Sunday, February 8, 2009

Emërohet kreu i shërbimeve sekrete te Kosoves

Violeta Hyseni
BBC, Prishtinë

Tani Kosova ka dhe Shërbimin e vet Sekret

Pas disa muaj negociatash, presidenti dhe kryeministri i Kosovës kanë emëruar kreun e shërbimeve sekrete të Kosovës.
Bashkim Smakaj, ish-zyrtar i policisë kosovare, është zgjedhur drejtor i Agjensisë Kosovare të Inteligjencës.

Zoti Smakaj, 32 vjeçar, i diplomuar në Biologji dhe Shkencat Politike, shihet si një kandidat që është zgjedhur me konsensusin e koalicionit qeveritar.

Presidenti Fatmir Sejdiu njoftoi se drejtori i Agjencisë Kosovare të Intelegjencës zgjidhej për mandat 5 vjeçar dhe me mundësi të rizgjedhje.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se ndihej krenar që në këtë post të rëndësishëm shtetëror është zgjedhur siç ka thënë ai "një njeri i përgatitur mire" dhe ka shfaqur bindjen në suksesin e këtij agjencioni.

"Agjensia Kosovare e Intelegjencës do të jetë një agjensi profesionale dhe shumëetnike. Suksesi i saj do të jetë i garantuar sepse të gjitha institicionet dhe qytetarët do të bashkëpunojnë ngushtë me te", tha kryeministri Thaçi.

Bashkim Smakaj, i cili vendoset në krye në Agjensisë Kosovare të Intelegjencës pas një pune disavjecare në policinë e Kosovës, është zotuar se në punën e tij do të udhëhiqet nga parimet më të larta kushtetuese, ligjore dhe etike.

"Në përputhje me ligjin, Agjencia Kosovare e Intelegjencës do të sigurojë informacion me kohë dhe të saktë për intelegjencën, për kërcënimet nga brenda dhe jashtë, terrorizmin ndërkombëtar dhe atë vendor, prodhimin dhe trafikimin e narkotikëve, krimin e organizuar, krimin ekopnomik, sabotimin dhe të gjitha çështjet tjera të intelegjencës", deklaroi z.Smakaj.

Kritika nga opozita

Opozita ka mirëpritur emërimin e drejtorit të Agjensisë Kosovare të Intelegjencës, por ka kritikuar vonesat në procesin e formimit të shërbimit sekret.

"Unë edhe pse nuk e njoh drejtorin e agjensisë, e përshëndes emërimin e tij. Kryetari dhe kryeministri i Kosovës, pas një vonesë më shumë se shtatë muaj e kanë kryer një obligim kushtetues", tha Naim Maloku nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Agjencia Kosovare e Intelegjencës është një nga institucionet kryesore të sigurisë që formohet në Kosovë në prag të njëvjetorit të pavarësisë.

Themelimi i kësaj agjencie ishte paraparë të bëhej verën e shkuar, por procesi është vonuar për shkak të mosarritjes së një konsensusi për emërimin e drejtorit të saj.

Formimi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës e bën zyrtarisht Kosovën për herë të parë me shërbim sekret, ndërsa deri tani, jozyrtarisht kanë ushtruar veprimtarinë e tyre disa shërbime sekrete partiake.

Parashimi i motit per Tiranen