Thursday, April 15, 2010

BASHA TAKON KOMISIONEREN MALSTROM: VENDIMI PËR VIZAT PA VONESA

Komisioni për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme të Parlamentit Europian si dhe Komisionerja për Çështjet e Brendshme dhe Drejtësinë e Komisionit Europian Cecilia Malstrom kanë vlerësuar progresin e Shqipërisë në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe kanë siguruar Ministrin e Brendshëm Lulzim Basha se për këtë çështje do të ecet shumë shpejt drejt një vendimmarrje pozitive.
Ministri Basha ishte i ftuar sot në një seancë dëgjimore në Komisionin për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme të Parlamentit Europian, ku paraqiti arritjet e Ministrisë së Brendshme në kuadër të liberalizimit të vizave në fushën e sigurisë së dokumenteve, kontrollit kufitar, rendit publik dhe sigurisë dhe rezultatet në luftën kundër kriminalitetit.
Sipas Ministrisë së Brendshme në Tiranë, europarlamentarët vlerësuan progresin e Shqipërisë si shumë të kënaqshëm dhe deklaruan mbështetjen e tyre të plotë për marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave sa më shpejt që të jetë e mundur.
Gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, Ministri i Brendshëm Lulzim Basha zhvilloi edhe një takim të veçantë me Komisioneren për Çështjet e Brendshme dhe Drejtësinë të Komisionit Europian Znj. Cecilia Malstrom, të cilën e njohu gjithashtu me arritjet në fushën e kontrollit të kufijve, pajisjes së qytetarëve shqiptarë me dokumenta të sigurta identiteti, dhe me rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar.
“Është impresionuese, është bërë shumë progres. Unë do të finalizoj raportin dhe do ta diskutoj me shtetet anëtare dhe Parlamentin para propozimit. Përfundimisht, çështja e vizave është duke shkuar në drejtimin e duhur dhe jam e impresionuar nga puna e qeverisë shqiptare. Kriteret janë transparente, janë të lehta për t’u vlerësuar dhe kjo është mënyra për të ecur përpara. Shpresoj se ne do kemi shumë shpejt një vendimmarrje pozitive,-deklaroi Komisionerja Malstrom pas takimit.
“Duke falënderuar Komisioneren Malstrom për mbështetjen në këtë proces, Ministri i Brendshëm Lulzim Basha u shpreh se Shqipëria instiston në një vlerësim krejtësisht objektiv dhe të ndershëm të procesit, bazuar mbi kriteret teknike të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.
Shpresojmë që përkushtimi i Bashkimit Evropian, për të cilin Komisioni Evropian ka dhënë mbështetjen e plotë dhe komisionerja më ka siguruar vazhdimisht për mbështetjen e plotë, të çojë, dhe besoj që ky do të jetë rasti, në një vendimmarrje pa vonesa, siç shpresojnë dhe presin qytetarët shqiptarë,-deklaroi Ministri i Brendshëm Lulzim Basha”, citoi zyra e shtypit Ministrin Basha. (Lajmifundit)

No comments:

Parashimi i motit per Tiranen