Friday, March 26, 2010

BALAC: HUNGARIA PRO SHQIPËRISË PËR VIZAT DHE HYRJEN NË BE

TIRANE – Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Balac, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Tiranë, u porit sot në një takim nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi.
Në takim ishte i pranishëm edhe Zëvendësministri i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë, Selim Belortaja dhe Ambasadorët e dy vendeve respektive.
Zyra për media tha se Presidenti Topi pasi i uroi mirëseardhjen Ministrit Balac, vlerësoi si shumë të mirë nivelin e bashkëpunimit politik mes dy vendeve tona dhe vuri në dukje “se ekzitojnë hapësira për ta thelluar akoma më tej këtë bashkëpunim në të gjitha fushat, sidomos përsa u përket shkëmbimeve dhe marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike dhe ato në fushën e turizimit.”
Kreu i Shtetit vlerësoi qëndrimet e qarta të Hungarisë në mbështetje të aspiratave të Shqipërisë për integrimin në NATO dhe më pas, në Bashkimin Evropian, sidomos në këtë etapë të rëndësishme të këtij procesi dhe në prag të liberalizimit të regjimit të vizave.
“Hungaria është një vend partner në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe një vend mik, duke dhënë një ndihmesë shumë të rëndësishme për Shqipërinë, – theksoi Presidenti Topi. “këtë e dëshmon edhe vizita e sotme e Ministrit të Jashtëm hungarez si dhe nënshkrimi i Marrëveshjes me homologun Meta.”
Ministri i Jashtëm hungarez, pasi shprehu kënaqësinë për këtë takim, siguroi Presidentin Topi se “vendi i tij do vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në të gjitha proceset integruese si dhe do të ndajë përvojën pozitive për kryerjen me sukses të reformave në këtë drejtim dhe arritjen e standardeve.”
Ministri Balac dhe Presidenti Topi çmuan rolin pozitiv dhe konstruktiv të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon për qëndrueshmërinë dhe bashkëpunimin politik duke theksuar se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë pjesë sa më shpejt në gjirin e familjes së madhe evropiane. (lajmifundit)

No comments:

Parashimi i motit per Tiranen