Thursday, April 15, 2010

AGJENCIA RAPORT NË KUVEND: DEPOZITAT NË BANKA U RRITËN 12%

TIRANE - Komisioni i Ekonomisë dhe Financat diskutoi sot Raportin e Agjensisë së Sigurimit të Depozitave (ASD) për veprimtarinë në vitin 2009, paraqitur nga drejtoresha e këtij institucioni Silvana Sejko.
Si një nga arritjet e ASD u theksua Ligji i miratuar në Kuvend në mars të 2009,“Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin 8873 Për sigurimin e depozitave”, ku sanksionohet kompensimi për depozitën e siguruar në vlerën e 2. 500.00 lekë të reja, për çdo depozitues në cdo bankë.
Në raportin përmbledhës të Agjensisë thuhet se masat e autoriteteve shqiptare, përgjegjëse në rrjetin e sigurisë dhe mbikqyrjes financiare dhe bankare, kanë forcuar besimin e publikut ndaj sistemit bankar, megjithë krizën ekonomiko-financiare botërore.
Në fund të 2009 rezulton se 96% e numrit të depozitave në sistemin bankar shqiptar janë të mbuluar plotësisht, nga skema e sigurimeve.
Në raport theksohet ndër të tjera se gjatë periudhës Dhjetor 2008-Dhjetor 2009, vërehet një rritje e depozitave të individëve 12%, ndërsa depozitat e siguruara u rritën me 11,7%.
Relatorja në komisionin e ekonomisë, deputetja Ledina Alolli tha se Agjencia e Sigurimit të Depozitave ka punuar mirë, duke veçuar disa nga arritjet si rritja e të ardhurave dhe fitimit në 2009, prej 17 % që tregon politikë të drejtë të ndjekur nga Qeveria shqiptare në sigurimin e depozitave deri në 25 milion lekë, politikë e cila ka sjellë rritje të besimit të qytetarëve ndaj bankave, rritja e të ardhurave nga primi i sigurimit, fakt që tregon zgjerimin e aktivitetit të bankave në Shqipëri si dhe rregjistrimi i të gjitha bankave pranë kësaj agjencie. (Lajmifundit)

BASHA TAKON KOMISIONEREN MALSTROM: VENDIMI PËR VIZAT PA VONESA

Komisioni për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme të Parlamentit Europian si dhe Komisionerja për Çështjet e Brendshme dhe Drejtësinë e Komisionit Europian Cecilia Malstrom kanë vlerësuar progresin e Shqipërisë në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe kanë siguruar Ministrin e Brendshëm Lulzim Basha se për këtë çështje do të ecet shumë shpejt drejt një vendimmarrje pozitive.
Ministri Basha ishte i ftuar sot në një seancë dëgjimore në Komisionin për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme të Parlamentit Europian, ku paraqiti arritjet e Ministrisë së Brendshme në kuadër të liberalizimit të vizave në fushën e sigurisë së dokumenteve, kontrollit kufitar, rendit publik dhe sigurisë dhe rezultatet në luftën kundër kriminalitetit.
Sipas Ministrisë së Brendshme në Tiranë, europarlamentarët vlerësuan progresin e Shqipërisë si shumë të kënaqshëm dhe deklaruan mbështetjen e tyre të plotë për marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave sa më shpejt që të jetë e mundur.
Gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, Ministri i Brendshëm Lulzim Basha zhvilloi edhe një takim të veçantë me Komisioneren për Çështjet e Brendshme dhe Drejtësinë të Komisionit Europian Znj. Cecilia Malstrom, të cilën e njohu gjithashtu me arritjet në fushën e kontrollit të kufijve, pajisjes së qytetarëve shqiptarë me dokumenta të sigurta identiteti, dhe me rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar.
“Është impresionuese, është bërë shumë progres. Unë do të finalizoj raportin dhe do ta diskutoj me shtetet anëtare dhe Parlamentin para propozimit. Përfundimisht, çështja e vizave është duke shkuar në drejtimin e duhur dhe jam e impresionuar nga puna e qeverisë shqiptare. Kriteret janë transparente, janë të lehta për t’u vlerësuar dhe kjo është mënyra për të ecur përpara. Shpresoj se ne do kemi shumë shpejt një vendimmarrje pozitive,-deklaroi Komisionerja Malstrom pas takimit.
“Duke falënderuar Komisioneren Malstrom për mbështetjen në këtë proces, Ministri i Brendshëm Lulzim Basha u shpreh se Shqipëria instiston në një vlerësim krejtësisht objektiv dhe të ndershëm të procesit, bazuar mbi kriteret teknike të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.
Shpresojmë që përkushtimi i Bashkimit Evropian, për të cilin Komisioni Evropian ka dhënë mbështetjen e plotë dhe komisionerja më ka siguruar vazhdimisht për mbështetjen e plotë, të çojë, dhe besoj që ky do të jetë rasti, në një vendimmarrje pa vonesa, siç shpresojnë dhe presin qytetarët shqiptarë,-deklaroi Ministri i Brendshëm Lulzim Basha”, citoi zyra e shtypit Ministrin Basha. (Lajmifundit)

PYETËSORI, FULE: PËR HYRJEN NË BE DO VËZHGOJMË ZGJEDHJET LOKALE

BRUKSEL - UPDATE- Kryeministri Sali Berisha deklaroi në konferencën e shtypit me Komisionerin e

BE-së Stefan Fule se dorëzimi i pyetësorit është një moment i rëndësishëm për Shqipërinë.
“Për mua është një moment i rëndësishëm, për vendin tim dhe bashkëqytetarët e mijë. Po i dorëzoj komisionerit Fule përgjigjet për 2284 pyetje të Komisionit Evropian. Ky është momenti më i rëndësishëm për vendin tim. Ne prezantojmë reformat e vendit tim në 18 vjet për ndërtimin e shtetit ligjor, demokracisë dhe tregut të lirë”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, ishin më shumë se 1200 punonjës dhe ekspertë që u angazhuan për hartimin e pyetësorit dhe plotësimin e përgjigjeve. “Tërësia e reformave të realizuara për të ndryshuar vendin tonë, mbështetur në përpjekjen për idealin e integrimit”, theksoi Berisha.

Procesi i dhënies së opinionit, tha Fule nuk përfundon deri në vjeshtë. “Ne do të shohim konsolidimin e demokracisë dhe do të shohim edhe zgjedhjet e ardhshme lokale. Procesi do të zgjasë”, theksoi Fule.
“Lamë një mesazh kur ishim në Tiranë, ky mesazh vazhdon të jetë në fuqi. Unë përsëris se shumë duhet bërë. Vura në dukje se ka një dritare për të bërë diçka dhe të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë proces dhe që kanë përgjegjësi për të gjetur një zgjidhje duhet të bëjnë zgjidhje”, theksoi Fule.
Kryeministri u përgjigj se qeveria ka ofruar transparencën maksimale por duke mos cënuar vendimet e gjykatave.

“Komisioneri Fule më tha se ky është një fillim i ri dhe unë i thashë se ky për mua është momenti më emocionues. E quaj këtë si moment të një përpjekjeje të re. Gjatë muajve që do vijnë do bëjmë çështë e mundur të kemi një vlerësim pozitiv të punës sonë”, nënvizoi Berisha.
Komisioneri Stefan Fule tha se “ky libër është më i rëndësishmi në historinë e vendit tuaj”. Arritët tha ai të krijoni një paketë dhe vlerësoj punën e gjithë kolegëve tuaj dhe atyre që kanë marrë pjesë në këtë detyrë. “Është rradha jonë. Tani na takon ne të punojmë dhe analizojmë përgjigjet që keni dhënë ju dhe të përdorim muajt e ardhshëm ekspertët tanë për të verifikuar e për tu konsultuar në lidhje me përgjigjet. Mendimi i komisionit do të jetë i drejtë dhe do të vlerësohet në përputhje me gatishmërinë e Shqipërisë për të përmbushur kriteret. Do ti kushtojmë rëndësi përmbushjes së kritereve të Kopenhagenit. Koha kur do jepet opinioni do të varet nga informacioni që kemi marrë”, theksoi Fule. Unë, tha ai, informoj gazetarët se kam një shqetësim për mungesën e përparimit të bërë për normalizimin e situatës politike në Shqipëri. “Nuk përmbushen standartet e funksionimit demokratik. Shteti ligjor është element kyç për funksionimin e demokracisë dhe avancimin e integrimit evropian. Në diskutimin që patëm i mirëprita zhvillimet politike në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave por përpjekjet duhet të vazhdojnë. Liberalizimi është një proces i mbështetur mbi merita”, u shpreh Fule. Më lejoni tha ai të them se sa i takon komisionit dhe mua, ne jemi të angazhuar të ndihmojmë vendin tuaj të ecni përpara dhe të arrini një pikë të re në rrugën drejt integrimit në BE. (Lajmifundit)

Parashimi i motit per Tiranen