Friday, March 26, 2010

KODHELI: KRIZA, PAPUNËSIA NË RRITJE, ÇMIMET TË PAPËRBALLUESHME

“A ka më shqiptar që mund ta besojë qeverinë e Berishës?”. Këtë pyetje shtroi sot deputetja e Partisë Socialiste Mimi Kodheli sipas të cilës, për muaj me rradhë përsëriti se Shqipëria nuk po preket nga kriza

ekonomike.Për muaj me rradhë premtonte rritje ekonomike dyshifrore.

“Për muaj me rradhë pretendonte se qeveria e tij ishte e aftë të mblidhte të ardhurat, se punësimi do të rritej, se inflacioni ishte nën kontroll, se nëncmimi i lekut nuk kishte pasoja për shqiptarët e thjeshtë. Ndërkohë që sot, realiteti është krejt tjetër. Në fillim INSTAT-i, më pas Banka e Shqipërisë, e së fundmi edhe FMN, pohojnë se efektet e krizës ekonomike janë prezente në Shqipëri”, u shpreh Kodheli.

Më mirë se kushdo tjetër, tha ajo, krizën ekonomike e ndiejnë shqiptarët. Rritja e cmimeve të mallrave dhe konsumit të përditshëm, është aq e madhe, sa pjesa dërrmuese e qytetarëve të këtij vendi kanë ndryshuar mënyrën e jetesës.

“Çmimet janë rritur aq shumë, sa sot shqiptarët blejnë produkte inferiore. Çdo të thotë kjo? Do të thotë që të gjitha ato familje që janë në ndihmë sociale dhe që nga pushteti i Sali Berishës nuk arrijnë dot të sigurojnë as minimumin e jetesës, arrijnë të blejnë vetëm bukë e asgjë tjetër. Do të thotë që shtresa e mesme, punonjësit e administratës, jo vetëm që nuk shpenzojnë me para për veshje apo aktivitete kulturore e sociale, por blejnë edhe më pak ushqime dhe zgjedhin cilësi më të ulët për të kursyer sa më shumë”, theksoi Kodheli. (Lajmifundit)

GËRDECI, GJENERALËT DEBAT NË GJYQ

TIRANE – Gjykata e Tiranës dëgjoi sot dëshmitarëte radhës në procesin gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit.
Në seancën e sotme ishin të pranishëm të pandehurit Dritan Minxolli e Sokol Gjeçi në gjendje arresti dhe gjenerali Shpëtim Spahiu, i cili hetohet dhe gjykohet në gjendje të lirë.
Dëshmitarët thanë sot në gjykatë se punimet në ish-repartin ushtarak të tankeve në Gërdec, kishin nisur para datës kur Ministria e Mbrojtjes nxori urdhërin për këtë qëllim.
Astrit Jaupi, ish- komandant i Forces Ajrore, e cila kishte nën administrim repartin e Gërdecit, që më pas u kthye në fabrikë, tha se eprori i tij Shpëtim Spahiu, ish-komandat i Forcës së Bashkuar, kishte dhënë urdhër verbal për lejimin e punimeve të kompanisë “Albademil” (Mihal Delijorgji” në Gërdec.
Gjenerali Shpëtim Spahiu kundërshtoi duke thënë se Astrit Jaupi në këtë rast kishte zbatuar një urdhër të paligjshëm i cili nuk ishte dhënë me shkrim dhe nuk ishte i dokumentuar. (Lajmifundit)

PS, DADE: KRIZA POLITIKE, BERISHËS NUK I MBETET SHUMË KOHË

Partia Socialiste thotë se Shqipëria dhe shqiptarët po përjetojnë tashmë një krizë shumë dimensionale që përkeqësohet e rëndohet çdo ditë. Sipas Arta Dades, ky nuk është vetëm vlerësimi i Partisë Socialiste dhe

aleatëve të saj, por ky qëndrim po artikulohet publikisht çdo ditë edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

“Përfaqësuesi më i lartë i Misionit të OSBE-se në Shqipëri, Ambasadori Spanjoll, vend i cili mban edhe presidencën e Bashkimit Europian, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara dhe të tjera institucione ndërkombëtare janë shprehur qartazi se kriza po thellohet dhe se ajo mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut, kompromisit dhe konsensusit të palëve. Vetëm Sali Berisha nuk e sheh dhe nuk e njeh krizën”, u shpreh Dade.

Për Sali Berishën fjalët dialog, kompromis dhe consensus, vijoi ajo, nuk do të thonë asgjë. “Manipulimi me të cilin, pushteti i Sali Berishës përdori tiraninë e kartonave për të krijuar një pseudo komision hetimor parlamentar, i cili vetëm hetim të zgjedhjeve nuk mund të ofrojë, është shprehja më e qartë e koncepteve autoritariste dhe manipulative të maxhorancës. Apeli ynë për Sali Berishën është të dëgjojë drejt, sa ende nuk është vonë, zërin e popullit opozitar dhe faktorit ndërkombëtar për hetim të plotë e transparencë të pakushtëzuar të zgjedhjeve.

Sali Berisha dhe pushteti i tij i kanë lënë vetëm një zgjidhje popullit opozitar: protesta deri në largimin e këtij njeriu që Shqipërisë nuk i ka ofruar dhe nuk mund të ofroje asnjë alternativë. Duke qenë në konflikt të hapur me opozitën, me partnerët ndërkombëtarë, me institucionet e pavarura, me Kushtetutën dhe ligjin, Sali Berisha nuk ka shumë kohë që të bëjë të paktën njëherë në historinë e tij politike gjënë e duhur në momentin e duhur”, theksoi Dade. (Lajmifundit)

BALAC: HUNGARIA PRO SHQIPËRISË PËR VIZAT DHE HYRJEN NË BE

TIRANE – Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Balac, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Tiranë, u porit sot në një takim nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi.
Në takim ishte i pranishëm edhe Zëvendësministri i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë, Selim Belortaja dhe Ambasadorët e dy vendeve respektive.
Zyra për media tha se Presidenti Topi pasi i uroi mirëseardhjen Ministrit Balac, vlerësoi si shumë të mirë nivelin e bashkëpunimit politik mes dy vendeve tona dhe vuri në dukje “se ekzitojnë hapësira për ta thelluar akoma më tej këtë bashkëpunim në të gjitha fushat, sidomos përsa u përket shkëmbimeve dhe marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike dhe ato në fushën e turizimit.”
Kreu i Shtetit vlerësoi qëndrimet e qarta të Hungarisë në mbështetje të aspiratave të Shqipërisë për integrimin në NATO dhe më pas, në Bashkimin Evropian, sidomos në këtë etapë të rëndësishme të këtij procesi dhe në prag të liberalizimit të regjimit të vizave.
“Hungaria është një vend partner në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe një vend mik, duke dhënë një ndihmesë shumë të rëndësishme për Shqipërinë, – theksoi Presidenti Topi. “këtë e dëshmon edhe vizita e sotme e Ministrit të Jashtëm hungarez si dhe nënshkrimi i Marrëveshjes me homologun Meta.”
Ministri i Jashtëm hungarez, pasi shprehu kënaqësinë për këtë takim, siguroi Presidentin Topi se “vendi i tij do vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në të gjitha proceset integruese si dhe do të ndajë përvojën pozitive për kryerjen me sukses të reformave në këtë drejtim dhe arritjen e standardeve.”
Ministri Balac dhe Presidenti Topi çmuan rolin pozitiv dhe konstruktiv të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon për qëndrueshmërinë dhe bashkëpunimin politik duke theksuar se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë pjesë sa më shpejt në gjirin e familjes së madhe evropiane. (lajmifundit)

META: S`JEMI NË GARË ME VENDET E BALLKANIT PËR HEQJEN E VIZAVE

TIRANE - Ministri i Jashtem i Shqipërisë Ilir Meta, njëherësh zv/kryeministër i vendit, ka thënë sot se Shqipëria nuk është në garë me asnjë vend të rajonit në lidhje me liberalizimin e vizave.
“Ne nuk jemi në garë me askënd. Objektivi ynë ka qënë, është dhe besoj se do të jetë plotësisht i realizuar, plotësimi i gjithë kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Ne këmi përshëndetur dhe ka qenë hap pozitiv liberalizimi i vizave për tre vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, për Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi dhe ne do të donim sa më shpejt që kjo gjë të ndodhë edhe me Bosnjen, natyrisht dhe sa më shpëjt të jetë e mundur edhe për Kosovën, në mnyrë që cështja e liberalizimit të vizave të zgjidhet një herë e mirë për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor” tha ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta.
Ai i bëri këto deklarime në një konferencë për media mbajtur me ministrin e Jashtëm të Hungarisë, Peter Balac.
Ky i fundit garantoi për mbështetjen e vendit të tij në lidhje me liberalizimin e vizave për Shqipërinë.
Shefi i diplomacisë hungareze pranoi sot në Tiranë se Shqipëria ka bërë përparime në plotësimin e kushteve të kërkuara.
“Tani nevojitet të merret miratimi i vendeve anëtare përsa i përket menaxhimit të kufijve. Pas presidencës spanjolle rradha është e Belgjikës dhe në fillim të vitit të ardhshëm kryesimin e merr Hungaria. Ne do t’i mbajmë sytë hapur dhe nëse kjo çështje nuk është zgjidhur deriatëhere ne do të vendosim që vizat për Shqipërinë të hiqen”, ka thënë Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Balac. (Lajmifundit)

Parashimi i motit per Tiranen