Thursday, December 6, 2007

Edhe të vdekurit braktisin “Tokën e shenjte”

SERBEZE HAXHIAJ
Banorët serbë të zhvendosur nga Kosova pas luftës marrin edhe të vdekurit me vete në Serbi

Në vitin 2006 nëpër të gjitha komunat e Kosovës është shtuar fluksi i kërkesave të familjarëve serbë të zhvendosura nga Kosova që duan t’i zhavrrosin të afërmit e tyre në Kosovë pasi që kanë vendosur përfundimisht të mos kthehen më...
Vetëm më 2006 janë bërë rreth 200 zhvarrime, ndërkohë që Ministria e Kthimit dhe Komuniteve e Qeverisë së Kosovës nuk ka të dhëna për këtë. Ato që kanë përfituar nga kjo janë kompanitë e transportit të kufomave. Qeveria e Kosovës e cilëson këtë si lojë politike të Beogradit kundër procesit të pavarsimit të Kosovës
Nën pishën e madhe në një cep të varrezave gjysmë të shkatërruara ortodokse në dalje të qytetit në Pejë, një varr ka mbetur i zbrazët. Në tërë atë rrëmujë kryqash të thyer, varri i Draganit mezi dallohet.
Varrmihësit e Bashkësisë Islame të qytetit që përkujdesen për mirëmbajtjen dhe varrimet e myslimanëve janë përkujdesur që varri i tij prej betoni të mbetet i paprekur.
Dragan Bjellenoviq, 1974, ka lindur dhe është rritur në Pejë.
Ai në vitin 1998, është vrarë në Vranoc nga UÇK-ja, si pjesëtar i ushtrisë serbe...
Pas lufte familja e tij është shpërngulur në Mal tëZi. Babai i tij Zharko para një muaji ka vendosur që t’i marr eshtrat e të birit, meqë ka vendosur të mos kthehet përfundimisht në Kosovë. Ai është larguar nga Kosova për në Mal të Zi në qershor 1999.
Shtatë vjet pas, edhe djali i tij i vetëm, Dragani i ndjerë, e bënë udhëtimin e fundit nga “Toka e Shenjtë”, në një arkivol të ndërmarrjes transportuese të kufomave “Dardania”.

Ms: Kanë ikur të gjallët, tash shkojnë edhe të vdekurit...
Sllobodan Petroviq, është udhëheqës i zyrës për komunitete në Pejë, por nuk punon në ambientet e komunës. Zyra e tij është në Gorazhdec, një fshat i serbëve dhe malazezëve, një zonë që ruhet nga forcat sllovene të KFOR-it . Petroviq thotë se është mirë që në këtë kohë të mos bëhen zhvarrime për shkak se mund të tingëllojë si politikë.
“Ato zhvarrime bëhen me dëshirën e familjarëve që kanë ndërruar vendbanimin dhe më nuk dëshirojnë të kthehen, prandaj edhe duan t’i marrin edhe të vdekurit që kanë këtu. Kanë ikur të gjallët, tash shkojnë edhe të vdekurit”.
Ai tregon se e ka njohur mirë familjen Bjellenoviq që tashmë i kanë zhvarrosur eshtrat e djalit të tyre të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Haxhi Zeqiri, është shef i kompanisë së transportit të kufomave “Dardania “, në Pejë, e cila ka bërë zhvarrimet dhe transportin e disa familjarëve serbë në Pejë.
Çmimet për një zhvarrim dhe transport sipas tij më së shtrenjti shkojnë në 400-450 euro për një person, sidmos në raste kur duhet të ketë arkivol që duhet mbyllur hermetikisht si në rastet kur i vdekur ka pasur ndonjë sëmundje ngjitëse.
“Kam pasur rastin të transportoj diku rreth 10 persona deri në kufirin me Malin e Zi. Ne i kemi kryer të gjitha procedurat që i ka kërkuar komuna. Ka pasur raste kur serbët kanë bërë kërkesë për tërheqjen e një familjari dhe pastaj kanë dashur që me atë rast të tërheqin edhe të tjerë, por nuk kemi lejuar”.
Për të realizuar procedurat e zhvarrimeve shpesh janë angazhuar avokatë të cilët janë autorizuar nga familjarët e të vdekurve. Sokol Mushkolaj, një avokat nga Peja, thotë se ka qenë i angazhuar në gjashtë raste.
“Përmes meje kanë shkuar gjashtë raste të zhvarrimeve këtu në Pejë”, thotë ai pa dashur të jep detaje për punën e tij dhe pagesën.
Por, për këtë punë kompanitë dhe ndërmjtesuesit kanë bërë edhe biznes të mirë. Ato shpesh marrin shuma mbi 1000 euro për të realizuar një gjë të tillë. Këtë e thotë njëri nga pronarët e kopmanive, Haxhi Zeqiri.
Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike në Pejë Skënder Avdyli, thotë se është rritur numri i kërkesave të familjeve që kërkojnë të tërheqin të afërmit e tyre nga varrezat e Pejës.
“Prej vitin 2005 kemi kërkesa më shumë. Diku 20 raste kemi këto vitet e fundit”.
Procedura për të zhvarrosur një të afërm nuk është aq e thjeshtë. Komuna kërkon që të ketë autorizimin e priftit me vulë të Kishës Ortodokse Serbe, certifikatën e lindjes dhe të vdekjes së personit, pastaj ekzaminimin për arsyen e vdekjes së personit. Po ashtu, nevojitet që familjarët të kenë edhe vertetimin me të dhënat e lokacionit se ku do të varroset personi që tërhiqet nga varrezat. Automjeti dhe numri protokollar i bartjes dhe mënyra e përcaktimit të identitit të personit të vdekur ngase ka varre që nuk kanë shenja. Kushti themelor sipas një rregullorje që ka përcaktuar UNMIK-u është që personi që kërkohet të zhvarroset të ketë së paku 5 vjet që ka vdekur dhe është varrosur.
Blerim Berisha, ka pasur shumë angazhime në zhvarrime këto dy vitet e fundit. Ai është inspektor sanitar në komunën e Fushë Kosovës dhe prezenca e inspektorëve gjatë procedurave të ekshumimit është e detyrueshme.
Sipas tij gjatë dy viteve të fundit kanë pasur 18 serbë të zhvarrosur dhe një slloven. “Kërkesat janë shtuar në vitin 2006 . Të gjitha zhvarrimet janë bërë me pajtimin e familjarëve dhe nuk ka pasur probleme. Ata kanë paguar vetëm 1 euro në komunë për kërkesën, asgjë tjetër.”
I fundit që është zhvarrosur nga varrezat ortodokse të Fushë Kosovës është Zvonko (Stanimir) Milkoviq 1972, i vrarë në 1999. Ai është rivarrosur në fshatin Ralje të Krushevcit.
Zakonisht familjarët kërkesat i bëjnë përmes ndërmjetësuesve të autorizuar, dhe këta, në disa raste marrin para të mira për këtë punë. Komunat për këtë lloj shërbimi kanë një taksë që ndryshon nga njëra te tjetra p.sh në Mitrovicë taksa është 20 euro, por një shumë të tillë nuk e ka edhe Peja, që kërkon vetëm , 0.50 cent.
“Asnjë kërkesë nuk ka ardhur nga familjarët, të gjitha i kemi marr përmes disa personave të autorizuar. Megjithse serbët e veriut e kanë pothuajse një hap deri këtu”, thotë Bahri Hamza inspektor sanitar në Mitrovicë.
Në këtë rajon vetëm vitin e fundit ka pasur 23 zhvarrime .
“Të vdekurit janë rivarrosur zakonisht në Beograd, Nish dhe në fshatrat e Quprisë”.

Ms: Udhëtimi përfundimtar në atdhe kushton 400 – 459 €

Driton Gerguri, drejtor i kompanisë për transportimin e kufomave “Loti”, në Mitrovicë, thotë se vetëm firma e tij ka bërë zhvarrimin dhe transportimin e 12 familjarëve, në Prishtinë, Fushë Kosovë e Mitrovicë.
“Ne kemi bërë zhvarrimin dhe bartjen e diku 12-13 familjarëve. Pagesa që është dashur të bëjnë për zhvarrimin, arkivolin dhe transportin është diku 400 - 450 euro varësisht nga vendi dhe largësia”.
Lokacionet që ata i kanë dërguar këto kanë qenë shumica deri në Merdarë, ku më pas i kanë marrë tjera kompani për në destinacionet ku është dashur të dërgohen për t’u rivarrosur.
Por, ajo që e kontaktojnë më së shumti familjet serbe për të kryer këtë lloj shërbimi është ndërmarrja transportuese e kufomave me emrin “Skorpion” (Akrepi), pronë e Zoran Radosavleviqit nga veriu i Mitrovicës.
Ndihmësi i tij, Naim Behrami, nuk dëshiron të flasë. Ai e ka frikën e etiketimeve që as ai vete nuk mund t’a shpjegojë.
“Kemi bërë disa zhvarrime ne Pejë dhe çka nuk kanë thënë për ne.”
Edhe kjo kompani ka çmime përafërsisht të njëjta me kompanitë tjera që ofrojnë këto shërbime.
Në komunë e Lipjanit deri më tani vetëm një person është regjistruar si i zhvarrosur.
Bëhet fjalë për Marjana Antiqin e cila është zhvarrosur nga varrezat e Lipjanit në janar të këtij viti dhe është rivarrosur në Kragujevc.
Në Gjilan vitin e fundit janë realizuar dy kërkesa të banorëve serbë për zhvarrosjen e të afërmve të tyre nga Kosova në Serbi.
Sipas Agim Salihut, drejtor i shërbimeve publike, komuna ka aprovuar në qershor 2006 kërkesën e familjes së Aleksandër Stanisavljeviq dhe në tetor të vitit 2006 kërkesën e familjes së Jaksha Miliqeviqit. Të dy rastet janë varrosur diku në Nish.
“Duam që babai i jonë të varroset pranë nënës sonë, prandaj kemi vendosur të marrim prej ketu”, thotë e bija Olgica Stanisavljeviq.
Inspektorët komunalë dhe policia ndalojnë fotografimin gjatë zhvarrimeve. Kurse në arkivat e tyre gjen të fotografuar secilin detaj të zhvarrimit.
Gjakova, është e vetmja komunë që deri më tani nuk ka pasur kërkesa për zhvarrime. Përparim Radoniqi, drejtor në NP “Qabrati” e cila ka përsipër përkujdesjen ndaj varrezave të qytetit, thotë se varrezat e serbëve kurrë nuk kanë qenë në kompetencë të ndërmarrjes në fjalë.
“Ne nuk kemi varre serbe ndaj as nuk kemi pasur kërkesa për zhvarrime”.
Radoniqi thotë se ka pasur raste kur familjet serbe i kanë dërguar të vdekurit në Pejë, ndërsa në varrezat e qytetit asesi nuk i kanë varrosur.
“Alternativa më e mirë për ta ka qenë Peja, ndërsa më e afërta Piskota. Në qytet asesi”.
Isak Rakovica, është drejtor i ndërmarrjes publike “Hortikultura” në Prishtinë e cila mbikëqyr varrezat e të gjitha komuniteteve që varrosen në Prishtinë. Ai thotë se në bashkëpunim me Inspektoratin Sanitar të komunës kanë përcjell të gjitha zhvarrimet që janë bërë me kërkesë të familjarëve. Shifra e atyre që janë zhvarrosur nga varrezat e Prishtinës ka arritur numrin 18.
“Ne në bashkëpunim me Inspektoratin Komunal dhe në nën mbikëqyrje edhe të policisë e bëjmë secilin zhvarrim në të cilën duhet të jetë i pranishëm, gjithsesi, edhe dikush nga familjarët. Në fund lokacioni spërkatet dhe gjendja e varrit kthehet në tokë të rrafshët si më parë”.

Mst: Në luftën politike kundër pavarësisë së Kosovës, serbët kanë futur edhe të vdekurit
Prezencën e policisë Rakovica e shpjegon me arsyen e sigurisë dhe dëshmisë se gjithçka ka shkuar mbarë. Pak më konkret duket zëdhënësi i policisë Veton Elshani. ”Pjesëtarët e policisë asistojnë gjatë zhvarrimeve ngase ka pasur raste kur kompanitë që kanë bërë zhvarrimet kanë lënë prapa rrëmujë dhe të tjerë familjarë serbë kur kanë ardhur t’i vizitojnë varrezat janë ankuar se ka dëmtime, prandaj edhe policia është prezent për të garantuar se gjithçka ka shkuar si duhet”.
Elashni, mohon të ketë ndodhur ndonjë incident serioz gjatë zhvarrimeve deri më tani.
Ministria për Kthim dhe Komunitete e Qeverisë së Kosovës, nuk ka shifra për numrin e serbëve të zhvendosur gjatë vitit 1999, që më nuk dëshirojnë të kthehen në Kosovë, dhe si rrjedhim, nuk ka as shifër të atyre që kanë tërhequr familjarët e tyre nga varrezat. Fatmir Sheholli, këshilltar i ministrit Branillav Gërbiq thotë se MKK, respekton dëshirën e atyre familjarëve që duan të marrin të afërmit e tyre të vdekur.
“Ne nuk kemi bërë ndonjë përllogaritje të numrit të të zhvarrosurve. Ne dëshirojmë që zhvarrimi i tyre të bëhet konform ligjit dhe asgjë më tepër”.
Arif Muqolli, këshilltar politik i kryeministrit Agim Çeku , thotë se vetë fakti se ketë vit është shtuar fluksi i kërkesave për zhvarrim tregon se kjo është luftë politike.
“Në kuadër të luftës kundër pavarësisë së Kosovës, serbët kanë futur edhe të vdekurit. Këto janë direktiva të Beogradit, të cilave, mendoj se familjet serbe nuk duhet t’u përgjigjen. Ne e kemi obligim të krijojmë kushte për të gjithë dhe ky moment nuk është i arsyeshëm për veprime të tilla”.
Ata tash me këtë duan të thonë se nuk kanë besim t’i lënë as të vdekurit këtu, thotë Muqolli për “Lajm”.
Ati Sava Janjiq, nuk preferon të flasë për këtë çështje dhe nuk tregon sa fletaprovime për zhvarrime ka lëshuar Kisha Ortodokse Serbe deri më tani në Kosovë.
Bazuar në një përllogaritje të kërkesave të realizuara nëpër komuna të Kosovës, vitet e fundit janë kryer rreth 200 zhvarrime, ndërkohë që komunat kanë edhe po aq kërkesa ende të paaprovuara për shkak të mosplotësimit të dokumentacionit që kërkohet.

Box

Ideja për të punuar temën për zhvarrimet e serbëve nga varrezat në Kosovë dhe rivarrosur në Serbi më kishte nisur së pari vitin e kaluar kur në një palë varreza ortodokse në vendin tim të lindjes Istog ( në perëndim të Kosovës), kisha parë tek dilnin nga varrezat tri arkivole të reja. Unë kisha parë tek hyjnë arkivole në varreza, por jo duke dal. Më vonë takova një serbe që kishte vendosur t'i merret të afërmit e saj në një zyrë në Komunë ku kishte bërë kërkesën për zhvarrim . Kjo zonjë që kishte jetuar gjatë në Kosovë që nga qershori 1999, kishte braktisur vendin dhe ishte shpërngulur në Serbi. Këtë grua e kisha dëgjuar duke thë0në se është shumë e gëzuar që i ka gjete varret sepse i kishin thënë se shqiptarët e Kosovës as eshtrat nuk ua kanë lënë e le më varret.
Në kohën kur pavarësimi i Kosovë, po bëhej opsioni më i pranueshëm për shumicën e bashkësisë ndërkombëtare , serbët në kuadër të luftës për ta penguar atë kishin futur edhe të vdekurit. Ata po përpiqeshin të jepnin një mesazh se serbët në Kosovë, më nuk guxojnë t'i lënë as të vdekurit. Kosova për shumicën e serbëve, atyre që jetonin këtu edhe atyre që jetonin jashtë saj, konsiderohej si një "tokë e shenjtë". Tani me kishte rastis të shoh tek njerëzit merrnin eshtrat e të bijve të tyre që kishin vdekur si ushtarë të armatës serbe në Kosovë, që kishin vdekur pikërisht për këtë tokë..


No comments:

Parashimi i motit per Tiranen