Saturday, October 27, 2007

"Ali Ahmeti ka probleme me partine jo me mua "-Menduh Thaci

Kryetari i PDSH-së në Maqedoni, Menduh Thaçi, komenton në "Deja Vu" marrëdhëniet me Ali Ahmetin
Kryetari i PDSH-së në Maqedoni, Menduh Thaçi, i ftuar dje në mbrëmje në emisionin "Deja Vu" të gazetarit dhe analistit Mustafa Nano, në "Top Channel" ka komentuar marrëdhëniet me rivalin e tij politik, Ali Ahmeti. Thaçi e ka cilësuar udhëheqësin e një partie tjetër shqiptare në Maqedoni si kundërshtarin e tij politik. "Momentalisht kemi mosmarrëveshje të theksuara për politikat që bëjnë të dy palët", tha Thaçi. Kreu i PDSH konfirmoi se nuk ka më probleme personale me rivalin e tij, duke dhënë madje edhe detaje që, për herë të parë i ka deklaruar në "Deja Vu". "Në kohën e konfliktit të Maqedonisë, familja e tij e ngushtë ka lëvizur me makinën time personale dhe sigurimin tim personal. Kjo tregonte se ai kishte besim tek unë", tregoi Thaçi. "Çuditërisht, situata ndryshoi kur Ahmeti u bë pjesë e pushtetit. Thjesht mendoj se po ndodhemi në një pikë tepër të rëndësishme. Mendoj se Ahmeti lehtësisht vendos për fatet e njerëzve", shtoi Thaçi. "Por nuk duhet me aq lehtësi të vendosë për fatet e njerëzve, të cilët i drejton. Thirrja për një kryengritje të armatosur për çlirim kombëtar të territoreve shqiptare, e pastaj për një politikë që të thërret për një integrim, jo siç e kuptojmë ne si një integrim modern, por për një integrim përafërsisht deri në asimilim, për mua është e pakuptueshme dhe shumë e rëndë", shtoi Thaçi. Ai tha se në pamje të parë, Ahmeti ka probleme me atë si kryetar i PDSH dhe më pas, edhe me partinë që drejton. "Sinqerisht mund të them se mbi të gjitha, ai ka probleme me njerëzit, të cilët i thirri në kryengritje, me njerëzit e tij. Bisedohet për qindra të vrarë, nuk di sa të plagosur dhe shkatërrim të pasurive. Kjo rezulton në një mungesë totale suksesi të asaj politike që drejton zoti Ahmeti", vijoi Thaçi në "Deja Vu". Kryetari i PDSH e akuzoi Ahmetin se rrezikon shumë që të duket si viktimë. "Unë nuk kam të drejtë të bëj kritikë ndaj politikës sime gjatë kohës që jam në pushtet", tha ai. Thaçi u shpreh se nuk ia mohon të drejtën e politikës së tij për të bërë kritikun ndaj partisë së tij në aspektin politik, ndërsa ia mohon në aspektin moral. "Zoti Ahmeti dhe partia e tij, prej ditës së parë kur kaluan në opozitë, konstatuan me piskamë të madhe se çështja shqiptare është tepër e rrezikuar. Asgjë nuk ka lëvizur përpara dhe kanë mbetur çështje më madhore sociale pa u zgjidhur. Dhe sot pa frikë, në mënyrë të automatizuar them se katër vitet e pushtetit të tij, ai vetë, partia që drejton, nuk kanë bërë ato që premtuan", tha Thaçi. "Kontributin për valëzimin e jetës politike në Maqedoni duhet ta jap unë. Ai që është në pushtet, duhet të jetë më i hapur. Duhet të bëj maksimumin për stabilitetin politik dhe natyrisht përgjegjësia është më e madhe këtu jam plotësisht i vetëdijshëm", vijoi ai. Mungesën e një raporti nëpërmjet udhëheqësve të politikës shqiptare të Maqedonisë, Thaçi e cilësoi si mungesë të kulturës politike. "Ai që është në pushtet e ka fajin kryesor për normalizimin. Unë kam bërë dy ftesa publike për zotin Ahmeti për t‘u takuar, por kam bërë edhe ftesë protokollare. Ai ka vazhduar t‘i refuzojë, por kjo nuk më ndalon të vazhdoj të bëj ftesa publike, nëse ka nevojë edhe protokollare. Detyrimisht duhet normalizimi i jetës politike, për shkak edhe të interesave të atyre që ne përfaqësojmë", theksoi Thaçi. Duke krahasuar mosmarrëveshjet që ka politika shqiptare në Tiranë me ato që janë mes shqiptarëve në Maqedoni, ai tha se "gama apo hapësira e Shqipërisë për këto mosmarrëveshje është më e madhe. Këtu është shteti dhe ekzistojnë institucionet e tij, ndërsa tek ne këto mosmarrëveshje duhet të jenë shumë më të vogla".

FTESAT

Unë kam bërë dy ftesa publike për zotin Ahmeti për t‘u takuar, por kam bërë edhe ftesë protokollare. Ai ka vazhduar t‘i refuzojë, por kjo nuk më ndalon të vazhdoj të bëj ftesa publike, nëse ka nevojë edhe protokollare. Detyrimisht duhet normalizimi i jetës politike, për shkak edhe të interesave të atyre që ne përfaqësojmë

Thursday, October 25, 2007

Majko: Kush bashkohet me kundërshtarin është dezertor


Kryetari i opozitës, Edi Rama, vijon turin "Dialog me Shqipërinë", takime në Dibër
Ish-kryeministri Pandeli Majko deklaron se socialistët kanë ndarë mendjen të bëjnë opozitë të fortë karshi Sali Berishës dhe qeverisë së tij. "Unë jam djalë ushtaraku, kam qenë Kryeministër e ministër i Mbrojtjes dhe di një gjë, morali i atyre që bashkohen me kundërshtarin ka vetëm një emër, quhen dezertorë", theksoi Majko në takimin që zhvilloi kryesocialisti Edi Rama në Dibër. Sipas Majkos, është më mirë të jesh ai që je dhe të shfaqesh ai që je, se sa të shkosh e të lyesh flokët dhe të thuash që jam ai që nuk je në të vërtetë. "Sot kjo që po ndodh në vend kërkon një reflektim shumë të madh. Në zgjedhjet për President humbëm një shans të jashtëzakonshëm, e përsëris humbëm një shans të jashtëzakonshëm", vijoi Majko. Ndërsa shtoi se sot problemi më i madh është se jemi në udhëkryq, se na mungon energjia, na mungon uji, na mungon e ardhmja, na është rritur kostoja e jetesës. Ish-sekretari i përgjithshëm, Gramoz Ruçi, u shpreh: "Jam këtu për të shoqëruar njeriun e progresit, njeriun e punës, njeriun e së resë, njeriun e së mirës, njeriun e së vërtetës, administratorin e shkëlqyer të kryeqytetit, mikun dhe shokun tuaj, Edi Rama". Duke bërë apel që të gjithë ta mbështesin atë, që ashtu siç ka administruar në këto vite Tiranën, ashtu të administrojë në vitet e ardhshme në krye të Partisë Socialiste hallet, problemet e Dibrës dhe të gjithë Shqipërisë. Duke folur para socialistëve dibranë, Rama u shpreh se ekziston një parti me shumë debat të brendshëm. "Një parti që ka kaluar momente të vështira, momente konfliktesh, por që sot unë e gjej më të bashkuar se asnjëherë tjetër. Në fund të fundit, çdo parti ka një shtyllë kurrizore, pastaj pjesët e tjera ripërtërihen", tha Rama. Sipas tij, ajo që është e rëndësishme, është "se sot jemi të gjithë bashkë, kudo, në të gjithë Shqipërinë. Jemi të gjithë bashkë në një përpjekje jo të vogël, në një përpjekje të madhe, të vështirë, të mundimshme, për t‘u fokusuar në problemet reale të qytetarëve të këtij vendi", insistoi ai. Në vlerësimin e Ramës varfëria është armiku ynë, i cili forcohet përditë nga paaftësia dhe papërgjegjshmëria dhe jo vetëm kaq, nga mungesa e shpirtit të kësaj qeverie dhe këtij tranzicioni të gjatë, të karakterizuar nga ndryshimet e njëpasnjëshme që kanë errësuar edhe arritje të mëdha. "Papunësia është një armik, që shkon duke u shtrirë mbi kokat e familjeve shqiptare në të gjithë Shqipërinë", argumentoi ai. Kjo vjen, shtoi Rama, për shkak të paaftësisë, papërgjegjshmërisë dhe mungesës së shpirtit të kësaj qeverie dështakësh. "Ajo që na jepet, është përditë tërësisht e ndryshme nga ajo që na premtohet. Ajo që na thuhet se do të bëhet dhe si do të bëhet, është përditë tërësisht më e gënjeshtërt nga sa ç‘është e vërtetë", konstatoi Rama.


Dardan Malaj-SHQIP

Çmimi i këmbënguljes për konsensus ndërkombëtar

Siç po rrjedhin ngjarjet, ky çmim për palën shqiptare në bisedimet e Vjenës po rritet. Fakti që Ekipi i Unitetit u përpoq të tregonte moderacion qëndrimi dhe koherencë me Treshen e Grupit të Kontaktit, është një tregues se tërheqja e palës shqiptare nga një pozicion i përcaktuar dhe legjitim, gradualisht po ndodh. Liderët shqiptarë të Kosovës, të cilët kanë edhe një nivel të lartë përfaqësimi, ndryshe nga ç‘ndodh me palën serbe, po e tejkalojnë ndjeshëm me moderacionin e tyre dhe shumë shpejt ata jo vetëm do të ndodhen në vështirësi me ata që i kanë mandatuar për t‘i përfaqësuar, por edhe vetë komunitetin ndërkombëtar, ndaj të cilit po sillen me një pozitë me mungesa partneriteti.Përpjekja për të qenë kohezivë me faktorin ndërkombëtar, ndryshe nga Rambujeja, më të reagueshëm ndaj mesazheve që vijnë prej andej dhe për të marrë një mbështetje shumë të gjerë, pa dashur i ka vënë në pozita inferioriteti ndaj bashkëbiseduesve serbë, që planit 14 pikësh të Trojkës i kundërvihen me një plan tjetër 14 pikësh, që as më shumë dhe as më pak, Kosovën e përcakton si krahinë, madje të shoqëruar me sensibilitetin e vjetër serb të Metohisë. Megjithëse bisedimet e Vjenës u cilësuan të dështuara nga Ishinger dhe gati të pashpresa, delegacioni shqiptar i Kosovës i pranoi në parim disa sugjerime, pikat e planit të Trojkës së Grupit të Kontaktit, ndërkohë që pala tjetër i hodhi kategorikisht poshtë ato. Normalisht që Kosova e ka më shumë se asnjëherë tjetër nevojën për mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, për mirëkuptimin e tij dhe gjetjen e një gjuhe të përbashkët me të, për të zgjidhur nyjen gordiane të pavarësisë. Lëshim të ndjeshëm deri në kufijtë maksimalë, klasa politike e Kosovës ka bërë ndaj planit "Ahtisari", por reagimi i publikut atje dhe e drejta historike japin mesazhin se nuk mund të tejkalohen më lëshimet, pasi ata do të dëmtojnë jo vetëm procesin, por edhe të ardhmen e Kosovës. Vetëm një fakt: nga 21 zona të veçanta rreth manastireve të kërkuara nga serbët, plani "Ahtisari" parashikon jo më pak se 45 të tilla. Dhe këto zona të tipit të mirëfilltë të enklavave, normalisht që do të kenë një çmim shumë të lartë për të gjithë raportet e ardhshme që do të krijojë brenda, por edhe jashtë vetes shteti i ardhshëm i Kosovës. Megjithatë, si shumë kërkesa të tjera kjo u tolerua, duke kaluar skajshëm në të drejtën historike, atë ndërkombëtare, si dhe në konturimin e stabilitetit të ardhshëm social dhe politik, vetëm e vetëm që akordi me komunitetin ndërkombëtar të mos prishej. Përsëri në emër të këtij akordi, nga Vjena jepet një konsensus i parë lidhur me 14 pikat e planit të Trojkës, aty ku nuk shënohet fare cilësimi pavarësi, por vetëm flitet për mungesë të pranisë fizike të Beogradit në Kosovë, pa mohuar prezencën juridike, e cila nuk përjashtohet si mundësi të aktivizohet në një moment tjetër. Pa u përcaktuar qartë se merr fund edhe prezenca juridike, riaktivizimi, siç kërkon Beogradi në termat e veta i Rezolutës 1244, krijon mundësinë që edhe prezenca juridike të jetë e përfshirë dhe Prishtina të ketë vetëm hapësirën e vendimmarrjes financiare, madje edhe këtë të kufizuar.Në pikat e propozuara thuhet se politika financiare do të përcaktohet në bashkëpunim midis Beogradit dhe Prishtinës, të cilët duhet të menaxhojnë së bashku edhe kufijtë. Vetëm pavarësia financiare dhe mungesa e pranisë fizike të Beogradit në Kosovë, nuk mund të jenë kurrsesi termat e mjaftueshëm shtetformues e që japin garancinë e pavarësisë. Ajo që kërkohet të manifestohet si gradualitet, që do të çojë drejt heqjes vetë dorë të Beogradit nga Kosova dhe nga popullsia serbe në enklavat e ndryshme, është një ëndërr hipotetike, që nuk ka pse të ngazëllejë jo vetëm politikanët e involvuar në këtë proces, por as qytetarët e thjeshtë, të cilët, në fakt, presin dhe kërkojnë më shumë. Normalisht që Ekipi i Unitetit ndodhet nën presionin diplomatik të radhës, por me pakon "Ahtisari", politika shqiptare ka dhënë maksimumin e mirëkuptimit e të tolerancës në lidhje me zgjidhjen e çështjes përmes bisedimeve dhe në tryeza diplomatike. Sfilata politike si kjo e Vjenës, kur mungoi reagimi i prerë dhe i qartë për pamundësinë e kompromiseve shtesë në kurriz të së ardhmes së Kosovës, komprometojnë rëndë si procesin, ashtu edhe përfaqësuesit e mandatuar për këtë proces. E drejta ndërkombëtare dhe ajo historike, pavarësisht se si tunden flamujt e këtyre temave në Beograd apo Moskë, është tërësisht në anën e shqiptarëve. Diplomacia e topitur shqiptare dhe mungesa e lobingut përkatës nëpër kancelaritë evropiano-perëndimore, kanë sjellë jo pak efekte në kohezionin e akordit evropian lidhur me këtë çështje, po ama kjo nuk mund të kompensohet me lëshime që vënë në pikëpyetje gjithë investimin brenda dhe jashtë Kosovës të bërë për pavarësinë e saj. Si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, vërehet një sjellje e matur politike e diplomatike, që i kalon caqet normale përballë së drejtës që ka kombi shqiptar për të ndërhyrë e bashkuar fuqishëm për rregullimin e padrejtësive historike. Kjo mënyrë e kujdesshme të sjelluri, e cila shikon në dritë të syrit me të drejtë aleatët tanë të mëdhenj të SHBA-së, praktikon të njëjtën gjë edhe me disa shtete evropiane, ku historia jonë nuk na i jep mesazhet e tilla, nuk mund të ketë garancitë për të realizuar këtë veprim historik. Madje nuk po jep garancinë as të protagonizmit të domosdoshëm në këtë situatë. 11000 faqe janë përgatitur nga historianë e studiues serbë rreth çështjes dhe të drejtave, sipas tyre, që kanë ata mbi Kosovën. Dhe nuk kanë mbetur këtu, janë përkthyer në anglisht e shpërndarë nëpër kancelari në të gjithë botën, gjë që ka sjellë edhe efektet e veta. Ndërkohë, Akademia e Shkencave në Shqipëri e Kosovë pothuaj gati sa kanë heshtur plotësisht. Janë të mbushura me postera që bëjnë thirrje për të mos lëshuar Kosovën, prej muajsh muret e Beogradit, ndërkohë që shikohet me skepticizëm dhe rezervë një manifestim në Tetovë, në mbështetje të së drejtës së popullit shqiptar të Kosovës për të vendosur për pavarësinë. Por ky nuk është vetëm momenti historik i Kosovës, i cili edhe po të ishte vetëm i tillë, është i mjaftueshëm për të reaguar. Ky është momenti historik i popullit shqiptar, që pret një qasje krejt tjetër për t‘u dimensionuar.Politika shqiptare në Tiranë e Prishtinë vazhdon të kundrojë kujdesshëm gjithë mesazhet që jepen në të katërta anët për zgjidhjen e statusit të Kosovës, për afate të reja bisedimesh, për konferencë ndërkombëtare mbi këtë çështje, për të arritur deri te Vjena, ku Ekipi i Unitetit shprehet dakord në parim. Çdo të thotë: Dakord në parim? Të pranosh planin e paraqitur, të cilit mund t‘i bëhen disa rregullime jo esenciale, pasi ato nuk u artikuluan, do të thotë të pranosh në heshtje jo thjesht mungesën formalisht të fjalës pavarësi, por edhe pamundësinë për të hequr në mënyrë taksative sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën dhe krijon hapësira juridike për t‘u interpretuar më pas në varësi të situatave politike që vijnë. Ky lloj qëndrimi në kërkim me çdo kusht të akordit ndërkombëtar, të sjelljes së pëlqyeshme e të pranueshme ndaj ndërkombëtarëve, të varësisë së plotë të tyre, do të ketë një çmim shumë të lartë, nëse nuk përcaktohet në mënyrë të prerë e publike se lëshimi i fundit dhe maksimal është plani "Ahtisari".Lëshimet për konsensus ndërkombëtar dhe gjetja e një gjuhe diplomatike që afron qëndrimet e pozicionet e palëve, kur serbët shfaqen të prerë në ekstremitetin e tyre, ka shumë gjasa t‘i zhgënjejë të gjithë. Ndërkohë, aleati i madh historik i popullit shqiptar, SHBA, avancon në rrugët që duhen ndjekur për përfundimin e këtij procesi, ndërsa drejtuesve politikë shqiptarë nuk u lejohen moderacione qëndrimesh me një faturë historike të papërballueshme. Pas 10 dhjetorit, të gjithë do mbajmë frymën për datën më të shpejtë të mundur për shpalljen e pavarësisë, që cilësohet diplomatikisht jo saktë si e njëanshme. Pavarësi me leje nuk ka. Nuk morën leje as shtetet sivëllezër të Serbisë, Kroacia, Sllovenia, Maqedonia, Mali i Zi, kur shpallën pavarësinë, shtete me gjuhë e kulturë shumë komunikuese mes tyre, por edhe me një marrëdhënie shumë të gjatë. Pavarësi përmes nënshkrimesh publike vështirë se mund të arrihet, kësisoj druajtja e qejfmbetjeve diplomatike duhet përjashtuar nga klasa politike shqiptare në Kosovë, për të qenë më ekzigjentë si përpara presionit të inspiruar për interesa të ndryshme të shumë aktorëve ndërkombëtarë të përfshirë në këtë proces, ashtu edhe Serbisë, që ka humbur krejtësisht të drejtën, si historike ashtu edhe publike, për të vazhduar të ketë kontrollin në shtetin e ri që po lind.Konsensusi ndërkombëtar për pavarësinë e Kosovës do të mungojë, për arsye që nuk lidhen drejtpërdrejtë me Kosovën. Karta Kosovë është dimensionuar ndërkombëtarisht për opsione politike që dalin jashtë saj, kësisoj që gjetja e një gjuhe me gjithë faktorin ndërkombëtar të përfshirë në proces është e pamundur, ashtu siç duhet konsideruar paradoksale sjellja politike, sipas partiturës politike të të gjithë aktorëve, që janë afër apo larg ngjarjes që pritet dhe duhet të ndodhë.
Gezim Podgorica

Saturday, October 20, 2007

PS, skenarët që synojnë bashkimin e partisë


Përplasja Rama-Nano mund të krijojë një linjë të tretë

Dilema e një ndarjeje tjetër të Partisë Socialiste është argumenti që mbizotëron në debatet mes socialistëve. Fakt që ka bërë të qarkullojnë edhe skemat, sipas së cilave mund të precipitojnë zhvillimet brenda partisë. Një numër i konsiderueshëm figurash politike me përvojë kanë kaluar në mesfushën e palëvizsshme. Askush nuk di të thotë se çfarë do të ndodhë, e gjithsesi pakkush është i gatshëm të pranojë ndarjen. Çdo aksion që mund të çonte drejt ndarjes është ngrirë në vend, mes të cilëve edhe kodi i etikës, i propozuar pak kohë më parë në Asamblenë Kombëtare.

Skemat
Skema më radikale që mund të konkretizohet nga lidershipi i partisë ka të bëjë me ndarjen tërësisht dhe në mënyrë përfundimtare nga ish-kryetari Fatos Nano. Lëvizja do të nënkuptonte mënjanimin e tij nga jeta politike dhe organizative e partisë ose forma më e ashpër e çregjistrimit të tij nga strukturat. Kjo do të mund të çonte në çarjen e partisë më të madhe të së majtës dhe krijimin ndoshta të një force të re politike. Por një numër i caktuar funksionarësh brenda partisë i tremben kësaj zgjidhjeje në prag të procesit elektoral të parlamentareve të vitit 2009. Përsëritja e një LSI-je të re do t‘i shkaktonte sipas tyre Partisë Socialiste dhe së majtës në tërësi një humbje të padiskutueshme. Por një tjetër grupim mendon se largimi i Nanos nuk sjell asnjë kosto negative, por pastron këtë parti. Qëndrimi që duket të jetë me mbështetje të konsiderueshme është që partia të mund të shpëtojë nga ndarja. Kjo mund të përbëjë edhe skemën e dytë të zhvillimeve brenda Partisë Socialiste. Në këtë linjë kërkohet arritja e një konsensusi mes palëve për të garantuar kohezionin brenda partisë. Pakti Rama-Nano duket në horizont krejt i pamundur, por gjithsesi mendohet se do të ishte mundësi për të shëruar shpejt plagët. Nëse palët do të vazhdojnë të mbajnë të njëjtat llogore të cilat kanë krijuar prej dy vitesh, mund të rritet presioni i brendshëm që një rrymë e tretë brenda partisë të marrë kontrollin. Një përfaqësues tjetër, as Rama por as Nano do duhet të merrte timonin e Partisë Socialiste, duke premtuar se do bashkonte partinë dhe risillte atë në pushtet.

Mesfushorët
Në aksionin politik ballor, Partisë Socialiste i kanë humbur prej pak kohësh disa individualitete. Daljet publike të Nanos apo të Ramës në krahun tjetër janë ndeshur në indiferentizmin e një pjese të atyre figurave me aksione politike brenda partisë. Ish-kryeministri Pandeli Majko është një personazh që u largua nga detyrat që mbante si pasojë e mospajtimit me mënyrën se si po drejtohej partia. Nga ajo kohë Majko nuk ka marrë pjesë në debatet e brendshme, duke qëndruar jo vetëm mbi palët, por ndoshta duke rritur kreditet politike. Beteja Rama-Nano duket se po ndiqet në distancë edhe nga ish-kryetari i grupit parlamentar Ben Blushi, njëkohësisht ish-sekretar politik. Që nga momenti i rrëzimit të rezolutës për kohezion Blushi është distancuar nga debatet e brendshme, ndërsa aksionet e tij politike nuk kanë pësuar aspak rënie. Një tjetër emër është ish-ministri i Financave Arben Malaj, i cili ndryshe nga sa mendohej nuk është rreshtuar hapur në mbështetje të ish-kryetarit Nano. Në më shumë se një rast ai ka bërë thirrje për kohezion dhe bashkim të socialistëve. Po në këtë linjë vihet re një tërheqje e butë e figurave të tilla si Kastriot Islami apo Ermelinda Meksi që tregohen të kujdesshëm në kombinacionet e brendshme. Tërheqja e këtyre personazheve tregon në një farë mënyre mospajtim me situatën ku ndodhet Partia Socialiste. Ndërsa zbatimi i një prej skemave të sipërcituara mund t‘i jepte ndonjërit prej tyre rolin e alternativës së tretë mbi palët. Blushi, Majko apo Malaj aktualisht mbajnë vetëm pozicionin e deputetit dhe anëtarit të Kryesisë së socialistëve, duke mos pranuar më shumë se kaq.

Dardan Malaj

Friday, October 19, 2007

Fara e bimes se keqe !


Nuk është fatkeqësi kur një popull ka edhe politikanë të këqij e të papërgjegjshëm, por është e rrezikshme kur politikanët e këtillë arrijnë të kenë shtetin dhe popullin e vet. Kur ia dalin që tërë një popull ta ngërthejnë në kthetrat e tyre, me çka, papërgjegjësisë dhe të keqes së vet, arrijnë t‘i japin dimension kolektiv. E këtë ata e arrijnë në shoqëri, ku është vyshkur guximi qytetar, në mjedise ku nuk është kuptuar e vërteta se të gjitha ndryshimet shoqërore në fillim janë joshëse dhe premtuese, e vjen koha kur bëhen të padurueshme për vetë përkrahësit e tyre. Andaj edhe për atë që i ndodh një kolektiviteti, nuk janë gjithaq fajtorë vetëm politikanët e këtij lloji, por edhe rrethanat, si edhe pjekuria e të gjitha shtresave tjera, posaçërisht e atyre që me aq ëndje i quajmë elita intelektuale. A të cilët - njësoj si edhe gjithë të tjerët - boshtin kurrizor e dëshmojnë në kohë kur ka shtrëngata, kur guximshëm dhe me maturi duhet të shpalosin identitetin e vet, të tregojnë se mbiemër të vetin kanë vizionin për ardhmërinë, ndërsa emër besimin në qëndrimet e veta.Sot, kur shqiptarët e Maqedonisë përballen me përplot dilema, kur duhet të jenë të kujdesshëm për hapat politikë - shkaku i Kosovës -, kjo pjesë e popullit shqiptar, si asnjëherë më parë, e ndien çdo të thotë të jesh "periferi kombëtare". Të jesh "vëllai më i vogël", i cili sa e ka mirë i mbrojtur nga vëllezërit më të mëdhenj, po aq edhe vështirë shkaku se gjithmonë duhet të kujdeset që atyre të mos u sjellë telashe, të cilat mund ta ngatërrojnë punën e tërë "familjes". Pra, shqiptarët e Maqedonisë duhet të ndihmojnë flatërimin e shqiponjës drejt pavarësisë së Kosovës dhe të kujdesen që të mos ia prishin imazhin as Maqedonisë e as Shqipërisë, të cilat me aq mall ecin rrugës së integrimeve euroatlantike. Gjë që do dëshmojë pjekurinë e tyre politike dhe do u kundërvihet disa politikanëve të këtushëm, që këtë kujdes ta (keq)përdorin për të mbuluar papërgjegjësinë dhe të keqen në vetvete.Të zëna me hallin e tyre, është e padrejtë nga Kosova e Shqipëria të pritet ndonjë ndihmë në spastrimin e llogarive të sotme ndërpartiake mes shqiptarëve të Maqedonisë. Por kjo nuk vlen tani kur "zënka" e këtushme ndërpartiake merr përmasat, që më vonë rëndë mund ta dëmtojnë tërë shqiptarinë, e jo vetëm provincën e shqiptarëve të Maqedonisë. E grindjet brenda shqiptarëve të këtushme, prej moti kanë dalë nga rrafshi "vendor" dhe gjithnjë e më shumë bëhen pjesë e fotografisë negative të të gjitha politikave shqiptare. Dhe mbase duke dashur të veprojnë të papenguar, duke dashur të ndahen nga kjo fotografia e portretit grupor politik mbarëshqiptar, kryesuesit e PDSH-së, kohë më parë paralajmëruan se partia e tyre duhet të promovojë një politikë "autoktone". Mbase duke menduar të pavarur nga ajo në Prishtinë e Tiranë. Gjë që në parim nuk është negative, por vetëm nëse Maqedonia dhe shqiptarët në të do ishin ujdhesë e ndarë nga ajo që ndodh në mbarë shqiptarinë dhe në këtë regjion.Ajo që shpalos dështimin e një shoqërie, nuk janë gjithaq veprimet e politikanëve të papërgjegjshëm, veprimet e udhëheqësve partiakë, që në çdo kohë dhe në të gjitha rrethanat kërkojnë mbulesë për veprimet e tyre të papërgjegjshme. Dështimi i një shoqërie vjen në atë çast, kur dikush i rreh studentët e universitetit, e profesorët e atij universiteti vazhdojnë tutje sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Dështimi pason atëherë, kur udhëheqësit partiakë flasin për pavarësinë e institucioneve arsimore, religjioze, kulturore..., duke iu drejtuar popullit si të ishin ata rektorë universitetesh apo kryesues të bashkësive religjioze e të shoqatave kulturore. E keqja vjen atëherë, kur alamet akademikë, doktorë shkencash..., ndihen të privilegjuar kur në darka i thërret "mbreti" partiak, të cilit po t‘ia heqësh emblemën partiake dhe kollaren, nga ai mbetet vetëm rrënja katrore e një zeroje të madhe, e shumëzuar me rrugaçërinë, paturpësinë dhe papërgjegjësinë e tij.Një popull, apo pjesa e një populli, nuk është e rrezikuar atëherë kur përballet edhe me pretendimet politike të politikanëve grykës, të papërgjegjshëm dhe që kanë qëllim pushtetin për të realizuar përfitime personale. Një popull, apo një pjesë e tij, ndodhet përpara dështimit të plotë atëherë kur bëhet pronë e politikanëve të papërgjegjshëm, kur në altarin e forcës flijon mençurinë, kur elitat e ashtuquajtura intelektuale, bëhen konformiste dhe nuk u intereson asgjë më shumë se (dis)fati personal. Popujt, që kanë me mijëra edukues të gjeneratave të reja, a të cilëve truprojat e udhëheqësve partiakë ua "edukojnë" studentët me grushte (siç ndodhi në Universitetin Shtetëror të Tetovës) gjithsesi rininë ua edukojnë të paedukuarit, edhe ata që kanë diploma me vulën e "Qafës së Thanës". Një pjesë e popullit - si shqiptarët e Maqedonisë - që lejon një grusht politikanësh t‘ia shuajnë zërin dhe ta fusin në duart e "bandave", shkon drejt rrugës së trishtueshme të mohimit të çdo vlere të paktë që posedon. Pra, një populli, të cilit askush nuk ua respekton të zgjedhurit e vet, që "alfat" dhe "omegat" e rrugaçërisë shtetërore ngrenë nga parkingu i Kuvendit republikan veturat e njerëzve me imunitet (siç ndodhi pas konfliktit fizik të paradokohshëm mes deputetëve shqiptarë, kur policia maqedonase u mori veturat e kryesuesve të BDI-së), ai popull ndodhet në paradhomën ku pret t‘ia japin certifikatën e papjekurisë të të gjitha elitave që ka.Shqiptarët e Maqedonisë kanë mijëra arsyetime për atë që u ndodh lidhur me grindjet ndërpartiake, që kanë marrë përmasat e dy taborëve të ushtrive armiqësore. Duke filluar nga arsyetimi se grindjen ua kurdisin të tjerët, e deri tek ai se janë të pambrojtur institucionalisht dhe janë lënë në duart e partive të veta. Por, jo çdo shpjegim është arsyetim dhe jo çdo shpjegim flet vetëm për tjetrin. Shpeshherë, më mirë se çkadoqoftë tjetër, shpjegimet shpalosin edhe pjekurinë, vlerat, tiparet... e një populli. Sepse, edhe sikur të ishte e vërtetë se edhe rrahjen ndërpartiake mes deputetëve të PDSH-së dhe BDI-së e kanë kurdisur qarqet antishqiptare të etnitetit maqedonas, atëherë shtrohet pyetja se, pse shqiptarët aq mirë e punuan arën ku mundet lehtë të mbijë fara e bimës së keqe e armiqësisë së ndërsjellë? Më në fund, nëse zëvendësministri që shkelmonte deputetin (pra varësi që zgjidhet në Parlament, maltreton të zgjedhurin e popullit) është shqiptar, nëse kryetari i një partie shqiptare i vërsulet fizikisht një gruaje deputete shqiptare, atëherë për çfarë konceptesh të huaja konspirative flasin shqiptarët e Maqedonisë, kur çdo gjë është e dukshme. Mbase ata nuk guxojnë të përballen me vetveten dhe kështu e kanë më lehtë të bien në gjumë në netët, kur në disa vendbanime të tyre, grupe të ndryshme, djegin flamujt e njërës apo tjetrës parti dhe i kontrollojnë të "huajt" (lexo: shqiptarët e partisë kundërshtare), që në orët e vona i vizitojnë këto vendbanime. Mbase kështu ata e kanë më lehtë të mbulojnë të vërtetën se janë në mosmarrëveshje të madhe me vetveten, e jo me të tjerët. Është e vërtetë se edhe në politikë, si në çdo profesion tjetër, ka individë të papërgjegjshëm dhe të pafytyrë. Por të pakta janë shtetet dhe formacionet politike që ndërtohen mbi themelet e rrugaçërisë, pafytyrësisë dhe papërgjegjësisë. Shtete të tilla janë të mundshme vetëm në mjedise ku as ata që duhet, nuk e kanë kuptuar se, që të mbetesh njeri duhet të jesh sa më pak konformistë. Pra, në shoqëri të mbuluara me rrënoja të njerëzores dhe ku njeri më i vlefshëm është ai që ec i përkulur. Shenjë njohëse e shoqërive të tilla nuk janë vetëm politikanët arrogantë e të papërgjegjshëm, por edhe kafenetë përplot me ata që ecin këmbadorazi, sa më rrafsh me tokën, njësojë si viktima e trembur nga gjahtari, si ai që i është dorëzuar rrugaçërisë partiake dhe shtetërore. Duke harruar se përkulja e tij është materiali më i mirë për ndërtimin e shteteve ku dëgjohet vetëm një zë: ai i politikanëve.

Kim Mehmeti

Thursday, October 18, 2007

PLURALIZMI I TOTALITARIZMAVE-Interviste e Akademikut Rexhep Qosja.




Profesor, sa informacion keni për zhvillimet aktuale politike, ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri dhe si i gjykoni ato?
Zhvillimet në Shqipëri përpiqem t‘i përcjell rregullisht. Të fillojmë nga zhvillimet politike. Në Shqipëri, sipas mendimit tim, sot për sot monizmi totalitar është zëvendësuar nga pluralizmi i totalitarizmave. Në Kuvendin e Shqipërisë sot për çdo gjë vendosin dy parti: vendosin herë njëra e herë tjetra ose në marrëveshje a në mosmarrëveshje njëra me tjetrën.Kuvendi i Shqipërisë në thelb është, prandaj, një gjysmëkuvend, kurse demokracia e rrëgjuar në procedurë jo rrallë të cenuar.Deputetët e tjerë, të partive të tjera të vogla në atë gjysmëkuvend, më së shpeshti janë të përdorur prej atyre dy partive.Populli, sovrani i vërtetë, është plotësisht i përjashtuar nga mundësia e ndikimit në vendimmarrje dhe nga mbikëqyrja e pushtetit!E, në qoftë se demokracinë e quajmë jo vetëm procedurë, por edhe çka do të duhej të ishte - marrëdhënie mes njerëzve, humanizëm, atëherë ne mund të flasim vetëm për një minimum të demokracisë. Apo për një demokraci rurale edhe ashtu tepër të shpërdorur si në Shqipërinë shtetërore ashtu edhe në Kosovë.Në politikën shqiptare, në Shqipërinë shtetërore, në Kosovë e në Maqedoni ngjet ajo që Darendorfi e quan harlisje e shpirtrave të këqij! Kush mund të presë demokraci, njerzillëk, përgjegjshmëri, drejtësi, ndërgjegje prej shpirtrave të këqij të harlisur? Askush me mend në kokë. Politika që bëjnë këta shpirtra të këqij, të harlisur, gjithnjë me disa përjashtime, është thellësisht e pamoralshme.
OLIGARKITE PARTIAKET
Te vazhdojmë me zhvillimet aktuale ekonomike. Relievin politik dhe ekonomik të Shqipërisë (dhe të Kosovës) e përcaktojnë oligarkitë partiake. Ato e kanë bërë parim politik, natyrisht të mbuluar me fraza demagogjike, gllabërimin. Këto oligarki, me ministritë e tyre, në kabinetet e tyre dhe jashtë kabineteve të tyre, bëjnë betejat për çdo prokurim, për çdo tender, duke filluar nga çdo tualet i ri e deri te çdo kilometër rrugësh për asfaltim, për ura, për korrent, për naftë, për cigare, për telefonitë, për institucionet e arsimit, të shkencës e të kulturës, për firmat e ndryshme shtetërore, për çdo mall me akcizë dhe pa akcizë!Këto oligarki partiake nuk kanë vetëdije për shërbim shtetëror dhe nuk kanë vetëdije elementare për drejtësi sociale, për një ndarje sadopak të drejtë të pasurive të përbashkëta, publike.Kryeministri i Shqipërisë pa pushuar bërtet kundër korrupsionit, por familjarët e tij janë gjithnjë e më të pasur, kurse Shqipëria, si u dëshmua me të dhëna nga një organizatë ndërkombëtare më 26 shtator, kampione e korrupsionit në Ballkan!E gjithë kjo veprimtari e quajtur plaçkitje, korrupsion, nepotizëm, luks zyrtar, kontrabandë dhe trafikim është mbuluar me solidarësi klanesh dhe me shkëlqim të rrejshëm patriotik. Për herë të parë në historinë shqiptare hajdutët e pasuruar sa çel e mbyll sytë zënë vendet e para në radhët e patriotizmit!Pjesëtarët e këtyre oligarkive i kanë mësuar do fraza për politikën, demokracinë, ekonominë, politikën rajonale me të cilat u servilizojnë disa faktorëve ndërkombëtarë, do fraza që u pëlqejnë veshëve të Amerikës e të Evropës, por duke i shqiptuar këto fraza vazhdojnë të bëjnë çdo gjë në njëmendësinë shqiptare!Dhe, kështu do të vazhdojnë derisa shqiptarët të mos mësojnë që prej pushtetit të kërkojnë shumë më tepër sesa të mos jenë të rrahur, të burgosur, të shfrytëzuar, të çuar për punë në botë, të përbuzur - si gjithmonë deri tani.Të kalojmë në zhvillimet aktuale shoqërore. Shoqëria shqiptare vazhdon të jetë thellësisht e ndarë. Kjo shihet si në Kuvendin e Shqipërisë ashtu edhe në ato të Kosovës dhe të Maqedonisë dhe kjo shihet në debatet politike e intelektuale në mediat elektronike.Shoqëria shqiptare, me një përqindje të madhe të qytetarëve, vazhdon të jetë shoqëri e zhgënjyer dhe e dëshpëruar. Ikja jashtë Atdheut, gjithmonë dhe për çdokënd është e dhembshme, në njërën anë dhe vetëvrasjet e vrasjet e shpeshta si kurrë përpara, në anën tjetër, janë dëshmi e kësaj.Nuk kemi sistem vlerash. Diçka që çmohet si vlerë në një anë, përbuzet, shpallet jo vlerë a kundërvlerë në anën tjetër.Mosdurimi, jotoleranca e ndërsjellë jo vetëm politike dhe ideologjike karakterizojnë jetën tonë!Shpifjet, gënjeshtrat, denoncimet janë mjeti i shpeshtë i shprehjes së mosdurimit dhe jotolerancës jo vetëm politike dhe ideologjike.Të gjitha këto, plus brutalitetet karakterizojnë edhe debatet midis intelektualëve.Sjellje, veprime, paraqitje, mendime të njerëzve të shtresave të ndryshme, të privuara prej skrupujsh më të domosdoshëm, ka aq shumë saqë njeriu pushtohet prej mëdyshjes: në mos shoqëria shqiptare është shoqëri e paetikë.Shumë nga ato që dëgjohen, shumë nga ato që shihen dhe shumë nga ato që bëhen në jetën tonë politike dhe në jetën tonë kombëtare në përgjithësi dëshmojnë se ne me njërën këmbë jemi ende në nivelin e dytë të, si e quajnë sociologët bashkëkohorë, qenies psiko-sociale e kjo domethënë në nivelin e qenies karakteristike për tribalizmin, kurse me këmbën tjetër në nivelin e tretë e kjo domethënë në nivelin e qenies psiko-sociale që e karakterizojnë egocentrizmi i skajshëm, dhuna në marrëdhëniet shoqërore, lufta darviniane për ekzistencë, korrupsioni, vjedhja dhe plaçkitja! Ky është nivel në të cilin, pra, mungojnë rendi dhe drejtësia, në të cilin nuk funksionon shteti i së drejtës.Është e qartë: gati njëqind vjet pas krijimit të shtetit, ne ende nuk kemi arritur të ndërtojmë shoqëri qytetare.E di se nuk do ta pres ndërtimin e saj!
SHTETI PARTIAK DHE DEMOKRACIA
Tani Shqipëria ka një President të ri. Si e vlerësoni procesin e zgjedhjes së tij? Po figurën e z. Bamir Topi?
Procesi i zgjedhjes së kryetarit të ri të Shqipërisë më është dukur si të gjitha proceset e tjera politike në Shqipëri: i komplikuar dhe i lënduar prej sjelljesh shpesh të padëshiruara, por, në fund, u quajt demokratik edhe prej atyre që menjëherë pas zgjedhjes së kryetarit nuk e quajtën të tillë. E besoj se ndërruan gjuhë, nëse jo edhe mendje, se ashtu porositën faktorët ndërkombëtarë. Në qoftë se ka pasur një marrëveshje që kryetari i Shqipërisë të zgjidhet me bashkëmarrëveshjen, me konsensusin e dy palëve, atyre në pushtet dhe atyre në opozitë, atëherë kjo bashkëmarrëveshje u shkel. Dhe u shkel, sepse Shqipëria sot është shtet njëpartiak, natyrisht njëpartiak jo si në kohën e komunizmit dhe jo me pasojat njëpartiake të kohës së komunizmit. Shqipëria ka sot kryetarin e shtetit, kryetaren e Kuvendit dhe Kryeministrin - të gjithë të një partie. E kjo parti, Partia Demokratike e Shqipërisë, ka arritur të krijojë qeverinë në sajë të koalicionit me një varg partish të tjera të djathta apo të qendrës së djathtë. Si nuk u bë që bile njëri prej këtyre posteve t‘i jepet ndonjërës nga partitë e koalicionit! Deri ku shkon partishmëria dogmatike e Kryeministrit të Shqipërisë, pos këtyre tri posteve, e tregojnë edhe zgjedhjet e tanishme në zonën 31 të Tiranës. Bëri çmos që ta kandidojë për deputet anëtarin e Partisë Demokratike në vend se të tregohej sadopak më zemërgjerë ndaj partive të koalicionit dhe të pajtohej me kandidimin e një politikani të një partie tjetër: të Dashamir Shehut. Kryetarin e ri, Bamir Topin, megjithëse bashkëpunëtor i njeriut për të cilin nuk kam mirëkuptim - i Sali Berishës, e shikoj me një simpati kur e kur të shprehur. Është një nga përjashtimet e dëshiruara në Partinë Demokratike, që kujdeset të dallojë prej kryetarit të partisë së cilës i takon. E, dallon, para së gjithash, me sjellje dhe gjykime të matura, jokonfliktuoze, racionale, demokratike. Do t‘i shërbejë mirë Shqipërisë në qoftë se u rri larg infarkteve politike të Kryeministrit, në qoftë se nuk pajtohet me përpjekjen e tij për rrëgjimin e reformës së gjyqësorit në qërim të hesapeve me kryeprokurorin publik, Theodhori Sollakun, në qoftë se nuk pajtohet me totalitarizmin e tij partiak, në qoftë se nuk pajtohet me politikën e tij dëmtuese ndaj studimeve shqiptare, në përgjithësi, në qoftë se ruhet prej prirjeve autoritare të Kryeministrit, i cili nuk ngurron të fusë hundën staliniane edhe në punët e krijimtarisë shkencore dhe artistike. E të tjera.
MJESHTERIA E FRIKESIMIT
Si e vlerësoni punën e qeverisë "Berisha"?
Çka mendoj për punën e qeverisë "Berisha"? Berisha? Fenomen që flet për të dhe fenomen që flet edhe për ne. I vdekur politikisht dhe moralisht pas tragjedisë, në të cilën e futi Shqipërinë në vitin 1997, ai u kthye ngadhënjimtar në pushtet në vitin 2005! Askund në botën demokratike një rikthim i tillë politik nuk do të mund të ngjante. Ai u rikthye dhe "i shkeli" të gjithë: intelektualët, biznesmenët, pronarët e mediave, me përjashtim të "Top Channel"-it, opozitarët me përjashtim të disa prijësve opozitarë. Intelektualët e korruptuar politikisht dhe servilë alla Kadare janë bërë tellallë të tij, të tjerët, të "pavarurit" janë strukur me shpresë se ashtu të heshtur, do të shpëtojnë prej shpifjeve, denoncimeve dhe ndotjeve prej partizanëve të tij në media! Si është e mundshme kjo? Sali Berisha i bën të gjitha të mundshme: edhe të pamundshmet në botën normale, demokratike. Ai, vetëm ai, e ka kuptuar se si, me çka arrihet sigurt në pushtet në jetën tonë. Ai, vetëm ai, e ka kuptuar se kujt dhe pse ia varim ne qafën në pushtet! Ai, vetëm ai, e ka kuptuar se në jetën tonë nuk arrihet në pushtet dhe nuk mbahet pushteti pa shumëfytyrësi, pa papërgjegjshmëri, pa mashtrime, pa britmë frikësuese, pa dhunë despotike orientale! E shihni ç‘bën ai në Kuvend, në të vërtetë në gjysmëkuvendin e tij në krye me zonjushën Topalli, që për nga vrazhdësia politike është bërë kopja e tij? Bërtet Kryeministri në atë gjysmëkuvend, kërcënon, shantazhon, thotë të pavërteta, fyen, cenon, përdhos ndere e dinjitete! Dhe, vazhdon tutje. Shqipëria në terr në dimër dhe në verë! Kryeqyteti pa ujë në verë dhe në vjeshtë! E kryeministri vazhdon tutje i paprekur: askush nuk kërkon llogari prej tij po vetëm prej disa ministrave të tij. Hajde, thuajmani atë shtet në botë në të cilin do të mund të vazhdonte të kryeministronte njeriu politik nën qeverisjen e të cilit popullin e pllakosin një terr i tillë dhe një etje e tillë! Dhe, kriza politike njëra pas tjetrës!Tragjikomeditë, që nën mandatin e Sali Berishës po i shkaktohen Shqipërisë, janë të ndryshme, por ai vazhdon tutje si despotët në kalë të shalës. Ai, vetëm ai, e ka kuptuar mirë se ne durojmë e duam në pushtet vetëm mjeshtrit e teknologjisë së agresivitetit politik! E shkollën e kësaj mjeshtërie Sali Berisha ka pasur ku ta mësojë! Ishte nxënës i shkëlqyeshëm.
Marre nga gazeta " SHQIP"

Wednesday, October 17, 2007

Aspirinat e parlamentit te ardhshem te Kosoves !

Vjeshte.Dikund ne rrugen “Ilir Konushevci”,emer I cili ngjall mirenjohjen per ata qe dhane jeteen per ceshtjen shqiptare , gjethet e pemeve kane filluar tashme te gjejne vendin e tyre ne toke duke lene te zbrazeta deget . Eshte mengjes dhe rruget jane te mbushura me femije qe drejtohen drejt shkollave dhe prinderit ,vellezerit dhe motrat e tyre qe nxitojne per ne pune .
Kohet e fundit jeta ne Kosove ka marre nje drejtim paksa te cuditshem .Nje gjendje ekonomike qe shkon drejt rendimit dhe nje nivel I shpreses qe I afrohet kufijve te rrezikshem. Rinia e cila e ndien veten te pashprese ne realitetin e sotshem te Kosoves e sheh te ardhmen dikund jashte kufijve te vendit per te cilin enderruan ta kene te lire ose luftuan ta kene te tille .Ajo qe shohin sot banoret e Kosoves eshte nje qeverisje shterpe dhe e mbushur me aludime korrupsioni e paaftesie . Shpeshere ne mundohemi te gjejme fajin tek te tjeret a thua se ne nuk kemi ndonje peshe ne ate gjendje qe gjendemi .
Qeverisjet behen nga politika dhe kjo e fundit del nga populli qe e zgjedh ate politike .Mbrapa cdo veprimi politik duhet te jete perfaqesimi I popullit ,sovranit sic e quan nje nga politikanet e Shqiperise popullin I cili I jep voten te qeverise .
Po cka pare Kosova gjate viteve ?! Ka pasur qeveri legjitime te njohura (kohet e fundit ) si edhe qeveri hije apo te perkohshme .Secila prej tyre eshte munduar qe te beje nje fotografi te mbushur plot drite e ngjyra te kohes se qeverisjes se tyre .asnjera nuk mori mundimin ti tregoje popullit per deshtimet e tyre edhe pse ajo do ndikonte ne popullaritetin e tyre . Natyrisht ajo do ishte shume me e ndershme dhe me e sakte ne pikepamjen afatgjate te tyre .Kemi forca politike ne numer a thua se jemi popull 300 milion banoresh dhe jo 7 milion net e gjitha trojet .Secila prej tyre ka koston e vete te aktivitetit dhe natyrisht se per te bere jeten luksoze qe lideret e partive bejne sot duhen edhe shume me teper fonde sesa ata deklarojne .Megjithate kjo nuk eshte pjese e ketij artikulli .
Po lexoja listat e kandidateve per deputete te ardhshem te parlamentit te Kosoves .Besoj se tashme eshte koha te themi se ky do jete parlamenti I cili do beje realitet enderren shume vjecare te popullit shqiptar te Kosoves per ta pare ate me ate sy dhe veshtrim qe e pane Adem Jashari,Zahir Pajaziti,Ilir Konushevci ,Ardjan Krasniqi, Luan Hajradinaj ,Agim Ramadani, Fehmi & Xheve Lladrovci e shume e shume deshmore te luftes me te fundit te popullit shqiptar nga Kosova,Shqiperia,Maqedonia,Mali I Zi dhe lugina e Presheves .
Per te qene I tille duhet qe se paku niveli I ketij parlamenti te jete I niveleve me te larta te mundshme nga ana intelektuale dhe njerezore . Ky parlament duhet te jete bashkimi I vlerave njerzore dhe I vlerave te pastertise te secilit prej anetarevete ketij parlamenti . Ndermjet listave te paraqitura nga partite politike vihet re emancipimi I tyre duke vene nje numer te konsiderueshem femrash si candidate dhe shihet nje lloj xhelozie kur behet fjale per tituj shkencore .Duket sikur njera prej tyre ( dale nga divorci politik mes grupacioneve politike ne LDK) ka vendin e pare . Nderkohe qe ajo qe me ra ne sy me teper eshte vazhdimi I tradites nga disa forca politike por edhe nga te rejat qe te kandidohen figura te njohura te jetes kulturore . Shpresoj qe ne rast zgjedhjeje ( dhe personalisht I uroj suksese ) Memli Krasniqi do dije te pershtase gjuhen e te folurit ne parlament me personin e ri Memli Krasniqi dhe jo te mbetet me gjuhen e Etno Engjuj . Ne fund te fundit shpresoj qe ne rast se zgjidhen keto figurat e reja te pakten efekti I tyre do jete I njejte me aspirinen kur te ngrihet temperature e parlamentit te ri te Kosoves . Forcat politike duhet te mos harrojne se kane pergjegjesi ndaj atyre qe I zgjedhin jo vetem per sa kohe kane nevoje per ndihmen e tyre ,por gjate te gjithe kohes ne pushtet apo ne opozite . Populli eshte I atille qe u beson por nuk mundet kurrsesi te harroje kur ju qeverisni keq apo shperdoroni te ardhmen e tij . Mos mbyllni shpresat e rinise dhe ta drejtoni ate drejt kufinjve apo drogave ,por tregojini te ardhmen sic duhet . Suksese te gjithe kandidateve te paster te cilesdo force politike ,por mbi te gjitha susksese popullit shqiptar te Kosoves ne momentet e fundit drejt pavaresise .

Taulant Malaj

Meidani: "Sollaku 2", një tjetër "budallallëk" ligjor

"Topit i duhet një farë kohe të mësohet me ‘këpucët e reja‘ që ka veshur"

Komisioni i ri hetimor për kryeprokurorin e Përgjithshëm Theodhori Sollaku cilësohet prej ish-presidentit Rexhep Meidani si një tjetër "budallallëk" ligjor. Në një intervistë ekskluzive për gazetën "Shqip", ish-kreu i shtetit sqaron se e gjithë kjo luftë për të kontrolluar institucionet e pavarura tenton të largojë vëmendjen e qytetarëve ndaj problemeve jetike. Ndërsa shton se Topit i duhet ende kohë të mësohet me "këpucët e reja". Meidani analizon shkaqet e dështimit politik të opozitës në momentin e zgjedhjes së presidentit në korrikun e këtij viti. Koalicioni opozitar sipas tij ka treguar gjatë këtyre viteve se shpesh është shoqëruar nga konfuzioni dhe paqartësia politike, çka e kanë bërë të luajë dobët rolin që i takon. Zoti Meidani si i vlerësoni zhvillimet e fundit politike në periudhën pas krizës presidenciale? Nëse mund të quhen këto "vorbulla" politike që shohim e përjetojmë përditë zhvillime, atëherë nuk ja vlen të bëhen komente, aq më pak analiza. Për më tepër, që kjo ndërprerja disa mujore e energjisë na është kthyer, tashmë, në mënyrë absurde, në një çështje rutinë të jetës tonë ekonomike, social-kulturore e politike-institucionale. Personalisht, të isha drejtues, në kushte të tilla absurde, gati represive, nuk do të guxoja të dilja nëpër mjedise publike e ekrane televizive, apo të formuloja "përralla" të tjera para qytetarëve, dhe, akoma më e turpshme, të gënjeja ose t‘iu "qeshja" në fytyrë atyre!... Duke u rikthyer mbrapa a mendoni se opozita dështoi ne momentin e zgjedhjes së kreut të shtetit pasi e kishte të shkruar objektivin për kalim në zgjedhje të parakohshme?Pa dyshim, që ishte një dështim politik. Ajo me lojën e saj shumë-emërore dhe me ruajtje "zarfesh intimë" apo shpikje lloj-lloj emrash të çastit të fundit e humbi tempin e imponimit për ta nxjerrë e fituar ajo kandidaturën për president. Ndërsa, për sa i përket objektivit "për kalim në zgjedhje të parakohshme", ky objektiv, për shumicën e partive të koalicionit, përfshirë dhe PS-në, ishte një "kartë për konsum", thjesht e natyrës retorike-partiake apo, jo më shumë se një pseudo-slogan politik-elektoral, i lëshuar gjoja për "kushtrim" e mobilizim elektoral. Përndryshe, ç‘kuptim kishin propozimet "me listë" nga e majta për postin e presidentit apo, për më tepër, pjesëmarrja, fillimisht dypalëshe dhe pastaj shumëpalëshe, në tavolinën pozitë-opozitë për përzgjedhjen e kandidatit konkret konsensual!?..Duket se pas këtij momenti politik opozita nuk ka marrë ende veten. Mungon pesëshja e zakonshme e aleatëve, kemi deklarata të lëkundura të Cekës dhe Milos. Në një moment u duk sikur e majta e vërtetë është vetëm treshja PS-LSI-PSD pasi të tjerët mund të kalonin djathtas...Kam përshtypjen se, përveç fitores së bujshme të zgjedhjeve vendore në qytetet kryesore, opozita ka manifestuar, në një pjesë dërmuese të rasteve, gjatë këtyre dy vjetëve, konfuzion, paqartësi e jo pykëzim. Në një farë mënyre, kjo mund të justifikohet dhe nga sjellja arrogante, antidemokratike e uzurpuese e pozitës! Nga ana tjetër, nuk mund të mohohet që pas suksesit në qytetet e mëdha, PS-ja e humbi tempin e vërtetë të pas zgjedhjeve vendore, duke u marrë vetëm me veten, me organizimin e zgjedhjeve partiake të parakohshme brenda saj, gjë që solli dhe përplasje e reaksione të panevojshme. Normalisht, në gjykimin tim, ky proces duhej të zhvillohej në kohën e vet. Të krijohet pa dashje përshtypja që ky përshpejtim u bë edhe nga zhurmat për rikthimin e z.Nano në veprimtarinë politike, parlamentare e partiake... Sidoqoftë, të paktën për sy neutralë, opozita e ka luajtur dobët rolin e saj, sidomos për çështje të ditës, që lidhen ngushtësisht me qytetarin-konsumator. Në këtë optikë dhe "luhatjet" e fundit, krahas problematikës individuale, janë dhe shprehje të kësaj sjellje të përgjithshme opozitare...Në Partinë Socialiste tanimë duket se ka filluar lufta mes Ramës dhe Nanos. Ky i fundit ende nuk ka bërë të qartë se çfarë kërkon por ka lëshuar një lum akuzash ndaj Ramës dhe ndaj gjithë krerëve të koalicionit opozitar. A mendoni se lëvizja Nano ka një bazë të shëndoshë që mund ta çojë në sukses?Kjo lëvizja e re e z.Nano, e ashtuquajtur "institucionaliste", ndryshon në formë e përmbajtje, në spektër e mbështetje, nga ato të mëparshmet të pagëzuara si: lëvizja "mocioniste" (1996) apo ajo "katarsiste" (2001). Ajo, të paktën deri tani, nuk duket se ka arritur mbështetjen mediatike e intelektuale të pritur. Por jo për "faj" të objektivit apo programit të saj ende të pa ekspozuar plotësisht. Nga ana tjetër, kjo mangësi aktuale, madje e dyanshme në kampin socialist, nuk do të thotë aspak që të mund të pretendohet e deklarohet me indiferencë, pakujdesi e megalomani nga figura kryesore të drejtimit të PS-së së sotme, si dikur për lëvizjen Meta (nga ana e vetë z. Nano-kryetar partie e kryeministër i asaj kohe), si diçka pa bazë ose pa përqindje mbështetëse, si një "çikërrimë" politike, apo më keq si "mbushje sallash me autobusë"!... Sidoqoftë, është fakt që mjaft zëra të njohur të analizës politike, në pjesën dërrmuese të tyre, nuk kanë shfaqur ndonjë mbështetje të dukshme, përkundrazi. Kjo dhe për arsye të mosbesimit ndaj protagonistit kryesor! Po ashtu, një rol jo të vogël mund të luajë më tej dhe fakti se tashmë kjo lëvizje drejtohet nga një ish kryetar partie, kurse p.sh. lëvizja për katarsis drejtohej nga një kryetar partie në pushtet, në "shërbim" të cilit ishin të gjitha strukturat vendore të partisë. Ndërsa e para drejtohej brenda partisë (nën drejtimin e kryetarit të saj) kundër kryeministrit Meta, vetëm anëtar kryesie në PS-në e asaj kohe, kjo e sotmja me orientim të qartë anti-Rama, drejtohet nga jashtë kryesisë kundër kryetarit aktual të PS-së dhe njëkohësisht drejtuesit të një institucioni mjaft të fuqishëm, siç është bashkia e kryeqytetit. Gjithashtu, në trajtën e shpallur, vetë kjo lëvizje, ndryshe nga lëvizja për katarsis me objektiv luftën kundër korrupsionit (të mirëpritur nga të gjithë qytetarët), është një lëvizje ekuilibri dhe fuqie vetëm brenda institucionit të PS-së (pra, dhe me spektër shumë më të ngushtë). Prandaj ajo nuk shfaq ndonjë interes për shtresime të tjera shumë më neutrale në pikëpamje politike-partiake. Ndoshta, ajo mund të mirëpritet, deri diku, nga mbështetësit e partive të koalicionit aktual qeveritar, me llogaritjen e thjeshtë të ruajtjes së pushtetit politik edhe pas zgjedhjeve të ardhshme elektorale, me gjithë dështimin qeverisës të derisotëm. Krahas, këtyre aspekteve jo të favorshme, edhe mjaft media të shkruara e elektronike, ndryshe nga lëvizja e dikurshme për katarsis, në shumicën e rasteve janë shfaqur relativisht apatike e indiferente, pse jo dhe me prirje minimizuese. Përjashtim kanë bërë deri diku, sidomos ato media, që kanë një prirje të lexueshme pro qeveritare, gjë që mund t‘iu shërbejë deri diku si "kundër-argument politik" dhe kundërshtarëve të ashpër ndaj kësaj lëvizjeje me pretendime "institucionaliste" brenda PS-së. Pa harruar që dhe kjo mbështetje e tanishme, mund të vazhdojë, ndoshta, derisa të konsiderohet e të vlerësohet në shërbim të interesave konkrete të qeverisë dhe të PD-së. Nga ana tjetër, nuk mungojnë zërat, që mungesa e shënuar e mbështetjes aktuale në median e shkruar e elektronike, në ndonjë rast, krahas vlerësimeve e pozicionimeve redaksionale, mund të lidhet dhe me interesa konkrete të pronarëve, jashtë fushës mediatike!...Sidoqoftë, pavarësisht këtij ndryshimi jo të vogël, në formë e përmbajtje, sidomos midis dy lëvizjeve asaj "katarsiste" dhe asaj "institucionale", kjo e fundit, të paktën, në një analizë të brendshme dhe të thellë brenda forumeve të larta të PS-së, duhet të konsiderohet me të gjithë seriozitetin e nevojshëm të sotëm dhe të perspektivës. Për më tepër, kapërcimi i kësaj situate përplasjeje, nëpërmjet tolerancës e kompromisit, ekuilibrit të forcave dhe jo ushtrimit të forcës, është dhe mbetet matësi i vërtetë i vizionit dhe vitalitetit politik-intelektual të vetë hierarkisë së drejtimit brenda një force politike moderne. Kjo e vërtetë universale vlen dhe në këtë rast. Përndryshe, rezultati politik në betejat e ardhshme mund të rezultojë krejtësisht jo produktiv, mjaft i dëmshëm, bile shkatërrimtar në rrafshin e fuqisë jo thjesht për protagonistët kryesorë, por dhe për vetë të majtën shqiptare...Ju, zoti Meidani, jeni një prej figurave më të spikatura brenda PS-së. Në këndvështrimin tuaj si po drejton zoti Rama partinë dhe raportet me aleatët? Ka akuza për totalitarizëm dhe zhdukje të mendimit oponent në struktura...Nuk mund të them se nuk ka probleme e paqartësi, madje shpesh dhe hutim, deri paralizë e mungesë vizioni. Vihen re edhe luhatje të konsiderueshme pozicionimi, deri kërcime "olimpike" nga një anësim në tjetrin, përfshirë, p.sh., dhe atë "gjelbrist". Ka dhe një prirje të spikatur opozicioni me element bazë: negacionin. Por, nëse dikush pretendon e deklaron, nisur dhe nga një projekt-kod etik të pa miratuar në asamblenë socialiste, për zhdukje të mendimit ndryshe apo totalitarizëm-siç e formuloni ju pyetjen tuaj- përgjegjësia bazë për reflektim e analizë të kësaj deklarate reale ose jo, apo dhe, në përgjithësi, ndaj pretendimeve, akuzave e situatave konkrete, dhe mbi të gjitha për sqarimin, rregullimin apo korrigjimin e tyre, nuk i takon thjesht kryetarit të partisë, por kryesisë e forumeve të tjera të saj. Ndërkohë, nuk mund të mohohet se si unë, edhe në PS-në e sotme, janë të shumtë ata (kryesisht jashtë "kupolës" rozë), që shpalosin hapur dhe publikisht mendimin, vëzhgimin, analizën apo kritikën e tyre. Nuk e kam fjalën për grupimin rreth z.Nano. Krejt ndryshe, nga zbehtësia e oponencës dhe e kundërshtimit, e analizë-sintezës kritike, është situata në partinë tjetër të madhe, atë në qeverisje...Mazhoranca ka rifilluar luftën pa kthim drejt largimit të kryeprokurorit Theodhori Sollaku. A është i drejtë qëndrimi i opozitës që ndonëse nuk deklarohet hapur për qëndrimin e zotit Sollaku në detyrë debaton kryesisht për formulën që duhet aplikuar për ta larguar si pjesë e reformës në drejtësi?Nuk e di se ç‘lidhje ka midis një reforme parimore, ligjore e kushtetuese, në drejtësi dhe një emri konkret në një nga institucionet e saj. Kjo për çdo njohës neutral të funksionimit të shtetit të së drejtës apo vëzhgues ligjor të jashtëm duket krejt pa kuptim e lidhje, madje si një tendenciozitet e veprim antidemokratik. Nga ana tjetër, lufta dyvjeçare politike, mjaft e turpshme dhe denigruese kundër institucionit të Prokurorit të Përgjithshëm, formulimet absurde të akuzave ndaj tij apo tejkalimet ligjore e shkeljet kushtetuese me komisionin hetimor parlamentar nuk mund të mos krijonin këtë ngërç të sotëm, zgjidhja e detyruar e të cilit nuk mund të jetë gjë tjetër veçse një shkelje kushtetuese apo ndonjë "budallallëk" ligjor i radhës, qoftë dhe me një komision tjetër hetimor(!), kur kanë kaluar vetëm disa muaj nga hedhja në "kosh" e veprimtarisë së tij partizane të mëparshme, si prej Gjykatës Kushtetuese, ashtu dhe Presidentit të Republikës. Tamam për këtë rast vlen ajo thënia e urtë popullore: "Hedh një budalla një gur në lum dhe hidhen dhjetëra të mençur për ta gjetur e nxjerrë atë". Por, në fund të fundit, me këtë situatë energjetike e ekonomike tepër kritike ajo që mund të "luhet" më mirë sot politikisht është heqja e vëmendjes ndaj këtij thelbi problematik për qytetarin me "shfaqje" nga më të ndryshmet, përfshirë dhe "pushtimin" e të gjitha institucioneve të shtetit... Zoti Meidani, si ish-president i Shqipërisë, cili është vlerësimi juaj për punën e deritanishme të zotit Topi. Ndonëse ishte vënë në prove për paanshmëri duket se çështja e prokurorit e ka lëkundur këtë pozicion?Pavarësisht paragjykimit! Është ende herët për të dhënë vlerësime fillestare. Pastaj dhe kur vesh një palë këpucë të reja të duhet njëfarë kohe që të mësohesh dhe të ndjehesh më "familjar" me to. Ky krahasim më erdhi në mend nga që kur bënim dikur ndonjë palë këpucë me porosi (në një dyqan të veçantë, në rrugën e Postës, gati 35 vjet më parë), na duhej jo pak kohë që të mësoheshim me to...Klasa politike ende nuk ka nxjerrë një produkt konkret në drejtim të reformës zgjedhore. A keni një mendim tuajin rreth debatit për sistemin zgjedhor apo pragun elektoral?Dyshoj që vonesa e deritanishme është politikisht e qëllimshme. Edhe prodhimet e përditshme të "iniciativave" politike apo shpërndarjet në vazhdimësi të vëmendjes i shërbejnë jo pak këtij qëllimi. Për fat të keq dhe opozita ka rënë preh e kësaj loje...Për sa i përket një reforme konkrete zgjedhore, në gjykimin tim, nisur dhe nga mosbesimi i ndërsjellë partiak apo pjekuria politike aktuale, dy janë mundësitë: - Ose të mbahet sistemi ekzistues i përzierë mazhoritar-proporcional, por të respektohet kushtetuta, d.m.th. zgjedhjet e përgjithshme të zhvillohen me dy raunde për të shmangur në maksimum "dukurinë e dushkut", si një shfaqje evidente e korrupsionit të drejtpërdrejtë politik; dhe kjo arrihet pa e prekur pjesën përkatëse të kushtetutës (nenin 64 të saj); - Ose, të kalohet në sistemin proporcional të thjeshtë ("flat", d.m.th. pa prag ose me prag minimal, p.sh., sa aktuali) apo në atë proporcional rajonal; dhe kjo është e mira të arrihet vetëm me ndërhyrje konsensuale në kushtetutë. Për të shmangur në maksimum korrupsionin politik e financiar (në korrektësinë e dokumentim-votimit, atë të numërimit, deri manipulimin e votimin e shumëfishtë, blerjen e votave dhe të komisionerëve, financimet e dyshimta elektorale, sidomos ato individuale etj.), më duket se për një periudhë të parë një "shpëtim" zgjedhor antikorruptiv mund të ishte sistemi proporcional pa prag fare. Kjo edhe pse mund ta bëjë problematike, deri shqetësuese, fuqizimin e rolit të kryetarit të partisë në hartimin e listës shumë emërore... (vijon) Nesër do të lexoni: Në pjesën e dytë të intervistës ekskluzive me ish-presidentin Rexhep Meidani do të lexoni vlerësimet e tij rreth ecurisë së bisedimeve për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Meidani jep gjykimin personal rreth rrezikut që situata në Kosovë të acarohet nisur nga kërcënimet publike të ekstremistëve nga të dy palët. Ish-kreu i shtetit prononcohet edhe lidhur me deklaratën e akademikut Rexhep Qosja se "një ditë, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të ndodhë". Po ashtu, ish-presidenti komenton edhe nivelin e reagimit të Tiranës zyrtare në raport me çështjen e Kosovës.

Dardan Malaj

Dosja e Prokurorisë kundër Bashës

Sollaku i përgjigjet dhëmb për dhëmb mazhorancës: T‘i hiqet imuniteti
Ish-Ministri i Transporteve, Lulzim Basha, aktualisht ministër i Jashtëm, është përgjegjësi kryesor i abuzimeve në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Prokuroria e Përgjithshme zyrtarizoi dje kërkesën, drejtuar Parlamentit të Shqipërisë, për heqjen e imunitetit ndaj deputetit Basha. Rreth orës 09:00 të ditës së djeshme, një korrier i akuzës qendrore është nisur në drejtim të Parlamentit me një dosje prej 23 faqesh. Në të thuhet se Prokuroria e Tiranës në datën 09 mars 2007, regjistroi një kallëzim për shkeljet e kryera nga zyrtarët e strukturat e Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit për ndërtimin e rrugëve të ndryshme kombëtare dhe kryesisht për financimet e kryera për ndërtimin e segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash. Sollaku thotë se, krahas marrjes të pandehur të disa zyrtarëve për këtë abuzim, është arritur në konkluzionin se përgjegjës për shkeljet e konstatuara është edhe ish-ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe njëkohësisht deputet, zoti Lulzim Basha. Më poshtë, akuza rendit një serë shkeljesh apo refuzimesh të qeverisë për të bashkëpunuar me grupin hetimor. "Prokuroria ka marrë vendim sekuestrimi për gjithë dokumentacionin që lidhet me miratimin e këtyre vendimeve dhe që ndodhet në Këshillin e Ministrave. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave nuk ka pranuar që të vërë në dispozicion të hetimit procesverbalet e mbledhjeve të Këshillit të Ministrave. Me gjithë kërkesat tona të vazhdueshme, akoma dhe sot nuk na janë vënë në dispozicion këto procesverbale" shkruhet në dosjen e prokurorisë. Më tej përmendet se ish-ministri i Transporteve ka mashtruar opinionin publik, por edhe akuzën qendrore për përzgjedhjen e konsulentit "Ecorys Group". "Përzgjedhja e tij ka qenë e paracaktuar nga zoti Lulzim Basha. Nuk ka asnjë dokument apo dëshmi që të provojë se cili ekspert i Bankës Botërore ka bërë sugjerimin, kush janë shoqëritë e tjera të sugjeruara, cilat janë ofertat e tyre financiare. Për më tepër, Banka Botërore në deklarimet që ka bërë në shtyp ka mohuar pjesëmarrjen e saj në këto procedura", thuhet në dosje. Kreu i akuzës vijon më tej, se kontrata është miratuar pa pasur një projekt përfundimtar të detajuar për zbatim dhe në kushtet e mungesës së oponencës teknike për projektin që do zbatohet. Akoma dhe sot nuk është përfunduar projekti i plotë i kësaj rruge. Kontrata është lidhur pa pasur të përcaktuar një fond limit. "Mungesa e projektit përfundimtar i jep mundësi shoqërisë sipërmarrëse të rrisë në mënyrë të pakontrolluar shumën e parave që duhen për përfundimin e kësaj rruge", thuhet në dosjen e prokurorisë. Si konkluzion, prokuroria deklaron se kontrata favorizon dukshëm subjektin sipërmarrës në dëm të interesave të shtetit shqiptar. "Mungesa e projektit dhe mundësia për ndryshimin e vazhdueshëm të tij, mungesa e supervizorit, mundësia e ndryshimit të çmimeve për njësi dhe si rrjedhim dhe ndryshimi i vlerës së përgjithshme të kontratës dhe shkeljet e tjera të përcaktuara më sipër i japin mundësi shoqërisë Bechtel Inc.-Enka që të kërkojë dhe marrë shuma parash të pakontrolluara nga shteti shqiptar", shton akuza qendrore. Më tej, akuza vijon se: "Zoti Lulzim Basha është marrë personalisht me realizimin e këtij projekti, që nga organizimi i përzgjedhjes së konsulentit dhe deri në nënshkrimin e kontratës dhe modalitetet e fillimit të zbatimit të saj. Askush nga personat që kanë nënshkruar akte të caktuara nuk merr përsipër të jenë parashtruar variante apo të jenë diskutuar ato në drejtoritë e specializuara, por mjaftohen duke deklaruar se ‘me këtë punë është marrë ministria‘, fakt i cili përbën një indicie se ‘me këtë problem është marrë ministri‘, e dhënë e cila duhet të hetohet". Në fund të dosjes, Sollaku saktëson se në këto rrethana, provat e grumbulluara deri tani dhe sqarimi i fakteve të paraqitura më sipër e bëjnë të domosdoshme ushtrimin e ndjekjes penale ndaj zotit Lulzim Basha. "Zoti Lulzim Basha është thirrur disa herë nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor për t‘u pyetur si deklarues, por nuk ka pranuar të paraqitet, duke iu shmangur hetimit. Zoti Lulzim Basha është deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe si i tillë ai gëzon imunitet ndaj ndjekjes penale. Për sa më sipër, me qëllim që të vazhdojmë hetimet për veprat penale të mësipërme, kërkojmë autorizim për procedim penal në ngarkim të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, zotit Lulzim Basha", përfundon Sollaku kërkesën ndaj Parlamentit të Shqipërisë.
Ky artikull eshte kortezi e gazetes "SHQIP"

Parashimi i motit per Tiranen