Tuesday, November 6, 2007

Te gjithe per Pavaresi !

Brenda dy muajsh do të merren vendime të rëndësishme për Kosovën, dhe po aq të rëndësishme për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit. Qeveria kosovare pritet të shpallë Pavarësinë e shumëpritur, e më pas do të vijnë me radhë njohjet e disa vendeve, ashtu si dhe protestat e kundërshtimet e disa shteteve të tjera. Momenti është tejet delikat, pse pavarësia do të ishte zgjidhja e vetme paqtuese për shqiptarët e Kosovës, që presin të prosperojnë në një atdhe sovran, por nga ana tjetër, nëse zgjidhja e statusit vazhdon të zvarritet, siç po ndodh prej nëntë vjetësh, gjithçka ndryshon ngjyrë. Gjendja në Kosovë do të vazhdojë të përkeqësohet, ose në rastin më të mirë do të qëndrojë në stanjacion, sa i përket dimensioneve ekonomike, kulturore, politike të asaj shoqërie të brishtë, në hapat e para drejt konsolidimit. Në këtë moment të veçantë, Kosova e qytetarët e saj kanë nevojë për shumë më tepër se solidariteti mondan i tavolinave, filxhanëve e gotave. Nëntë vjet më parë u treguam solidarë ndaj vëllezërve tanë të një kombi, duke hapur shtëpitë, për të pritur ata që arritën t’i shpëtojnë gjenocidit. Ishin kohë të vështira, pikërisht ato kohë kur vëllai ndihmon vëllanë, me gjithë shpirt.
Kohët që po përjetojmë janë po aq të rëndësishme, Pavarësia është ajo që do të vendosë për të ardhmen e Kosovës, vendimtare për lënien pas të të gjithë problemeve e halleve shekullore të atij rajoni. Kjo situatë kërkon një solidaritet, në të njëjtin nivel, një mbështetje vëllazërore për Kosovën.
Çfarë do të pritej në këto momente, minimalisht, do të ishte që të gjithë ne të ngriheshim dikur nga kafenetë, të dilnim nga qoshet e përditshme të jetës sonë, e në një moment të caktuar të mblidhemi së bashku në qendër të Tiranës, pranë Heroit Kombëtar, në mbështetje të Pavarësisë së Kosovës. E që prej aty, simbolikisht, të gjithë të zhvendosemi drejt simbolit tjetër kombëtar, Nënë Terezës, shenjtores së paqes. Por në këtë takim paqësor duhet të jemi të gjithë!
E kuptoj që disa prej nesh, me atë skepticizmin e cinizmin e përditshëm, do të mendojmë se kjo do shumë punë, do organizim, do kohë etj., etj. Por, kjo ka një zgjidhje tejet praktike. Mjafton dëshira e mirë e gjithsecilit dhe nëse keni një përkatësi politike, kërkojeni organizimin në forumet e partisë suaj, nëse jeni studentë, kërkojeni organizimin te profesorët tuaj, nëse jeni qytetarë aktivë, organizoni të tjerët, të jeni të sigurt që do të gjeni njerëz që do t’u mbështesin. Në raste të tilla, barrierat e kufijtë politikë apo pseudo-etikë nuk kanë asnjë kuptim. Motrat e vëllezërit tanë kanë nevojë për mbështetje. Dhe ne, ashtu si në 1999, duhet të jemi solidarë me ta!
Pavarësia e Kosovës ndoshta mund të tingëllojë disi e largët nga e përditshmja tiranase, fierake, apo shkodrane. Por nuk është kështu. Ka shumë arsye për të mbështetur pavarësinë e Kosovës, nga qasje të ndryshme. Po evitoj në këto rreshta përqasjen nacionaliste, pasi të gjithë në këtë sens e kanë të qartë lidhjen e gjakut e kulturës midis shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë, një marrëdhënie që nuk ka nevojë për shumë argumentim. Nga pikëpamja e shtetasit shqiptar, që të japim një shembull aspak nacionalist, është thelbësore që Kosova të marrë pavarësinë sa më shpejt. Ky rajon i Ballkanit gjeopolitikisht ndodhet aty ku kalojnë rrugët që lidhin Detin Adriatik (lexo Durrësin) me Detin e Zi, lexo tregun aziatiko-qendror e Lindjen e Mesme, zona tejet të rëndësishme sa i përket zhvillimeve tregtare ndërkombëtare në ditët e sotme. Gjithashtu, në Kosovë kalojnë rrugët që lidhin Shqipërinë me Europën Qendrore e Veriore (nëpërmjet hekurudhës Prishtinë-Beograd). Do të ishte tejet pozitive për ekonominë shqiptare, lidhja infrastrukturore me të dyja këto tregje të rëndësishme. Stabiliteti politik i Kosovës është e vetmja mënyrë për ta bërë funksionale këtë urë infrastrukturale, dhe kjo mund të arrihet vetëm duke i garantuar shqiptarëve të Kosovës pavarësinë. Për të njëjtat arsye, çdo shtet ballkanik duhet të ishte dakord me pavarësinë e Kosovës, një pavarësi që do t’i sillte vetëm përfitime rajonit, sa i përket stabilitetit dhe ekonomisë.
Por jo gjithnjë ndodh kështu. Për shkak të aleancave, prirjeve historike apo lidhjeve ekonomike, ka disa shtete që janë shprehur në parim kundër pavarësisë së Kosovës, kryesisht duke u mbështetur tek e drejta e Serbisë për të ruajtur territorin e saj integral. Pa dalë nga kornizat e marrëdhënieve ndërkombëtare, mund të përmendim disa argumente kundërshtues ndaj këtij qëndrimi. Së pari, vlen të përmendet fakti që shteti serb (Republika e Serbisë, në atë kohë pjesë e FRJ-së), në vjetët 1983-1999, e sidomos pas 1992-it, nuk e ka ushtruar siç duhet autoritetin shtetëror mbi provincën e Kosovë-Metohisë. Që përpara lufte, qytetarët shqiptarë ishin të përjashtuar nga një segment i gjerë të drejtash dhe praktikisht, Serbia nuk ishte shteti i tyre, as si formacion qeverisës. Raste të tilla ka pasur dhe më parë, e pikërisht për këtë ia vlen të përmendet si shembull Traktati i Montevideos, i nënshkruar që në 1933 nga SHBA dhe një sërë shtetesh amerikano-latine përbën një precedent interesant, përsa i përket formimit të shteteve dhe njohjeve të tyre si të tillë. Në këtë Konventë mbi Të Drejtat dhe Detyrat e Shteteve, shkruhet: “Shteti, si një person (subjekt) i të Drejtës Ndërkombëtare duhet të zotërojë: a) një popullsi permanente (të përhershme); b) një territor të caktuar; c) aftësinë që të hyjë në marrëdhënie me shtete të tjera”. Më tej, në nenin 3, të kësaj konvente, shprehet qartë se: “Ekzistenca politike e një shteti, nuk varet nga njohja prej shteteve të tjerë”. Kjo është Teoria Deklaruese e Formimit të Shtetit, një teori e cila aplikohet më së miri në rastin e Kosovës. Në fund të fundit, kemi të bëjmë me një territor që edhe pse de jure është pjesë e Serbisë, de facto ka 9 vjet që funksionon si një shtet i pavarur, me qeveri e me institucione, edhe pse nën administrimin e OKB.
Nga ana tjetër, Serbia e ka pasur Kosovën si pjesë integrale të shtetit, për rreth 80 vjet. Por ky argument nuk është i mjaftueshëm, dhe as bindës. Kufijtë e shteteve ndryshojnë, dhe për të perifrazuar princin e Lihtenshtejnit, Hans-Adam II: “Le ta pranojmë faktin që shtetet kanë një cikël jete të ngjashëm me atë të njerëzve, prej të cilëve janë krijuar. Thuajse të gjithë shtetet anëtarë të OKB-së i kanë ndryshuar kufijtë e tyre, në një kohë jo më të gjatë se pesë breza njerëzorë. Përpjekja për të ngrirë evoluimin njerëzor në të shkuarën ka dështuar, dhe ka sjellë shumë më tepër dhunë se ç’mund të sillte një zhvillim i natyrshëm, i kontrolluar paqësisht. Shtrëngimet e ndalimet e vetë-përcaktimit (self-determination ) rrezikojnë jo vetëm demokracinë, por edhe vetë shtetin, që më pas kërkon të legjitimohet tek kjo demokraci”. Fjalë të urta. Historia nuk ka shumë rëndësi, Kosova ç’prej dy shekujsh ka qenë në mënyrë të vazhdueshme e banuar nga një shumicë shqiptarësh, me ndërgjegje politike të mirëpërcaktuar. Sot ky grup ka arritur pjekurinë politike për të shpallur një shtet, e kështu le të ndodhë.

No comments:

Parashimi i motit per Tiranen