Monday, December 10, 2007

Uithers: Kjo Shqipëri befasuese


Ambasadori i SHBA në Tiranë flet për debatin bërthamor, Kosovën, rrugën Durrës-Kukës dhe çështjen "Sollaku"


Me ambasadorin amerikan në Tiranë, Xhon Uithers II, është një kënaqësi e vërtetë të flasësh. Diplomat me përvojë, por para se të jetë i tillë, bir i një funksionari të lartë, Uithers shkeli në vendin tonë pas një trajektoreje të gjatë, nga fëmijëria e kaluar në Laos e Tailandë, e deri te shkollimi në universitetet më të mira amerikane, e më pas një angazhim prej disa dekadash në Departamentin e Shtetit dhe ambasadat e SHBA në Riga, Lagos dhe Hagë. Një erudit i historisë dhe kulturave botërore, më shumë se një diplomat i ftohtë, Uithers thotë se është impresionuar nga muajt e tij të parë në Shqipëri, në këtë vend të dominuar "nga ndjenja e energjisë dhe dinamizmit". Kush e ka parasysh diplomatin mistik, që punon i mbyllur pas njëmijë barrierave, mureve dhe masave të sigurisë do të mbetej i zhgënjyer në imagjinatën e tij. Natyrisht, siç e thotë edhe vetë ai, të hysh sot në ambasadën amerikane nuk është e lehtë si një herë e një kohë. Por pasi ke kaluar procedurat e zakonshme të sigurisë, biseda me diplomatin e lartë amerikan është më e natyrshmja e mundshme. Nga debati bërthamor te Kosova, nga çështja "Sollaku" te klima politike në vend. Ja pikëpamjet dhe qëndrimet e Uithers.


Z. ambasador, keni marrë postin pak muaj më parë. Sa përputhet ajo çka dinit për Shqipërinë, me atë që keni gjetur tani që jeni këtu?


Mendoj që Shqipëria e vërtetë i ka kapërcyer të gjitha pritshmëritë që kishte përpara se të vija këtu. Mendoj se në çastin që vjen në këtë vend, të bën shumë përshtypje ndjenja e energjisë dhe e dinamizmit; jo thjesht nga pikëpamja e qeverisjes, por e njerëzve të zakonshëm. Tirana është plot gjallëri. Tirana është plot jetë dhe mendoj se ajo që sheh nga niveli i rrugës dhe më lart është një ndjenjë fillimesh të reja, mundësish, shansesh që tani janë në dispozicion të njerëzve dhe që nuk kanë qenë aty vetëm disa vite më parë. Dhe, ç‘është më e rëndësishme, një ndjenjë njerëzish që po bëjnë gjithçka që munden për familjet e tyre, për shkollimin, udhëtimin, aksesin ndaj informacionit, apo edhe thjesht shprehjen e hapur të ideve. Është një vend shumë shumë dinamik. Është diçka për të cilën dëgjon kur je jashtë vendit, por të vish dhe ta shohësh me sytë e tu është vërtet frymëzuese.


Cili është gjykimi juaj për vendin? A është Shqipëria një vend normal?


Po, patjetër. Mënyra se si e shoh unë është që vitet e diktaturës, vitet e Hoxhës, ishin anormale. Nga ajo kohë, synimi i Shqipërisë ka qenë që të fitojë normalitetin dhe pikërisht kjo ka ndodhur dhe ka ndodhur shpejt dhe në një periudhë të shkurtër kohe. Por, do të thosha diçka tjetër. Do të thosha që ekziston një element, pjesë e atij dinamizmi për të cilin fola, që ishte kërkimi për diçka të re dhe të ndryshme e që nuk ka qenë më parë në Shqipëri dhe ky është kërkimi për demokracinë, për liritë individuale, për mundësi të tregut të lirë, të gjitha këto bashkë. Shqipëria kishte njëfarë tradite, por duhej të ecte përpara në një mënyrë të re dhe të shpejtë. Pjesa tjetër është ruajtja, mbrojtja dhe mendoj edhe zhvillimi e hapja e aq shumë elementëve të traditës shqiptare, që kanë ekzistuar gjithmonë dhe që kanë qenë gjithmonë aq mbresëlënëse e të veçanta. Më lejoni t‘ju jap një shembull. Një prej gjërave mbresëlënëse këtu në këtë shoqëri, sipas meje. E di që shpesh të huajt vijnë nga jashtë dhe flasin për të mbështetur zhvillimin e një shoqërie civile, por një element i shoqërisë civile këtu është mbresëlënës dhe mendoj, shumë përpara mjaft vendeve që kanë pasur histori më të gjata demokracie se sa Shqipëria. Dhe kjo është toleranca, toleranca në fushën fetare, ku besimet e ndryshme jetojnë krah për krah në harmoni të përkryer, në bashkëpunim të përkryer; dhe njerëzit dëshirojnë që kjo lloj karakteristike, kjo lloj ndjenje të mund të eksportohet në shumë vende të botës, ku feja bëhet një element aq ndarës dhe shkatërrues. Po e shtjelloj pak idenë. Disa thonë që feja ka qenë ç‘theksuar për shumë kohë këtu, sidomos gjatë regjimit komunist. Unë do të hidhja vështrimin te historia absolutisht fenomenale, rrëmbyese, dramatike e shqiptarëve në kohën e Holokaustit; fakti që toleranca është e rrënjosur, është brenda shpirtit shqiptar dhe ka qenë e tillë nëpër shekuj dhe kemi një shoqëri me besime të ndryshme, në atë kohë, tradita islame apo ajo e krishterë, lejuan megjithatë që të vijnë refugjatët çifutë, të pashpresë, në rrezik të madh, pa rrënjë në Shqipëri. Kish pasur më parë një bashkësi të vogël vendase, por këta njerëz që po vraponin prej llojit më të tmerrshëm të shtypjes dhe, edhe atëherë mbetën të huaj në këtë vend, megjithatë shqiptarët i zgjatën dorën dhe i përqafuan, i fshehën, duke vënë veten në rrezik të madh. Ka pak vende në të gjithë Evropën, këtu përfshij edhe demokracitë e konsoliduara, që nuk kanë një histori që të jetë kaq krenare dhe kaq fisnike sa kjo e shqiptarëve.Shqipëria dhe SHBA kanë bashkëpunim shumë të ngushtë. Pala shqiptare e konsideron SHBA partnerin e saj strategjik. Cilat mund të jenë mënyrat për ta përmirësuar bashkëpunimin në të ardhme? Së pari mendoj se është pikërisht ashtu - Shqipëria dhe SHBA janë partnerë strategjikë. E përsëris, është një fakt mbresëlënës që Shqipëria, nëse mund të përdor shprehjen "bart më shumë sesa pesha e vet" nga pikëpamja e çështjeve ndërkombëtare; një vend prej 3.5 milionë njerëzisht, i sapodalë nga diktatura, e megjithatë jeni eksportues të sigurisë dhe eksportues të forcave që luftojnë në luftën e tmerrshme kundër terrorizmit, që është vërtet murtaja e të gjithë botës - me kontribute në Irak, Afganistan, Bosnjë. Të gjitha këto janë kontribute madhore, mendoj, në përpjekjet tona dhe të aleatëve tanë për paqen dhe sigurinë botërore; në organizatat ndërkombëtare, zëri i Shqipërisë në OKB, në IAEA (Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike), të gjitha këto, si një forcë e respektuar. Ne e vlerësojmë shumë kontributin që marrim nga ju. Nga pikëpamja e së ardhmes, do të thosha që aktualisht jemi në pozicionin e favorshëm për të ndërtuar mbi këto themele, për të vazhduar ndërtimin në linjat që kemi. Kemi shumë programe që janë ndërtuar për të bërë pikërisht këtë. Kemi programe në fushën ekonomike, në fushat e kulturës, në fushën e shkëmbimit ushtarak; kemi Llogarinë e Mijëvjeçarit; po punojmë shumë ngushtë në fushat gjyqësore e ligjore me zyrat tona të ICITAP dhe OPDAT këtu. Të gjitha këto janë ndërtuar si për të forcuar partneritetin që kemi tashmë, ashtu edhe për të ndihmuar në ato fusha që Shqipëria dhe SHBA së bashku kanë identifikuar si fusha në të cilat Shqipëria do përparim të mëtejshëm, të marrë ekspertizë, apo të vazhdojë ndërveprimin.


Këto ditë në Shqipëri po zhvillohet një debat mbi energjinë bërthamore. A do t‘i mbështesnin SHBA përpjekjet e Shqipërisë për të pasur energji të tillë, drejtpërdrejt apo nëpërmjet agjencive përkatëse?


Mendoj se është më shumë një çështje për t‘u vendosur dhe arritur një konkluzion nga qeveria dhe populli shqiptar. Dukshëm, ne po përpiqemi të bëjmë çka mundemi për të ndihmuar në ndërtimin e infrastrukturës së Shqipërisë, përfshirë dhe fushën e energjisë. Në lidhje me formën e veçantë të energjisë që mund të doni të keni, mendoj se duhet bazuar mbi vlerësimin e nevojave tuaja, financave dhe gjërave të tjera që merren në konsideratë. Edhe ne vetë kemi centrale bërthamore. Kemi edhe burime hidro dhe termike. Më shumë kjo është një çështje përputhjeje e rrethanave të kërkesave tuaja, me atë që shihni se është mënyra më e efektshme për nga kostoja, për të arritur rezultatet që doni.


Pra, konfirmoni që nuk është një çështje me implikime politike, por çështje standardesh, kryesisht teknike?


Mua më duket se është një çështje e vazhdimit të ndërtimit të infrastrukturës tuaj.


Kohët e fundit ka pasur debate mbi mënyrën se si po ndërtohet rruga Durrës-Kukës, një projekt madhor infrastrukture në vend. Ekziston një kërkesë e prokurorisë për të marrë të pandehur ministrin e Jashtëm lidhur me këtë çështje. Si ambasador i SHBA, si i keni përjetuar zhvillimet e tilla, duke pasur parasysh përfshirjen e një kompanie amerikane në projekt?


Mendoj ka dy anë në këtë pyetje. Së pari, nga pikëpamja e cilitdo qoftë procesi ligjor shqiptar, kjo është një çështje shumë e brendshme. Nga pikëpamja e lidhjes dhe përfshirjes amerikane, jemi të kënaqur që një kompani me përvojën dhe aftësitë e "Bechtel" është përfshirë dhe po punon shumë fort për ta përfunduar projektin. Mendojmë që kur të jetë ndërtuar rruga, do të ketë përfitime reale jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. Çdo raport që kam thotë që projekti po ecën mirë dhe shpresojmë, nëse lejojnë edhe rrethanat gjeologjike, do të vazhdojë të ecë përpara edhe në të ardhmen ashtu si deri tani.


Siç e dini, Prokurori i Përgjithshëm Sollaku u shkarkua. Në mes të këtij tensioni ka pasur një vendim të Gjykatës Kushtetuese që thoshte se prokurori i Përgjithshëm nuk mund të hetohet në lidhje me çështje specifike. Megjithatë, duket se mazhoranca bëri pikërisht këtë - e shkarkoi prokurorin mbi baza të tilla. A mendoni që u prek pavarësia gjyqësore dhe që ndërhyri politika?


Nuk mendoj se vendimi se kush duhet të jetë apo të mos jetë na përket ne. Kjo është vërtet një çështje shqiptare. Ne merremi me institucionin. Për ne, e rëndësishme është që institucioni të ruhet në pavarësinë e tij, që të vazhdojë të ketë juristë të cilësisë më të lartë, dhe që kushdo që e mban atë post të caktuar të mos jetë lidhur me ndonjë grupim politik këtu. Kemi punuar me prokurorët e Përgjithshëm, cilëtdo që kanë qenë. Kemi punuar në të kaluarën. Do të vazhdojmë edhe në të ardhme. Debati mbi prokurorë të përveçëm është tërësisht, tërësisht diçka e brendshme e Shqipërisë. Ne do të shpresonim që institucioni të mbetet ashtu si është krijuar, transparent, i pavarur dhe me kualifikimet më të mira gjyqësore.Ajo që do të thosha më tej është që jemi të interesuar - nga pikëpamja e gjyqësorit - që ta shohim si një çështje që lidhet me përgatitjet e Shqipërisë për NATO-n. Jemi shumë të interesuar që reformat e gjyqësorit, që janë specifikuar dhe njihen mirë, të vazhdojnë në një mënyrë sa më të shpejtë që të jetë e mundur. Edhe një herë, kjo është diçka e ndarë nga Prokurori i Përgjithshëm. Flasim mbi një gjë më të gjerë, ku ne amerikanët kemi interes. Do të donim të shihnim KLD, Parlamentin, të hyjnë vërtet në veprim nga pikëpamja e gjërave të ndryshme që janë përcaktuar, që janë rekomanduar dhe sugjeruar për të siguruar që gjyqësori të ketë nivelin më të lartë të gjykatësve e magjistratëve, që procesi i përzgjedhjes së tyre të jetë absolutisht transparent, që procedurat gjyqësore të jenë të hapura dhe të drejta sipas standardeve më të larta, dhe një numër fushash të tjera. Siç e dini mirë, siç e dinë të gjithë, po i afrohemi kohës në të cilën do të bëhen vendime për kandidaturën në NATO dhe kjo kohë po bëhet gjithnjë e më e shkurtër. Prandaj, nxisim të gjitha palët, qeverinë dhe opozitën, që të mendojnë nga pikëpamja e interesit kombëtar, jo nga pikëpamja e debateve të brendshme politike, dhe të ecin sa më shpejt që të jetë e mundur përpara për t‘i vënë ato reforma në vijë. Edhe një herë, e përsëris dhe e theksoj, që është një çështje që i kapërcen partitë, siç e shohim ne. Grupet shqiptare të të gjitha ngjyrimeve politike, të djathtë dhe të majtë, e kanë bërë shumë shumë të qartë që një ftesë për në NATO është një synim parësor i politikës së jashtme për vendin. Prandaj, është koha që këto forca, në mazhorancë dhe opozitë, të kuptojnë që koha është tani dhe që t‘i vihen punës për reformat gjyqësore, reformat zgjedhore, dhe të gjitha gjërat e tjera që janë përcaktuar si standarde të bazuara mbi rezultate.


E përmendët disa herë integrimin në NATO. A do ishte e vështirë një perspektivë e tillë, duke pasur parasysh që mazhoranca dhe opozita kanë shumë e shumë pika divergjence? Pas shkarkimit të prokurorit të Përgjithshëm, opozita shprehu skepticizëm për vazhdimin e reformës në drejtësi. A do ta vononte një klimë e tillë ftesën e NATO-s?


Mesazhi im për të gjitha palët e përfshira do të ishte të shohin nga vetja, të kapërcejnë çfarëdo debatesh të brendshme mund të kenë për momentin, për të mirën kombëtare. Në ShBA. kemi një shprehje, "Debati politik ndalon në vijën e ujit", - ShBA ka oqeane nga të dyja anët; kjo do të thotë që kur flitet për pozitën e ShBA. në botë, palët bëhen bashkë. Në Shqipëri, shprehja mund të mos përshtatet saktësisht për nga gjeografia, por fryma është e njëjtë: kur vjen koha për të parë pozitën e Shqipërisë në botë, gjërat që Shqipëria aspiron, sidomos në lidhje me dëshirat e shprehura për t‘u integruar në bashkësinë euro-atlantike dhe më në veçanti në NATO, atëherë debati i brendshëm politik ka plotësisht vlerë të vazhdojë, por mendoj, këshilla dhe rekomandimi im në këtë kohë është që palët të ngrihen mbi këtë për hir të synimeve më të mëdha. E di që është e vështirë. Debati i brendshëm është vërtet një gur themeltar i demokracisë. Debati është i nevojshëm dhe duhet nxitur. Politika është politikë dhe kështu do të jetë gjithmonë. Por, ka disa momente kritike, vërtet kritike, dhe ka vendime kritike që duhen marrë nga të dyja anët, dhe për hir të kësaj, nga pikëpamja jonë, është e rëndësishme për të gjitha palët e ndryshme në debat, mazhorancë dhe opozitë, ta rrokin këtë çast në interes të interesave më të mëdha shqiptare.


Zoti ambasador, çfarë Kosove prisni pas 10 dhjetorit: një shtet të pavarur, një vend të qeverisur nga ndërkombëtarët, apo diçka midis?


Është e qartë që këtë çështje e ndjekim nga shumë afër. Kemi disa prej diplomatëve tanë më të mirë të përfshirë dhe Kosova ka marrë interesin e niveleve më të larta në qeverinë time. U referohem deklaratave që Presidenti Bush bëri këtu në Tiranë, pasuar nga deklaratat e Sekretares Rajs dhe më së fundi nënsekretarit Bërns në Ministerialin e OSBE-së në Madrid. Pra, pozicioni ynë vërtet nuk ka ndryshuar. Pozicioni ynë është që plani Ahtisaari ishte menduar me mençuri, arritur pas një shqyrtimi, hetimi dhe konsultimi shumë të gjerë me të gjitha palët e përfshira. Ishte përfshirë një prej diplomatëve më të mirë të kohëve të sotme, Presidenti Ahtisaari dhe besojmë që u arrit një rrugë e paanshme dhe e drejtë përpara, e cila merr parasysh interesat e të gjitha palëve në këtë debat kompleks. Vazhdojmë ta mbështesim atë plan. Thënë kjo, duam t‘i shohim proceset e diskutimit, kemi vullnetin t‘i lejojmë këto procese, të ecin përpara. Dimë që takimi i fundit i Trojkës nuk arriti një përfundim, por ka parë të gjitha sugjerimet e arsyeshme që janë paraqitur. Ka mbetur edhe pak kohë. Nuk duam ta parashikojmë para kohe, deri në 10 dhjetor, se cili do të jetë rezultati. Mendoj që mund të mbeteni të sigurt që pozicioni ynë ka mbetur solid dhe shpresojmë që palët mund të arrijnë një marrëveshje të përbashkët, por nëse jo, ne e dimë cili është pozicioni ynë dhe duam t‘ju bëjmë shumë të qartë juve, miqve tanë shqiptarë, se ku qëndrojmë ne.


Po nëse nuk ka marrëveshje? Do ta mbështesnit idenë e pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme?


Duhet ta lëmë procesin të kryejë rrugëtimin e tij. Kemi rënë në një mendje për këtë proces. Ka nevojë ta lëmë të kryejë udhën e tij. Dhe pastaj do të shohim ku jemi. Por mendoj që mbështetja jonë që kosovarët të arrijnë pavarësinë, nëpërmjet një plani si ai i propozuar nga Presidenti Ahtisaari, është i palëkundur e i pandryshuar.


Tani dy pyetje, jashtë politikës dhe diplomacisë së ditës. Ishte një surprizë e këndshme të dëgjoja njohuritë tuaja mbi historinë dhe kulturën shqiptare. A mendoni se mund t‘i ndani ato komente me lexuesit tanë? Si duket letërsia ballkanike e Shqipërisë në sytë e një diplomati?


Siç e dini, dhe siç e di kushdo që ka biseduar me mua, ka qenë një prej kënaqësive të mia të mëdha që të mësoj mbi historinë dhe letërsinë e vendit tuaj. Dija pak për historinë dhe pak për letërsinë, por tani që kam arritur këtu, e shoh se sa e pasur dhe mbresëlënëse është. Për letërsinë kam pasur mundësinë të filloj të takohem me një numër shkrimtarësh e poetësh për të cilët kisha lexuar në SHBA. Këtu përfshihen z.Kongoli, z.Mustafaj, z.Fatos Arapi - isha veçanërisht i interesuar ta takoja këtë të fundit, sepse një prej poezive të tij ishte vërtet frymëzuese për mua. Do të ishte nder i madh për mua të vazhdoja të takoja shkrimtarë dhe poetë të tjerë. Kam lexuar shumë prej veprave të Ismail Kadaresë, shumë prej romaneve e eseve të tij dhe do të ishte vërtet nder i madh për mua ta takoja. Historia e vendit tuaj është absolutisht magjepsëse. Ne në SHBA kemi rreth 300 vjet histori ose pak më shumë; këtu flasim për histori në mijëvjeçarë, deri tek ilirët e të tjerët. Dhe, çdo herë që sheh rrotull, çdo herë që kthen sytë diku, je duke mësuar një pjesëz tjetër të asaj historie. Po ju jap një shembull. Para disa ditësh isha në Vlorë, për festën e pavarësisë. Në bisedë e sipër hasa emrin e Marigo Posios, gruas së përfshirë në Lëvizjen e Pavarësisë, që jepte mësim gjuhën shqipe kur ishte e kundërligjshme ta bëje këtë, madje sipas historive, edhe ka qëndisur flamurin shqiptar. Më pas dola te motrat Qiriazi dhe roli i tyre në atë periudhë; dola te Shote Galica dhe lufta e saj për pavarësi, si në Kosovë ashtu edhe këtu; pas një kërkimi të shpejtë pashë një fotografi të jashtëzakonshme të saj nga Marubi. Pastaj ishte Musine Kokalari, shkolluar jashtë, burgosur këtu për shkak të bindjeve të saj politike; apo edhe Nënë Tereza. Kjo ishte një temë, pjesë e historisë shqiptare, që nuk e kisha hasur më parë, por që më bën përshtypje si mjaft prekëse dhe kuptimplotë. Flet shumë për frymën, aftësitë dhe rëndësinë e gruas në gjithë historinë e Shqipërisë. Shpresojmë që me ecjen përpara të proceseve dinamike dhe reformave që përmenda do të ketë gjithnjë e më shumë mundësi për gruan që të vazhdojë traditën e këtyre shembujve më sipër. Pra, letërsia dhe historia e Shqipërisë për mua janë magjepsëse. Mbetem një nxënës shkolle për nga dijet e mia, por po kërkoj mësues dhe po kërkoj të mësoj sa më shumë që mundem. Është një temë pafundësisht magjepsëse dhe imponuese për mua, sepse historia e Shqipërisë na mëson shumë për të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë. Shqipëria, dhe do të doja të mendoja edhe amerikanët, ndajnë një pjesë të kësaj fryme; përballemi me vështirësi, merremi me to ballazi, gjejmë rrugë për t‘i kapërcyer, gjejmë rrugë për të ecur përpara e lart.


Një pyetje që lidhet më shumë me postin tuaj, se sa me personin. Në Shqipëri, ambasadori i SHBA shihet gjithmonë si një autoritet i lartë diplomatik, me ndikim të dukshëm mbi jetën politike e shoqërore të vendit, edhe pse jo në mënyra të shprehura e publike. Si e përjetoni këtë rrethanë, ose, nëse mund të shprehem kështu, a ndjeni një trysni pozitive në këtë drejtim?


Goxha pyetje. Po them që të jesh ambasadori amerikan në Shqipëri është vërtet një nder i madh. Kemi një marrëdhënie të veçantë, vendet tona e popujt tanë, e cila shtrihet në histori dhe të jesh në radhën e atyre që përpiqen t‘i përforcojnë më tej këto lidhje të veçanta, është një privilegj i vërtetë dhe unë shpresoj ta meritoj. Nga pikëpamja e rolit të ambasadorit amerikan këtu, ne jemi thjesht diplomatë. Jemi këtu për të çuar më tej marrëdhëniet midis vendit tonë dhe tuajit, ashtu si çdo diplomat tjetër, ashtu si kanë detyrë të bëjnë të gjithë diplomatët këtu. Shpresojmë që në këtë drejtim të mund të paraqesim përshtypjet më të mira të mundshme për Amerikën. Shpresojmë që të mund të ofrojmë ekspertizë dhe asistencë. Jemi me fat që në Shqipëri aspiratat e popullit shqiptar dhe vizioni që qeveria jonë ka shprehur për rajonin janë afër, pothuajse të njëjta. Kjo e bën komunikimin shumë të mirë, shumë të lehtë; i bën diskutimet shumë të frytshme. Dhe do thosha që nuk jam i sigurt nëse e kuptoj plotësisht shprehjen "trysni pozitive", por vërtet që nuk ndjej trysni në këtë punë. Qysh nga mbërritja ime këtu, ndjej që shqiptarët, të gjitha nivelet e shoqërisë, më kanë mirëpritur, më kanë mirëpritur ngrohtë dhe më kanë ndihmuar të bëj punën më të mirë që mundem. Ndoshta kishit parasysh diçka tjetër me shprehjen "trysni pozitive", por nuk ndjej asnjë lloj trysnie. Ndihem si në shtëpinë time dhe është një kënaqësi e pamat që jam këtu.


Marre nga revista politike "MAPO"

No comments:

Parashimi i motit per Tiranen