Thursday, March 18, 2010

META: PAJTIMI ME SERBINË, NJË PROCES I GJATË, POR JO I PAARRITSHËM

Përtej faktit se ishte një vizitë historike, ku mendoni se qëndrojnë vlerat praktike të kontakteve që zhvilluat në Beograd? Vlerat praktike qëndrojnë në një klimë të re bashkëpunimi ndërmjet të dy vendeve, në interes të ndërsjelltë, në interes të intensifikimit të bashkëpunimit rajonal dhe në interes të përshpejtimit të integrimit europian të vendeve tona dhe të rajonit, njëkohësisht mendoj se nënshkrimi i marrëveshjes për luftimin e krimit të organizuar tregon qartë se të dy qeveritë janë të angazhuara për të luftuar këtë fenomen, i cili është problematik në përgjithësi për gjithë rajonin tonë dhe që ka të bëjë me standarde të larta sigurie të rajonit tonë, por njëkohësishr edhe Europën e Bashkuar.
Dhe në mënyrë të veçantë, vizita në Preshevë është një tregues se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë bëjnë të mundur tashmë jo vetëm prezencën e autoriteteve shqiptare pranë këtij minoriteti etnik të shqiptarëve në Serbi, por njëkohësisht edhe mundësinë që të bashkëpunojmë në mënyrë që Lugina e Preshevës të jetë një burim stabiliteti për gjithë rajonin, por edhe prosperiteti për gjithë banorët e saj.

Kam mendimin se vizita në Preshevë, përbën në vetvete një dimension të ri që u shtohet marrëdhënieve shqiptaro serbe dhe që do të vazhdojë të ndodhet në qendër të këtyre marrëdhënieve. Apo e kam gabim?
Është vetëm fillimi i një mirëkuptimi të përbashkët midis dy qeverive, por edhe vendosja e bazave për një bashkëpunim më të gjallë midis dy qeverive dhe komunitetit të Preshevës, në mënyrë që këta banorë të mos e braktisin më këtë luginë shumë të bukur dhe që mendoj se edhe projektet që janë në plan për t’u zbatuar do të kthehet në një zonë të zhvilluar dhe shpresëdhënëse për banorët e saj.

Kam mbajtur një frazë nga konferenca juaj e shtypit, pas kthimit nga Serbia: “Të arrijmë një pajtim afatgjatë ndërmjet shqiptarëve e serbëve në rajon”. A mendoni se është i realizueshëm ky pajtim dhe a mjaftojnë vetëm marrëdhëniet e mira mes dy qeverive?
Natyrisht që ky pajtim do të thotë një proces i gjatë bashkëpunimi, mirëkuptimi, bashkëjetese dhe harmonie, ku sigurisht është më e lehtë për të nisur sot me raportet midis Shqipërisë dhe Serbisë, por në të ardhmen patjetër edhe midis vetë Kosovës dhe Serbisë. Ashtu sikurse një proces shumë pozitiv mendoj se tashmë ka nisur për gjithë qytetarët e Luginës së Preshevës e cila ka qenë dhe më problematike në të kaluarën.

Nuk e di se sa vend ka zënë në bisedat tuaja me palën serbe çështja e Kosovës. Por do të isha i interesuar të dija se për cilat aspekte të kësaj çështjeje diskutuat, përveç njohjes së pavarësisë, ku dihet që pikëpamjet janë krejtësisht të kundërta..
Është e vërtetë dhe ne e kemi bërë dhe publike që pikëpamjet për çështjen e shtetit të ri të Kosovës janë të ndryshme. Shqipëria është një nga vendet që e ka mbështetur por edhe do të vijojë të japë përkrahjen maksimale për njohjen e këtij shteti, sepse ne mendojmë që kjo është në interes të gjithë rajonit dhe të fqinjëve të Kosovës. Ndërsa mendojmë që, pavarësisht nga dallimet e forta për çështjen e pavarësisë apo të shtetit të ri të Kosovës, biem dakord që edhe Kosova do të jetë pjesë e Bashkimit Europian dhe njëkohësisht duhet të gjenden të gjitha format dhe mënyrat praktike e tolerante që të bëjnë të mundur përfshirjen e të gjitha palëve në tryezat e bashkëpunimir rajonal.

Zoti Meta, muajt e fundit keni pasur një axhendë mjaft të ngjeshur diplomatike në rajon. Kujtoj takimet me homologët tuaj të Turqisë, Kosovës, Greqisë, Sllovenisë, Malit të Zi, Maqedonisë, e tani Serbisë. A pritet të dalë diçka më konkrete nga këto kontakte, apo janë bërë thjesht në planin protokollar.
Të gjitha këto takime e vizita janë pjesë e programit të qeverisë dhe shprehje e prioritetit themelor të politikës sonë të jashtme, për të forcuar bashkëpunimin me fqinjët dhe bashkëpunimin në të gjithë rajonit tonë. Prandaj mendoj se kjo politikë e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal ka qenë dhe mbetet një shtyllë themelore e gjithë politikës së jashtme të Shqipërisë dhe do të pasurohet me një aktivitet të ri dhe duke tejkaluar edhe vështirësi apo vakuume të caktuara, sikurse dhe praktikisht po ndodh.

Dhe një pyetje e fundit. Greqia po përjeton një krizë të rëndë ekonomike. A mendoni se një nga pasojat asimetrike të kësaj krize do të mund të jetë ngecja e perspektivës integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të cilat kryeministri grek kishte ndërmarrë “axhendën 2014”?
Ne kemi duartrokitur “Axhendën 2014” të kryeministrit Papandreu dhe besojmë se Greqia do të vijojë të luajë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim, sepse gjithmonë Greqia ka patur një rol inkurajues për gjithë vendet e Balllkanit qël të bëhen anëtarë të bashkimit Europian. Dhe ne shpresojmë që së shpejti kjo situatë krize në Greqi të normalizohet në sajë të gjithë masave që po merr qeveria greke dhe njëkohësisht kjo qeveri të ketë edhe më shumë mundësi për të promovuar këtë projekt tepër ambicioz dhe domethënës, Ballkani 2014. Dhe unë kam plot shpresë se kontributi i Greqisë do të jetë shumë i ndjeshëm në të ardhmen e afërt. (Tribuna)

No comments:

Parashimi i motit per Tiranen