Thursday, December 6, 2007

Dukagjini i mbytur në gjak


Ankthi i gjakmarrjeve mes familjeve të hasmëruara e ka shndërruar Dukagjin në një vend si Malësia e veriut të Shqipërisë
Në gjak janë Elshanët, Muriçët, Kelmendët, Musajt, Zemajt, Osajt, Rexhajt, Rexhëbogajt, Dreshajt... Xhevdet Rexhaj ishte vrarë në nëntor të vitit 2006. Pa u mbushur një javë vëllai i tij, Ganiu, vret maturantin Ehtem Rexhajn në veturën e policisë, brenda Stacionit Policor në Pejë, i bindur se ai ka kryer vrasjen, ndonëse policia nuk kishte gjetur asnjë provë për këtë… Dukagjini po merr tiparet e “Perëndimit të Egër”... Rajoni më i zhvilluar i vendit sundohet paralelisht nga trajta të bastarduara të ligjit dhe Kanunit. Sipas të parit të Komunës, Kanuni po avancon ndaj ligjit.Ndërsa për krerët e gjykatës dhe policisë beteja pothuajse është e humbur. Elshanët e Ozrimit, Muriçët dhe Kelmendët e Pejës, Zemajt dhe Musajt e Strellcit, janë klanet e mëdha familjare që sipas tyre janë bërë sinonim i hakmarrjes. Sipas interpretuesve të Kanunit, ky rajon tashmë i ngjan Malësisë së Shkodrës, ku imazhi i vrazhdë i Kanunit është rikthyer plotësisht



SERBEZE HAXHIAJ & SALI BEQIRAJ

Pejë prill- Akoma pa filluar procesi gjyqësor një grup njerëzish të paautorizuar me vetiniciativë, këtë javë kanë marr një vendim. “Është i lëçitur (izoluar) nga fshati ose do të detyrohet të lërë fshatin ai që e prish marrëveshjen dhe hakmerret” …
Në konceptin e tyre kërkesa për të marr pëlqimin e dy familjeve Rexhaj nga Jabllanica e Pejës,( të dyja të ngujuara), përmes nënshkrimeve nuk është “nxjerrje bese”, sipas metodës klasike të interpretimit të Kanunit…
Imami i tri fshatrave të kësaj, ane Sadri Zekaj, një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë,
Daut Morina dhe një tjetër nga komuna e Pejës Musa Rexhaj , kanë nisur një plan për pajtim dhe për një heshtje të armëve dhe hakmarrjes për të paktën dy vitet ardhshme.
Marrëveshja sipas tyre thënë në gjuhën e diplomacisë është një “moratorium” dy vjeçar heshtje derisa gjakrat të qetësohen dhe deri atëherë edhe gjykata do të ketë marrë një vendim. Të dyja familjet kanë venë nënshkrimet, por asnjëra nuk duket e vendosur që do t’i përmbahet… “Ma kanë vrarë djalin dhe nipin.. dy nipat tjerë i kam në burg , kurse tjetri është arratis … çfarë pajtimi mund të kërkoj kush më ”, thotë plaka 75 vjeçare Haka Rexhaj.
Në mes të këtyre dy familjeve nuk ka më vrasës dhe të vrarë , të dyja konsiderojnë se tjetra palë u ka borxh. Në familjen tjetër të hasmëruar vetëm 20 metra larg kësaj shtëpie njëri nga meshkujt thotë se nuk vlejnë nënshkrimet që kanë dhënë për heshtje dyvjeçare.
“Nëse ma dënojnë vëllain unë do të hakmerrem sepse ata më kanë borxh .. është vrasje dhe masakrim”, thotë 30 vjeçari Haki Rexhaj.

Ms:Vrsaja e një gruaja për 4 arë tokë nis zezonat e gjakmarrjes

Gjithë historia e një zinxhiri prej 4 vrasjeve njëra pas tjetrës në mes kushërinjëve Rexhaj në Jabllanicë lidhjet me vrasjen e një gruaje dhe blerjen e 4 ari tokë.
Tani të dyja familjet kanë nga dy meshkuj në burg dhe secila dyshohet për nga dy vrasje të kryer. Në familjen e Sadri Rexhajt, i vrarë në vitin 2004 , pas vrasjes së djalit të tij Ethemit 18 vjeçar para 5 muajve shtëpia ka mbetur në tri femra që rrinë të mbyllura. Dy djemtë e tjerë të Sadriut, Dina dhe Aliu, janë në burg për vrasjen e gruas së kushëririt të tyre Zojë Rexhaj, kurse Burimi, një pjesëtar i TMK-së, tashmë familja thonë se ka ikur në Amerikë nga frika e gjakut dhe hakmarrjes. Por në fakt askush nuk e di ku është ai.
Në familjen tjetër atë të Halit Rexhajt kanë mbetur tre meshkuj që gjithashtu lëvizjen e kanë të kufizuar, dy meshkujt të kësaj shtëpie, Ganiu dhe Kadriu janë në burg të dyshuar për vrasjen e Sadriut dhe të birit të tij Ethemit.
Pas shumë vrasjeve dikujt i ka rëndë në mend se praktika e Kanunit,mund të jetë më e efektshme për të ndal të paktën për një kohë mekanizmin e gjakut. Imami Sadri Zekaj, thotë se kanë nisur një plan për një heshtje të përkohshme. Por ai nuk është aq I sigurt nëse familjet do t’i përmbahen fjalës dhe nënshkrimeve. “Ne do ti lëçitim dhe do t’i detyrojmë ta lënë fshatin”, thotë i vendosur ai.
Po, aq i bindur në qëllimin e tij duket edhe Hakiu. “Mua askush nuk do të ketë fuqi të më largoj ose të më detyroj për diçka .Nëse drejtësia nuk e bën punën e saj dhe ma dënon më shumë se që duhet vëllain unë do të marr hak sërish sepse mua ma kanë vrarë dhe ma kanë masakruar vëllain (Xhevdetin)”, thotë ai krejt i qetë…
Për një copë tokë prej vetëm 4 ari që është shitur e stërshitur janë vërë një bela një mëhallë e tërë . Xhevdet Rexhaj ishte vrarë në nëntor të vitit 2006. Pa u mbushur një javë vëllai i tij, Ganiu vret maturantin Ehtem Rexhajn në veturën e policisë brenda stacionit policor në Pejë, i bindur se ai ka kryer vrasjen, ndonëse policia nuk kishte gjetur asnjë provë për këtë…Logjika e hakmarrjes kishte kaluar pragun e policisë , kurse vrasja kishte tronditur në themel institucionin e uniformave blu të Kosovës…

Ms; Policia fut nën monitorim raportet mes familjeve Kelmendi, Elshani , Muriqi ,Zemaj, Musaj e Osajt

Nuk është vetëm kjo një rrëfim gjakmarrje ngatërrimi midis ligjit dhe kanunit që kanë sjell vetëm zezona në këtë provincë. Peja si asnjë vend tjetër është e mbushur përplot histori gjakmarrjesh familjare. Sipas statistikave të policisë Peja mban shifrën më të lartë të vrasjeve të rënda, një pjesë e të cilave konsiderohen politike. Këtë rajon e mban ende nën ankth dyndja midis klaneve që përfliten shpesh në veprime kriminale . Në fakt vrasjet më të shpeshta janë lidhet me emrin e familjeve Kelmendi, Elshani , Muriqi ,Zemaj e Musaj, Osajt . Por, drejtësia asnjëherë nuk e ka zbardhur çështjen e këtyre ngatërresave që duket se ka filluar që nga lufta …Kjo sipas një prokurori që preferon të mos citohet për gazetën është vështirë të ndahet në fajtorë dhe jo fajtorë… “ Ngatërresat janë trashëguar qysh nga koha e luftës. Në fakt është vështirë të hetohen gjithë këto raste”.
Në një hapësirë jo edhe aq të madhe të qendrës së urbanizuar në çdo kohë gjen familje të ngujuara sipas Kanunit… ndërkohë që persona të dyshuar si dorases mbahen në burg. Pak kanë bërë paria e komunës dhe e policisë për ta penguar këtë.
Për shkak të mos efikasitetit të policisë dhe gjykatave për të hetuar dhe zbardhur rastet, hesapet shpesh kanë përfunduar me shumë më shumë viktima . Egërsisë së hakmarrjes nuk i kanë shpëtuar as fëmijët…Imazhi i fëmijëve që ndërpresin shkollën dhe ngujohen për shkak të gjakmarrjes nuk është më një rast i vetëm i izoluar….
I pari i komunës së Pejës , Ali Ljaçi, për herë të parë thotë se në rajonin ku udhëheq po sundon Kanuni. “Ligji dhe kanuni janë në luftë njëri me tjetrin. Është e vërtetë që gjykata dhe policia kanë dështuar në dyndjet e klaneve Elshani , Kelmendi , Muriqi, Osaj apo Zemaj. Këto nuk janë thjeshtë probleme gjakmarrjes ato janë edhe çështje të bizneseve dhe luftës për dominimin... Është një problem shumë kompleks . Ne po përpiqemi që përmes këshillave të pajtimit të relaksojmë këtë gjendje” .
Shumë pak nga rastet e vrasjeve dhe ngatërresave tjera midis këtyre familjeve ka mundur të zgjidh gjykata.
Esat Shala , kryetar i Gjykatës së Qarkut në Pejë , thotë se problemi i vrasjeve për gjakmarrje nuk është një dështim vetëm i gjykatës,por edhe i shoqërisë nëpër t’u përballur me këtë. “ Ne mund të zgjidhim një lëndë për gjakmarrje, por nuk mund t’i rregullojmë raportet e mëtutjeshme të këtyre familjeve”, thotë Shala për Lajm.
Por, ai hesht kur është fjala te çështja e vrasjeve mes grupeve rivale që identifikohen në këtë rajon nga të cilat ka pasur shumë vrasje viteve të fundit. “Për Elshanët, Kelmendet , Muriqët , Osaj , Musajt kemi së paku nga një lëndë që na është dashur të merremi. Në këto lëndë kanë punuar më shumë prokurorë dhe gjyqtarë ndërkombëtarë . Tani është shumë komplekse të flitet për suksesin e tyre. Gjërat ende janë në proces”.
Ahmet Hasi,i pari i policisë në këtë rajon thotë se policia janë duke u hetuar të gjitha rastet e vrasjeve të rënda, por ai mbetet pa fjalë kur është çështja e pengimit të vrasjeve tjera për gjakmarrje ….”Ne po i monitorojmë dhe po i hetojmë këto familje.Elshanët , Kelmendët , Musajt , Osajt, Muriqët, janë nën monitorimin e policisë . Ne jemi duke u marrë me ato dosje.. nuk është që nuk guxojmë t’u qasemi. Është e vështirë të flasim për raportet e tyre që mund të kenë sjell viktima”, thotë koloneli Hasi.
Policia e tij tashmë kanë bërë një regjistër të familjeve të hasmëruara si pjesë e strategjisë kundër vrasjeve për hakmarrje... “Por ne nuk po mund të bëjmë sa duhet me fëmijët që ndërpresin shkollën për këtë çështje sepse për të hapur procedurë duhen fakte e familja tjetër na thotë se ne nuk po i detyrojmë të hakmerren , kurse këta s’guxojnë të dalin”.

Ms: Dukagjini , Malësia e dytë e Shkodrës

Avdyl Hoxha , një punëtor i Ministrisë së Kulturës , që vjen nga një familje në zë në rajonin e Dukagjinit, i njohur për ‘ndarje pleqnish’,sipas rregullave të Kanunit në “Odën e Junikut”, fajin për mos zbardhjen e gjithë vrasjeve vë te organet e drejtësisë . Ky thotë se Dukagjini është bërë sikurse veriu i Shqipërisë, ku fenomeni i gjakmarrjeve është një përditshmëri. Sipas tij problemi i gjakut nuk është aq i madh te rastet individuale sa te grupet kriminale, vrasjet e të cilave nuk lidhen thjeshtë me hakmarrje. “Ato janë shndërruar në larje hesapesh midis klanesh ku shpesh nuk janë kursyer as fëmijët”. Nuk mund askush tani të hyj midis Elshanve , Kelmendve , Muriqve, Musajve apo Osajve. Askush nuk ua ka më besën këtyre njerëzve. Edhe gjykatat kanë dështuar të vënë drejtësinë në këto raste. Tani imazhi i Dukagjinit është bërë njësh me atë të Veriut të Shqipërisë”, thotë Hoxha
Familja Rexhbogaj është njëra nga ato që u jep besë familjes Hasanaj nga Peja e cila po ashtu është e ngujuar një qendër të qytetit vetëm pak metra nga stacioni qendror i policisë dhe nga ndërtesa e burgut.
Sipër në një lagje tjetër, Kapshnicë në Pejë një fëmijë (Dren Shala) e ka ndërprerë shkollën ngase e ëma ka vrarë një person. Ky fëmijë është “renditur” me burrat e familjes sepse nuk kanë besë. Dreni nxënës i klasës së tretë ka dy muaj që nuk guxon të shkoj në shkollë . E ëma e tij Shukrija , për motive ende të paqarta ka vrarë fqinjin e tij Driton Mamaj. Ajo është burgosur kurse burrat tjerë të familjes janë ngujuar duke përfshirë edhe atë.
Pak kohë më parë një grup njerëzish të politikës kishin arritur të pajtonin një nga familjet e hasmëruara atë Kastratve dhe Markajve. Nëntë muaj pas vrasjes së Viktori Markajt, vëllai i tij Alberti, polici i Njësisë Speciale, nxjerr gjakun e të vëllait brenda stacionit policor duke vrarë Besnik Kastratin… Kurse gjykata akoma nuk ka dhënë vendimin për të tre personat që akuzohen për vrasje.
Për nëntë muaj familja 25 anëtarësh e Beqir Kastratit kishte qëndruar e ngujuar në shtëpinë e tyre në qendër të qytetit . Për të respektuar rregullat kur nuk jepet besa edhe fëmijët kishin ndërprerë shkollën … Vrasja e Besnkiut të arrestuar për armëmbajtje pa leje brenda stacionit policor dhe vrasja e Ethem Rexhajt, një vit pas po ashtu i arrestuar dhe me duar të lidhura ka tronditur besimin te efikasiteti i policisë në këtë rajon …
Zbutjen e këtij problemi kreu i gjykatës Shala e lidh jo me rritjen e efikasitetit të punës së gjyqësorit , por me krijimin e mekanizmave pajtues nga njerëz që do të jenë me ndikim. “Pajtim dhe shuarje hasmërish mund të bëjnë organet që parashihen edhe me ligj si ndërmjetësues”.
Por, për “pleqnarin”, Abdyl Hoxha, thotë se nuk ka pajtimtar që do të mund të zgjidhte si duhet këtë problem . “Më herët p.sh në këtë zonë ka qenë një pleqnar Adem Elshani, dhe fjala e tij ka zënë vend dhe ke mundur të merresh vesh me të . Por, tash është rrëfim tjetër dhe askush nuk do të dëshironte të kishte punë me Elshanët, Kelmendët me Muriqët apo Musajt sepse nuk mund t’u besosh këtyre njerëzve “.
Ibrahim Selimaj, thotë se Elshanët ia kanë vrarë djalin 4 vite më parë, por, në familjen e Isuf Elashnit i vrarë së bashku me të birin thonë
Se nuk i kanë hak askujt dhe se Kelmedët kanë paguar njerëz për t’i vrarë dy familjarët e tyre.
Ligji dhe Kanuni kanë vënë standarde tjera të dyfishta për jetën e njerëzve. Imami i fshatrave Sadri Zekaj , thotë se falja dhe pajtimi tani janë bërë temat kryesore ku ata u predikojnë besimtarëve nëpër objektet e kultit. Në një ditë kremte të faljes së Bajramit në këtë anë mesazhin e parë që jep kleriku është largojuni hakmarrjes mësohuni të falni. Në Dukagjin gjaku falet , por edhe falja merret… 5 vjet pasi ishin pajtuar familjet Rexhbogaj dhe Dreshaj, nipi Shkelzen Hasanaj kishte marr gjakun e dajës së vrarë para 17 vitesh. Në praktikën e Kanunit kjo është një gjë e lejueshme sepse djali i motrës llogaritet më i afërte se ai i vëllait për të marr gjakun…

Edhe klerikët vjedhin


Kishat ortodokse në Kosovë miliona euro keqpërdorime të shërbimeve publike
Ato që në njëfarë mënyrë kanë marrë statusin e vendeve “eksterritoriale” , i kanë shkaktuar miliona humbje deri më tani buxhetit të vendit nga keqpërdorimet e ujit dhe rrymës. Për tetë vjet nuk kanë paguar asnjë cent nga obligimet që kanë , nuk kanë lejuar askënd nga KEK-u apo ujësjellësi që tu shohin mënyrën e shpenzimeve – ndërsa në regjistrat e tyre figurojnë shuma të vogla borxhesh p.sh 101 euro për 8 vjet në manastirin e Graçanicës apo 292 euro si në atë të Deçanit


SERBEZE HAXHIAJ

Prishtinë 19 shtator – Vitet kanë ecur dhe janë bërë shumë shpenzime, por në regjistrat që mbajnë emrat e objekteve të kultit të rëndësisë së veçantë në Kosovë dhe në të tjerat më pak të njohura kanë mbetur shifra të vogla...
Prishjet e njësorëve për të mos u regjistruar harxhimet e rrymës, mos-përmbushje të obligimeve dhe kyçjet ilegale në sistemin energjetik kanë bërë që miliona euro të rezultojnë humbjet e Korporatës Elektroenergjetike nga vjedhjet që kanë bërë për tetë vjet kishat ortodokse në Kosovë.
154 objekteve të kulturës serbe në vend të cilat është kërkuar që të shpallen “territore jashtë Kosove”, e që në fakt duket se funksionojnë si vende “eks-territoriale”, prej vitit 2004 asnjë faturë e shpenzimeve nuk është lejuar që tu dërgohet dhe as nuk janë lejuar regjistruesit e shpenzimeve që të bëjnë mbledhjen e të dhënave .
Kishtat ortodokse nuk janë vetëm borxhlinj të KEK-ut. Mijëra euro llogaritet të jenë borxhet e tyre edhe për shpenzime të ujit pa llogaritur obligimet tjera.
“Ata kanë bërë ndërhyrje në njehsorë dhe vlera e shpenzimeve të tyre ka mbetur e tejet e vogël që nuk i përgjigjet kurrsesi sasisë së harxhuar.” , thotë Fahredin Maçastena drejtor ekzekutiv i Divizionit të Furnizimit në Korporatën Elektroenergjitike të Kosovës.
Nuk janë vetëm kishat ortodokse ato që kanë borxhe , shpenzime të larta të papaguara llogariten të kenë edhe xhamitë, por këto të fundit ka qenë e mundur të faturohen dhe nuk kanë keqpërdorur sasinë e harxhuar
Sipas trendit të shpenzimeve në muaj Patriarkana e Pejës dhe Manastiri i Deçanit për tetë vjet kanë harxhuar më shumë se gjysmë milioni euro, ndërkohë që borxhi aktual që u figuron atyre është sa fatura mujore që u vinte atyre para luftës.
“Orët e tyre kanë kohë që kanë ngecur në vlera minimale . Janë vetëm 1.794.8 euro për të tre njësorët që kanë. Patriarkana e Pejës dhe Manastiri i Deçanit janë shpenzuesit më të mëdhenj që më nuk i kemi nën kontroll. Aty janë bërë keqpërdorime me njësorët. Në dy njësorët e Patriarkales së Pejës janë në njërin 1.31 .13 , euro kurse 763 .7 00 euro . Ndërsa në Manastirin e Deçanit janë borxh për tetë vite e më shumë vetëm 292 gjë që nuk përputhet askund me shpenzimet e bëra për tërë këto vite”, thotë Maçastena.
Por, Patriarakana e Pejës dhe Manastiri i Deçanit kanë edhe mijëra euro të tjera borxh
në shpenzimet e ujit. Sipas zyrtarëve të sistemit të ujësjellësit në këtë regjion ato gjithashtu llogaritet se kanë bërë shumë keqpërdorime në shpenzimet e ujit.
Borxhi në ujë i Patriarkanës së Pejës, sipas Mehdi Kelmendit drejtor i Shërbimit të Konsumatorëve i rrjetit të ujësjellësit regjional “Hidrosistem” , në Pejë është 35 mijë euro pa llogaritur vitet kur nuk është faturuar. “ Ajo çka ka mundur të faturohet deri më tash është 35 mijë euro por ka edhe borxhe të tjera të cilat nuk kemi arritur t’i mbledhim”.
Gazeta për dy javë rresht nuk ka mundur të kontaktoj me asnjë nga përfaqësuesit e Patriarkanës në Pejës. Përmes pjesëtarëve të KFOR-it ,që ruajnë kishën është thënë se koordinatorja e kishës Dobrilla nuk është në Pejë dhe se vetëm ajo është përgjegjës për këtë.
Përgjigje rreth kësaj nuk ka dhënë as ati Sava Janiq nga Manastiri i Deçanit. “ Nuk kam autorizim të flas për këtë . Ai që duhet të flas është Vladika Artemije në Graçanicë. Unw nuk jam marrw kurrë me ketë problem”, ka qenë përgjigja e tij për Lajm.
Por përgjigje nuk ka qenë e mundur të merret as këtu. “Ati Artemije nuk është i gatshëm të flas këtë javë” , ka qenë përgjigja që ka marrë gazeta përmes telefonit nga njëri prej shërbyesve të kishës në Graçanicë.
Deri në vitin 2003 borxhi në ujë i Manastirit të Deçanit është rreth 30 mijë euro kurse që nga atëherë më nuk është faturuar. “ Ne kemi të faturuar për 4 vite 30 mijë euro të Manastirit kurse më nuk na lejojnë t’i dërgojmë lexuesit e orës që më herët i dërgonim përmes KFOR-it”, thotë drejtori ujësjellësit “Lumi i Bardhë “,të Deçanit, Adem Gjikokaj.
Sipas tij Manastiri është njëri ndër keqpërdoruesit më të mëdhenj të ujit. “Manastiri ka dy lloj kyçjesh në ujësjellës dhe ka ujë sa për tri lagje të Deçanit. Këtë verë kur ka pasur shumë krizë për ujë kemi lutur atin Sava Janjiq që të shikohet se çfarë po ndodhë me shpenzimet e ujit në këtë zonë dhe më vonë ai na është përgjigjur e do të shikojnë për ti reduktuar shpenzimet që kryesisht janë bërë në ujitjen e tokave rreth manastirit”.
Hiq më ndryshe nuk është edhe manastiri i Graçanicës. Për tetë vjet harxhime të rrymës nga të cilat nuk është paguar asnjë cent në borxhin që figuron në regjistrat e KEK-ut është vetëm 101 euro “ Edhe këtu gjendja është e njëjtë mos-pagesë dhe keqpërdorime”, thotë Maqestena.
Ndërsa borxhi në uji i manastirit të Graçanicës, sipas Bexhet Zhdrellës , menaxher i shërbimit dhe faturimit të bizneseve të mëdha dhe objekteve te kultit në ujësjellësin regjional “Prishtina”,është 14 mijë euro, pa llogaritur pjesën e pa-faturuar në të cilën nuk kanë pasur qasje. “Më herët kemi mundur të llogarisim orët e ujit kurse tani jo kanë borxh diku afër 14 mijë euro pa llogaritur keqpërdorimet tjera”
Borxhe ujësjellësit nuk i kanë vetëm kishat ortodokse por edhe xhamit por borxhi i këtyre të fundit të paktën mund të faturohet. “Edhe xhamitë na kanë borxhe boll janë 16 mijë euro por ato mund ti faturojmë, kurse te kishat nuk na lënë as të afrohemi, thotë ai.
Gjendje pak më ndryshe është në Prizren ku KFOR-i gjerman është munduar herë pas herë në shlyej borxhet e tri kishave në këtë qytet. “Manastiri Nenkalasë ka një borxh 242 euro ne, manastiri Aranxhelli, 2.429 . Për këtë 1.600 euro janë paguar nga KFOR-i kurse Manastiri i Shenje i Kryengjejve ka një borxh të mbetur prej 9.342”, thotë Malush Jaka drejtor i Shërbimit të Konsumatorëve në Prizren.
Kurse shuma e borxhit që këto i kanë ujsjellsit në Prizren kap shifrën 20 mijë euro.
Patriarkale e Pejës, Manastiri i Deçanit, Manastiri i Graçanicës, Manastiri Nënkalasë dhe i Aranxhelli, në Prizren janë evidentuar se kane bërë keqpërdorimet më të mëdha në shpenzimet publike.

Edhe të vdekurit braktisin “Tokën e shenjte”

SERBEZE HAXHIAJ
Banorët serbë të zhvendosur nga Kosova pas luftës marrin edhe të vdekurit me vete në Serbi

Në vitin 2006 nëpër të gjitha komunat e Kosovës është shtuar fluksi i kërkesave të familjarëve serbë të zhvendosura nga Kosova që duan t’i zhavrrosin të afërmit e tyre në Kosovë pasi që kanë vendosur përfundimisht të mos kthehen më...
Vetëm më 2006 janë bërë rreth 200 zhvarrime, ndërkohë që Ministria e Kthimit dhe Komuniteve e Qeverisë së Kosovës nuk ka të dhëna për këtë. Ato që kanë përfituar nga kjo janë kompanitë e transportit të kufomave. Qeveria e Kosovës e cilëson këtë si lojë politike të Beogradit kundër procesit të pavarsimit të Kosovës
Nën pishën e madhe në një cep të varrezave gjysmë të shkatërruara ortodokse në dalje të qytetit në Pejë, një varr ka mbetur i zbrazët. Në tërë atë rrëmujë kryqash të thyer, varri i Draganit mezi dallohet.
Varrmihësit e Bashkësisë Islame të qytetit që përkujdesen për mirëmbajtjen dhe varrimet e myslimanëve janë përkujdesur që varri i tij prej betoni të mbetet i paprekur.
Dragan Bjellenoviq, 1974, ka lindur dhe është rritur në Pejë.
Ai në vitin 1998, është vrarë në Vranoc nga UÇK-ja, si pjesëtar i ushtrisë serbe...
Pas lufte familja e tij është shpërngulur në Mal tëZi. Babai i tij Zharko para një muaji ka vendosur që t’i marr eshtrat e të birit, meqë ka vendosur të mos kthehet përfundimisht në Kosovë. Ai është larguar nga Kosova për në Mal të Zi në qershor 1999.
Shtatë vjet pas, edhe djali i tij i vetëm, Dragani i ndjerë, e bënë udhëtimin e fundit nga “Toka e Shenjtë”, në një arkivol të ndërmarrjes transportuese të kufomave “Dardania”.

Ms: Kanë ikur të gjallët, tash shkojnë edhe të vdekurit...
Sllobodan Petroviq, është udhëheqës i zyrës për komunitete në Pejë, por nuk punon në ambientet e komunës. Zyra e tij është në Gorazhdec, një fshat i serbëve dhe malazezëve, një zonë që ruhet nga forcat sllovene të KFOR-it . Petroviq thotë se është mirë që në këtë kohë të mos bëhen zhvarrime për shkak se mund të tingëllojë si politikë.
“Ato zhvarrime bëhen me dëshirën e familjarëve që kanë ndërruar vendbanimin dhe më nuk dëshirojnë të kthehen, prandaj edhe duan t’i marrin edhe të vdekurit që kanë këtu. Kanë ikur të gjallët, tash shkojnë edhe të vdekurit”.
Ai tregon se e ka njohur mirë familjen Bjellenoviq që tashmë i kanë zhvarrosur eshtrat e djalit të tyre të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Haxhi Zeqiri, është shef i kompanisë së transportit të kufomave “Dardania “, në Pejë, e cila ka bërë zhvarrimet dhe transportin e disa familjarëve serbë në Pejë.
Çmimet për një zhvarrim dhe transport sipas tij më së shtrenjti shkojnë në 400-450 euro për një person, sidmos në raste kur duhet të ketë arkivol që duhet mbyllur hermetikisht si në rastet kur i vdekur ka pasur ndonjë sëmundje ngjitëse.
“Kam pasur rastin të transportoj diku rreth 10 persona deri në kufirin me Malin e Zi. Ne i kemi kryer të gjitha procedurat që i ka kërkuar komuna. Ka pasur raste kur serbët kanë bërë kërkesë për tërheqjen e një familjari dhe pastaj kanë dashur që me atë rast të tërheqin edhe të tjerë, por nuk kemi lejuar”.
Për të realizuar procedurat e zhvarrimeve shpesh janë angazhuar avokatë të cilët janë autorizuar nga familjarët e të vdekurve. Sokol Mushkolaj, një avokat nga Peja, thotë se ka qenë i angazhuar në gjashtë raste.
“Përmes meje kanë shkuar gjashtë raste të zhvarrimeve këtu në Pejë”, thotë ai pa dashur të jep detaje për punën e tij dhe pagesën.
Por, për këtë punë kompanitë dhe ndërmjtesuesit kanë bërë edhe biznes të mirë. Ato shpesh marrin shuma mbi 1000 euro për të realizuar një gjë të tillë. Këtë e thotë njëri nga pronarët e kopmanive, Haxhi Zeqiri.
Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike në Pejë Skënder Avdyli, thotë se është rritur numri i kërkesave të familjeve që kërkojnë të tërheqin të afërmit e tyre nga varrezat e Pejës.
“Prej vitin 2005 kemi kërkesa më shumë. Diku 20 raste kemi këto vitet e fundit”.
Procedura për të zhvarrosur një të afërm nuk është aq e thjeshtë. Komuna kërkon që të ketë autorizimin e priftit me vulë të Kishës Ortodokse Serbe, certifikatën e lindjes dhe të vdekjes së personit, pastaj ekzaminimin për arsyen e vdekjes së personit. Po ashtu, nevojitet që familjarët të kenë edhe vertetimin me të dhënat e lokacionit se ku do të varroset personi që tërhiqet nga varrezat. Automjeti dhe numri protokollar i bartjes dhe mënyra e përcaktimit të identitit të personit të vdekur ngase ka varre që nuk kanë shenja. Kushti themelor sipas një rregullorje që ka përcaktuar UNMIK-u është që personi që kërkohet të zhvarroset të ketë së paku 5 vjet që ka vdekur dhe është varrosur.
Blerim Berisha, ka pasur shumë angazhime në zhvarrime këto dy vitet e fundit. Ai është inspektor sanitar në komunën e Fushë Kosovës dhe prezenca e inspektorëve gjatë procedurave të ekshumimit është e detyrueshme.
Sipas tij gjatë dy viteve të fundit kanë pasur 18 serbë të zhvarrosur dhe një slloven. “Kërkesat janë shtuar në vitin 2006 . Të gjitha zhvarrimet janë bërë me pajtimin e familjarëve dhe nuk ka pasur probleme. Ata kanë paguar vetëm 1 euro në komunë për kërkesën, asgjë tjetër.”
I fundit që është zhvarrosur nga varrezat ortodokse të Fushë Kosovës është Zvonko (Stanimir) Milkoviq 1972, i vrarë në 1999. Ai është rivarrosur në fshatin Ralje të Krushevcit.
Zakonisht familjarët kërkesat i bëjnë përmes ndërmjetësuesve të autorizuar, dhe këta, në disa raste marrin para të mira për këtë punë. Komunat për këtë lloj shërbimi kanë një taksë që ndryshon nga njëra te tjetra p.sh në Mitrovicë taksa është 20 euro, por një shumë të tillë nuk e ka edhe Peja, që kërkon vetëm , 0.50 cent.
“Asnjë kërkesë nuk ka ardhur nga familjarët, të gjitha i kemi marr përmes disa personave të autorizuar. Megjithse serbët e veriut e kanë pothuajse një hap deri këtu”, thotë Bahri Hamza inspektor sanitar në Mitrovicë.
Në këtë rajon vetëm vitin e fundit ka pasur 23 zhvarrime .
“Të vdekurit janë rivarrosur zakonisht në Beograd, Nish dhe në fshatrat e Quprisë”.

Ms: Udhëtimi përfundimtar në atdhe kushton 400 – 459 €

Driton Gerguri, drejtor i kompanisë për transportimin e kufomave “Loti”, në Mitrovicë, thotë se vetëm firma e tij ka bërë zhvarrimin dhe transportimin e 12 familjarëve, në Prishtinë, Fushë Kosovë e Mitrovicë.
“Ne kemi bërë zhvarrimin dhe bartjen e diku 12-13 familjarëve. Pagesa që është dashur të bëjnë për zhvarrimin, arkivolin dhe transportin është diku 400 - 450 euro varësisht nga vendi dhe largësia”.
Lokacionet që ata i kanë dërguar këto kanë qenë shumica deri në Merdarë, ku më pas i kanë marrë tjera kompani për në destinacionet ku është dashur të dërgohen për t’u rivarrosur.
Por, ajo që e kontaktojnë më së shumti familjet serbe për të kryer këtë lloj shërbimi është ndërmarrja transportuese e kufomave me emrin “Skorpion” (Akrepi), pronë e Zoran Radosavleviqit nga veriu i Mitrovicës.
Ndihmësi i tij, Naim Behrami, nuk dëshiron të flasë. Ai e ka frikën e etiketimeve që as ai vete nuk mund t’a shpjegojë.
“Kemi bërë disa zhvarrime ne Pejë dhe çka nuk kanë thënë për ne.”
Edhe kjo kompani ka çmime përafërsisht të njëjta me kompanitë tjera që ofrojnë këto shërbime.
Në komunë e Lipjanit deri më tani vetëm një person është regjistruar si i zhvarrosur.
Bëhet fjalë për Marjana Antiqin e cila është zhvarrosur nga varrezat e Lipjanit në janar të këtij viti dhe është rivarrosur në Kragujevc.
Në Gjilan vitin e fundit janë realizuar dy kërkesa të banorëve serbë për zhvarrosjen e të afërmve të tyre nga Kosova në Serbi.
Sipas Agim Salihut, drejtor i shërbimeve publike, komuna ka aprovuar në qershor 2006 kërkesën e familjes së Aleksandër Stanisavljeviq dhe në tetor të vitit 2006 kërkesën e familjes së Jaksha Miliqeviqit. Të dy rastet janë varrosur diku në Nish.
“Duam që babai i jonë të varroset pranë nënës sonë, prandaj kemi vendosur të marrim prej ketu”, thotë e bija Olgica Stanisavljeviq.
Inspektorët komunalë dhe policia ndalojnë fotografimin gjatë zhvarrimeve. Kurse në arkivat e tyre gjen të fotografuar secilin detaj të zhvarrimit.
Gjakova, është e vetmja komunë që deri më tani nuk ka pasur kërkesa për zhvarrime. Përparim Radoniqi, drejtor në NP “Qabrati” e cila ka përsipër përkujdesjen ndaj varrezave të qytetit, thotë se varrezat e serbëve kurrë nuk kanë qenë në kompetencë të ndërmarrjes në fjalë.
“Ne nuk kemi varre serbe ndaj as nuk kemi pasur kërkesa për zhvarrime”.
Radoniqi thotë se ka pasur raste kur familjet serbe i kanë dërguar të vdekurit në Pejë, ndërsa në varrezat e qytetit asesi nuk i kanë varrosur.
“Alternativa më e mirë për ta ka qenë Peja, ndërsa më e afërta Piskota. Në qytet asesi”.
Isak Rakovica, është drejtor i ndërmarrjes publike “Hortikultura” në Prishtinë e cila mbikëqyr varrezat e të gjitha komuniteteve që varrosen në Prishtinë. Ai thotë se në bashkëpunim me Inspektoratin Sanitar të komunës kanë përcjell të gjitha zhvarrimet që janë bërë me kërkesë të familjarëve. Shifra e atyre që janë zhvarrosur nga varrezat e Prishtinës ka arritur numrin 18.
“Ne në bashkëpunim me Inspektoratin Komunal dhe në nën mbikëqyrje edhe të policisë e bëjmë secilin zhvarrim në të cilën duhet të jetë i pranishëm, gjithsesi, edhe dikush nga familjarët. Në fund lokacioni spërkatet dhe gjendja e varrit kthehet në tokë të rrafshët si më parë”.

Mst: Në luftën politike kundër pavarësisë së Kosovës, serbët kanë futur edhe të vdekurit
Prezencën e policisë Rakovica e shpjegon me arsyen e sigurisë dhe dëshmisë se gjithçka ka shkuar mbarë. Pak më konkret duket zëdhënësi i policisë Veton Elshani. ”Pjesëtarët e policisë asistojnë gjatë zhvarrimeve ngase ka pasur raste kur kompanitë që kanë bërë zhvarrimet kanë lënë prapa rrëmujë dhe të tjerë familjarë serbë kur kanë ardhur t’i vizitojnë varrezat janë ankuar se ka dëmtime, prandaj edhe policia është prezent për të garantuar se gjithçka ka shkuar si duhet”.
Elashni, mohon të ketë ndodhur ndonjë incident serioz gjatë zhvarrimeve deri më tani.
Ministria për Kthim dhe Komunitete e Qeverisë së Kosovës, nuk ka shifra për numrin e serbëve të zhvendosur gjatë vitit 1999, që më nuk dëshirojnë të kthehen në Kosovë, dhe si rrjedhim, nuk ka as shifër të atyre që kanë tërhequr familjarët e tyre nga varrezat. Fatmir Sheholli, këshilltar i ministrit Branillav Gërbiq thotë se MKK, respekton dëshirën e atyre familjarëve që duan të marrin të afërmit e tyre të vdekur.
“Ne nuk kemi bërë ndonjë përllogaritje të numrit të të zhvarrosurve. Ne dëshirojmë që zhvarrimi i tyre të bëhet konform ligjit dhe asgjë më tepër”.
Arif Muqolli, këshilltar politik i kryeministrit Agim Çeku , thotë se vetë fakti se ketë vit është shtuar fluksi i kërkesave për zhvarrim tregon se kjo është luftë politike.
“Në kuadër të luftës kundër pavarësisë së Kosovës, serbët kanë futur edhe të vdekurit. Këto janë direktiva të Beogradit, të cilave, mendoj se familjet serbe nuk duhet t’u përgjigjen. Ne e kemi obligim të krijojmë kushte për të gjithë dhe ky moment nuk është i arsyeshëm për veprime të tilla”.
Ata tash me këtë duan të thonë se nuk kanë besim t’i lënë as të vdekurit këtu, thotë Muqolli për “Lajm”.
Ati Sava Janjiq, nuk preferon të flasë për këtë çështje dhe nuk tregon sa fletaprovime për zhvarrime ka lëshuar Kisha Ortodokse Serbe deri më tani në Kosovë.
Bazuar në një përllogaritje të kërkesave të realizuara nëpër komuna të Kosovës, vitet e fundit janë kryer rreth 200 zhvarrime, ndërkohë që komunat kanë edhe po aq kërkesa ende të paaprovuara për shkak të mosplotësimit të dokumentacionit që kërkohet.

Box

Ideja për të punuar temën për zhvarrimet e serbëve nga varrezat në Kosovë dhe rivarrosur në Serbi më kishte nisur së pari vitin e kaluar kur në një palë varreza ortodokse në vendin tim të lindjes Istog ( në perëndim të Kosovës), kisha parë tek dilnin nga varrezat tri arkivole të reja. Unë kisha parë tek hyjnë arkivole në varreza, por jo duke dal. Më vonë takova një serbe që kishte vendosur t'i merret të afërmit e saj në një zyrë në Komunë ku kishte bërë kërkesën për zhvarrim . Kjo zonjë që kishte jetuar gjatë në Kosovë që nga qershori 1999, kishte braktisur vendin dhe ishte shpërngulur në Serbi. Këtë grua e kisha dëgjuar duke thë0në se është shumë e gëzuar që i ka gjete varret sepse i kishin thënë se shqiptarët e Kosovës as eshtrat nuk ua kanë lënë e le më varret.
Në kohën kur pavarësimi i Kosovë, po bëhej opsioni më i pranueshëm për shumicën e bashkësisë ndërkombëtare , serbët në kuadër të luftës për ta penguar atë kishin futur edhe të vdekurit. Ata po përpiqeshin të jepnin një mesazh se serbët në Kosovë, më nuk guxojnë t'i lënë as të vdekurit. Kosova për shumicën e serbëve, atyre që jetonin këtu edhe atyre që jetonin jashtë saj, konsiderohej si një "tokë e shenjtë". Tani me kishte rastis të shoh tek njerëzit merrnin eshtrat e të bijve të tyre që kishin vdekur si ushtarë të armatës serbe në Kosovë, që kishin vdekur pikërisht për këtë tokë..


Parashimi i motit per Tiranen