Friday, November 21, 2008

Meta: Të enjten, protesta popullore

"Greva e urisë krijoi një sensibilizim të jashtëzakonshëm"


Lëvizja Socialiste për Integrim pritet të organizojë të enjten një protestë popullore, në mbrojtje të votës. Një ditë pasi doli nga greva e urisë, Ilir Meta bëri publik qëndrimet e mëtejshme të kësaj partie. Sipas tij, greva e deputetëve dhe protestat e qytetarëve, si dhe manifestimi paqësor thellësisht demokratik i demonstruar qartë në të gjithë këto ditë të jashtëzakonshme, shënuan përmbushjen me një sukses të plotë të fazës së parë të këtij aksioni. "U ngrit vetëdija e opinionit publik në të gjithë vendin për nevojën jetike për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, përmes një procesi konkurrimi politik të barabartë dhe pa diskriminim nga ligji", theksoi Meta. Teksa shtoi se greva krijoi një sensibilizim të jashtëzakonshëm brenda dhe jashtë vendit, sepse, duke qenë një nga grevat më qytetare, ajo kërkoi dhe pati mision rivendosjen e standardeve demokratike në zgjedhje dhe përmbushjen e parimeve të OSBE-ODIHR. "Ajo që ndodhi dje në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, nuk na çudit aspak, por veçse na shtoi më shumë argumentet për t‘i treguar opinionit publik se marrëveshja e djeshme e dy partive ishte konsensus për të shkelur standardet e konkurrimit të barabartë", nënvizoi Meta. Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim mendon se votimi PD-PS ishte një hap i madh mbrapa në standardet e transparencës demokratike, me qëllimin për të dëmtuar shqiptarët që të humbasin besimin te vota e lirë. "Ata treguan qartë se i sakrifikojnë pa hezitim interesat legjitime të shqiptarëve që burojnë nga vota e lirë për interesat e ngushta partiake dhe personale", u shpreh Meta. Ai insistoi se nuk do ta njohë kurrë dhe do ta kontestojë pa u lodhur atë pjesë të Kodit që trajton administrimin e zgjedhjeve, sepse është dëmtuar barazia e palëve përpara zgjedhjeve. "Vetëm në këtë mënyrë mund të ndihmojmë në realizimin konkret të së drejtës së qytetarëve për të votuar të lirë dhe që vota e tyre të mos vidhet dhe tjetërsohet", vijoi Meta. Më tutje, ai ftoi të enjten e ardhshme, në orën 16:00, të gjithë shqiptarët që besojnë se vota e tyre duhet të jetë e lirë, duhet të jetë e barabartë, se vota e tyre duhet të jetë e shenjtë, të bashkohen që të gjithë, pa dallim partish, në sheshin "Skënderbej". "Për t‘u treguar të gjithëve se shpirti i shqiptarëve për liri dhe për demokraci, nuk mund të ndrydhet nga mazhoranca a kartonëve", konstatoi Meta.

Dardan Malaj

Marre nga gazeta "SHQIP"

Parashimi i motit per Tiranen