Wednesday, March 17, 2010

QEVERIA KURSEN NË “MALLRA LUFTIMI”, JEP 700 MILIONË PËR NATO-N

TIRANE – Qeveria e Shqipërisë miratoi sot me vendim kryerjen e pagesës së Shqipërisë për këtë vit në formën e kontributit për fondin e përbashkët të NATO-s.


Shuma financiare, sipas vendimit të qeverisë, është 70 (shtatëdhjetë) milionë lekë të reja. Vendimi është paraqitur në qeveri si projekt nga Ministria e Mbrojtjes.
Kjo e fundit, ka propozuar që fondi për pagesën e kontributit të anëtarësisë në NATO, të përballohet duke kursyer në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, për zërin e quajtur “mbështetja e luftimit”.
“Në programin 02150, “Mbështetja e luftimit”, në shpenzimet korrente, artikulli 602, “Mallra dhe shërbime”, të pakësohet fondi prej 77 000 000 (shtatëdhjetë e shtatë milionë) lekësh, për repartin ushtarak nr.4300, Tiranë”, thuhet në vendim.
Më poshtë, vendimi i plotë i qeverisë:
V E N D I M PËR
KRYERJE PAGESASH, NË FORMË KONTRIBUTI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES NË FONDIN E PËRBASHKËT TË NATO-S DHE PËR RISHPËRNDARJE FONDESH BUXHETORE NDËRMJET PROGRAMEVE TË MIRATUARA PËR KËTË MINISTRI, NË BUXHETIN E VITIT 2010
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të pikës 11, të nenit 14, të ligjit nr.8671, datë 26.10.2000, “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.10190, datë 26.11.2009, “Për buxhetin e vitit 2010”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministria e Mbrojtjes, nëpërmjet njësisë shpenzuese, Drejtoria e Administratës dhe Shërbimeve, të kryejë pagesën, në vlerën 70 000 000 (shtatëdhjetë milionë) lekë, në formë kontributi, në fondin e përbashkët të NATO-s, për të mbështetur ngritjen e Forcës së Sigurisë në Kosovë.
2. Ministria e Mbrojtjes, nëpërmjet njësisë shpenzuese, Drejtoria e Administratës dhe Shërbimeve, të kryejë pagesën, në vlerën 7 000 000 (shtatë milionë) lekë, në formë kontributi, në fondin e përbashkët të NATO-s, për të mbështetur nismën “HIP Helicopter Task Force (HIP HTF).
3. Në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, miratuar për vitin 2010, të bëhet rishpërndarja e fondeve, si më poshtë vijon:
a) Në programin 01110, “Planifikimi, menaxhimi dhe administrimi”, artikulli 605, “Transferta korrente të huaja”, të shtohet fondi prej 77 000 000 (shtatëdhjetë e shtatë milionë) lekësh, për Drejtorinë e Administrimit dhe Shërbimit, në këtë ministri.
b) Në programin 02150, “Mbështetja e luftimit”, në shpenzimet korrente, artikulli 602, “Mallra dhe shërbime”, të pakësohet fondi prej 77 000 000 (shtatëdhjetë e shtatë milionë) lekësh, për repartin ushtarak nr.4300, Tiranë.
4. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxhetit i Ministrisë së Mbrojtjes, miratuar për vitin 2010.
5. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA

No comments:

Parashimi i motit per Tiranen