Wednesday, March 17, 2010

VIZAT, 5 EURODEPUTETË “KONTROLL” SHQIPËRISË MË 21 MARS

Një grup eurodeputetësh do të qëndrojë në Tiranë të dielën, në një mision faktmbledhës mbi përmbushjen e standardeve për liberalizimin e vizave.
Drejtues i delegacionit do të jetë shefi i delegacionit për Ballkanin, Eduart Kukan.
"Koha është është shumë e rëndësishme ndaj po shkojme dhe kaq shpejt pa lajmëruar ne Shqipëri, sepse liberalizimi i vizave do të kishte kuptim nëse do realizohej përpara pushimeve te verës, në mënyrë që njerëzit të mund të udhëtonin lirshem. Po aq i rëndësishëm është fakti që janë dërguar 3 grupe ekspertësh në Tiranë për të verifikuar përmbushjen e kritereve dhe raportet e dy grupeve të para ishin pozitive ndaj presim që dhe grupi i fundit të ketë po ashtu qëndrim pozitiv. Pra, kemi te bejme me një situatë ku Shqipëria po përmbush kriteret dhe logjikisht Komisioni përcaktoi kushtet ju po i plotësoni ato dhe ne duam të rekomandojmë gjithandej se nuk duhet pritur me”, ka thënë kryesuesi i delegacionit Kukan, cituar nga Top Channel.
Ndërkohë tri grupe ekspertësh kanë qëndruar në Tiranë për vlerësimin e situatës, ata po përgatisin tanimë oponionin e tyre i cili më pas do ti dërgohet Komisionit Europian.
”Përpara se të shkojmë te Komisioni, ne duam të shohim vetë situatën në vend, të flasim me personat pergjegjës, do vizitojmë gjithashtu gjate qëndrimit tonë atje, disa qendra kontrolli për cështjet teknike, ne mënyrë që të kemi keshtu me shume peshë para Komisionit”, tha më tej Eduart Kukan, kreu i delegacionit që pritet të vizitojë Tiranën, cituar nga i njëjti burim.
Ai ka thënë se raportimi i çështjes së azilkërkuesve nga Maqedonia dhe Serbia, nuk pati ndikim të mirë në çështjen e liberalizimit të mëtejshëm të vizave me vendet tjera të Ballkanit.
“Kjo nuk e ndihmon situatën, përkundrazi, po u jep argumente atyre që nuk kane qëndrim të qartë pro heqjes së regjimit të vizave”, ka thënë Kukan. Ai do të qëndrojë në Tiranë me një delegacion eurodeputetësh që do të ketë në përbërje deputetët Jelko Kacin, Simon Busuttil nga Malta, Marije Cornalissen dhe raportuesen e Parlamentit per liberalizimin e vizave Tanja Fajon.
Në axhendën e vizitës janë parashikuar takime me Presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha, Ministrin e Jashtëm Meta dhe Ministrin e Brendshëm Basha. (Lajmifundit)

TË PËRNDJEKURIT TAKIM NË SHKODËR: TË ZBARDHEN KRIMET E KOMUNIZMIT

SHKODER - Të përndjekurit politikë të Shqipërisë shprehën mirënjohje ndaj Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Ambasadës amerikane për vlerësimin që i kanë bërë kurajos dhe sakrificave të shoqërisë shqiptare kundër diktaturës komuniste.
Në një takim të zhvilluar sot në Shkodër, përfaqësues të Shoqatës mbarëkombëtare të integrimit të ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë të Shqipërisë shprehen mirënjohje ndaj Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Ambasadës amerikane për vleresimin që i kanë bërë kurajos dhe sakrificave të shoqërisë shqiptare kundër diktaturës komuniste.
Ata i bënë thirrje njëkohësisht politikës shqiptare që të vazhdojë të dënoje krimet e komunizmit. (Zeri i Amerikes)

Mbi kete teme: Të përndjekurit i dorëzojnë Topit, “dosjen” e poetëve të vrarë nga regjimi

QEVERIA KURSEN NË “MALLRA LUFTIMI”, JEP 700 MILIONË PËR NATO-N

TIRANE – Qeveria e Shqipërisë miratoi sot me vendim kryerjen e pagesës së Shqipërisë për këtë vit në formën e kontributit për fondin e përbashkët të NATO-s.


Shuma financiare, sipas vendimit të qeverisë, është 70 (shtatëdhjetë) milionë lekë të reja. Vendimi është paraqitur në qeveri si projekt nga Ministria e Mbrojtjes.
Kjo e fundit, ka propozuar që fondi për pagesën e kontributit të anëtarësisë në NATO, të përballohet duke kursyer në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, për zërin e quajtur “mbështetja e luftimit”.
“Në programin 02150, “Mbështetja e luftimit”, në shpenzimet korrente, artikulli 602, “Mallra dhe shërbime”, të pakësohet fondi prej 77 000 000 (shtatëdhjetë e shtatë milionë) lekësh, për repartin ushtarak nr.4300, Tiranë”, thuhet në vendim.
Më poshtë, vendimi i plotë i qeverisë:
V E N D I M PËR
KRYERJE PAGESASH, NË FORMË KONTRIBUTI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES NË FONDIN E PËRBASHKËT TË NATO-S DHE PËR RISHPËRNDARJE FONDESH BUXHETORE NDËRMJET PROGRAMEVE TË MIRATUARA PËR KËTË MINISTRI, NË BUXHETIN E VITIT 2010
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të pikës 11, të nenit 14, të ligjit nr.8671, datë 26.10.2000, “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.10190, datë 26.11.2009, “Për buxhetin e vitit 2010”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministria e Mbrojtjes, nëpërmjet njësisë shpenzuese, Drejtoria e Administratës dhe Shërbimeve, të kryejë pagesën, në vlerën 70 000 000 (shtatëdhjetë milionë) lekë, në formë kontributi, në fondin e përbashkët të NATO-s, për të mbështetur ngritjen e Forcës së Sigurisë në Kosovë.
2. Ministria e Mbrojtjes, nëpërmjet njësisë shpenzuese, Drejtoria e Administratës dhe Shërbimeve, të kryejë pagesën, në vlerën 7 000 000 (shtatë milionë) lekë, në formë kontributi, në fondin e përbashkët të NATO-s, për të mbështetur nismën “HIP Helicopter Task Force (HIP HTF).
3. Në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, miratuar për vitin 2010, të bëhet rishpërndarja e fondeve, si më poshtë vijon:
a) Në programin 01110, “Planifikimi, menaxhimi dhe administrimi”, artikulli 605, “Transferta korrente të huaja”, të shtohet fondi prej 77 000 000 (shtatëdhjetë e shtatë milionë) lekësh, për Drejtorinë e Administrimit dhe Shërbimit, në këtë ministri.
b) Në programin 02150, “Mbështetja e luftimit”, në shpenzimet korrente, artikulli 602, “Mallra dhe shërbime”, të pakësohet fondi prej 77 000 000 (shtatëdhjetë e shtatë milionë) lekësh, për repartin ushtarak nr.4300, Tiranë.
4. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxhetit i Ministrisë së Mbrojtjes, miratuar për vitin 2010.
5. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA

Parashimi i motit per Tiranen