Friday, April 2, 2010

Ndërrim stinësh në qeverinë e Prishtinës.

Nga Taulant Malaj

Rrugët e Prishtinës kanë filluar të gumëzhijnë nga kalimtarët e shumtë që duan të shijojnë ngrohtësinë pranverore që fundi i Marsit duket të ketë sjellë. Pemët decorative kanë marrë tashmë një tjetër pamje, më të gjallëruar, më të ndritshme. Zymtësinë e dimrit e ka zënë tashmë një stinë tjetër, një stinë që kundërmon nga lulet dhe fillimi i një jete të re në botanikën e tokës ku jetojmë.

Ndryshime të tilla sjellin padyshim edhe ndryshime në sjelljet e qënieve njerëzore. Qarkullimi i gjakut duket të ndodhë shumë më vrullshëm sesa në stinët paraardhëse duke furnizuar qelizat trupore me sasinë e nevojshme për një funskionim më të mirë.

Bazur në të tilla fakte kishte kohë që në korridorët politikë të Prishtinës, por jo vetëm, flitej për ndryshime të mundëshme në radhët e qeverisë Thaci. Një qeveri e cila tregon kujdes në mos cënimin e balancave police që e formuan duket se po vazhdon qëndrimin në këmbët e saja pavarësisht kritikave dhe akuzave për korrupsion dhe stagnim të zhvillimit të Kosovës.

Përfaqësuesit e administratës ndërkombëtare në Kosovë, sikurse edhe shumë përfaqësues të organizatave joqeveritare që veprojnë në Kosovë, kishin kohë që kërkonin një ndryshim të tillë duke arritur edhe deri në kërkesat për ndryshime specifike në radhët e kabinetit. Dhe natyrisht që kryeminsitri si edhe presidenti, duke qënë kryetarë të partive respektive qeverisëse, i “dëgjuan” këto kërkesa dhe vepruan për plotësimin e tyre. Por, cfarë paraqesin këto ndryshime? Anën e dobët të qeverisjes apo idenë për të përfshirë energji të reja në procesin e qeverisjes?

Duke parë ndryshimet bie në sy se emri më i përfolur për ndryshime duket ti ketë qëndruar stuhisë duke thelluar edhe më tepër hendekun mes shoqërisë civile dhe qeverisjes. Politika e Prishtinës duket ta ketë të vështirë të heqë dorë nga mbrojtja ndaj personave të caktuar që nën mburojën e imunitetit qeverisës apo parlamentar vazhdojnë të abuzojnë me fondet e taksapaguesve. Në këtë pikë duket se politika e Prishtinës dhe e Tiranës ndajnë tipare të përbashkëta: Nënvlerësimi i organeve të drejtësisë dhe shoqërisë civile.

Një tjetër element është përfshirja e ish kryeminsitrave të Kosovës, Rexhepi dhe Bukoshi. Z. Rexhepi është i njohur për pozicionim pozitiv në problemet me të cilat është përballur Mitrovica por që duket të ketë arritur pak sukses në zgjidhjen e problemit. Duke qënë në një rol ministror atëherë është koha që potenciali i tij në mbrojtje të interesave të popullatës së Mitrovicës të vihet në përdorim dhe në të njëjtën kohë ky problem të marrë një dimension tjetër. Sa e mundshme është kjo dhe a mund të kthehet pranimi i postit të minsitrit te brendshëm nga ana e Dr. Rexhepit në një dispaftë politike duke qënë se mund të humbasë kredibilitetin që gezon?! Kryesia e PDK-së duket të ketë qënë nën presion të vazhdueshëm qftë të brendshëm, qoftë edhe nga jashtë strukturat e saj, për të bërë ndryshime dhe kësisoj për të ruajtur vazhdiësinë qeverisëse. Z. Thaci e di mirë matematikën e votave dhe atë se qevrisja mund të rrezikohet nga rritja e presionit mbi muret e brishta të ndërtesës së qeverisë së tij. Balancimi i interesave grupore brenda partisë siguron mbeshtetje për vashdimësi të cfaredo lloji qoftë.

Ish kryeministri Bukoshi nga ana tjetër duket të kete flakur tej mosmarrveshjet që ka patur me pjestarë të udhëheqjes politike të UCK-së dhe me hyrjen në kabinetin Thaci është me shikim drejt se ardhmes. Vendosja e tij në një post të tillë, sikurse Ministria e Shëndetësisë, duket se nuk përkon me kalibrin e tij por sidoqftë është një pozicionim pozitiv për të personalisht dhe gjendjen në të cilën ndodhet momentalisht LDK-ja. Largimi i figurave kyce, humbja në zgjdhje lokale dhe akuzat për korrupsion ndër anëtarët e kryesisë së saj sikurse pikëpamjet e ndryshme deri ne konfliktuale ndërmjet anëtarëve të kryesisë bejnë që Z. Sejdiu të kushtojë kujdes mbajtjes së balancës politike të forcës që ai drejton dhe e cila mund ta lërë pa karrige.

Pra ndryshimet qeveritare nuk duket të jenë ndryshime në thebin e të menduarit dhe të të punuarit. Lufta ndaj korrupsionit duhet të jetë prioritet i qeverisjes por mesa duket nga mbajtja e individëve të caktuar brenda saj, do duhet kohë që kryeminsitri dhe presidenti të veprojnë në këtë drejtim. Energjitë që sjell pranvera nuk përkojnë me ndryshimet e nevojshme qeveritare ne Prishtinë. Qeverisja duket të jetë pronë e interesave klanore politike kur do duhej të ishte në shërbim të popullit dhe të interesave kombëtare. Kosova ka probleme akute social-ekonomike dhe ndërhyrja qeveritare duhet të jetë e menjëhershme dhe e dukshme. Ndryshimet kozmetike të qeverisjes nuk I shërbejnë nevojave të më tepër se 2 milion shqiptarëve të Kosovës për të cilët pavarësia do duhej të ishte fillimi i lumturisë. Mesa duket, ne akoma ëndërrojmë.

Parashimi i motit per Tiranen