Saturday, October 27, 2007

"Ali Ahmeti ka probleme me partine jo me mua "-Menduh Thaci

Kryetari i PDSH-së në Maqedoni, Menduh Thaçi, komenton në "Deja Vu" marrëdhëniet me Ali Ahmetin
Kryetari i PDSH-së në Maqedoni, Menduh Thaçi, i ftuar dje në mbrëmje në emisionin "Deja Vu" të gazetarit dhe analistit Mustafa Nano, në "Top Channel" ka komentuar marrëdhëniet me rivalin e tij politik, Ali Ahmeti. Thaçi e ka cilësuar udhëheqësin e një partie tjetër shqiptare në Maqedoni si kundërshtarin e tij politik. "Momentalisht kemi mosmarrëveshje të theksuara për politikat që bëjnë të dy palët", tha Thaçi. Kreu i PDSH konfirmoi se nuk ka më probleme personale me rivalin e tij, duke dhënë madje edhe detaje që, për herë të parë i ka deklaruar në "Deja Vu". "Në kohën e konfliktit të Maqedonisë, familja e tij e ngushtë ka lëvizur me makinën time personale dhe sigurimin tim personal. Kjo tregonte se ai kishte besim tek unë", tregoi Thaçi. "Çuditërisht, situata ndryshoi kur Ahmeti u bë pjesë e pushtetit. Thjesht mendoj se po ndodhemi në një pikë tepër të rëndësishme. Mendoj se Ahmeti lehtësisht vendos për fatet e njerëzve", shtoi Thaçi. "Por nuk duhet me aq lehtësi të vendosë për fatet e njerëzve, të cilët i drejton. Thirrja për një kryengritje të armatosur për çlirim kombëtar të territoreve shqiptare, e pastaj për një politikë që të thërret për një integrim, jo siç e kuptojmë ne si një integrim modern, por për një integrim përafërsisht deri në asimilim, për mua është e pakuptueshme dhe shumë e rëndë", shtoi Thaçi. Ai tha se në pamje të parë, Ahmeti ka probleme me atë si kryetar i PDSH dhe më pas, edhe me partinë që drejton. "Sinqerisht mund të them se mbi të gjitha, ai ka probleme me njerëzit, të cilët i thirri në kryengritje, me njerëzit e tij. Bisedohet për qindra të vrarë, nuk di sa të plagosur dhe shkatërrim të pasurive. Kjo rezulton në një mungesë totale suksesi të asaj politike që drejton zoti Ahmeti", vijoi Thaçi në "Deja Vu". Kryetari i PDSH e akuzoi Ahmetin se rrezikon shumë që të duket si viktimë. "Unë nuk kam të drejtë të bëj kritikë ndaj politikës sime gjatë kohës që jam në pushtet", tha ai. Thaçi u shpreh se nuk ia mohon të drejtën e politikës së tij për të bërë kritikun ndaj partisë së tij në aspektin politik, ndërsa ia mohon në aspektin moral. "Zoti Ahmeti dhe partia e tij, prej ditës së parë kur kaluan në opozitë, konstatuan me piskamë të madhe se çështja shqiptare është tepër e rrezikuar. Asgjë nuk ka lëvizur përpara dhe kanë mbetur çështje më madhore sociale pa u zgjidhur. Dhe sot pa frikë, në mënyrë të automatizuar them se katër vitet e pushtetit të tij, ai vetë, partia që drejton, nuk kanë bërë ato që premtuan", tha Thaçi. "Kontributin për valëzimin e jetës politike në Maqedoni duhet ta jap unë. Ai që është në pushtet, duhet të jetë më i hapur. Duhet të bëj maksimumin për stabilitetin politik dhe natyrisht përgjegjësia është më e madhe këtu jam plotësisht i vetëdijshëm", vijoi ai. Mungesën e një raporti nëpërmjet udhëheqësve të politikës shqiptare të Maqedonisë, Thaçi e cilësoi si mungesë të kulturës politike. "Ai që është në pushtet e ka fajin kryesor për normalizimin. Unë kam bërë dy ftesa publike për zotin Ahmeti për t‘u takuar, por kam bërë edhe ftesë protokollare. Ai ka vazhduar t‘i refuzojë, por kjo nuk më ndalon të vazhdoj të bëj ftesa publike, nëse ka nevojë edhe protokollare. Detyrimisht duhet normalizimi i jetës politike, për shkak edhe të interesave të atyre që ne përfaqësojmë", theksoi Thaçi. Duke krahasuar mosmarrëveshjet që ka politika shqiptare në Tiranë me ato që janë mes shqiptarëve në Maqedoni, ai tha se "gama apo hapësira e Shqipërisë për këto mosmarrëveshje është më e madhe. Këtu është shteti dhe ekzistojnë institucionet e tij, ndërsa tek ne këto mosmarrëveshje duhet të jenë shumë më të vogla".

FTESAT

Unë kam bërë dy ftesa publike për zotin Ahmeti për t‘u takuar, por kam bërë edhe ftesë protokollare. Ai ka vazhduar t‘i refuzojë, por kjo nuk më ndalon të vazhdoj të bëj ftesa publike, nëse ka nevojë edhe protokollare. Detyrimisht duhet normalizimi i jetës politike, për shkak edhe të interesave të atyre që ne përfaqësojmë

Parashimi i motit per Tiranen