Wednesday, October 17, 2007

Dosja e Prokurorisë kundër Bashës

Sollaku i përgjigjet dhëmb për dhëmb mazhorancës: T‘i hiqet imuniteti
Ish-Ministri i Transporteve, Lulzim Basha, aktualisht ministër i Jashtëm, është përgjegjësi kryesor i abuzimeve në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Prokuroria e Përgjithshme zyrtarizoi dje kërkesën, drejtuar Parlamentit të Shqipërisë, për heqjen e imunitetit ndaj deputetit Basha. Rreth orës 09:00 të ditës së djeshme, një korrier i akuzës qendrore është nisur në drejtim të Parlamentit me një dosje prej 23 faqesh. Në të thuhet se Prokuroria e Tiranës në datën 09 mars 2007, regjistroi një kallëzim për shkeljet e kryera nga zyrtarët e strukturat e Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit për ndërtimin e rrugëve të ndryshme kombëtare dhe kryesisht për financimet e kryera për ndërtimin e segmentit rrugor Rrëshen-Kalimash. Sollaku thotë se, krahas marrjes të pandehur të disa zyrtarëve për këtë abuzim, është arritur në konkluzionin se përgjegjës për shkeljet e konstatuara është edhe ish-ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe njëkohësisht deputet, zoti Lulzim Basha. Më poshtë, akuza rendit një serë shkeljesh apo refuzimesh të qeverisë për të bashkëpunuar me grupin hetimor. "Prokuroria ka marrë vendim sekuestrimi për gjithë dokumentacionin që lidhet me miratimin e këtyre vendimeve dhe që ndodhet në Këshillin e Ministrave. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave nuk ka pranuar që të vërë në dispozicion të hetimit procesverbalet e mbledhjeve të Këshillit të Ministrave. Me gjithë kërkesat tona të vazhdueshme, akoma dhe sot nuk na janë vënë në dispozicion këto procesverbale" shkruhet në dosjen e prokurorisë. Më tej përmendet se ish-ministri i Transporteve ka mashtruar opinionin publik, por edhe akuzën qendrore për përzgjedhjen e konsulentit "Ecorys Group". "Përzgjedhja e tij ka qenë e paracaktuar nga zoti Lulzim Basha. Nuk ka asnjë dokument apo dëshmi që të provojë se cili ekspert i Bankës Botërore ka bërë sugjerimin, kush janë shoqëritë e tjera të sugjeruara, cilat janë ofertat e tyre financiare. Për më tepër, Banka Botërore në deklarimet që ka bërë në shtyp ka mohuar pjesëmarrjen e saj në këto procedura", thuhet në dosje. Kreu i akuzës vijon më tej, se kontrata është miratuar pa pasur një projekt përfundimtar të detajuar për zbatim dhe në kushtet e mungesës së oponencës teknike për projektin që do zbatohet. Akoma dhe sot nuk është përfunduar projekti i plotë i kësaj rruge. Kontrata është lidhur pa pasur të përcaktuar një fond limit. "Mungesa e projektit përfundimtar i jep mundësi shoqërisë sipërmarrëse të rrisë në mënyrë të pakontrolluar shumën e parave që duhen për përfundimin e kësaj rruge", thuhet në dosjen e prokurorisë. Si konkluzion, prokuroria deklaron se kontrata favorizon dukshëm subjektin sipërmarrës në dëm të interesave të shtetit shqiptar. "Mungesa e projektit dhe mundësia për ndryshimin e vazhdueshëm të tij, mungesa e supervizorit, mundësia e ndryshimit të çmimeve për njësi dhe si rrjedhim dhe ndryshimi i vlerës së përgjithshme të kontratës dhe shkeljet e tjera të përcaktuara më sipër i japin mundësi shoqërisë Bechtel Inc.-Enka që të kërkojë dhe marrë shuma parash të pakontrolluara nga shteti shqiptar", shton akuza qendrore. Më tej, akuza vijon se: "Zoti Lulzim Basha është marrë personalisht me realizimin e këtij projekti, që nga organizimi i përzgjedhjes së konsulentit dhe deri në nënshkrimin e kontratës dhe modalitetet e fillimit të zbatimit të saj. Askush nga personat që kanë nënshkruar akte të caktuara nuk merr përsipër të jenë parashtruar variante apo të jenë diskutuar ato në drejtoritë e specializuara, por mjaftohen duke deklaruar se ‘me këtë punë është marrë ministria‘, fakt i cili përbën një indicie se ‘me këtë problem është marrë ministri‘, e dhënë e cila duhet të hetohet". Në fund të dosjes, Sollaku saktëson se në këto rrethana, provat e grumbulluara deri tani dhe sqarimi i fakteve të paraqitura më sipër e bëjnë të domosdoshme ushtrimin e ndjekjes penale ndaj zotit Lulzim Basha. "Zoti Lulzim Basha është thirrur disa herë nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor për t‘u pyetur si deklarues, por nuk ka pranuar të paraqitet, duke iu shmangur hetimit. Zoti Lulzim Basha është deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe si i tillë ai gëzon imunitet ndaj ndjekjes penale. Për sa më sipër, me qëllim që të vazhdojmë hetimet për veprat penale të mësipërme, kërkojmë autorizim për procedim penal në ngarkim të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, zotit Lulzim Basha", përfundon Sollaku kërkesën ndaj Parlamentit të Shqipërisë.
Ky artikull eshte kortezi e gazetes "SHQIP"

No comments:

Parashimi i motit per Tiranen