me grushte (siç ndodhi në Universitetin Shtetëror të Tetovës) gjithsesi rininë ua edukojnë të paedukuarit, edhe ata që kanë diploma me vulën e "Qafës së Thanës". Një pjesë e popullit - si shqiptarët e Maqedonisë - që lejon një grusht politikanësh t‘ia shuajnë zërin dhe ta fusin në duart e "bandave", shkon drejt rrugës së trishtueshme të mohimit të çdo vlere të paktë që posedon. Pra, një populli, të cilit askush nuk ua respekton të zgjedhurit e vet, që "alfat" dhe "omegat" e rrugaçërisë shtetërore ngrenë nga parkingu i Kuvendit republikan veturat e njerëzve me imunitet (siç ndodhi pas konfliktit fizik të paradokohshëm mes deputetëve shqiptarë, kur policia maqedonase u mori veturat e kryesuesve të BDI-së), ai popull ndodhet në paradhomën ku pret t‘ia japin certifikatën e papjekurisë të të gjitha elitave që ka.Shqiptarët e Maqedonisë kanë mijëra arsyetime për atë që u ndodh lidhur me grindjet ndërpartiake, që kanë marrë përmasat e dy taborëve të ushtrive armiqësore. Duke filluar nga arsyetimi se grindjen ua kurdisin të tjerët, e deri tek ai se janë të pambrojtur institucionalisht dhe janë lënë në duart e partive të veta. Por, jo çdo shpjegim është arsyetim dhe jo çdo shpjegim flet vetëm për tjetrin. Shpeshherë, më mirë se çkadoqoftë tjetër, shpjegimet shpalosin edhe pjekurinë, vlerat, tiparet... e një populli. Sepse, edhe sikur të ishte e vërtetë se edhe rrahjen ndërpartiake mes deputetëve të PDSH-së dhe BDI-së e kanë kurdisur qarqet antishqiptare të etnitetit maqedonas, atëherë shtrohet pyetja se, pse shqiptarët aq mirë e punuan arën ku mundet lehtë të mbijë fara e bimës së keqe e armiqësisë së ndërsjellë? Më në fund, nëse zëvendësministri që shkelmonte deputetin (pra varësi që zgjidhet në Parlament, maltreton të zgjedhurin e popullit) është shqiptar, nëse kryetari i një partie shqiptare i vërsulet fizikisht një gruaje deputete shqiptare, atëherë për çfarë konceptesh të huaja konspirative flasin shqiptarët e Maqedonisë, kur çdo gjë është e dukshme. Mbase ata nuk guxojnë të përballen me vetveten dhe kështu e kanë më lehtë të bien në gjumë në netët, kur në disa vendbanime të tyre, grupe të ndryshme, djegin flamujt e njërës apo tjetrës parti dhe i kontrollojnë të "huajt" (lexo: shqiptarët e partisë kundërshtare), që në orët e vona i vizitojnë këto vendbanime. Mbase kështu ata e kanë më lehtë të mbulojnë të vërtetën se janë në mosmarrëveshje të madhe me vetveten, e jo me të tjerët. Është e vërtetë se edhe në politikë, si në çdo profesion tjetër, ka individë të papërgjegjshëm dhe të pafytyrë. Por të pakta janë shtetet dhe formacionet politike që ndërtohen mbi themelet e rrugaçërisë, pafytyrësisë dhe papërgjegjësisë. Shtete të tilla janë të mundshme vetëm në mjedise ku as ata që duhet, nuk e kanë kuptuar se, që të mbetesh njeri duhet të jesh sa më pak konformistë. Pra, në shoqëri të mbuluara me rrënoja të njerëzores dhe ku njeri më i vlefshëm është ai që ec i përkulur. Shenjë njohëse e shoqërive të tilla nuk janë vetëm politikanët arrogantë e të papërgjegjshëm, por edhe kafenetë përplot me ata që ecin këmbadorazi, sa më rrafsh me tokën, njësojë si viktima e trembur nga gjahtari, si ai që i është dorëzuar rrugaçërisë partiake dhe shtetërore. Duke harruar se përkulja e tij është materiali më i mirë për ndërtimin e shteteve ku dëgjohet vetëm një zë: ai i politikanëve.

Kim Mehmeti

Parashimi i motit per Tiranen