Monday, July 14, 2008

Përplasjet për tenderë

Lufta PDK-LDK për Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik

Konflikti verbal midis ministrit te Postës dhe Telekomunikacionit Fatmir Limaj dhe Naser Osmanit ish zëvendës ministër i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për anëtarët e organit më të lartë të Prokurimit Publik, sipas listës së anëtarëve të propozuar nga Qeveria dhe CV-ve të tyre, duket qartë se është rezultat i përplasjeve se kush të kontrollojë fushën e tenderëve. Përderisa KRPP-ja ka qenë organ i kontrolluar nga LDK-ja, OSHPP-ja, si organi më i lartë, tani ka gjasë të kontrollohet nga PDK-ja

SERBEZE HAXHIAJPrishtinë, 13 korrik - Lufta për kontrollin e tenderëve, e cila rezultoi ditë më parë me konfliktin verbal midis Fatmir Limajt dhe Naser Osmanit, duket se do të nxjerrë edhe më tej telashe të mëdha në koalicionin qeverisës dhe miliona euro humbje për buxhetin e Kosovës. Lista prej pesë emrave të propozuar nga Qeveria për organin më të lartë të Prokurimit Publik që do të formohet tani, Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHPP), tre prej të cilëve janë refuzuar, tregon se PDK-ja po merr nën kontroll fushën e prokurimit.Kandidatët e propozuar për anëtarë të këtij organi nuk janë vetëm anëtarë të PDK-së, por njëri nga ata është edhe në farefis me kryeministrin Hashim Thaçi.Hysni Hoxha, Tefik Sulejmani dhe Demë Keka janë emrat që kanë kaluar nga Organi i Pavarur për Përzgjedhjen e Kandidaturave për anëtarë të OSHPP-së, kurse dy kandidatët që kanë rënë nga kombinimi për shkak se nuk kanë plotësuar asnjë nga kriteret e parapara me ligj janë Ahmet Krasniqi dhe Lulëzim Blakaj. Në CV-të e të dyve që “Lajm” i ka siguruar në Kuvend, shkruan se ata janë anëtarë të PDK-së. Burime të gazetës nga organi përzgjedhës, i cili është formuar nga Këshilli Gjyqësor Prokurorial, në përbërje të gjykatësve Rifat Zylfiu, Besa Krajku dhe Isak Ademi, asnjë nga kandidaturat nuk kanë njohuri në fushën e prokurimit.Ndërkohë, që prej 30 qershorit, kur edhe ka skaduar mandati për shqyrtim të ankesave të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), në adresë të këtij institucioni kanë mbërri 16 ankesa, shumica nga ato janë për kontrata milionëshe dhe tani ato janë përgjegjësi e askujt. Që prej 31 dhjetorit të vitit të kaluar, kur është dashur të formohet organi i ankesave, PSSP-ja dy herë u ka zgjatur autorizimin për t’u marrë me ankesa KRPP-së, ndërsa BE-ja kishe bërë vërejtjen serioze se emërimet për organin më të lartë të Prokurimit Publik janë ekstra politike.Naser Osmani, ish-zëvendësministër i Tregtisë dhe Industrisë, koka e të cilit ra e para në luftën për monopolin e tenderëve, tha se PDK-ja dëshiron të kontrollojë fushën e tenderëve dhe se anëtarët që ka propozuar janë nga kjo parti. “Shikoni në KRPP dhe shihni çfarë po ndodh me ankesat. Njerëzit nuk guxojnë as të ankohet, pastaj shikoni çfarë presionesh po ndodhin rreth tenderëve njëburimorë në Agjencinë e Prokurimit Publik (APP)”, tha Osmani.Por, derisa lufta për monopol po vazhdon, niveli i ankesave ka rënë në zero në Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit (MTK), e cila për dallim nga viti i kaluar që ka pasur 33 ankesa, sivjet nuk ka asnjë të tillë. Burime të KRPP-së, me kusht anonimiteti, kanë shpjeguar se në këtë ministri niveli i ankesave ka rënë për shkak se ofertuesve po u premtohet se do jenë fitues herën tjetër ose ka ndodhur edhe raste kërcënimi. “Rasti i KEK-ut, ku për ekskavatorët është kërkuar tender njëburimor dhe i është refuzuar nga APP-ja, dhe rasti i tenderit për ndërtesën ‘Rilindja’, janë vetëm dy nga rastet që ankuesit po frikësohen dhe se ka presione në procedurat shqyrtuese”, tha ky burim.
Ismet Hajrullahu, këshilltar për media i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, tha se procesi i emërimeve për OSHPP, pritet të përfundojë deri kah fundi i muajit. “Janë dërguar pesë kandidatura dhe dy prej tyre janë refuzuar, tani duhet të ketë propozime të reja dhe kjo është arsyeja e vetme dhe nuk ka kurrfarë ndikimi politik të PDK-së në këtë proces”, tha Hajrullahu.Shefja e Agjencionit të Prokurimit Publik (APP), Vlora Kuçi, nuk ka preferuar të flasë rreth presioneve në tenderët njëburimorë. Ajo vetëm ka thënë se kërkesa e KEK-ut për tender njëburimor është përmbyllur me rekomandimin për tender të hapur.Iliaz Duli, kryetar i Bordit të KRPP-së, tha se OSHPP-ja, pritet t’ia lehtësojë punën e KRRP-së dhe se tani e tutje ata do të jenë kryefjala e vendimeve sa i përket ankesave në fushën e prokurimit. “Besoj se do të instalohet një organ profesional dhe i paanshëm. Tani akoma nuk i dimë njerëzit dhe tërë procesin”, tha Duli.Deri më tani KRPP është cilësuar si organ i kontrolluar nga LDK-ja për shkak se njeriu kyç në shqyrtimin e ankesave ka qenë Nexhat Shabani, baxhanaku i ish-presidentit Ibrahim Rugova, dhe shumë shkelje janë lidhur me emrin e tij. Por, kjo nuk qëndron sipas shefit të KRPP-së, i cili pranon se ka pasur probleme dhe thotë se nuk kanë mundur të jenë krejt të përsosur. Ahmet Krasniqi, njëri nga kandidatët e diskualifikuar në këtë garë, tha se disa persona të LDK-së nga KRPP-ja kanë ndikuar në panelin përzgjedhjes për të mos kaluar ai në këtë garë. “Shihet se ka pasur tendenca politike në këtë garë dhe se përzgjedhja nuk ka qenë fer”, tha Krasniqi. Me gjithë përpjekjet “Lajm” nuk ka mundur të kontaktojë personin më kontestues të kësaj liste, Demë Kekën, i cili aktualisht punon në Zyrën Ligjore të Kryeministrisë.

Parashimi i motit per Tiranen