Saturday, October 20, 2007

PS, skenarët që synojnë bashkimin e partisë


Përplasja Rama-Nano mund të krijojë një linjë të tretë

Dilema e një ndarjeje tjetër të Partisë Socialiste është argumenti që mbizotëron në debatet mes socialistëve. Fakt që ka bërë të qarkullojnë edhe skemat, sipas së cilave mund të precipitojnë zhvillimet brenda partisë. Një numër i konsiderueshëm figurash politike me përvojë kanë kaluar në mesfushën e palëvizsshme. Askush nuk di të thotë se çfarë do të ndodhë, e gjithsesi pakkush është i gatshëm të pranojë ndarjen. Çdo aksion që mund të çonte drejt ndarjes është ngrirë në vend, mes të cilëve edhe kodi i etikës, i propozuar pak kohë më parë në Asamblenë Kombëtare.

Skemat
Skema më radikale që mund të konkretizohet nga lidershipi i partisë ka të bëjë me ndarjen tërësisht dhe në mënyrë përfundimtare nga ish-kryetari Fatos Nano. Lëvizja do të nënkuptonte mënjanimin e tij nga jeta politike dhe organizative e partisë ose forma më e ashpër e çregjistrimit të tij nga strukturat. Kjo do të mund të çonte në çarjen e partisë më të madhe të së majtës dhe krijimin ndoshta të një force të re politike. Por një numër i caktuar funksionarësh brenda partisë i tremben kësaj zgjidhjeje në prag të procesit elektoral të parlamentareve të vitit 2009. Përsëritja e një LSI-je të re do t‘i shkaktonte sipas tyre Partisë Socialiste dhe së majtës në tërësi një humbje të padiskutueshme. Por një tjetër grupim mendon se largimi i Nanos nuk sjell asnjë kosto negative, por pastron këtë parti. Qëndrimi që duket të jetë me mbështetje të konsiderueshme është që partia të mund të shpëtojë nga ndarja. Kjo mund të përbëjë edhe skemën e dytë të zhvillimeve brenda Partisë Socialiste. Në këtë linjë kërkohet arritja e një konsensusi mes palëve për të garantuar kohezionin brenda partisë. Pakti Rama-Nano duket në horizont krejt i pamundur, por gjithsesi mendohet se do të ishte mundësi për të shëruar shpejt plagët. Nëse palët do të vazhdojnë të mbajnë të njëjtat llogore të cilat kanë krijuar prej dy vitesh, mund të rritet presioni i brendshëm që një rrymë e tretë brenda partisë të marrë kontrollin. Një përfaqësues tjetër, as Rama por as Nano do duhet të merrte timonin e Partisë Socialiste, duke premtuar se do bashkonte partinë dhe risillte atë në pushtet.

Mesfushorët
Në aksionin politik ballor, Partisë Socialiste i kanë humbur prej pak kohësh disa individualitete. Daljet publike të Nanos apo të Ramës në krahun tjetër janë ndeshur në indiferentizmin e një pjese të atyre figurave me aksione politike brenda partisë. Ish-kryeministri Pandeli Majko është një personazh që u largua nga detyrat që mbante si pasojë e mospajtimit me mënyrën se si po drejtohej partia. Nga ajo kohë Majko nuk ka marrë pjesë në debatet e brendshme, duke qëndruar jo vetëm mbi palët, por ndoshta duke rritur kreditet politike. Beteja Rama-Nano duket se po ndiqet në distancë edhe nga ish-kryetari i grupit parlamentar Ben Blushi, njëkohësisht ish-sekretar politik. Që nga momenti i rrëzimit të rezolutës për kohezion Blushi është distancuar nga debatet e brendshme, ndërsa aksionet e tij politike nuk kanë pësuar aspak rënie. Një tjetër emër është ish-ministri i Financave Arben Malaj, i cili ndryshe nga sa mendohej nuk është rreshtuar hapur në mbështetje të ish-kryetarit Nano. Në më shumë se një rast ai ka bërë thirrje për kohezion dhe bashkim të socialistëve. Po në këtë linjë vihet re një tërheqje e butë e figurave të tilla si Kastriot Islami apo Ermelinda Meksi që tregohen të kujdesshëm në kombinacionet e brendshme. Tërheqja e këtyre personazheve tregon në një farë mënyre mospajtim me situatën ku ndodhet Partia Socialiste. Ndërsa zbatimi i një prej skemave të sipërcituara mund t‘i jepte ndonjërit prej tyre rolin e alternativës së tretë mbi palët. Blushi, Majko apo Malaj aktualisht mbajnë vetëm pozicionin e deputetit dhe anëtarit të Kryesisë së socialistëve, duke mos pranuar më shumë se kaq.

Dardan Malaj

Parashimi i motit per Tiranen