Monday, April 12, 2010

INTEGRIMI E VIZAT, FRATTINI: OPOZITA TË BASHKËPUNOJË ME QEVERINË

TIRANE – (Ritransmetim) – Ministri i Jashtëm italian Franco Frattini i cili zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë, gjatë fjalës së tij në konferencë për media me Kryeministrin Berisha, i bëri thirrje opozitës të bashkëpunojë me qeverinë për integrimin e vendit.
Në fjalën e tij para mediave, Ministri Frattini u shpreh: “Falënderoj përzemërsisht mikun tim personal dhe të Italisë, kryeministrin e Shqipërisë, zotin Sali Berisha për fjalët miqësore që shprehu për Italinë dhe qeverinë italiane.
Ne do të vazhdojmë të mbështesim fuqimisht procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Objektivi politik, për të cilin ne duhet të punojmë së bashku, dhe për të cilin Italia do të jetë në vijën e parë, është i dyfishtë: është objektivi për të patur një vendim për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në BE, brenda këtij viti, dhe gjithashtu për të patur vendimin për liberalizmin e vizave në Shqipëri, para verës së këtij viti. I konfirmova kryeministrit Berisha bindjen time, se të gjitha forcat politike shqiptare duhet të bashkëpunojnë për të mirën e Shqipërisë në Evropë.
Gjithashtu i konfirmova Kryeministrit Berisha, se ndaj plotësisht me të, bindjen e thellë që asnjë forcë politike shqiptare nuk mund të mos bashkëpunojë me qeverinë shqiptare, pikërisht në këto momente, për integrimin e Shqipërisë dhe zhvillimin e saj.
Ne synojmë të zhvillojmë më tej edhe bashkëpunimin tonë dypalësh. Ishte shumë e frytshme biseda mbi perspektivën e zhvillimit të prodhimit të energjisë së rinovueshme dhe të energjisë bërthamore dhe në të njëjtën mënyrë, do të punojmë së bashku për nxitur Korridorin 8, që përbën një nga infrastrukturat më të mëdha transeuropiane dhe pikërisht për këtë qëllim do të zhvillohet së shpejti në Tiranë një takim mes ministrave përkatës.
Do të kemi edhe një bashkëpunim më të dendur në rajonin e Ballkanit dhe besojmë shumë në rolin pozitiv të Shqipërisë për sa i përket zhvillimit të mëtejshëm ekonomik dhe shoqëror të Kosovës.
Kështu falë kësaj pranvere italiane dhe shqiptare që po festojmë së bashku, po demonstrohet edhe një herë miqësia e vërtetë mes popujve tanë.”
Në përfundim të deklaratave, kryeministri Berisha i dorëzoi Ministrit të Jashtëm Italian Fratini një koleksion pullash postale të realizuara nga posta shqiptare, për të festuar sezonin e madh të eventeve Italia dhe Shqipëria, dy popuj, një det, një miqësi, promovuar nga ambasada italiane. (Lajmifundit)

No comments:

Parashimi i motit per Tiranen