Thursday, December 6, 2007

Dukagjini i mbytur në gjak


Ankthi i gjakmarrjeve mes familjeve të hasmëruara e ka shndërruar Dukagjin në një vend si Malësia e veriut të Shqipërisë
Në gjak janë Elshanët, Muriçët, Kelmendët, Musajt, Zemajt, Osajt, Rexhajt, Rexhëbogajt, Dreshajt... Xhevdet Rexhaj ishte vrarë në nëntor të vitit 2006. Pa u mbushur një javë vëllai i tij, Ganiu, vret maturantin Ehtem Rexhajn në veturën e policisë, brenda Stacionit Policor në Pejë, i bindur se ai ka kryer vrasjen, ndonëse policia nuk kishte gjetur asnjë provë për këtë… Dukagjini po merr tiparet e “Perëndimit të Egër”... Rajoni më i zhvilluar i vendit sundohet paralelisht nga trajta të bastarduara të ligjit dhe Kanunit. Sipas të parit të Komunës, Kanuni po avancon ndaj ligjit.Ndërsa për krerët e gjykatës dhe policisë beteja pothuajse është e humbur. Elshanët e Ozrimit, Muriçët dhe Kelmendët e Pejës, Zemajt dhe Musajt e Strellcit, janë klanet e mëdha familjare që sipas tyre janë bërë sinonim i hakmarrjes. Sipas interpretuesve të Kanunit, ky rajon tashmë i ngjan Malësisë së Shkodrës, ku imazhi i vrazhdë i Kanunit është rikthyer plotësisht



SERBEZE HAXHIAJ & SALI BEQIRAJ

Pejë prill- Akoma pa filluar procesi gjyqësor një grup njerëzish të paautorizuar me vetiniciativë, këtë javë kanë marr një vendim. “Është i lëçitur (izoluar) nga fshati ose do të detyrohet të lërë fshatin ai që e prish marrëveshjen dhe hakmerret” …
Në konceptin e tyre kërkesa për të marr pëlqimin e dy familjeve Rexhaj nga Jabllanica e Pejës,( të dyja të ngujuara), përmes nënshkrimeve nuk është “nxjerrje bese”, sipas metodës klasike të interpretimit të Kanunit…
Imami i tri fshatrave të kësaj, ane Sadri Zekaj, një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë,
Daut Morina dhe një tjetër nga komuna e Pejës Musa Rexhaj , kanë nisur një plan për pajtim dhe për një heshtje të armëve dhe hakmarrjes për të paktën dy vitet ardhshme.
Marrëveshja sipas tyre thënë në gjuhën e diplomacisë është një “moratorium” dy vjeçar heshtje derisa gjakrat të qetësohen dhe deri atëherë edhe gjykata do të ketë marrë një vendim. Të dyja familjet kanë venë nënshkrimet, por asnjëra nuk duket e vendosur që do t’i përmbahet… “Ma kanë vrarë djalin dhe nipin.. dy nipat tjerë i kam në burg , kurse tjetri është arratis … çfarë pajtimi mund të kërkoj kush më ”, thotë plaka 75 vjeçare Haka Rexhaj.
Në mes të këtyre dy familjeve nuk ka më vrasës dhe të vrarë , të dyja konsiderojnë se tjetra palë u ka borxh. Në familjen tjetër të hasmëruar vetëm 20 metra larg kësaj shtëpie njëri nga meshkujt thotë se nuk vlejnë nënshkrimet që kanë dhënë për heshtje dyvjeçare.
“Nëse ma dënojnë vëllain unë do të hakmerrem sepse ata më kanë borxh .. është vrasje dhe masakrim”, thotë 30 vjeçari Haki Rexhaj.

Ms:Vrsaja e një gruaja për 4 arë tokë nis zezonat e gjakmarrjes

Gjithë historia e një zinxhiri prej 4 vrasjeve njëra pas tjetrës në mes kushërinjëve Rexhaj në Jabllanicë lidhjet me vrasjen e një gruaje dhe blerjen e 4 ari tokë.
Tani të dyja familjet kanë nga dy meshkuj në burg dhe secila dyshohet për nga dy vrasje të kryer. Në familjen e Sadri Rexhajt, i vrarë në vitin 2004 , pas vrasjes së djalit të tij Ethemit 18 vjeçar para 5 muajve shtëpia ka mbetur në tri femra që rrinë të mbyllura. Dy djemtë e tjerë të Sadriut, Dina dhe Aliu, janë në burg për vrasjen e gruas së kushëririt të tyre Zojë Rexhaj, kurse Burimi, një pjesëtar i TMK-së, tashmë familja thonë se ka ikur në Amerikë nga frika e gjakut dhe hakmarrjes. Por në fakt askush nuk e di ku është ai.
Në familjen tjetër atë të Halit Rexhajt kanë mbetur tre meshkuj që gjithashtu lëvizjen e kanë të kufizuar, dy meshkujt të kësaj shtëpie, Ganiu dhe Kadriu janë në burg të dyshuar për vrasjen e Sadriut dhe të birit të tij Ethemit.
Pas shumë vrasjeve dikujt i ka rëndë në mend se praktika e Kanunit,mund të jetë më e efektshme për të ndal të paktën për një kohë mekanizmin e gjakut. Imami Sadri Zekaj, thotë se kanë nisur një plan për një heshtje të përkohshme. Por ai nuk është aq I sigurt nëse familjet do t’i përmbahen fjalës dhe nënshkrimeve. “Ne do ti lëçitim dhe do t’i detyrojmë ta lënë fshatin”, thotë i vendosur ai.
Po, aq i bindur në qëllimin e tij duket edhe Hakiu. “Mua askush nuk do të ketë fuqi të më largoj ose të më detyroj për diçka .Nëse drejtësia nuk e bën punën e saj dhe ma dënon më shumë se që duhet vëllain unë do të marr hak sërish sepse mua ma kanë vrarë dhe ma kanë masakruar vëllain (Xhevdetin)”, thotë ai krejt i qetë…
Për një copë tokë prej vetëm 4 ari që është shitur e stërshitur janë vërë një bela një mëhallë e tërë . Xhevdet Rexhaj ishte vrarë në nëntor të vitit 2006. Pa u mbushur një javë vëllai i tij, Ganiu vret maturantin Ehtem Rexhajn në veturën e policisë brenda stacionit policor në Pejë, i bindur se ai ka kryer vrasjen, ndonëse policia nuk kishte gjetur asnjë provë për këtë…Logjika e hakmarrjes kishte kaluar pragun e policisë , kurse vrasja kishte tronditur në themel institucionin e uniformave blu të Kosovës…

Ms; Policia fut nën monitorim raportet mes familjeve Kelmendi, Elshani , Muriqi ,Zemaj, Musaj e Osajt

Nuk është vetëm kjo një rrëfim gjakmarrje ngatërrimi midis ligjit dhe kanunit që kanë sjell vetëm zezona në këtë provincë. Peja si asnjë vend tjetër është e mbushur përplot histori gjakmarrjesh familjare. Sipas statistikave të policisë Peja mban shifrën më të lartë të vrasjeve të rënda, një pjesë e të cilave konsiderohen politike. Këtë rajon e mban ende nën ankth dyndja midis klaneve që përfliten shpesh në veprime kriminale . Në fakt vrasjet më të shpeshta janë lidhet me emrin e familjeve Kelmendi, Elshani , Muriqi ,Zemaj e Musaj, Osajt . Por, drejtësia asnjëherë nuk e ka zbardhur çështjen e këtyre ngatërresave që duket se ka filluar që nga lufta …Kjo sipas një prokurori që preferon të mos citohet për gazetën është vështirë të ndahet në fajtorë dhe jo fajtorë… “ Ngatërresat janë trashëguar qysh nga koha e luftës. Në fakt është vështirë të hetohen gjithë këto raste”.
Në një hapësirë jo edhe aq të madhe të qendrës së urbanizuar në çdo kohë gjen familje të ngujuara sipas Kanunit… ndërkohë që persona të dyshuar si dorases mbahen në burg. Pak kanë bërë paria e komunës dhe e policisë për ta penguar këtë.
Për shkak të mos efikasitetit të policisë dhe gjykatave për të hetuar dhe zbardhur rastet, hesapet shpesh kanë përfunduar me shumë më shumë viktima . Egërsisë së hakmarrjes nuk i kanë shpëtuar as fëmijët…Imazhi i fëmijëve që ndërpresin shkollën dhe ngujohen për shkak të gjakmarrjes nuk është më një rast i vetëm i izoluar….
I pari i komunës së Pejës , Ali Ljaçi, për herë të parë thotë se në rajonin ku udhëheq po sundon Kanuni. “Ligji dhe kanuni janë në luftë njëri me tjetrin. Është e vërtetë që gjykata dhe policia kanë dështuar në dyndjet e klaneve Elshani , Kelmendi , Muriqi, Osaj apo Zemaj. Këto nuk janë thjeshtë probleme gjakmarrjes ato janë edhe çështje të bizneseve dhe luftës për dominimin... Është një problem shumë kompleks . Ne po përpiqemi që përmes këshillave të pajtimit të relaksojmë këtë gjendje” .
Shumë pak nga rastet e vrasjeve dhe ngatërresave tjera midis këtyre familjeve ka mundur të zgjidh gjykata.
Esat Shala , kryetar i Gjykatës së Qarkut në Pejë , thotë se problemi i vrasjeve për gjakmarrje nuk është një dështim vetëm i gjykatës,por edhe i shoqërisë nëpër t’u përballur me këtë. “ Ne mund të zgjidhim një lëndë për gjakmarrje, por nuk mund t’i rregullojmë raportet e mëtutjeshme të këtyre familjeve”, thotë Shala për Lajm.
Por, ai hesht kur është fjala te çështja e vrasjeve mes grupeve rivale që identifikohen në këtë rajon nga të cilat ka pasur shumë vrasje viteve të fundit. “Për Elshanët, Kelmendet , Muriqët , Osaj , Musajt kemi së paku nga një lëndë që na është dashur të merremi. Në këto lëndë kanë punuar më shumë prokurorë dhe gjyqtarë ndërkombëtarë . Tani është shumë komplekse të flitet për suksesin e tyre. Gjërat ende janë në proces”.
Ahmet Hasi,i pari i policisë në këtë rajon thotë se policia janë duke u hetuar të gjitha rastet e vrasjeve të rënda, por ai mbetet pa fjalë kur është çështja e pengimit të vrasjeve tjera për gjakmarrje ….”Ne po i monitorojmë dhe po i hetojmë këto familje.Elshanët , Kelmendët , Musajt , Osajt, Muriqët, janë nën monitorimin e policisë . Ne jemi duke u marrë me ato dosje.. nuk është që nuk guxojmë t’u qasemi. Është e vështirë të flasim për raportet e tyre që mund të kenë sjell viktima”, thotë koloneli Hasi.
Policia e tij tashmë kanë bërë një regjistër të familjeve të hasmëruara si pjesë e strategjisë kundër vrasjeve për hakmarrje... “Por ne nuk po mund të bëjmë sa duhet me fëmijët që ndërpresin shkollën për këtë çështje sepse për të hapur procedurë duhen fakte e familja tjetër na thotë se ne nuk po i detyrojmë të hakmerren , kurse këta s’guxojnë të dalin”.

Ms: Dukagjini , Malësia e dytë e Shkodrës

Avdyl Hoxha , një punëtor i Ministrisë së Kulturës , që vjen nga një familje në zë në rajonin e Dukagjinit, i njohur për ‘ndarje pleqnish’,sipas rregullave të Kanunit në “Odën e Junikut”, fajin për mos zbardhjen e gjithë vrasjeve vë te organet e drejtësisë . Ky thotë se Dukagjini është bërë sikurse veriu i Shqipërisë, ku fenomeni i gjakmarrjeve është një përditshmëri. Sipas tij problemi i gjakut nuk është aq i madh te rastet individuale sa te grupet kriminale, vrasjet e të cilave nuk lidhen thjeshtë me hakmarrje. “Ato janë shndërruar në larje hesapesh midis klanesh ku shpesh nuk janë kursyer as fëmijët”. Nuk mund askush tani të hyj midis Elshanve , Kelmendve , Muriqve, Musajve apo Osajve. Askush nuk ua ka më besën këtyre njerëzve. Edhe gjykatat kanë dështuar të vënë drejtësinë në këto raste. Tani imazhi i Dukagjinit është bërë njësh me atë të Veriut të Shqipërisë”, thotë Hoxha
Familja Rexhbogaj është njëra nga ato që u jep besë familjes Hasanaj nga Peja e cila po ashtu është e ngujuar një qendër të qytetit vetëm pak metra nga stacioni qendror i policisë dhe nga ndërtesa e burgut.
Sipër në një lagje tjetër, Kapshnicë në Pejë një fëmijë (Dren Shala) e ka ndërprerë shkollën ngase e ëma ka vrarë një person. Ky fëmijë është “renditur” me burrat e familjes sepse nuk kanë besë. Dreni nxënës i klasës së tretë ka dy muaj që nuk guxon të shkoj në shkollë . E ëma e tij Shukrija , për motive ende të paqarta ka vrarë fqinjin e tij Driton Mamaj. Ajo është burgosur kurse burrat tjerë të familjes janë ngujuar duke përfshirë edhe atë.
Pak kohë më parë një grup njerëzish të politikës kishin arritur të pajtonin një nga familjet e hasmëruara atë Kastratve dhe Markajve. Nëntë muaj pas vrasjes së Viktori Markajt, vëllai i tij Alberti, polici i Njësisë Speciale, nxjerr gjakun e të vëllait brenda stacionit policor duke vrarë Besnik Kastratin… Kurse gjykata akoma nuk ka dhënë vendimin për të tre personat që akuzohen për vrasje.
Për nëntë muaj familja 25 anëtarësh e Beqir Kastratit kishte qëndruar e ngujuar në shtëpinë e tyre në qendër të qytetit . Për të respektuar rregullat kur nuk jepet besa edhe fëmijët kishin ndërprerë shkollën … Vrasja e Besnkiut të arrestuar për armëmbajtje pa leje brenda stacionit policor dhe vrasja e Ethem Rexhajt, një vit pas po ashtu i arrestuar dhe me duar të lidhura ka tronditur besimin te efikasiteti i policisë në këtë rajon …
Zbutjen e këtij problemi kreu i gjykatës Shala e lidh jo me rritjen e efikasitetit të punës së gjyqësorit , por me krijimin e mekanizmave pajtues nga njerëz që do të jenë me ndikim. “Pajtim dhe shuarje hasmërish mund të bëjnë organet që parashihen edhe me ligj si ndërmjetësues”.
Por, për “pleqnarin”, Abdyl Hoxha, thotë se nuk ka pajtimtar që do të mund të zgjidhte si duhet këtë problem . “Më herët p.sh në këtë zonë ka qenë një pleqnar Adem Elshani, dhe fjala e tij ka zënë vend dhe ke mundur të merresh vesh me të . Por, tash është rrëfim tjetër dhe askush nuk do të dëshironte të kishte punë me Elshanët, Kelmendët me Muriqët apo Musajt sepse nuk mund t’u besosh këtyre njerëzve “.
Ibrahim Selimaj, thotë se Elshanët ia kanë vrarë djalin 4 vite më parë, por, në familjen e Isuf Elashnit i vrarë së bashku me të birin thonë
Se nuk i kanë hak askujt dhe se Kelmedët kanë paguar njerëz për t’i vrarë dy familjarët e tyre.
Ligji dhe Kanuni kanë vënë standarde tjera të dyfishta për jetën e njerëzve. Imami i fshatrave Sadri Zekaj , thotë se falja dhe pajtimi tani janë bërë temat kryesore ku ata u predikojnë besimtarëve nëpër objektet e kultit. Në një ditë kremte të faljes së Bajramit në këtë anë mesazhin e parë që jep kleriku është largojuni hakmarrjes mësohuni të falni. Në Dukagjin gjaku falet , por edhe falja merret… 5 vjet pasi ishin pajtuar familjet Rexhbogaj dhe Dreshaj, nipi Shkelzen Hasanaj kishte marr gjakun e dajës së vrarë para 17 vitesh. Në praktikën e Kanunit kjo është një gjë e lejueshme sepse djali i motrës llogaritet më i afërte se ai i vëllait për të marr gjakun…

No comments:

Parashimi i motit per Tiranen