Wednesday, November 7, 2007

Majko, i kërcënuar nga "car llazarët"?

Nis mbledhja e provave. Nuk përjashtohet as AKSH


Kërcënimet ndaj ish-kryeministrit Pandeli Majko mund të kenë pikënisje nga deklaratat e lëshuara prej tij para pak ditësh. I ftuar në emisionin "Top Story" në "Top Channel" ai kritikoi fuqishëm Gardën e Car Llazarit, ashtu sikurse Armatën Kombëtare Shqiptare. Ndërsa përballë tij në studio ishte i ftuar Gafur Adili, sekretari politik i AKSH-së, me të cilin shkëmbeu shumë replika. Burimet konfidenciale pranë SHISH-it sqarojnë se ka filluar mbledhja e provave që mund të çojnë në zbardhjen e situatës. Në këtë drejtim mësohet se kanë shërbyer si lëndë e parë edhe disa publikime në faqen e internetit youtube dhe që kanë të bëjnë me ish-kryeministrin. SHISH ka si dyshim të parë kërcënimin nga Garda e Car Llazarit ndërsa nuk përjashtohet as opsioni i AKSH-së. "Nuk besoj se ia vlen të merremi me këta drejtuesit e Car Llazarit. Për mua këta janë pak a shumë fenomen i një postorganizate naziskine, e cila nuk është e rrezikshme", qe shprehur Majko. Sipas tij, ia vlen ndonjë herë t‘i dëgjosh për të thënë që këta janë dhe të mendosh se si ka qenë situata përpara pak kohësh, kur me njerëz me mentalitet të tillë drejtohej de facto Serbia. "Nuk jam me logjikën se të gjithë serbët janë pak a shumë si fytyra e këtij idiotit që dëgjuam të fliste në emër të gardës së Car Llazarit", vlerësoi ai. Më tutje, Majko u ndal te funksionarët e Armatës Kombëtare Shqiptare, duke i cilësuar njerëzit me thes në kokë, të cilët dalin dhe flasin. "Më vjen shumë keq që dalin dhe flasin për lirinë apo mbrojtjen e shqiptarëve. Shqiptarët nuk mund të mbrohen me thes në kokë sot në Kosovë", nënvizoi Majko. Nëse ka për të respektuar si njerëz që mbrojnë të drejtat e shqiptarëve, shtoi ai, pavarësisht se mund të kem mendime të ndryshme në disa momente, janë ata të Vetëvendosjes. "Këta që venë thes në kokë unë nuk di nga vijnë dhe ku shkojnë. Këta janë një justifikim për të thënë serbët që ja edhe ne duhet të bëjmë kështu si këta", insistoi Majko. Ai shprehu habi që RTK ju jep hapësirë njerëzve me thes në kokë dhe nuk di sa hapësirë mund t‘u jetë dhënë të rinjve që mund të kenë rezervat e tyre ndaj drejtuesve politikë të Kosovës, mënyrës se si vepron Shqipëria, po flas për Vetëvendosjen. "Unë jam për të respektuar ata njerëz të cilët dalin pa armë dhe pa thes, sepse Kosova sot nuk është dhe nuk mund të jetë siç ka qenë përpara ‘99", tha Majko, duke përsëritur se askush nuk mund të mburret sot se ka luftuar më shumë se Ramushi apo Hashimi, apo Çeku, apo të tjerë djem dhe vajza të Kosovës dhe të dalë tani si trim e të thotë ne po mbrojmë këtë dhe atë. Këto deklarata publike pak kohë më parë mund të kenë shërbyer si motiv që ndaj ish-kryeministrit Majko të lëshoheshin sinjale kërcënuese. Këto deklarata ecin në linjën e dy pistave, të cilat po i investigon Shërbimi Informativ Shtetëror dhe që kanë të bëjnë me kërcënim nga Garda e Car Llazarit ose AKSH-ja.



Kërcënimi

Dy ditë më parë burime konfidenciale në Shërbimin Informativ Shtetëror bënë të ditur se ekzistojnë informacione kërcënuese për ish-kryeministrin Pandeli Majko. Ata hodhën dy pista dyshimi: shërbimet e huaja sekrete dhe Armata Kombëtare Shqiptare

Kritika dhe sharje ndaj figurës së deputetit socialist


Ish-kryeministri cilësohet tradhtar në faqen e youtube


Në faqen e internetit youtube janë shfaqur në versionin video deklaratat e lëshuara në emisionin "Top Story". Ato figurojnë të postuara nga një person me nickname FBKSH. Ish-kreu i qeverisë shqiptare në kohën e luftës në Kosovë paraqitet në sens kritik. Aty ngrihen pikëpyetje në lidhje me deklaratën e Majkos se garda e Car Llazarit nuk është e rrezikshme. Shkruesit në faqen e internetit bëjnë me faj Majkon për deklaratat e tij të cilësuara prej tyre si vlerësuese ndaj politikës serbe. Pikëpyetjes së Majkos se "këta që vënë thes në kokë unë nuk di nga vijnë dhe ku shkojnë", ata i përgjigjen se "vijnë nga tokat shqiptare dhe askund jashtë tyre". Mbi imazhin e Majkos në fund të videos paraqitet e shkruar "Tradhti!!!". Në të njëjtën hapësirë gjendet edhe videoja e të njëjtit emision me deklaratat e Gafur Adilit. Shkrues të veçantë thonë se çdo kush që e kundërshton Gafur Adilin dhe AKSH-në është tradhtar i kombit, është kundër ribashkimit të Shqipërisë. Ish-kryeministri Pandeli Majko ka një CV të pasur politike. Ai ka lindur në vitin 1967 në kryeqytet. Ai ka mbaruar Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike. Gjithashtu është diplomuar edhe në Fakultetin e Drejtësisë. Gjatë viteve 1992-1995 ka mbajtur detyrën e kryetarit të FRESH-it; 1992-1996: deputet në Legjislaturën XIII të Kuvendit Popullor; 1996-1997: sekretar i Marrëdhënieve Publike të PS-së. Në vitet 1997-2001: deputet në Legjislaturën XV të Kuvendit të Shqipërisë dhe anëtar i Komisionit për Çështjet Kushtetuese dhe Ligjore; anëtar i Komisionit për Hartimin e Projektkushtetutës; kryetar i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së; anëtar i Komisionit të Posaçëm për Paktin e Stabilitetit. 1997-1998: sekretar i Përgjithshëm i PS-së dhe kryetar i Grupit parlamentar të PS-së. 1998 (shtator)-1999 (shtator): kryetar i Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë; ministër i Mbrojtjes; 2002 (shkurt-korrik): kryetar i Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë; 2002 (korrik)-2005 (shtator): ministër i Mbrojtjes.



Antiterrori


"Jemi në dijeni të kërcënimit"


Antiterrori i Tiranës pranon kërcënimin e Majkos, por deklaron se zyrtarisht nuk ka marrë asnjë denoncim. Policia e Tiranës tha në lidhje me këtë ngjarje se informacionet për kërcënimin e ish-kryeministrit Pandeli Majko janë marrë nga Shërbimi Informativ Shtetëror, i cili po merret me këtë çështje, por vetë i dëmtuari nuk ka kryer ndonjë kallëzim penal këtu. Në këto kushte, policia tha se nuk mund të hetojë më tej, veç bashkëpunimit që mund të ketë me SHISH. Ndërkohë, burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bënë të ditur zyrtarisht se nuk kanë dijeni në lidhje me një çështje të tillë.




AKSH


Tiranë, Adili u shoqërua në polici


Pak ditë më parë, Gafurr Adili, i njohur si drejtues politik i Armatës Kombëtare Shqiptare, u shoqërua në polici. Deklaratat e tij në "Top Channel" disa ditë më parë kanë sjellë reagimin e menjëhershëm të sektorit të Antiterrorit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ndonëse në atë kohë nuk u bë e qartë arsyeja e shoqërimit në polici, u pretendua se atij i janë kërkuar shpjegime për deklaratat e bëra publike. Burime të policisë deklaruan se Gafurr Adili është këshilluar që të respektojë ligjet shqiptare, derisa të qëndrojë në këtë vend.

Marre nga gazeta "SHQIP"

Parashimi i motit per Tiranen