Thursday, October 9, 2008

Fazlliç-Mishkoviç, lidhje kriminale

Arben Rrozhani

Vladimir Popoviç, ndihmës i ish-kryeministrit Zoran Xhinxhiç të vrarë nga pjesëtarë të “Klanit të Zemunit”, në një intervistë të dhënë pak kohë më parë për një gazetë boshnjake thotë se është nëntoka kriminale ajo që i lidh Damir Fazlliçin me Miroslav Mishkoviçin. “Fazlliç është mjeshtër i mashtrimeve, e nga sa dihet, kjo është pikërisht ajo që i duhet Mishkoviçit në Ballkan.



Vladimir Popoviç, ndihmës i ish-kryeministrit Zoran Xhinxhiç të vrarë nga pjesëtarë të “Klanit të Zemunit”, në një intervistë të dhënë pak kohë më parë për një gazetë boshnjake thotë se është nëntoka kriminale ajo që i lidh Damir Fazlliçin me Miroslav Mishkoviçin. “Fazlliç është mjeshtër i mashtrimeve, e nga sa dihet, kjo është pikërisht ajo që i duhet Mishkoviçit në Ballkan.

Prandaj ai dërgon atë kriminel të vogël që në emrin e tij t’i mbarojë punët më të ndyta korruptive prej Shqipërisë e deri në Bosnjë. Ai është njeriu që përdoret nga Radonçiçi dhe Mishkoviçi për punët e ndyta dhe do të jetë shumë interesant të shihet se në cilën anë do të rreshtohet, kur Mishkoviçi të vendosë të ‘lirohet’ nga Radonçiçi, siç ka vepruar me të gjithë partnerët e tjerë afaristë,”-thotë Popoviç.

Më 17 janar 2008 në të parjavshmen e pavarur boshnjake, “Slobodna Bosna”, jepet skema e bashkëpunimit të mandatit serb Mishkoviç me bosin e “Rudnap” Lazareviç, që ka sjellë energji elektrike për Shqipërinë dhe sekserit Fazlliç.

Të gjithë janë serbë, dy të parët milionerë dhe tjetri në shërbim të tyre. Gazeta thoshte se kishte në pronësi dokumente që vërtetonin skandalin mes ofertës së Rudnap Group për Kompaninë Energjetike të Bosnje-Hercegovinës, për furnizimin me 150 megavat energji. Kontrata shkonte në 10 milionë euro, në të cilën Rudnap i Lazareviçit dhe partnerit të tij në biznes, Damir Fazlliç, do të merrnin një pjesë të majme. Oferta e Rudnap ishte bërë në 11 dhjetor 2007 dhe një javë më pas firma e Lazareviç mori një refuzim nga Kompania Energjetike e BiH se nuk mund të kontraktojë për aq shumë energji.

Lazareviç ishte ngritur në biznes si tregtar energjie dhe partneri i tij kyç ishte bërë Fazlliç, i cili kishte krijuar një rrjet të fortë me politikanë, biznesmenë dhe shoqata mediash, në Serbi por edhe në BiH, sidomos pas zhvendosjes së tij nga Sarajeva në Beograd. Pas dështimit të kontratës mes Rudnap dhe Kompanisë Energjetike të Bosnje Hercegovinës, kompania e Lazareviçit “Kotlogradnja”, (pjesë e kompanisë Rudnap), në rrethana të dyshimta fiton një kontratë prej 40 milionë markash konvertibile për rikonstruksionin e TEC-it në Tuzla. Ligjërisht tenderin e fitoi kompania Transelectro, por kontraktori ishte Rudnap. Një lidhje e rëndësishme në këtë marrëveshje ishte “brokeri” me eksperiencë.

Këtu e një vit më parë, Fazlliç ishte konsulent për privatizimin e “Investicijska Bank” dhe përgatiti për privatizim kompanitë më të mëdha shtetërore të BiH, siç ishte Fabrika e Duhanit në Sarajevë.

***
Forbes e rendit miliarderin 62-vjeçar ndër më të pasurit në Ballkan

Milionat e Mishkoviçit, nga Millosheviçi dhe sot

Ai është në listat e Forbes, në rubrikën “Miliarderët e botës”. Është 62 vjeç, fitimi neto në vitin 2007 ishte 1 miliard dollarë. Ishte dikur atlet dhe më pas u laureua për ekonomi. Ishte qeveritar në regjimin e Millosheviçit dhe e la atë i pakënaqur për të themeluar “Delta M” një kompani holding për sigurimet, bankingun dhe rrjetin e supermarketeve. Gjatë luftrave në ballkan në vitet 1991-1995 ai e zhvendosi selinë e kompanisë në Moskë, Kiev dhe Qipro. Në 2001 ishte marrë peng, por ishte liruar pasi kishte paguar rreth 10 milionë dollarë për anëtarët e “Klanit të Zemunit”.

Në gusht 2003 Mirosllav Mishkoviç e kishte vënë në pozitë të vështirë ish-kryeministrin serb Zoran Zhivkoviç, i cili ishte nën presion për të vepruar ndaj dy zyrtarëve të lartë që ishin akuzuar per pastrim parash në korrik nga ish-guvernatori i bankës qendrore, Mladjan Dinkiç. Të dy zyrtarët, të përmendur në një dokument të policisë hungareze të cilin Dinkiq ua kishte dhënë gazetarëve, gjatë një konference për shtyp me 25 Korik, janë këshilltari i Zivkoviq për sigurinë, Zoran Janjuseviq dhe Nemanja Kolesar, drejtor i Agjencisë per Ristrukturimin e Bankave të qeverisë së Serbisë.

Dokumenti i akuzonte ata se kanë pastruar 1.02 milionë euro nëpërmjet një kompanie të regjistruar në ishujt Seyshell. Si Kolesar ashtu edhe Janjuseviq konsiderohen si pjesë e këtij grupi. I pari ka fituar postin e tij si këshilltar financiar i Gjingjiq për shkak të aftësive që kishte fituar në “Delta Bank”, në pronësi të financierit të kohës së Millosheviqit, Miroslav Miskoviq. Janjuseviq kishte punuar për policinë sekrete të serbëve të Bosnjës gjatë viteve 1992-93.

Dy vite më vonë, Mishkoviçi ua shet italianëve një pjesë të biznesit të vet. Në shkurt 2005, Banca Intesa bleu 75 për qind të aksioneve të Delta Banka me bazë në Beograd, për 278 milionë euro. Mishkoviç, president i Delta Holding, firmë amë e bankës, tha se do të investojë paratë nga shitja në zhvillimin e ardhshëm me objektivin për ta bërë kompaninë një kryesues rajonal në shitje, bujqësi dhe prodhimin ushqimor.

Kapitali gjigant i mbledhur nga Mishkoviçi ishte tema e preferuar e mediave serbe prej vitit 1990. Media serbe “Tabloid” (www.tabloid.co.yu) , në një analizë të gjatë të 2 marsit 2007 shkruante për Mishkoviçin si njeriu që bleu Serbinë në treg të lirë. “Miroslav Mishkoviç, sot është njeriu më i pasur në Serbi, ndër më të pasurit në Europë” dhe perandoria e tij financiare shtrihet në gjithë Ballkanin.

Duke patur parasysh lidhjet e tij të fuqishme me ish-kasapin e Ballkanit Millosheviç, gazetarët serbë shtronin pyetjen se pse holdingu i tij kishte emrin “Delta” (shkronjë greke) dhe “M” dhe pse jo “Delta 3 M” duke nënkuptuar Mirjanën, Marijan dhe Marko (Millosheviçin), përkatësisht gruaja dhe dy fëmijët e Sllobodan Millosheviçit.

Në kohën e krizës së madhe financiare në Serbi në vitin 1993, kur vendi vuante nga inflacioni galopant që rritej me minuta, Mishkoviç arriti të përfitonte nga këmbimi i valutës me dinarin e zhvleftësuar dhe falë lidhjeve me familjen Millosheviç dhe Partinë Socialiste Serbe banka e Mishkoviçit, kishte marrë përsipër të shpërndante edhe fondet e pensioneve.

Edhe në ditët e sotme sfondi kriminal nuk i ndahet emrit të bosit të “Delta”. Në nëntorin e shkuar lideri i partisë opozitare Liberal-Demokratike, Çedomir Jovanoviç, i dorëzoi Prokurorisë kundër krimit të organizuar aktpadine për shoqërim kriminalistik ndaj pronarit të Deltës Mirosllav Mishkoviç, ish-kryeministrit Vojisllav Koshtunica dhe disa ministrave e redaktorëve të mediave kryesore. Ekspertët juridikë thonin se në këtë aktpadi kishte pak elementë për nisjen e çështjes penale, sepse ato ështëvështirë të vërtetohen edhe nëse ekziston lidhja ndërmjet kompanisë Delta dhe politikanëve.

Serbët e stigmatizojnë në mënyrë artistike portretin e manjatit të tyre, Mishkoviç. Duke i bërë një fotomontazh me posterin e filmit “Sin City” të regjisorit Frank Miller, ku luajnë atkorë si Brus Uillis, Xhesika Alba, apo Beniçe Del Torro. Bashkëpunëtorët e tij në këtë “aksion” janë presidenti Boris Tadiç, ish-kryeministrit Koshtunica, zëvendëspresidentja e “Delta” Milka Forcan.


***
Bizneset e mandatit serb në Shqipëri pas ardhjes në Berishës në pushtet

Mishkoviç bleu në gusht 2008 supermarketet në Tiranë

Prej gushtit 2008 manjati serb Mirosllav Mishkoviç bëhet zyrtarisht pronari i një rrjeti supermarketesh në Shqipëri. Një biznes fitimprurës i nisur tre vite më parë që shitet për rreth 31 milionë euro. Pas shitjes u publikua se pronarët e rinj në Shqipëri janë holandezë, por ata kanë vetëm 5 për qind të aksioneve dhe pronari është bosi serb Mishkoviç, njeriu i dytë më i pasur i Serbisë, me kompaninë e tij “Delta”.

Se sa ballkanik është bërë biznesi i Mishkoviç e tregon harta e marrë nga sajti www.ekapija.com, ku një shigjetë është drejtuar mbi Shqipërinë. “Delta Maxi Shoping”, sipas njoftimit të agjencisë së lajmeve NOA, në verën 2008 ka bërë blerje të ngjashme dhe në Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinë dhe Bullgari. Planet e kompanisë janë që deri në vitin 2012 të hapë pika të ngjashme shitjeje dhe në Kroaci, Moldavi, Rumani, Ukrainë dhe Maqedoni. Blerja tjetër më e fundit ishte ajo në 4 tetor 2008 në Malin e Zi dhe "Delta City" është qendra tregtare me e madhe e llojit të vet në Malin Zi, dhe një nga më të mëdhatë në të gjithë rajonin. Se ai do të vinte në Shqipëri e kishte lajmëruar që në vitin 2006.

Sipas sajtit www.seecap.com, Mishkoviç paralajmëronte në qershor 2006, ndërsa prezantonte një investim prej 113 milionë eurosh në Maqedoni, se do të ishte pas një jave në Tiranë për të “parë për investime të mëtejshme”.

Delta Holding, kompania e tretë më e madhe në Serbi, hapi në 1 nëntor 2007 treg shitjesh me kapacitet të barabartë me qytetin e Novi Sadit. Delta Siti, qendra më e madhe tregtare në Ballkan u hap në Beogradin e Ri, një seksion i kryeqytetit serb që po bëhet qendra e biznesit të qytetit. 2007 ishte një vit zgjerimi për Delta Holding, kompania e tretë e madhe në Serbi, pas furnizuesve shtetërorë të naftës dhe elektricitetit dhe një nga pesë kompanitë kryesore në rajon.

Në shtator 2007, dega shitëse e kompanisë Delta Maxi bleu 85% të aksioneve në Piccadilly, një rrjet bullgar dhe ky është i pari investim nga një firmë serbe në një kompani nga BE. Atëherë njoftohej se kompania po negocionte për të hapur një qendër tregtare në Zagreb dhe e ka syrin në projekte të ngjashme në Tiranë, Shkup, Bukuresht dhe Sofje. Por Delta Holding pati dështime kur deshi të shkrihej me rrjetin më të madh kroat të dyqaneve, Agrokor, pasi në shtator 2007 marrëveshja u pezullua, me Delta që pretendon se autoritetet në Zagreb po vënë pengesa.


***
Biznesmeni: “Ndërhyj për Kosovën, në këmbim të vizës amerikane”

Mishkoviç, në listën e zezë të SHBA-së

Në 30 tetor 2007, radio serbe B92 me bazë në Beograd raportoi se Mishkoviçit i qe ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara për shkak të lidhjeve me regjimin e Slobodan Millosheviçit. Pasi regjimi ra, thoshte radioja, ai u lidh me autoritetet e reja dhe ka qenë në gjendje që atëhere të marrë një rol kyç në privatizim.

Mishkoviç e mbron pozitën e tij duke financuar bujarisht partitë politike serbe, pohonte B92. Delta i mohonte thëniet, duke thënë se ato janë pjesë e një fushate shpifjesh.

Në vitin 2007 ambasada amerikane në Beograd refuzoi ndërmjetësimin e Mishkoviçit për bisedimet mbi Kosovën, në këmbim të heqjes së emrit të tij nga lista e zezë e personave që nuk mund të hyjnë në SHBA. Oferta ishte bërë nga Bratislav Grubaçiç, botues i ‘VIP Bulletin’ , ku thuhej se Mishkoviç ishte gati të ndërhynte pranë qeverisë serbe mbi statusin e Kosovës. Dokumenti theksonte se në 18 maj 2007 Grubaçiç kishte biseduar me përfaqësues të çështjeve politike në ambasadën amerikane në Beograd. “Mishkoviç është gati të ofrojë ndihmën e tij dhe lidhjet e ngushta me qeverinë.

Mishkoviç është gati të ushtrojë influencën e tij mbi ministra kyç në qeverinë serbe për një politikë të butë shtetërore të serbisë mbi Kosovën dhe përballë SHBA-ve, për të mirën e sigurisë, stabilitetit pas shpalljes së statusit,”-thuhej në raportin e ambasadës amerikane. Mishkoviç është veçanërisht i shqetësuar pse është në listën e njerëzve që iu mohohet hyrja në SHBA dhe kjo e pengon atë të bëjë një marrëveshje biznesi me korporatat amerikane përfshirë “City Bank,’- u tha Grubaçiç përfaqësuesve të ambasadës amerikane.

Por ambasada nuk pranoi të bënte kompromis: “Refuzojmë kategorikisht dhe menjëherë propozimet e Mishkoviçit, veçanërisht duke u mbështetur në të dhënat e Gjykatës së Hagës për abuzimet e Mishkoviçit me detyrimet doganore, duke marrë përfitime në vitet 1999 dhe 2000 dhe për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në kontrabandën e cigareve në vitet 1993-1995, të cilat e fusin atë në listën e të korruptuarve dhe që rezulton që përjetë t’i refuzohet hyrja në SHBA,”-përmbyllet dokumenti i ambasadës amerikane në Beograd.

Marre nga gazeta "Shekulli"

Parashimi i motit per Tiranen