Sunday, April 5, 2009

Shaqë Shatri, hija e një agjenti të kërkuar për vrasje

Kosovari nga Kushnini i Prizrenit rrëfen historinë e letërnjoftimit të tij të përdorur nga agjenti i SHIK, Ilir Kumbaro

Autore: Serbeze Haxhiaj

Shaqë Shatri,kosovari nga Kushnini i Prizrenit emri dhe të dhënat e të cilit ishin përdorur me vite nga agjenti i shërbimit sekret shqiptar Ilir Kumbaro i akuzuar për vrasjen e kosovarit Remzi Hoxha tregon se letërnjoftimi i tij ishte vjedhur në Tiranë në vitin 1993 në kohën kur akoma nuk ishte i vrarë Remzi Hoxha - Ai thotë se nuk ka asnjë lidhje me Shërbimin Informativ të Shqipërisë dhe se do të padis Kumbaron që ka vjedhur identitetin e tij – Sipas Interpolit dhe MPB-së ekziston një numër i konsiderueshëm i personave që në disa shtete janë regjistruar si shtetas kosovarë



Kushnin , Prizren – 01 prill- Është bërë një javë që Shaqë Shatrit i është prishur qetësia. Ky 64 vjeçar thotë të jetë tronditur kur ka parë letërnjoftimin me të dhënat e tij të shpallura nga policia në Britani të cilat për vite i kishte mbajtur njëri nga ish njerëzit në piramidën e lartë të shërbimit sekret të shtetit shqiptar, Ilir Kumbaro.

Ky person që kohë të gjatë kishte punuar si bukëpjekës në Prizren dhe Zvicër mohon që të ketë pasur lidhje me shërbimin sekret shqiptar dhe të ketë qenë në dijeni se dokumentacioni i tij është duke u përdorur nga Ilir Kumbaro, njëri nga njerëzit e dyshuar të jetë përfshirë në vrasjen e biznesmenit Remzi Hoxha në vitin 1995, për të cilin tashmë ka nisur një proces gjyqësor në Tiranë.

Pasi merr dozën e ilaçeve të përditshme me një ndjenjë mllefi dhe habie njëkohësisht Shaqa rrëfen për “Kohën Ditore” historinë e shkuarjes në Tiranë dhe vjedhjes së letërnjoftimit të tij që për 13 vite ishte përdorur nga Ilir Kumbaro, i cili i fshehur pas emrit të Shaqës si kosovar i ndjekur u kishte ikur kërkimeve të policisë derisa një ditë ai e zbuloi vetveten dhe Shaqa ‘lidhjen’ e tij me agjentin e SHIK-ut.


Ms; Letërnjoftimi i vjedhur në Tiranë dhe jeta e dyfishtë e Kumbaros



Shaqa në dukje nuk përngjan aspak me Kumbaron i cili është gjithashtu 9 vjet më i ri në moshë . Tani flokët e tij janë të zbardhuara krejt për dallim prej fotografisë që ka publikuar policia britanike ku ai ka flokë të zinj. Që prej 9 vjetësh Shaqa nuk është person që mund të flas ose të kërkoj dokumente pa ndihmën e dikujt. Ai ka humbur zërin pas problemeve me sëmundjet e fytit dhe operacioneve të njëpasnjëshme dhe jo vetëm zëri, por në përgjithësi gjendja e tij shëndetësore është keqësuar tej mase. Me një dozë të madhe zemërimi ai flet për historinë e letërnjoftimit të tij më shumë me pëshpëritje, me mimikë dhe kur nuk arrin të kuptohet shkruan ose mundohet përmes familjarëve të tjerë që për nëntë vjet janë mësuar të komunikojnë me të, të tregoj atë që dëshiron dhe nuk pushon së përsërituri derisa të bindet që ajo që ka thënë është kuptuar.

“ Unë kam qenë në shpi kur djali erdhi nga Prizreni. Ai ka qenë të dajat e tij dhe kishte parë lajmet dhe letërnjoftimin tim. Prej asaj dite nuk po mund të qetësohem , nuk po me merr gjumi natën. Jam shumë keq prej shëndeti dhe kjo po më bën të hamendem ta padis atë njeri që ka keqpërdorur të dhënat e mija , atë njeri që për mua nuk është agjent i shërbimit sekret, por një vrasës”, thotë Shaqa.

Tani 16 vjet më vonë Shaqa ka nisur të mbledh copëzat e kujtesës rreth shkuarjes në Shqipëri, dyshimeve rreth humbjes së letërnjoftimit në Tiranë, historisë së përpjekjeve për të ikur në Zvicër dhe njerëzit që kishin kontaktuar me të.” Ka qenë pranverë e vitit 1993 dhe unë po përpiqesha të dal në Zvicër. Kisha punuar disa vite me radhë dhe shefi im zviceran më kishte thënë se nëse mund të dal në Itali do të vinte të më merrte dhe unë kisha nisur të bëjë përpjekjet që të dal ”, rrëfen Shaqa.

Në të njëjtën kohë ai kishte udhëtuar me një fqinjë të fshatit në Tiranë në përpjekje për të sigurua një vizë dhe u kishte paguar bukur shumë një rrjeti emigrantesh klandestinë në Shqipëri, por nuk kishte mundur më kurrë të shkonte në Zvicër. “ Pasi përmes telefoni ish shefi më tha që nuk do të mundte atë muaj të vinte ta merrte unë fillova disa kontrolle për sy tek një mjek në Tiranë. Herën e parë kur shkova për kontroll mjeku më dha një karton që sipas radhës duhet të shkoj një të mërkurë pasdite. Pas tri ditësh unë mora autobusin dhe u nisa për në pjesën ku ai e kishte ordinancën. Rrugës një njeri shtatlartë më përcillte , kuptoi që isha kosovar dhe më mbante thuajse me zor në bisedë. Kaq më ka mbetur në mendje nga ai udhëtim, nuk i kisha vënë shumë rëndësi personit sot as fytyrën nuk i mbaj mend”.

Një të mërkure tjetër, 16 vjet pas Shaqa thotë se mbase asgjë nuk ka qenë e rastësishme. “ Unë shkova te mjeku dhe sipas rregullave ai më kërkoi kartonin për terminin e vizitës futa dorën në xhep dhe nuk e kisha kuletën , pra ajo ishte vjedhur me gjithë dokumentet , kartonin e mjekut mezi bëra atë kontroll dhe pas një jave u ktheva në Kosovë dhe kalova kufirin sërish ilegal “, thotë Shaqa.

Tri vjet më vonë në vitin 1996 Kumbaro ka hyrë në Britani emrin Shaqë Shatri duke bindë zyrtarët e emigracionit se është refugjat nga Kosova dhe po ikën për shkak të ndjekjes nga serbët dhe ia kishte arritur të merrte një pasaportë britanike.

Letërnjoftimi që Shaqa thotë t’i ishte vjedhur në Tiranë kishte plotë dhjetë vjet afat sepse para se të nisej ai ishte pajisur me letërnjoftim të ri, kurse historia për të nxjerr një tjetër gjithashtu rrëfen të ketë qenë e vështirë. “ Unë e lajmërova policinë në Tiranë për letërnjoftimin, paratë dhe dokumentet tjera që më ishin vjedhur dhe u ktheva në Kosovë pa ditur çfarë kishte ndodhur. Kurse këtu policia më maltretoi javë të tëra derisa e nxora dokumentin e ri”, tregon ai.

Shaqa ishte kthyer në Kosovë për t’u kthyer në Shqipëri gjashtë vetë më vonë gjatë luftës në vitin 1999, ku letërnjoftimin e tij të ri e kishin konfiskuar në kufij policia . Pas luftës ai ishte regjistruar dhe marrë dokumentin e UNMIK-ut dhe kishte nxjerr dokumente në shërbimin e ofiqarisë dhe qendrën e regjistrimit civil sa herë i ishin nevojitur. Të njëjtat dokument janë marrë edhe “nga dikush tjetër”, për nevoja të Ilir Kumbaros derisa ky i fundit kishte zbuluar vetë identitetin e tij të rremë pak muaj më parë.

Kumbaro i kërkuar për vrasje kishte bërë një jetë të dyfishtë me emrin dhe të dhënat e Shaqë Shatrit, por jo edhe me specifikat biometrike dhe këto të dhëna të rreme ai do t’i zbulonte vetë në përpjekje për të siguruar disa ndihma si person me probleme të depresionit dhe stresit të cilat nuk i ka Shaqa në Kosovë. Ai do të mund të kishte qëndruar edhe më tej në Londër nëse nuk do të kishte bërë një gabim. Në vend që të regjistrohet si Shaqë Shatri në Autoritetin Shëndetësor në Ealing, Hammersmith dhe Hounsloë, Kumbaro ka përdorur emrin e tij të vërtetë.

Pak kohë më vonë ai anulon regjistrimin, por ka kjo ka qenë një element i mjaftueshëm për detektivet britanikë që po e ndiqnin Kumbaron, pas një kërkese nga të autoritetet e shtetit shqiptar në qershor të vitit 2008.

I ulur në oborrin e tij në Kushnin të Hasit, Shaqa në Kosovë ka një shpjegim tjetër në zhanrin popullor për këtë.

“Eh thonë se kur vret dikë askush mos foltë e në mos paftë, therrra flet. Edhe ai e ka qitë vetveten. Po ta kisha parë do ta kisha pështyrë. Është turp që agjentë të tillë të ketë në shërbim sekret”, thotë Shaqa.

Historia e identitetit të rrem të Kumbaros do të përfundonte në shtator 2008 kur hetuesit nga njësiti për ekstradim i Scotland Yard, arrestuan njeriun që e quante veten Shaqë Shatri në banesën e tij në Fulham i cili edhe në momentin arrestimit kishte këmbëngulur se nuk është Ilir Kumbaro, por Shaqë Shatri.



Ms: Ilir Kumbaro “ka marrë” pa problem dokumente në Kosovë ?


Deri në këtë kohë Shaqa rrëfen të ketë jetuar me barrën e shumë vuajtjeve nga varfëria dhe sëmundja .E gjithë familja e tij 7 anëtarësh mbahet me një pension prej 50 eurove dhe një rrogë mësuesi që merr djali i tij i vetëm. “ Njeriut çka nuk po i ndodhka në jetë. Deri në këtë kohë e kam pasur hallin e sëmundjes sepse kjo rrogë që merr djali dhe pensioni nuk po na dalin as për barna. Kurrë nuk kisha menduar që emri im do të hynte në lojërat e shërbimit sekret”, thotë ai.

Policia britanike ka gjetur përveç fotografive të Shaqë Shatrit se në regjistrat e shërbimit të ofiqarisë në Prizren janë lëshuar dokumente për Ilir Kumbaron në emër të Shaqë Shatrit dhe pa shumë problem të njëjtat kanë kaluar flirtin e verifikimit në mungesë të shërbimit konsullor, nga UNMIK-u tani edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ruzhdi Hoxha drejtor i shërbimit të ofiqarisë në Prziren thotë se kjo ka mundur të ndodhë ngase kërkesë për të nxjerr certifikatë të lindjes mund të bëjë çdo kush dhe ajo mund të lëshohet pa problem për cilindo, kurse vërtetësia e saj kur nevojitet për jashtë vendit verifikohen në MPB. “ Ne nuk bëjmë hetime. Ne lëshojmë certifikata për personat regjistruar dhe këto janë punë të MPB-së pastaj. Nuk them që nuk janë marrë certifikata në këtë rast në emër të personit Shaqë Shatri. Ne kemi gjetur se ky person i takon departamentit të ofiqarisë në fshatin Pirajë “, thotë Hoxha për gazetën.

Nga zyra e Interpolit në Prishtinë gazeta nuk ka mundur të marr të dhëna rreth numrit të personave të zënë apo të kërkuar që kanë përdorur dokumente të dyfishta dhe për shfrytëzim të dhënave të rreme nga persona të kërkuar. Sipas zyrtarëve të saj këto janë të dhëna konfidenciale që i jepen vetëm prokurorisë sipas nevojës.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme tashmë kanë filluar të vijnë rekomandimet nga EULEX në lidhje me raste të tilla të shfrytëzimit të të dhënave nga njerëz të përfshirë në shërbimin sekret dhe njerëz të tjerë të përfshirë në vepra penale.

Zëvendës/ministri i Punëve të Brendshme Fatmir Xhelili , i ka thënë gazetës se ministria posedon të dhëna se një numër i konsiderueshëm i personave nga disa shtete përreth Kosovës janë të paraqitur në vende të ndryshme si shtetas kosovarë. “ Ne nuk kemi dijeni rreth hetimeve të bëra në raste si ai i Ilir Kumbaros, sepse Interpol nuk komunikon me ne drejtpërdrejtë. Por, e dimë se ekziston numër i konsiderueshëm i personave jashtë vendit që mbajnë identik të kosovarëve dhe ne u kemi kërkuar vendeve të ndryshme që të na i paraqesin listat e emigrantëve të paraqitur si kosovarë në mënyrë që ne t’i verifikojmë ato”, ka thënë Xhelili për gazetën.

Sipas tij pas formimit të shërbimit konsullor do të mund të verifikohen në mënyrë më efikase raste të tilla të përdorimit të identitet të huaja.

Ndërkohë në Tiranë vazhdon prej kohës procesi gjyqësor për çështjen tashmë të quajtur “Remzi Hoxha”. Ish agjentë të SHIK-ut, përfshi edhe vetë ish kreun e shërbimit sekret shqiptar Fatos Klosin kanë dhënë dëshmi mbi ngjarjen.

Zyrtarë të Prokurorisë në Tiranë i ka thënë “Kohës Ditorë”, se janë duke pritur ekstradimin Kumbaros që sipas provave të mbledhura pikërisht ai ( Kumbaro) është personi që e ka takuar për herë të fundit Hoxhën.

“Dyshimet janë vërtetuar edhe nga dëshmitë e tjera të rojeve dhe punonjësve të tjerë të një ndërtese të SHIK-ut në Lezhë. Emri i Ilir Kumbaros është përmendur në dëshmitë e ish-agjentëve të SHIK në rastin "Remzi Hoxha". Ata kanë treguar se e kanë marrë biznesmenin në një punishte në Tiranë duke e dërguar në Lezhë dhe dorëzuar tek Ilir Kumbaro. Atje ishte keqtrajtuar biznesmeni shqiptaro-maqedonas i cili ka vdekur gjatë torturave, trupi i të cilit ende nuk është gjetur”.

Sipas dosjes së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Ilir Kumbaro, ka qenë i pranishëm gjatë shoqërimit dhe marrjes në pyetje të tre personave: Ziso Kristopulli, Remzi Hoxha dhe Avdyl Loshaj. Ata dyshohet se janë mbajtur në bazën sekrete të SHIK-ut në Vain të Lezhës, ku sipas hetimeve janë keqtrajtuar gjatë marrjes në pyetje nga punonjësit e Shërbimit Informativ.

Gjykata e Ëestminster në Britani ka venduar javën e kaluar për ekstradimin e Kumbaros dhe ai pritet që muajin e ardhshëm t’i bashkohet treshes së akuzuar për rastin Hoxha Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe.

Shaqë Shatri në Kosovë lutet të ketë jetë deri në përfundim të këtij gjyqi, proces ky që do të qartësoj edhe lidhjen e tij me Kumbaron. Ai ka filluar të jetoj me këtë histori me të cilën pa dashur thotë se është bërë pjesë e saj.

Parashimi i motit per Tiranen